Prof. Afrim Krasniqi: Çfarë na mungon për të pasur zgjedhje me standarde për parlamentin, për pushtetin vendor, brenda partive politike?

13
Afrim Krasniqi
Sigal

Si është e mundur që elitat politike, të cilat mbajnë paund fjalime për lirinë e demokracinë nuk kanë arritur ende t’i jetësojnë këto koncepte brenda partive të tyre dhe jashtë tyre, as për shoqërinë? A mund të jemi kandidat serioz për në BE nëse nuk sigurojmë minimumin e mundshëm për demokracinë funksionale, – integritetin e votës së lirë, të fshehtë dhe konkurruese? A mund të kryejmë ndryshime pozitive, jo vetëm si detyrim e kartvizitë ndaj integrimit, por mbi të gjitha si detyrim moral, politik e institucional ndaj qytetarëve dhe ndaj vendit?

Fakti? Pas 1991 Shqipëria ka eksperimentuar 6 variante të sistemeve zgjedhore, rreth 22 procese zgjedhore dhe 2 referendume, por ende numri i zgjedhjeve të gjithë-pranuara nuk kalon numrat 3-4. Sistemi i krijuar me synim abuziv? Vullneti i munguar politik? Kapja arrogante me çdo mjet pas pushtetit? Refuzimi e denigrimi apriori i Tjetrit? Mentaliteti i kultit të individit? Modeli i suksesit së “të fortit”? Injorimi i meritokracisë dhe refuzimi i debatit/dijes/ndryshimit? Trashëgimia piramidale dhe autoritariste? Të gjitha nga pak.

Disa mësimet nga tranzicioni?

– Pas çdo zgjedhje të pranuar/rotacioni të pranuar vendi ka pasur zhvillim, progres, konkurrencë dhe bilanc pozitiv, e kundërta ka ndodhur/ndodh pas zgjedhjeve problematike;

– Asnjë akord politik jo transparent nuk ka dhënë rezultat pozitiv, përkundrazi, efektet kanë qenë gërryese për besimin qytetar mbi demokracinë dhe institucionet;

– Partitë që nuk janë demokratike e transparente nga brenda nuk mund të prodhojnë demokraci dhe as llogaridhënie jashtë tyre;

– Përgjegjësia politike dhe vullneti politik nuk janë slogane, janë standarde thelbësore integriteti, maturie dhe lidershipi;

– si dhe e fundit, “ndiq paranë” para, gjatë dhe pas fushatave që të hetohet realisht krimi/korrupsioni me sfond dhe impakt politik/elektoral.

A ka zgjidhje? Natyrisht që po. Në çdo kohë dhe rrethanë. Vetëm duhet lexuar, menduar, reflektuar dhe dialoguar. Faza të tilla krize besimi e përfaqësimi janë kaluar me sukses relativ nga disa vende të tjera, ne mjafton të ndjekim modelet pozitive dhe ndryshe nga çfarë bëjmë, aktet që miratojmë edhe t’i respektojmë. Paketa ideale? Reformë të thellë të legjislacionit mbi partitë, mbi paratë elektorale, mbi informalitetin (edhe) në politikë, mbi administrimin zgjedhor, si dhe mbi mekanizmat/garancitë e munguara të demokracisë përfaqësuese.