Perlat Musta: Partizani është më dominues, e shoh më afër titullit

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-portieri i Partizanit dhe Kombëtares, Perlat Musta

Agron Kaja

“Në pjesën e Parë Partizani ishte më dominues në të gjitha drejtimet dhe duhet të kishte marrë tri pikët, por në pjesën e dytë e zbehu pak lojën. Ishin dy ekipe të forta dhe loja ishte e hapur, por me këtë sistem, fitorja nuk ka shumë vlerë”

Rezultatet e javës së 22-të të Superiores, sipas jush ishin normale, në logjikë, apo me surpriza?

Sigal

Surprizë nuk mund të them, por fitorja e thellë e Dinamos shkon si e tillë. Me ardhjen e Mehmetit në stol, kjo skuadër ka ndryshuar dhe e ka kaluar krizën e rënies. Ndërsa Erzeni duket pa qëndrueshmëri, kryesisht pas dëmtimit të portierit.

Cilën nga ndeshjet e kësaj jave do ta veçoni si më të mirën në të gjithë treguesit e lojës?

Për mua si ndeshje më të mira të kësaj jave  mendoj se ishin dy: Partizani-Egnatia 1-1 dhe Laçi-Vllaznia 1-1. Jo se dolën të barabarta të dyja, por ato kishin volum, u luajtën me itensitet dhe me raste të shumta shënimi.

Ku mendoni se rezultati ishte i paparashikueshëm, dhe në cilën i pritshëm?

Siç erdhi rezultati te ndeshja Kukësi-Tirana 2-3, mendoj se bardheblutë bënë të paparashikueshmen. Tirana nuk është në një gjëndje të mirë si pretendente, edhe pse ka kohë që të rekuperojë në disa tregues të lojës.

Me Egnatian, Partizani nuk shkoi më shumë se barazimi, si e përshkruani lojën e skuadrës suaj të zemrës?

Në pjesën e Parë Partizani ishte më dominues në të gjitha drejtimet dhe duhet të kishte marrë tri pikët, por në pjesën e dytë e zbehu pak lojën. Ishin dy ekipe të forta dhe loja ishte e hapur, por me këtë sistem, fitorja nuk ka shumë vlerë.

Këtë javë u shënuan 16 gola, është kjo një mesatare e mirë?

Nuk është një shifër shumë e lartë, por as edhe e ulët. Se të shënohen 16 gola në 5 ndeshje, mesatarja shkon mbi 3 gola për ndeshje. Por skuadrat duhet të punojnë dhe të mendojnë më shumë për finalizimin, këtu duhen lojtarët e golit.

Dy javë më parë, Stavri Nica u largua “seriozisht” nga bankina e Kukësit, çfarë tregojnë hyrje-daljet e tij?

Këtë e di më mirë vetë tekniku Nica për këto lëvizje, por mendoj se trysnia e kampionatit bën që të ketë të tilla lëvizje. Unë nuk shoh ndonjë gjë të keqe për mënyrën e largimit të tij, janë gjëra normale për çdo trajner.

Me këtë ecuri, cilat skuadra mendoni se do të bëjnë grupin e “Final 4”?

Pak a shumë mendoj se këto katër skuadra mund të jenë” Egnatia, Partizani, Vllaznia e Tirana. Por nuk i dihet deri në fund, sepse siç po shohim në ndeshjet e fundit Dinamo po ngjitet shumë. Janë edhe 14 ndeshje me 42 pikë, ndaj mendoj edhe të tjera lëvizje.

Janë luajtur 109 ndeshje, çfarë dukuri kanë spikatur në këtë rrugëtim?

Ky lloj sistemi më “Final 4”, që në moment ta humbet respektin edhe emocionet e vërteta të një ndeshjeje. Sepse nuk ndodh si gjithmonë që çdo ndeshje të ketë gjithçka me ato tri pikët dhe renditesh në tabelë pa gjëra shtesë!

ABISSNET SUPERIORE

REZULTATET, JAVA 22
E shtunën, 3 shkurt 2024

Kukësi-Tirana              2-3

Partizani-Egnatia         1-1

Teuta-Skënderbeu       3-0

Të dielën, 4 shkurt 2024
Laçi-Vllaznia                1-1

Erzeni-Dinamo City    0-4

RENDITJA

Skuadrat            Nd    Pikë

1.Egnatia             22     37

2.Partizani           22     37

3.Vllaznia           22     34

4.Tirana               22     33

5.Dinamo City   21     28

6.Laçi                            22     27

7.Skënderbeu     21     25

8.Erzeni               22     22

9.Teuta                22     21

10.Kukësi           22     19

 

Hyrje-daljet në bankinë, Stavri Nica thyen “rekord”

Java e 21-të e Abissnet Superiore kishte edhe një të veçantë, që në futbollin shqiptar po bëhet si modë. Ishte dorëheqja e dytë e Stavri Nicës si trajner i Kukësit, dhe e treta e tij në këtë edicion të futbollit superior shqiptar. Pasi drejtoi në pak javë Laçin, u largua për arsyet e tij, dhe pa u qartësuar plotësisht largimi (shkarkimi apo dorëheqja), në javën pasardhëse Nica u gjend në stolin e Kukësit, i cili kishte larguar Rrahman Hallaçin. Ecuria nisi të dukej pozitive, edhe pse brenda saj kishte tentativë ikjeje e ardhje prej tij. Marrëdhëniet brenda grupit e “acaruan” shumë dhe rezultati humbës me Dinamon e bëri të pakthyeshëm largimin. Kjo ishte historia me hyrje-daljet në bankinë prej Stavri Nicës, që nuk ndikon pozitivisht as te skuadrat, por edhe te vetë vlerat e trajnerit. Ndoshta do mbetemi në pritje të lëvizjes Nr.4 të tij. Cila do jetë?!