Prof. Anastas Angjeli/ Edhe njëherë për Reformën në Drejtësi dhe ndikimin në ekonomi

521
1-Reforma e sistemit të drejtësisë mbetet “thembra
e Akilit” për funksionimin demokratik të vendit

Ju riktheva kësaj teme, me këtë shkrim, për Reformën në Drejtësi( Në nëntor të vitit të kaluar publikova shkrimin Reforma në Drejtësi dhe ajo në Ekonomi), jo sepse ende reforma në drejtësi nuk është miratuar(pasi s’ka me dyshim, se ky proces po shkon drejt përfundimit, pa kthim prapa)por me tepër sepse në debatet për këtë reforme kaq të rëndësishme ka filluar të tërheq vëmendjen fakti, se kjo reforme nuk është thjesht një reforme në vetvete, si reforme vetëm e drejtësisë, por një reforme shumë thelbësore, e domosdoshme me ndikim shumë dimensional në të gjitha aspektet. E pra, ajo është më e gjerë dhe e lidhur me funksionimin demokratik të shtetit dhe mirëqeverisjen. Reforma e sistemit të drejtësisë mbetet “thembra e Akilit” për funksionimin demokratik të vendit, për vetë shtetin dhe funksionet e tij dhe rolin e pushteteve në këtë demokraci. Ajo është një reformë sa kushtetuese dhe juridike e ligjore, aq edhe një reformë institucionale e politike. (pasi një “drejtësi më e drejtë” kthen besimin të sistemi i drejtësisë, të kjo shtyllë e rëndësishme e demokracisë).

 Më në fund, me shumë rëndësi është fakti se, një reformë e arrirë në sistemin e drejtësisë dhe fillimi i zbatimit sa më shpejtë i saj, është baza, themeli i një reforme të suksesshme ekonomike dhe garanci për mirëfunksionimin e ekonomisë dhe institucioneve të tregut, e zbatimit të një konkurrence të ndershme, trajtim të barabarte përpara ligjit të te gjithë subjekteve dhe sidomos një garanci e forte për praninë dhe shtimin e investimeve të huaja në vend. Njëherësh, kjo reforme, zgjeron lirinë ekonomike dhe përmirëson klimën e biznesit duke luajtur kështu një ndikim të konsiderueshëm në zhvillimin ekonomik të vendit. Me tej, ajo zgjeron edhe dimensionet e Drejtësisë Ekonomike e Sociale në vend. Ky ishte thelbi i atyre që pata shkruar gati gjashte muaj me pare dhe mbetet qëllimi i atyre çfarë më poshtë po them, natyrisht, duke mos pretenduar se ezaurojë gjithçka. Dy janë sot në shoqërinë tonë kategoritë më të cenuara nga mungesa e drejtësisë, nga drejtësia e vonuar dhe mungesa e barazisë para ligjit: qytetarët, njerëzit e thjeshtë dhe operatorët ekonomik të tregut, sipërmarrja. Është kjo arsyeja themelore që këto janë edhe dy grupet shoqërore që kanë pritshmërinë më të madhe nga reformimi i drejtësisë, një reformim i thellë dhe i qëndrueshëm. Përtej këtyre, padyshim që kjo reformë është dhe mbetet prioritet i prioriteteve të synimit tonë për të realizuar projektin më madhor, atë të integrimit në familjen evropiane. Prandaj dhe rekomandimet e përsëritura të institucioneve bashkëpunuese në këtë reforme të SHBA dhe BE, janë shndërruar tashmë në një kusht i rëndësishëm i hapjes se negociatave të vendit tonë me BE. 

2- Reforma në Drejtësi, garanci për reforma dhe zhvillime ekonomike të suksesshme

Përse reforma në drejtësi është bazike dhe mbështetëse për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe realizim të suksesshëm të reformave ekonomike? Është një diapazon i gjerë çështjesh që lidhen me përgjigjen e kësaj pyetje, por në thelb mund të themi: -Sepse reforma në drejtësi dhe zbatimi i saj, janë një garanci dhe themeli për mirëfunksionimin e shtetit ligjor dhe sundimin e se drejtës në ekonomi. Këto janë thelbësore për funksionimin e një ekonomie tregu dhe institucione tregu efikase, të cilat po synojmë dhe po vazhdojmë të ndërtojmë. -Sepse, sistemi i drejtësisë është i lidhur në mënyrë organike me zhvillimin ekonomik e social. Prandaj. -Një “drejtësi e drejtë” bazuar në logjikën e ligjit dhe të zbatimit të tij dhe jo në arbitraritetin e tij, është faktori i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të një vendi. Kjo sepse reforma në drejtësi krijon kushte të reja dhe zgjeron hapësirën për zbatimin me të mire të lirive ekonomike, të përmirësimit të mëtejshëm dhe vazhdimit të reformave cilësore rregullatore, për rrjedhoje të vete klimës se biznesit, reformave strukturore në ekonomi dhe të zhvillimit të mëtejshëm ekonomike. të gjitha këto, bazuar në ligj dhe jo në akte e veprime korruptive, abuzive, apo informale e kriminale. 

Nevoja për përmirësime të klimës se biznesit, siç theksohet edhe në raportin e fundit të FMN-se, mbetet me rendësi të veçantë në këtë moment. -Kësisoj, kjo reformë e sistemit të drejtësisë është një mbështetje e fuqishme për biznesin e ndershëm në treg, sepse ofron ndër të tjera edhe kursim kohe, kursim financiar, kursim energjish etj. -Reforma në sistemin e drejtësisë do të sigurojë një drejtësi të pavarur e për rrjedhojë, është garanci për procese gjyqësore të drejta, të ndershme, të mbështetur në kushtetutë dhe në garantim të barazisë para ligjit për të gjithë operatorët e tregut. Sipërmarrjet vendase dhe të huaja. Kjo reformë do të rrit më tej kredibilitetin (shpesh të cenuar) për partnerët ndërkombëtar, donatorët dhe është një bazë e fuqishme për zhvillimin e një klime investimesh më miqësore për investitorët e huaj dhe rrit garancinë dhe sigurinë (kaq shumë të kërkuar) për futjen e tyre në ekonominë shqiptare. Natyrisht këtu faktorët janë të shumte, politike, ekonomike, financiar, që nga stabiliteti politik në vend dhe në rajon, harmonizimi me i mire i partneritetit strategjik politik me atë ekonomik(sidomos në sektorët strategjik të ekonomisë), reformat strukturore dhe ato rregullatore, sistemi i tatimeve dhe taksave, çështjet e pronësisë, etj. Gjithsesi, të gjitha këto çështje, kryqëzohen dhe influencohen edhe nga reforma në drejtësi. Një çështje tjetër e rëndësishme dhe padyshim e lidhur me investimet e huaja, me klimën e dëshiruar për tërheqjen e tyre është dhe mbetet ajo e pronës. -Prandaj, reforma në sistemin e drejtësisë do të krijojë kushte më të mira për funksionimin e zbatimit të të drejtave themelore, kësisoj edhe për të drejtën e pronës, kaq e cenuar në vite të tëra. -Njëherësh, reforma në drejtësi garanton me mire sundimin e ligjit edhe në aspektin e rritjes se eficencës se luftës kundër informalitetit, evazionit fiskal, kontrabandës e krimit ekonomik, duke siguruar më shumë të ardhura për shtetin dhe më shumë garanci për biznesin dhe për mosabuzivitetin e shtetit ndaj tij;

 -Kjo reforme gjithashtu, është një instrument i rëndësishëm për zbatimin e barazisë para ligjit, një qasje të re ndaj biznesit dhe jo me praktika selektive e preferenciale, represive apo diskriminuese, për aktorët ekonomik, duke krijuar një hapësirë të plotë për konkurrencë të ndershme. -Gjithashtu, një “drejtësi e drejtë” garanton institucione tregu të qëndrueshme, konsolidimin e tyre, dhe zbatim të rregullave ligjore të tregut, ndihmon në përshpejtimin e zgjidhjes së konflikteve administrative, dhe njëherazi i hap rrugë përdorimit më efektiv të alternativa të tjera, zgjidhjen jashtëgjyqësore, arbitrazhit, etj. E pra, janë këto arsye dhe shumë të tjera që paralelisht apo fill pas kësaj reforme në drejtësi, njëherazi kemi nevojë për një reformë të thellë ligjore dhe jo vetëm, në fushën ekonomike dhe të financave publike, jo thjesht nga pikëpamja e vazhdimësisë së tyre (kjo është e domosdoshme), por më së tepërmi, për të harmonizuar më tej reformën në drejtësi (kuadrin ligjor) me standardet dhe kuadrin ligjor evropian. Për më tepër, reforma në sistemin e drejtësisë kërkon edhe një përgatitje më të madhe, serioze dhe intensive, për zbatimin e ligjit në të gjitha fushat, e në veçanti, në ekonomi (njëherazi kërkohet përgatitja e stafeve administrative për të qenë të gatshëm për hapjen e negociatave dhe të kapitujve me BE-në). Jo më kot në rekomandimet e Progres Raportit të fundit të BE-së theksohet edhe se…“Shqipëria duhet të bëjë përpjekje të mëdha për të rritur përgatitjen për zbatimin e legjislacionit (acquis), të BE-së. Në këtë këndvështrim, një sërë aktesh ligjore dhe nënligjore të rrjedhura prej tyre do të duhet të rishikohen për të qenë më koherente me reformën në drejtësi, me legjislacionin evropian dhe kushtet dhe stadin aktual të zhvillimit ekonomik dhe nxitjes së klimës së biznesit në vend (edhe pse për një pjesë të tyre disa ndryshime janë bërë). I tillë është legjislacioni që lidhet me kodin tregtar, ligjet e pronave, kodi i procedurës penale, kodi i procedurës civile, ligji për shërbimin përmbarimor privat, kodi fiskal (ligji i procedurave tatimore), Ligji i falimentimit, Ligji i prokurimeve, çështjet ligjore që kanë të bëjnë me gjykimin administrativ; zhvillimi i legjislacionit të arbitrazhit në kuptim të konventave ndërkombëtare, etj. 

3- Reforma dhe drejtësia ekonomike e sociale
Siç e theksova që në fillim të këtij shkrimi, pritshmërinë me të madhe nga realizimi i reformës në drejtësi e ka publiku, qytetari. Prandaj efektet e saj duhet të jenë të prekshme prej tyre. Kësisoj, kjo reformë do të jetë një instrument i fuqishëm për të zhvilluar “një ekonomie që punon për të gjithë”. Kujtoj këtu një thënie të Presidenti Obama, në një nga fjalimet e përvitshme (në Kongres) për popullin amerikan, në të cilën theksonte “vendosjen e një drejtësie më të madhe ekonomike përmes zhvillimeve të ardhshme ekonomike dhe politikave më të drejta fiskale”, si një çështje në themel të politikes se re. Po, a do të mund të zbatohej një filozofi e tillë, një politike e re, pa realizuar e zbatuar reformën në drejtësi? A do të mundim në të realizojmë të zhvillojmë “një ekonomi që punon për të gjithë” pa këtë instrument. Unë besoj që JO. Njëherazi, kjo do të thotë se, kjo reformë dhe ndryshimet dhe reformimi i legjislacionit ekonomik e financiar duhet të garantojnë dhe të zbatohen duke konsideruar më mirë prioritetet e zhvillimit të gjithanshëm e të qëndrueshëm ekonomik (nga pikëpamja territoriale dhe e popullsisë), për të zbutur varfërinë dhe papunësinë. Pasi një ekonomi që punon për të gjithë mund të sigurojë që të gjithë të punojnë për këtë ekonomi. Dhe kjo, nuk mund të arrihet pa politika të reja zhvillimi që garantojnë rritje ekonomike dhe punësim. E drejta për punë është një e drejtë legjitime e kujtdo që lind e rritet në një vend. Prandaj, reformat ekonomike dhe ato rregullatore dhe të tregut në përgjithësi dhe, atij të punës në veçanti, janë dhe mbeten në qendër të vëmendjes. Qytetarët presin më shumë drejtësi në përfitimin nga këto reforma, në shërbime të ndryshme publike, në arsim, në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore, etj. Kjo kërkon një përdorim më cilësor të shpenzimeve publike, një transparencë më të madhe të prokurimeve dhe përdorimit të dobishëm të tyre, një shpërndarje dhe rishpërndarje optimale në territor dhe popullsi. Kjo do të ndihmonte për më shumë drejtësi ekonomike dhe sociale dhe do të zbuste papunësinë dhe varfërinë. E për të gjitha këto, reforma në sistemin e drejtësisë, mbetet thelbësore, pasi prej miratimit dhe zbatimit të saj, pritet të sigurohet një “Drejtësi më e Drejtë”, më e pavarur, si një nga shtyllat e shtetit të së drejtës, shtetit ligjor, pritet më shumë drejtësi ekonomike e sociale. Prandaj po i referohem edhe njëherë Brajan Stevenson, i cili ka theksuar se “E kundërta e varfërisë nuk është pasuria (mirëqenia)… Në shumë vende, e kundërta (opozita) e varfërisë është drejtësia”. 
Sigal