Prof. Gjok Vuksani: Pse nuk është e kënaqur Ministrja Krifca me prodhimin e bollshëm të vajit të ullirit?

246
Sigal

Bima e bekuar e ullirit ka më shumë se 3 mijë vjet që kultivohet në vendin tonë. Rreth 90-95% e sipërfaqes së mbjellë me ullinj shtrihet në zonën e Fierit, Beratit, Vlorës, Elbasanit dhe Tiranës. Me kultivimin e bimës së ullirit ushqehen mbi 118 mijë familje bujqësore, të cilat sigurojnë një konsum vjetor mbi 3.5 litra vajulliri /banorë dhe rreth 10 kilogram ullinj tavoline për banorë. Prodhimi kokërr në vitet e fundit arriti 100 000 –113,000 tonë e njësuar kjo në vaj ulliri rreth 10 – 13 000 tonë. Përveç prodhimit vendas ne importojmë vaj ulliri për të plotësuar nevojat kombëtare të konsumit vjetor, e cila aktualisht është rreth 5 litra vaj ulliri për banorë, edhe pse kjo sasi është shumë e ulët krahasuar me vendet e tjera prodhuese të vajit të ullirit si Italia, 16 litra/banorë, Greqia 21 litra/banorë. Pra konsumi në vendin tonë i këtij vaji të mrekullueshëm dhe jashtëzakonisht të shëndetshëm është 4 herë më i vogël se në Greqi dhe 3 herë më i vogël se Italia. Prandaj me rritjen e mirëqënjes së shqiptarëve dhe mënyrës së të ushqyerit potenciali është shumë i madh dhe pikërisht për këtë arsye duhet që të gjithë faktorët, që lidhen me bujqësinë të punojnë në këtë drejtim. Gjithashtu ofrimi i një menuje mesdhetare për turistët e shumtë që vizitojnë vendin tonë (rreth 6 milionë sipas statistikave) bazuar në përdorimin e vajit të ullirit është një tjetër mundësi e pashfrytëzuar ende.

Prandaj deklarata e papërgjegjshme e Ministres Krifca se: kemi mbi mbjellje të ullinjve, pa një strategji të qartë  që ka sjellë mbi prodhim të vajit të ullirit, është sa qesharake po aq edhe tragjike. Kjo deklaratë tregon se ajo nuk merr vesh fare, po fare nga politikat agrare. Shqetësues  është fakti se ose ajo  nuk ka staf  profesionistësh për ta këshilluar ose e keq këshillojnë qëllimisht. Vendet e Mesdheut si Greqia, Italia dhe Spanja që kanë të njëjtat kushte klimatike dhe tokësore me vendin tonë sigurojnë rreth 78% të prodhimit botëror dhe 98% të atij evropian. Megjithëse Shqipëria ka kushte shumë të përshtatshme për kultivimin e ullirit, ajo siguron vetëm 0.6% të prodhimit të tij në BE dhe nuk është në gjendje të përmbushë as kërkesën e vendit tonë për këtë produkt (P.Qose , 2021). Eksporti i vajit të ullirit nga industria shqiptare është vetëm 174 (tonë) në vitin 2019, ndërsa eksporti i vajit të ullirit të virgjër arrin në 6 – 9 tonë. Këto shifra dëshmojnë më së miri politikën largpamëse të qeverisë Demokratike, që e rriti numrin e bimëve të ullirit nga 4.5 milionë në rreth 12 milionë rrënjë. Kjo iniciativë jo vetëm nuk ishte gabim, por duhet të stimulohet në vazhdimësi, mundësisht të dyfishohet prodhimi deri në anëtarësimin e vendit tonë në BE. Për ministren që nuk e di se shtimi i sipërfaqeve me ullinj dhe vreshta, deri në momentin e anëtarsimit është një mundësi që të kemi kuota më të larta të prodhimit të këtyre kulturave dhe një peshë më të madhe në tregun ndërkombëtar. Fatkeqësisht sot qeveria Shqiptare nuk jep asnj; subvencion për vajin e ullirit, ndërsa Bashkimi Evropian subvencionon rreth 2,3 miliardë $ për ullirin ose e thënë më thjeshtë subvencionon më shumë se 1 dollarë për çdo kg vaj ulliri.

Qeveria në vend që të ankohet për prodhimin e bollshëm të ullirit duhet të ndërmarrë politika nxitëse për rritjen e eksportit të vajit të ullirit dhe konkretisht: Së pari duhet të rrisë mbështetjen në procesin e certifikimit, ambalazhimit dhe veçanërisht në rritjen e kapaciteteve për ruajtjen e vajit të ullirit me qëllim që ky produkt të jetë konkurues për eksport. Së dyti krijimi i një agjensie kombëtare, e cila të promovojë dhe të sigurojë kontrata për tregtimin e këtij produkti në tregun ndërkombëtar, madje duhet vendosur edhe një fond garancie për sigurimin dhe garantimin e fermerëve. Së treti fondet e IPARD të orientohen drejt ngritjes së industrisë përpunuese dhe grumbulluse, ruajtëse dhe tregtuese të vajit të ullirit dhe të mos jepen si shpërblim për militantet apo ndërhyrjet e drejtoreshave të bashkisë së Tiranës.

Së katërti duhet të nxitet rritja e numrit të rrënjëve të ullirit në vendin tonë duke pasur prioritet kultivarët autoktonë; “Kalinjot”, “Krypi Beratit”, “Bardhi i Tiranës”, “Krypsi i Elbasanit”, “Mixan” dhe “Himara”, Vaji i ullirit aktualisht është një treg eksporti 7 – 8 miliardë dollarë globalisht, që po rritet me një mesatare prej 8.6% në vit, prandaj është domosdoshmëri hartimi i politikave për të kapur një pjesë të vogël të këtij tregu. Dhe së fundmi në lidhje me deklaratën e ministres së Bujqësisë s’kam Ç’them “fale o zot se nuk e di çfarë thotë dhe çfarë bën”!