Përparim Rexhepi/ Kujtime për revistën “10 Korriku”

886
Tashmë, kjo revistë e ilustruar ushtarake, është e harruar, pasi është mbyllur me kohë. Shumë pak mund të kujtojnë, vetëm ata që kanë qenë pjesë e stafit të saj apo kanë botuar ndonjë krijim të tyren. Sigurisht si një revistë ushtarake, ajo nuk ishte e nivelit të revistave të atëhershme si “Nëntori”, “Shkenca dhe jeta”,”Ylli”, etj. Por për mua, që e nisa punën për herë të parë në këtë organ, ajo ka një rëndësi të veçantë dhe është e lidhur me shumë kujtime te bukura. Pas largimit nga revista unë punova në divizionin e Shkodrës, në ministrinë e Mbrojtjes dhe në struktura të tjera të sigurisë në Tiranë, por kurrkund nuk gjeta atë mjedis të ngrohtë, njerëzor dhe të kulturuar, që ishte tek stafi i revistës “10 Korriku” dhe që ndryshonte rrënjësisht nga ai i gazetës “Luftëtari”. Nuk mbaj mend që të kem bërë debate konfliktuale me shokët dhe drejtuesit e revistës, të kem dëgjuar sharje, fyerje, shpifje, etj. megjithëse ishim të rinj, sapo kishin dalë nga auditorët e universitetit dhe ende nuk ia kishim marrë dorën punës. Për këtë arsye, më pëlqen që të shkruaj kujtimet e mia, megjithëse e di mirë se ato nuk kanë ndonjë vlerë për lexuesin, pasi unë nuk kam pasur fatin e mirë apo të keq që të isha ndonjë person VIP, që “të habisja dynjanë” me bëmat e mia. Ndërkohë, për shkak të kohës së kufizuar që kam në dizpozicion, nuk do të ndalem shumë gjatë, megjithëse kur të kem mundësi, do ta rikuperoj.
Fillimet
Unë fillova punën si redaktor në revistën “10 Korriku”, në janar të vitit 1973 dhe gjeta aty si redaktor Mehmet Gëzhillin, i cili ishte emëruar rreth 6 muaj më parë. Stafi i saj në atë kohë përbëhej nga Lirim Deda-kryeredaktor, Halil Laze-Sekretar kolegjiumi, redaktorë-unë dhe Mehmeti, piktor-Robert Guci, fotograf-Nikolin Pici dhe daktilografiste Eva Halilaj. Më vonë, në revistë erdhi edhe Hysni Milloshi, i cili për mua, ka qenë një gazetar dhe poet lirik shumë i talentuar, autor i spikatur të teksteve të këngëve në festivalet e Radio Televizionit shqiptar, etj. Historia e fillimit të punës sime është e veçantë. Kur vazhdoja studimet në universitetin e Tiranës, në degën gjuhë-letërsi (1968-1972) unë i rrija larg shtypit në përgjithësi dhe atij ushtarak në veçanti, ku nuk njihja asnjeri që punonte aty. Nuk isha i futur, si disa ish-studentë të tjerë, të cilët kishin gjetur lidhjet e tyre tek organet e shtypit dhe herë pas here botonin ndonjë gjë, aktivizoheshin, qerasnin drejtuesit e këtyre organeve, etj. 
Ata investonin për të ardhmen e tyre, kurse unë “flija gjumë” në këtë drejtim. Vetëm lexoja libra, shkoja tek biblioteka kombëtare, sidomos tek ajo e vjetra, ku preferoja libra të rrallë, ikja shpesh nga leksionet dhe seminaret për të parë filma, teatro, etj. dhe nuk mendoja fare se ku do të punoja, pas mbarimit të universitetit. Megjithatë, tek unë po përforcohej aftësia për të menduar, e vlerësuar në mënyrë të pavarur ato që lexoja dhe për të formuluar gjykime origjinale, për t ‘u marrë me kritikë letrare, etj. Pas mbarimit të fakultetit, në korrik 1972, të gjithë ne, ish-studentët ushtarakë na dërguan në shkollën e instruksionit në Skelë-Vlorë për të bërë zborin 5 mujor, si oficer rezervist, që e bënin në atë kohë të gjithë studentët, kur mbaronin studimet e larta. E përmend këtë detaj sepse, kur isha duke bërë zborin në Vlorë, pata sinjalin e parë se diçka po vendosej për fatin tim. Mbaj mend se një ditë në darkë, erdhën e më takuan dy oficerë nga Tirana, të cilët nuk m’u prezantuan, por njeri prej tyre, më duket se ishte Halil Laze. Si nëpër mjegull më kujtohet se ata më pyetën se nga isha, për çfarë kisha mbaruar studimet, etj. por të paktën në kujtesën time nuk është e fiksuar se më thanë se do të emërohesha me punë në revistën “10 Korriku”. E dhe sot e kësaj dite nuk e mbaj mend dhe nuk e di se kur e mora lajmin se do të filloja punën në këtë revistë. Por ka shumë mundësi që lajmin ta kem marrë, në fund të dhjetorit 1972, kur mbaroi zbori në Vlorë dhe erdhi ish-Drejtori i kuadrit në MM, Luto Haxhiu, i cili na komunikoi titullimin oficer dhe emërimet tona. Tani që e mendoj them se çfarë fati të jashtëzakonshëm kam pasur, që të filloja punën në një revistë letrare, mes të Tiranës, tek kati dytë i godinës, ku sot janë zyrat qendrore të kompanisë “Albetelekom”, ngjitur me ndërtesën e Gjykatës së Lartë. Ndërkohë, shumë shokë të mi, që mbaruan studimet për gjuhë-letërsi apo histori, i emëruan si komandat toge me ushtarët e punës në tunelet e Palermos në Himarë…
Ismail Kadare, Dritëro Agolli dhe Nasho Jorgaqi, “lobistët” për emërimin tim
Deri në vitin 1991, unë nuk e dija se kush kishte qenë “lobisti” për emërimin tim. Vetëm kur takova Halilin, i cili sapo kishte dalë nga burgu i Spaçit, mora vesh se “miku” kishte qenë Nasho Jorgaqi dhe Ismail Kadareja. Halili më tregoi se ai dhe Lirimi takoheshin me Dritëro Agollin, Nasho Jorgaqin, etj., me të cilin bënin muhabet, duke pirë kafe e ndonjë gotë raki. Njëherë, këtij rrethi iu bashkua edhe Ismail Kadareja, por në takim mungonte Nasho. Në bisedë e sipër, Lirimi, duke folur për punën në revistë, kishte thënë se i duhej një redaktor i mirë për krijimtarinë letrare. Ismaili i kishte thënë se kam dëgjuar nga Nasho se është një student ushtarak në vitin e fundit në gjuhë-letërsi, i cili ka talent për kritikë letrare. Lirimi takoi Nashon, i cili kishte folur mirë për mua dhe kështu unë u përzgjodha për redaktor në këtë revistë. Nasho Jorgaqi ishte pedagog i ynë i respektuar, por edhe oponenti i punës sime të diplomës për romanin “Pse” të Sterio Spases dhe krijimtarisë së tij të viteve të para, pas luftës së Dytë Botërore. 
Udhëheqës të temës kisha pedagogen e paharruar Drita Siliqi, gruan e Drago Siliqit. 
Me profesoreshë Dritën, e cila na bënte orët e seminarit të letërsisë shqipe të periudhës pas pavarësisë, kisha marrëdhënie të mira dhe ishte ajo që ma propozoi këtë temë diplome, pasi bëhej fjalë për periudhën që ajo e mbulonte. Në të vërtetë, nuk kisha ndonjë preferencë për një vepër shumë pak të njohur në atë kohë, si romani “Pse”, madje do të thosha të përbuzur. Mua më pëlqente të mirrja si punë diplome krijimtarinë e shkrimtarëve më të spikatur të asaj kohe, si Ismail Kadareja, Dritëro Agolli, Fatos Arapi. Por për të mos ja prishur profesoreshë Dritës e pranova propozimin e saj. Më vonë, rezultoi se propozimi i profesoreshë Dritës ishte ogurbardhë, pasi puna ime e diplomës, u vlerësua maksimalisht nga Profesor Nasho ( e ka çuar përpara kritikën tonë letrare, përsa i përket romanit “Pse”dhe krijimtarisë së Sterio Spases). Në atë kohë vlerësimet maksimale m‘ u dukën më shumë për të më bërë qejfin. Por kur e rilexova punën e diplomës pas shumë vitesh, u binda se profesor Nasho kishte pasur të drejtë. Edhe tani habitem se si kam mundur të shkruar në atë kohë një studim me të vërtetë origjinal. Por merita më kryesore e punës sime të diplomës ishte se ajo më hapi rrugën për tek revista “10 Korriku”. Kjo revistë u bë një nga mbështetëset e autorëve të rinj në ushtri, pa pasur ndonjë paragjykim, në ishin ushtarë apo oficerë, nga veriu apo nga jugu, nga qyteti apo nga fshati. Revista jonë botoi poezitë e Kastriot Mahilajt, Xhevahir Lleshit, Qemal Shemes ( në s’gaboj)e shumë të tjerëve. Por edhe autorë të njohur të kohës, si Dritëro Agolli, Vath Koreshi, Faik Ballanca, Nasho Jorgaqi, Shefqet Musaraj, Sabri Godo, Razi Brahimi, Neshat Tozaj, Adriatik Kallulli, etj. e preferonin revistën tonë. 
Edhe sot e kësaj dite më kujtohet kur botuam novelën shumë të bukur të Faik Ballancës ”Kënga e fundit e Marko Boçarit”, “Orkestra e Kuqe”, historinë e veprimtarisë së një organizate ilegale antifashiste në Gjermani, gjatë Luftës së Dytë botërore, faqet e ilustruara të revistës me poezi nga autorë të rinj, të shoqëruar me skica, rubrikën interesante “Flasin heronjtë e Popullit”, etj. Në saj të punës së gjithë stafit, revista jonë, brenda një kohe të shkurtër, krijoi profilin e vet të spikatur për nivelin e krijimtarisë së botuar, për rubrikat interesante, për fotografitë artistike dhe për faqosjen. Të paktën, përsa i përket fotografisë dhe faqosjes, në saj të punës së fotografit të talentuar, Nikolin Pici dhe piktorit me shije, Robert Guci, “10 Korriku” vlerësohej si ndër revistat më cilësore të asaj kohe. 
Sigal