Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Ushtria e Ali Pash Tepelenës

950
Përpjekjet e Ali Pashë Tepelenës për ushtri bashkëkohore me vendet evropiane
(Në kuadrin e 195 vjetorit të vrasjes, më 25 janar 1822)
Në përgatitjen dhe stërvitjen e ushtrisë
Ali Pasha synoi të fuste në të sistemet dhe metodat e reja taktike të luftimit, që po përhapeshin në Evropë, veçanërisht në Francë, që vështrohej si vendi me organizimin ushtarak më të përparuar. Për të stërvitur trupën dhe për të përgatitur oficerët e saj me sistemet dhe metodat e reja luftarake, ai mori shumë specialistë të huaj ushtarakë. Gjithashtu i kushtoi vëmendje të veçantë stërvitjes, kalitjes psikologjike dhe fizike të trupës për të kapërcyer gjendjen e rëndë të luftës dhe vështirësitë që mund të krijoheshin nga moti e terreni, duke synuar që ta bënte atë sa më të qëndrueshme. Ushtria e pashallëkut të Janinës drejtohej nga Komandant i Përgjithshëm i ushtrisë Ali Pasha dhe për ndihmë e këshillime krijoi një këshill të lartë ushtarak. Me urdhër të Portës së Lartë ushtria merrte pjesë në fushata ose ekspedita perandorake tepër të rëndësishme dhe kur bëhej mobilizimi i përgjithshëm në këtë rast, drejtohej nga Ali Pasha. Në raste të veçanta, kur ndërmerreshin operacione të shkëputura kundër ndonjë feudali brenda pashallëkut, ndonjë fqinji etj., njësitë ushtarake drejtoheshin nga mëkëmbësi i tij, ose nga ndonjë i afërm ose feudal besnik. Për vlerësimin e gjendjes së rëndë ose në gjendje kërcënuese, për marrjen e vendimeve përkatëse organizonte kuvende dhe këshillime me Këshillin e Lartë të Pashallëkut, me drejtues organizativ dhe krerë sanxhaqesh e krahinash të ndryshme. Sistemi i ruajtjes përbëhej nga një rrjet i gjerë repartesh ushtarake të përhershme si nga këmbësoria, kalorësia, artileria dhe forca territoriale, që mbulonin rrugëkalimet kryesore, qendrat administrative, kalatë dhe hapësirat ndërmjet tyre, si dhe bregdetin. Zbulimi strategjik ishte organizuar mirë brenda dhe jashtë Pashallëkut dhe bazohej në një rrjet të gjerë njësish vrojtimi dhe përgjimi, që i siguronte kryepashait një informacion të bollshëm dhe të shpejtë. Ali Pasha kishte organizuar edhe një rrjet të efektshëm agjenture të jashtme. Agjentët e shumtë që mbante në Korfuz, në Venecia, në Fiume (Rjeka), në Maqedoni e deri në Stamboll, Paris etj, e vinin atë në dijeni të ngjarjeve e situatave me rëndësi në Evropë për gjendjen e qëndrimit të Fuqive të Mëdha dhe kishin mundur të zgjidhnin shpesh korrespondencat e shifruara të agjenturave angleze dhe franceze.
Rëndësi të madhe i kushtoi fortifikimit
Përforcoi kalatë ekzistuese si dhe ndërtoi kala të reja, që formonin vija zinxhirë mbrojtjeje të caktuara, si në kufijtë e Pashallëkut, përgjatë bregdetit dhe në nyjat e kyçet rrugore. Kalatë u ndërtuan për t’ju përgjigjur kërkesave të luftimit: u përshtatën për armët e artilerisë dhe të këmbësorisë, u eliminuan këndet e vdekura. Brenda kalasë u bënë zgjerime dhe u ndërtuan depo të reja municionesh, ushqimesh, puse uji etj. Kalatë që shtriheshin në zonat kufitare të pashallëkut përbënin nyjat e para të mbrojtjes. Në bregdet rrjeti i kalave ishte më i dendur. Nga Himara deri në Butrint u vunë në gatishmëri 7 kala: e Himarës, e Sopotit, e Palermos, një në afërsi të Nivicës, e Lëkursit (Sarandë) dhe dy në kanalin e Butrintit. Në rajonet e brendshme të pashallëkut u përforcuan dhe u vunë në gatishmëri dhe kala të tjera, si ajo e Beratit, e Vlorës, e Tepelenës, e Gjirokastrës, ato rreth Janinës etj. Krahas fortifikimeve mbrojtëse, u morën masa të efektshme për përmirësimin dhe zgjerimin e rrjetit rrugor dhe veçanërisht të atyre që lidhnin qendrën e pashallëkut me qendrat e sanxhaqeve dhe me portet detare. U ndërtuan gjithashtu ura, ujësjellës etj.
Organizimi i ushtrisë dhe mbrojtja e kalave
Ali Pasha në kohë paqeje mbante një ushtri prej 15.000 veta për garnizonet e fortesave, por ai ishte në gjendje të ngrinte e të mbante me mundësitë e tij edhe për një kohë të gjatë një ushtri edhe tri herë më të madhe se kaq. Kështu, në 1807, për qëllime mbrojtëse, ai mobilizoi mbi 40.000 ushtarë dhe oficerë, duke i mbajtur 8 muaj rresht në gatishmëri. Gjithashtu ai mund të blinte dhe të importonte nga shtete të ndryshme evropiane armatime, municione dhe pajisje të ndryshme ushtarake të shumta. Në pashallëkun e Janinës u zhvillua arma e artilerisë, xhenios, si dhe e zbulimit. Ushtria zotëronte një park artilerie me 500 gryka zjarri. Ali Pasha ngriti edhe një uzinë ku në 1807 u prodhua mortaja e parë me cilësinë e mortajave bashkëkohore që prodhoheshin në Evropë. Forca kryesore që zhvillonte mësymjen dhe mbrojtjen ishte këmbësoria. Ajo mbështetej e ndihmohej nga zjarri i artilerisë dhe veprimet e kalorësisë. Strategjia e Ali Pashës u përcaktua nga gjendja ekonomike-politike e brendshme dhe e jashtme. Nga vitet ’80 deri në fillim të shek. XIX, kur Pashallëku ishte ende i vogël si shtrirje, pa baza të forta ekonomike-financiare dhe pushteti politik ende i pa konsoliduar mirë, rëndësi të dorës së parë ju dha veprimeve diplomatike për të mënjanuar çdo agresion kundër pashallëkut. Në këto kushte, ai arriti në marrëveshje të veçanta me Rusinë, Francën, Anglinë dhe Austrinë dhe njëherazi tregohej i bindur ndaj Portës së Lartë. Në përpjekjet për të përballuar fushatat dhe operacionet e ushtrisë osmane, ku përfshiheshin forcat e Rumelisë, Bosnjës, të pashallëkut të Shkodrës etj., të cilat filluan në maj të vitit 1820 dhe përfunduan në janar 1822, Ali Pasha mori masa që të organizonte mbrojtje në Tërhallë (Trekalla), Grevena e Mecorë, në Ohër e Berat dhe në Prevezë. Por për arsye të lëkundjes dhe madje edhe të kalimit në anën e Portës së Lartë të disa feudalëve vartës të Aliut, si Omer Vrioni, Tahir Abazi, Aleks Nuçe, Ago Vasjari, të cilët i tërhoqën të gjitha forcat pas vetes, ai nuk mund të organizonte mbrojtje të qëndrueshme që në kufijtë e pashallëkut, kurse në disa drejtime nuk mundi ta organizonte atë. Ai arriti të organizonte vetëm mbrojtjen në rrethim me forca të pakta, rreth 1.500 ushtarë dhe oficerë besnikë, në kalanë e Janinës, e cila zgjati pothuaj për 20 muaj me radhë.
Parimet mbi të cilat ngriti ushtrinë
Ushtria e Ali Pashës përdori elementët e befasisë, kushtet jo të mira metereologjike për realizimin e kundërsulmeve. Karakteristike ishte se kundërsulmi u zhvillua natën dhe në mot të keq e në stuhi. Kështu që kjo lloj luftimi ishte krejtësisht i papritur për forcat osmane që u zmbrapsën me humbje të mëdha, duke lënë jo vetëm pozicionet e tyre të përparuara por, edhe bateritë e topave që kishin pranë kalasë. Ai zhvilloi sistemin e pengesave xheniere, (vendosjen e minave) gjatë mbrojtjes në rrethim në kalanë e Janinës, në drejtimet nga priteshin të vinin forcat armike. Përdorimi i minave i shkaktoi dëme armikut dhe pengoi ose vonoi sulmet e tij në mjaft raste. Gjithashtu, Ali Pasha bëri përpjekje dhe arriti që edhe të bashkërendonte veprimet ndërmjet forcave që mbroheshin në rrethim brenda kalasë, me luftën e çetave që vepronin në prapavijat e armikut, veçanërisht në Tërhallë (Thesali) etj. Në ushtrinë e pashallëkut të Janinës nuk mungonin as Forcat Detare të cilat ishin në nivelin e flotiljeve dhe ato shërbenin për të mbikëqyrur bregdetin e Jugut. Për të kuptuar më qartë figurën e Ali Pashë Tepelenës padyshim ne nuk mund ta shkëputim nga koha në të cilën jetoi. Ai u përpoq të ngrinte një shtet, një mbretëri me popullsi të përzier (shqiptarë, grekë dhe vlleh), siç ekzistonin edhe mbretëri të tjera, nën sundimin e tij. Me qartësinë e një politikani të shquar të kohës, Ali Pasha u përpoq të bashkërendonte kryengritjen kundër Stambollit me lëvizjen e popujve ballkanik duke e parë këtë si të vetmen rrugë drejt fitores për krijimin e shtetit të ri të Epirit. Por duke mos rënë dakord me krerët e tre pashallëqeve dhe feudalët e tjerë shqiptarë, ai nuk mundi të realizoi ëndrrën e tij për krijimin e shtetit të Epirit. Megjithatë ai u përpoq që të nxiste luftën e popujve në Mal të Zi, në Serbi, në Vllahi, ndihmoi drejtpërdrejtë kryengritjen e popullit grek të vitit 1821 dhe kërkoi bashkëpunim luftarak me udhëheqësit e saj, duke u mbështetur kryesisht tek ajo pjesë e krerëve grek që e vlerësonin drejt faktorin shqiptar në luftën kundër Turqisë.
Vlerësime për Ali Pashë Tepelenën
Shkrimtarët e mëdhenj të kohës në të cilën jetoi nuk mund të mos shkruanin në veprat e tyre për figurën e tij. Kështu Bajroni ishte i pari që e quajti Aliun “Buonaparti muhamedan”.
Gëtja bën një krahasim nëpërmjet Aliut dhe Frederikut të Madh.
Hygoi thotë, se Aliu dhe Napoloni i Francës shkonin bri njëri tjetrit, si tigri me luanin.
Ali Pasha u mbajt gjallë nga shkrimtarët dhe historianët e mëdhenj të huaj, jetoi në këngët e popullit që e kënduan në shekuj.
Sigal