Ernest Gjoka:A do të shkojë Flamurtari në Europë?

514
Sigal

Trajneri i vlonjatëve, Ernest Gjoka: “Gjithçka varet nga ndeshjet e kundërshtarëve, Kukësit dhe Teutës”

 Flamurtari pësoi një humbje shokuese në Kukës, me një rezultat të papritur 6-1, njëherësh edhe rezultati më i thellë i këtij sezoni. Edhe pse presidenti Shpëtim Gjika shpenzoi rreth 1 milion euro (kjo është shifra që deklarohet nga klubi vlonjat), sezoni mund të konsiderohet i dështuar, pasi shpresat e Flamurtarit për një vend në Ligën e Europës janë minimale, pasi çdo gjë tani është në duart në Kukësit dhe Teutës që, kanë respektivisht +4 pikë dhe +3 pikë nga vlonjatët kur kanë vetëm dy javë.

 TRAJNERI GJOKA – Edhe tani që kanë kaluar më shumë se 24 orë nga humbja e së shtunës në Kukës, trajneri i Flamurtarit, Ernest Gjoka, ende nuk u beson syve. Më i ftohtë, tekniku i kuqezinjve pranoi për gazetën “Telegraf” se, skuadra u lëshua pas pësimi të golit të tretë, të pësuar në minutën e 47-të, gol i realizuar nga kosovari Yll Hoxha, e që e çoi rezultatin në 3-0. Kukësi më parë kishtë shënuar me penallti në minutën e 9-të (11-metërsh i kontestuar nga gjyqtarët) dhe më pas në të 22’, me të njëjtin autor Igli Allmuçën. “Pas golit të tretë, – tha Gjoka, – u lëshuam fare. Patëm një ngërç psikologjik. Luajtëm shumë, shumë keq. U bëmë një skuadër shumë e vogël”. Vlonjatët u shthurën dhe pësuan edhe tre gola të tjerë, teksa rezultati shkoi në 6-0, përpara se Muzaka të shënonte golin e nderit. Trajneri është i vetëdijshëm për humbjen e rëndë dhe për trishtimin që ka kapur tifozerinë vlonjate. “E di që në Vlorë janë mërzitur shumë. I mirëkuptoj, pasi kanë shumë të drejtë”, – shtoi Gjoka, i cili në fakt, në 11 javët e tij në drejtimin e skuadrës grumbulloi 6 pikë më shumë sesa paraardhës i tij, spanjolli Rubio, në 12 javët e tij.

 KALENDARI – Flamurtari u eliminua nga Kupa e Shqipërisë, edhe për shkak të aleancës së tre kundërshtarëve të tij në grup: Laçit, Bylisit dhe Teutës. Si për ironi, Laçi dhe Bylisi do të diskutojnë finalen e kompeticionit. Ishte pikërisht Teuta, ajo që u fali pikë të plota të gjithëve, pasi skuadra durrsake, e cila ndodhet aktualisht në vendin e tretë, i humbi të gjashtë takimet. Flamurtari pas fitores 3-0 në Kupë me Teutën barazoi 1-1 në kampionat, duke humbur shansin e parakalimit. Gjoka tha: “Tani çdo gjë varet nga rezultatet e kundërshtarëve direkt, Kukësit dhe Teutës, por aleancat që ata kanë pasur gjatë kampionatit na japin pak shpresa se, mund të zëmë vendin e tretë. Gjithsesi, në futboll nuk i dihet”. Pikërisht, tani pas 24 javësh, Teuta ka tri pikë më shumë se vlonjatët. Durrsakët presin në shtëpi Laçin ( i lanë pikët e plota në Kupë), ndërkohë që vlonjatët presin Vllaznisë, me shkodranët që nuk janë më të interesuar për kampionatin. Nëse të dyja skuadrat fitojnë, atëherë para ndeshjes së javës së fundit, Teuta mbërrin me tri pikë më shumë. Java e 26-të ofron çiftet Tomori-Teuta dhe Apolonia-Flamurtari, pra kundër dy skadarave të rëna prej disa javësh nga Superliga dhe që më shumë kanë interes të respektojnë kampionatin. Kukësi nga ana e tij ka katër pikë më shumë se Flamurtari. Kuksianët do të luajnë në Krujë kundër Kastriotit dhe në javën e fundit ndaj kampionit Skënderbeu.

Renditja pas javës së 24-t

1    Skënderbeu      24   +29  55

———————————–

2    Kukësi          24   +20  46

3    Teuta           24   +10  45

———————————–

4    Flamurtari      24   +14  42

5    Tirana          24   +6   39

6    Laçi            24   +2   37

7    Vllaznia        24   +4   35

8    Kastrioti       24   -5   34

9    Besa            24   -3   30

10   Bylis           24   +4   29

———————————–

11   Shkumbini       24   -17  23

12   Luftëtari       24   -18  19

13   Tomori          24   -22  16

14   Apolonia        24   -24  11

JAVA 25/ 04.05.2013

Skënderbeu-Luftëtari

Kastrioti-Kukësi

Flamurtari-Vllaznia

Besa-Apolonia

Tirana-Bylis

Teuta-Laçi

Shkumbini-Tomori

JAVA 26/ 11.05.2013

Luftëtari-Shkumbini

Tomori-Teuta

Laçi-Tirana

Bylis-Besa

Apolonia-Flamurtari

Vllaznia-Kastrioti

Kukësi-Skënderbeu

Muça e drejtoi një javë; spanjolli Rubio drejtoi 12 javë; Gjoka e ka udhëhequr ekipin në 11 javë

 Tre trajnerët e Flamurtarit

 Flamurtari është drejtuar në 24 javët e deritanishme të këtij sezoni tre trajnerë: Shkëlqim Muça, Hulian Rubio (spanjoll) dhe Ernest Gjoka.

  SHKËLQIM MUÇA – Nën drejtimin e teknikut kryeqytetas, i cili e drejtoi Flamurtarin edhe disa javë në sezonin e kaluar si dhe në Ligën e Europës, vlonjatët zhvilluan vetëm një ndeshje. Flamurtari barazoi 1-1 me Bylisin, në transfertën që u luajt në fushën asnjanëse të Beratit. Presidenti Shpëtim Gjika nuk e përtypi dot atë rezultat që u konsiderua negativ dhe largoi Muçën nga drejtimi, pavarësisht se flitej vetëm për javën e parë të kampionatit. Në fakt, raporti i Muçës me drejtuesit e klubit ishin ftohur prej kohësh.

 HULIAN RUBIO – Hulian Rubio fitoi sezonin e kaluar tre trofe si trajneri i Tiranës: dy Superkupa dhe një Kupë të Shqipërisë, që të tria në finalet kundër Skënderbeut, çka nxitën interesin e drejtuesve të Flamurtarit, të cilët i ofruan kontratë 1-vjeçare me një pagesë mujore prej 13 mijë eurosh, por Rubio dështoi në Vlorë. Bilanci: 5 fitore, 3 barazime, 4 humbje dhe vendi i 7-të në përfundim të fazës së parë. Spanjolli ishte trajneri i katërt të huaj në krye të Flamurtarit, pas rumunit Bolonesku, bullgarit Arabov dhe kroatit Kovaçeviç, ku asnjë prej tyre nuk ka la gjurmë.

 ERNEST GJOKA – E mori skuadrën në dorëzim pas humbjes 1-0 të Flamurtarit me Bylisin në Kupë, që solli edhe shkarkimin e Rubios. Gjoka, një ish-trajner i Apolonisë, Tomorit dhe Kamzës, solli një frymë të re në skuadër dhe në 11 ndeshjet e tij pati rezultate më të mira se paraardhësi i tij spanjoll: 7 fitore, 3 barazime, 2 humbje, ose 24 pikë kundrejt 18 pikëve të Rubios. U eliminua në Kupë, për shkak të aleancës së trefishtë: Laçi-Bylis-Teuta. Kur kanë mbetur edhe dy javë, Flamurtari ka shumë pak shanse për të kapur një vend në Ligën e Europës.

STATISTIKAT

Shkëlqim Muça (java 1)

Bilanci: 1 ndeshje, 1 barazim

Hulian Rubio (java 2-13)

Bilanci: 12 ndeshje, 5 fitore, 3 barazime, 4 humbje

Ernest Gjoka (nga java 13)

Bilanci: 11 ndeshje, 7 fitore, 3 barazime, 2 humbje

“Këpuca e Artë” e Memellit,trofeu i vetëm i vlonjatëve

 Edhe pse Flamurtari dhe presidenti Shpëtim Gjika investuan shuma ta konsiderueshme, për të fituar titullin e dytë në historinë e klubit, pas atij të koleksionuar në sezonin 1990-1991, vlonjatët dolën shumë shpejt nga gara për titullin kampion, ndërkohë që dështuan edhe në Kupën e Shqipërisë. Gjithsesi, në Vlorë janë të bindur se, “Këpuca e Artë” u përket atyre, një trofe që me shifrat e deritanishme pritet ta fitojë sulmuesi Migen Memelli, golashënuesi më i mirë aktual i kampionatit me 19 gola të realizuar në 24 javë, gjashtë më shumë se serbi i Kukësit, Lazar Popoviç, 13 gola. Për Memellin ky do të ishte trofeu i dytë individual pas atij të fituar me Tiranën, në sezonin 2008-2009, të shoqëruar edhe me titullin kampion me bardheblutë, ndërsa për Flamurtarin do të ishte hera e pestë që një lojtar i tyre do të fitonte “Këpucën e Artë”, pas Vasil Rucit (dy herë), Viktor Paços dhe Daniel Xhafajt. Duke parë pesë shënuesit më të mirë të sezonit, vërejmë dy statistika shumë interesante: dy nga pesë lojtarët më produktivë janë të Flamurtarit, Memelli (18 gola) dhe Muzaka (11), ndërkohë që janë tre lojtarë të huaj: serbi Popoviç i Kukësit (12), kroati Pejiç i Skënderbeut (11) dhe nigeriani Izuçuku i Bylisit (10). Në fakt, me ndonjë lëshim të vogël, siç ishte rasti i Migen Memellit, kur shënoi dy nga tre golat kundër Bylisit (ballshiotëve u dënuan me gjobë nga Disiplinë për veprimin e tyre, në influencimin në rezultat), gara midis golashënuesve është e vërtetë dhe e fortë, në dallim me atë që ndodhi vitin e kaluar, në javën e fundit, kur dyluftonin Roland Dervishi i Shkumbinit me Endi Bakiun e Tomorit. Bomberi pogradecar i Flamurtarit ka shënuar 19 gola, pesë prej tyre nga pika e bardhë. Flamurtari 46 gola në 24 javë, ose me një mesatare 1.91 gola për ndeshje. Vlonjatët kanë sulmin më rezultativ në kampionat. Kuqezinjtë e Flamurtarit kanë realizuar shtatë gola më shumë se Skënderbeu, pavarësisht se korçarët kanë 11 pikë më shumë. Nga përfundimi i sezonit kanë mbetur edhe dy javë dhe me situatën e krijuar, sidomos me katër ekipet e fundit, që kanë rënë Kategorisë së Parë, Apolonia, Tomori, Luftëtari dhe Shkumbini, askush nuk mund ta parashikojë nëse do të përsëritet skenari i javës së fundit të sezonit 2011-2012. Gjithsesi, një përfundim mund ta nxjerrim se, trofeu “Këpuca e Artë” këtë sezon nuk do të jetë më peng i Komisionit të Etikës, dhe në rast se atë e fiton Memelli, ky i fundit e ka premtuar publikisht se paratë e akorduara më atë rast do t’ua shpërndajë të gjithë shokëve të ekipit, në mënyrë të barabartë.