Problemet dhe mangësitë e Ligjit për Arsimin e Lartë

1785
Sigal

Prof. Dr. Dritan Spahiu

Ky material është shkruar gjatë kohës kur po hartohej Ligji i Arsimit të Lartë, i cili sot po deklarohet me të drejtë që ka shumë mangësi të dëmshme që janë reflektuar në punën e universiteteve publike shqiptare. Po e botojmë këtë artikull për të qartësuar ato probleme, që sot janë objekt i kërkesave të ligjshme të protestës së studentëve shqiptarë.

Gjatë kohës së tejzgjatur të tranzicionit shqiptar, Institucionet e Arsimit të Lartë u shkatërruan më shumë se çdo institucion tjetër. Këtë e dëshmon fare qartë fakti se në renditjen e universiteteve të botës për cilësinë e punës së tyre, universitetet tona u ndodhën në fund të listës, krahas universiteteve të Etiopisë dhe Kamboxhias. Politikat për “liberalizimin” e universiteteve me justifikimin se kështu u jepet të gjithë të rinjve shqiptarë mundësia e studimeve universitare, rezultoi një demagogji e pastër që i bëri një dëm të jashtëzakonshëm arsimit të lartë. Dhënia e licencave për të zhvilluar studime universitare personave që nuk kanë asnjë lidhje me arsimin rezultoi një krim i vërtetë që e shkatërroi deri në themele sistemin universitar në vendin tonë. Universitetet u kthyen kryesisht në ndërmarrje biznesi. Dija, njohuritë shkencore dhe përgatitja e mirëfilltë e specialistëve të lartë nuk ishin më objekt parësor i aktiviteteve të institucioneve të arsimit të lartë. Shitja e diplomave të studimeve universitare në mënyrat informale nga më të ndryshmet i dha arsimit tonë të lartë atributet e një veprimtarie tregtare vrastare. Ishte shumë i shëmtuar imazhi që dha në botë rasti i diplomës së italianit R. Bosi, ku dëshmohej se për një vit ai kishte dhënë 29 provime në gjuhën shqipe, megjithëse nuk njihte as alfabetin e kësaj gjuhe.

Po ku ishte Ministria e Arsimit që me nenin numër 64, pika 4, të ligjit ekzistues kohe të arsimit të lartë kishte përgjegjësinë e plotë ligjore për sigurimin e cilësisë së aktivitetit të institucioneve të arsimit të lartë? Në çdo vend të botës detyra e parë e shtetit është mbrojtja e qytetarëve të tyre nga çdo lloj mashtrimi. Por kjo nuk ndodhi në rastin e mashtrimeve me diplomimet e studentëve në “universitetet” tona private. Në materialin për gjendjen e arsimit të lartë në Shqipëri, hartuar nga grupi punës i ngritur me porosi të Kryeministrit Rama, nuk përmendet asgjë se si dhe pse erdhi arsimi ynë i lartë në këtë gjendje. Por kur nuk bëhet diagnostikimi i saktë i një sëmundjeje, nuk mund të ketë terapi të suksesshme të saj. Ministria e Arsimit mori disa masa për mbylljen e disa “universiteteve” private dhe kjo gjë u konsiderua si një nismë e mirë, por mbetën edhe disa të tjera po aq të këqija sa edhe ato që u mbyllën. Autorët e shkatërrimit të institucioneve të arsimit të lartë nuk u ndëshkuan. E ndërsa në Itali penalizohen studentët që kanë blerë diploma universitare shqiptare, këtu te ne shitësit e këtyre diplomave janë të paprekshëm. Kështu natyrshëm lind pyetja, pse penalizohen drejtuesit e një shkolle në Cërrik kur drejtuesit e “universiteteve” që kanë shitur diploma vazhdojnë aktivitetin e tyre sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Ju sjell në vëmendje se në Gjermani dhe Hungari janë shkarkuar presidentët sepse u gjetën plagjiatura të vogla në studimet e tyre universitare. Kjo ndodh sepse në vendet e qytetruara respekti për dijen është i padiskutueshëm dhe ky respekt kërkon ndëshkueshmëri për shkatërruesit e saj. Respekti për dijen duhet të sigurohet nga shoqëria, por në radhë të parë ajo është përgjegjësi e shtetit, e cila deri tani ka munguar në vendin tonë.

Projekt ligji i Arsimit të Lartë duhej të nisej nga kjo gjendje e mjeruar dhe mbi bazën e saj të paraqiste një reformim të plotë dhe të thellë për ta nxjerrë atë nga kjo gjendje dhe për të përcaktuar masat ligjore që duhen marrë në mënyrë që kjo gjë të mos ndodh kurrë më. Në qoftë se duam shembuj të përgjegjshmërisë së shtetit për arsimin e lartë po ju kujtoi rastin e Greqisë. Në pranverën e vitit 2007 pati një grevë shumë të fuqishme të studentëve, të cilët për rreth 3 muaj e paralizuan grupin politik grek që kërkonte të lejoheshin universitetet private në Greqi. Ata bllokuan plotësisht përpjekjet e disa politikanëve që kërkonin të ndryshonin nenin e Kushtetutës grekë që thoshte se: “Shteti nuk e ndan me askënd kujdesin për arsimin e lartë”. Arsyet e studentëve ishin të qarta: kjo do të sillte uljen e nivelit të cilësisë të aktivitetit akademik dhe shkencor të universiteteve publike. Ajo protestë e mbylli plotësisht problemin e universiteteve private në Greqi. Kjo dëshmoi njëherazi edhe pjekurinë e studentëve dhe të shoqërisë civile greke që kërkonin arsimim cilësor universitar dhe jo diploma që dëshmojnë injorancë. Por këtu dua të përmend edhe një rast shqiptar. Në vitin 1933 u shtrua problemi i reformimit të plotë të arsimit shqiptar, për ta shpëtuar atë nga shkollat që kishin hapë vendet e huaja në Shqipëri si dhe nga shkollat fetare. Kërkohej nga shoqëria shqiptare që shkolla jonë të ishte laike dhe të jepte dije dhe kulturë njëlloj si në vendet evropiane. Ishte intelektuali i madh Ministri i Arsimit Mirash Ivanaj që e realizoi reformimin e arsimit shqiptar dhe kështu u vunë themelet e arsimit laik kombëtar shqiptarë. Ai arriti të bindë mbretin dhe parlamentin kur kërkoi të ndryshojë statutin e mbretërisë shqiptare, duke propozuar që aty të shtohen nene ku ligjërohej se: “Mësimi dhe edukimi i shtetasve shqiptarë janë e drejtë ekskluzive e shtetit. Jepet ndër shkolla shtetnore shkallësh të ndryshme sipas ligjës”.

Ai, si Ministër dhe si jurist i lauruar me “Cum Laude” në universitetin “La Sapienza” të Romës, u tha deputetëve të parlamentit të asaj kohe se “shkolla jonë duhet të jetë kombëtare” dhe “kujdesin për arsimin shteti nuk duhet ta ndajë me askënd”, sepse eksperienca kish treguar se shkollat e lëna në duart e personave privatë nuk kanë realizuar asnjë prej detyrave për të cilat kishin marrë leje zyrtare. Shkollat e privatëve “nuk kishin dhanë ato frute që priteshin prej tyne për të mirën e popullit”. Thelbin e rëndësisë së reformës arsimore Ministri Ivanaj e shprehte me këto fjalë lapidare: “Shteti ynë si çdo shoqëni e organizueme, ka disa interesa që duhen vu në vendin e parë, përpara çdo interesi të privatëve; në këto interesa jo ma pak se monopolizimi i ushtrisë dhe i drejtësisë, hyn edhe monopolizimi nga ana e shtetit edhe i edukimit të popullit, pse sigurimi i nji shteti dhe zhvillimi i qetë i tij nuk mund të sigurohen me forca armate as me ligje, në kjoftë se qytetasit e tij rriten me nji ndiesi përbuzje kundrejt shtetit dhe ligjeve dhe me nji egoizëm rrënuese antishoqnore e antiatdhedashëse”. Për këto arsye u mbyllën të gjitha shkollat private që nuk pranuan autoritetin e shtetit shqiptar për të kontrolluar cilësinë e procesit mësimor dhe edukativ. Logjika e reformatorit të madh të arsimit kombëtar shqiptarë është krejtësisht aktuale edhe për sot për arsimin tonë të lartë. Komentet janë të tepërta.

Në fushatën elektorale që çoi në fitoren e Partisë Socialiste në vitin 2013 u deklarua se në Shqipëri nuk do të ketë universitete fitimprurëse, por për hir të së vërtetës kjo gjë nuk po realizohet. Çdo njeri në Shqipëri është i bindur se nuk ka ndonjë universitet privat që të mos jetë fitimprurës. Ky premtim i deklaruar mendoj se është mënyra më e sigurt për ta shpëtuar plotësisht arsimin e lartë nga groposja e plotë e tij, por ky premtim nuk është pasqyruar në projekt-ligjin e ri të arsimit të lartë. Përkundrazi aty flitet për ngritjen e institucioneve të arsimit të lartë krejtësisht të pavarura dhe kjo krijon përshtypjen se vendin e universiteteve “piramida” do ta zënë “grataçielat” mashtruese; po kështu projekt-ligji i ri i arsimit të lartë legalizon edhe financimin e universiteteve private, ndërkohë që universitetet publike vuajnë nga financimi i pamjaftueshëm nga ana e shtetit, kështu që në të ardhmen financimi i tyre do të zvogëlohet edhe më tepër, për të hapë rrugën financimit të universiteteve private. Në vendet evropiane me demokraci të konsoliduar (Gjermani, Francë, Itali etj.) nuk ka të tilla piramida në arsimin e lartë, sepse mungesa e respektit për dijen shkencore është në kundërshtim flagrant parimet e demokracisë. Por shoqëria shqiptare akoma nuk është ngritur në nivelin e përgjegjshmërisë së demokracive të këtyre vendeve që kanë universitete që festojnë mijë vjetorët e tyre, kurse ne festojmë 120 vjetorin e shkollës së parë shqipe. Prandaj këto institucione nuk duhen lejuar, sepse përvoja ka treguar se ato nuk mund të punojnë në interes të përgatitjes së specialistëve të lartë shqiptarë. Ndryshe në institucionet e arsimit të lartë mbetet kanceri që do vazhdojë ta shkatërroi atë. Mendoj se mund të lejohen institute të larta jo fitimprurëse që do të jenë nën një kontroll të fortë të shtetit për të garantuar cilësinë e përgatitjes së specialistëve të lartë me dije shkencore bashkëkohore. Në këtë rast zhurma që bëhet për gjoja mos respektimin e autonomisë së institucioneve të arsimit të lartë nuk ka vend, sepse para së gjithash kërkohet përgjegjshmëri për produktin cilësor që duhet të japin këto institucione. Për këtë qëllim është shumë e rëndësishme që në këtë projekt-ligj duhet të formulohet një nen i veçantë për përgjegjësinë e plotë dhe detyrimin ligjorë që duhet të marrë Ministria e Arsimit për të siguruar cilësinë në arsimin e lartë, duke shkatërruar piramidat mashtruese ekzistuese universitare. Vetëm kështu Ministria e Arsimit si institucion i shtetit do të mbrojë qytetarët nga mashtrimet lidhur me përgatitjen e specialistëve të lartë me arsimim të mirëfilltë universitar.

Një problem tjetër që duhet të pasqyrohet me një nen të veçantë në këtë ligj është garantimi ligjor i kërkesën se: “Institucionet e arsimit të lartë janë të lira, të pa politizuara”. Një nen i tillë do tu jepte fund praktikave që kanë ndodhur vetëm në universitetet tona ku drejtuesit e niveleve të ndryshme të institucioneve të arsimit të lartë kanë marrë detyra politike si kryetar partie qytetesh apo anëtarë forumesh drejtuese të partive politike. Kjo gjë nuk ndodh në asnjë universitet të botës. Është shumë domethënëse fakti se Ministri i Arsimit të qeverisë shqiptare, të dalë nga Kongresi i Lushnjës, intelektuali i shquar Rexhep Mitrovica, në vitin 1921, me një qarkore ministrore paralajmëronte që një mësues i shkollave fillore të asaj kohe menjëherë do të largohet nga puna, në qoftë se angazhohet me aktivitete politike. Po sot si është gjendja?

Gjatë diskutimeve të projekt-ligjit të arsimit të lartë u paraqitën ankesa se ky ligj cenon autonominë e institucioneve të arsimit të lartë. Por në fakt është e kundërta; ky ligj siguron autonomi shumë më të madhe dhe më të plotë se ligjet e mëparshme të arsimit të lartë, sepse për herë të parë ai e shtrinë autonominë deri në njësinë bazë siç është departamenti. Por unë mendoj se në formulimin e nenit që shpreh njohjen e autonomisë në punën për realizimin e aktiviteteve akademike dhe didaktike si dhe të drejtimit të institucioneve të arsimit të lartë të shtohet edhe kërkesa për përgjegjshmëri para shoqërisë dhe shtetit shqiptar për këto probleme. Autonomia pa përgjegjshmëri çon në anarki. Prandaj neni i autonomisë duhet formuluar i plotë ku të kërkohet që institucionet e arsimit të lartë në punën e tyre do të inspirohen nga autonomia dhe përgjegjshmëria. Kjo kërkesë është e domosdoshme të pasqyrohet në nenet e ligjit të arsimit të lartë sepse ka shumë abuzime që dëshmojnë papërgjegjshmëri në punën për përgatitjen e specialistëve me arsim të lartë. Si shembull mjafton të përmendim rastin e provimit të infermierëve për të marrë licencën, ku e kaluan provimin vetëm 46 për qind, megjithëse kufiri i njohurive që duhet të dinin ata ishte vënë shumë i ultë, rreth 20 pikë nga 100. Përfytyroni sa i ultë do të ishte ky rezultat në qoftë se niveli i njohurive për të kaluar do të ishte mbi 50 pikë, që është kufi i pranueshëm. Ky fakt tregon papërgjegjshmëri për punën e përgatitjes së specialistëve të lartë e sidomos kur është fjala për specialitete që kanë të bëjnë me shëndetin e qytetarëve dhe kjo gjë duhet të marri fund. Përgjegjshmëria e punës së institucioneve të arsimit të lartë do të sigurohet me një kontroll të fortë të shtetit që duhet të luaj rrolin si mbrojtës i qytetarëve të vet. Ndryshe duhet të themi rroftë rrumpalla, poshtë ligji. Atyre që nuk më besojnë, do të ju rekomandoja të shikonin se si në Itali, e cila ka përvojë mbi 600 vjeçare të aktiviteteve universitare, ish ministrja e universiteteve Gelmini në vitin 1912 ka paraqitur një dekret ligj të miratuar nga parlamenti dhe senati italian ku kërkon, përgjegjshmëri të plotë të punës së profesorateve të universiteteve, në përputhje me autonominë e administrimit të tyre. Por atje profesorati nuk ka protestuar se po cenohet autonomia universitare, por kanë pranuar para së gjithash përgjegjshmërinë e punës së tyre, për t’i dhënë shoqërisë një produkt me kualitete të spikatura të dijeve shkencore dhe nuk kanë dhënë diploma “universitare” që dëshmojnë vetëm injorancë dhe asgjë tjetër. Kurse te ne fatkeqësisht notat 10 në diplomën e “imbecile” R. Bosit janë firmosur nga pedagogët tonë dhe janë ligjëruar nga dekanë dhe rektorë. Nuk besoj se veprime të tilla janë të rastësishme, por me bindje them se janë të papërgjegjshme dhe të dënueshme ligjërisht. Lind pyetja: a janë dënuar fakte të tilla nga “universitetet” që kërkojnë autonomi? Atëherë a duhet kontrolli shtetëror për të siguruar përgjegjshmërinë?

Mendoj se këto çështje thelbësore që u parashtruan më lart janë në sintoni të plotë plotë me deklarimin se nuk do të ketë më institucione fitimprurëse në arsimin e lartë dhe pasqyrimi i tyre në ligjin që po hartohet do të ndihmonte që institucionet e arsimit të lartë të dalin nga gjendja katastrofike ku ndodhen.