Partizan MYFTARI/Berisha, mjeku që shëroi një pacient, politikani që sëmuri një popull

597
Sigal

Pak dite më parë lexova klithmat emergjente, pak si jashtë mode, të debateve politike-elektorale midis Berishës dhe Ramës.

Socialisti e ftonte Demokratin të dilte në pension e të bëhej gjysh i mirë për nipërit dhe mbesat e tij…

Të ketë ndonjë nëntekst ftesa e Ramës?! Berisha iu përgjigj me liturgjinë e tij të zakonshme, të lodhshme, duke u përzier edhe me filozofët grek… si duket e lodhin akoma në memorien e tij fotografitë nudo të Ramës. Midis të tjerave tha se, ishte krenar që kishte mbaruar për mjekësi dhe ka shëruar njerëz… Ndoshta! Ndoshta në profesionin e mjekut mund të ketë qenë i zoti gjersa ngjiti gjithë ato shkallë të përziera edhe me besnikëri pushteti.

Ndonjëherë ngjitja e shkallëve është më e lehtë se sa zbritja e tyre. Po shkallët në politikë?!

Berisha ka qenë i zellshëm për të shijuar këto lloj shkallësh… Gati i paimagjinueshëm, ankth mbajtës, provokues, lëndues, përgjaktës. Ndoshta ka të bëjë me strukturën e tij gjenetike të moralit.

Po të mos ishte besnik pushteti, vështirë të bëje karrierë. Dhe ishte prapë e vështirë të shkoje për specializim pa i dhënë provat se ishe besnik i një sistemi që hante vetveten…

Rrethinat, jo në të gjitha rastet, i bëjnë provincialët dështak. Berisha luajti dinakërisht kukafshehthi me atë pjesë të karakterit të tij ku egoizmi fle periodikisht me ëndrra fëmijësh të padjallëzuar dhe zgjohet ngadhënjimtar me një erotik të pashtershme fuqie, por që të mbajnë në ankth të përhershëm.

Një dualizëm i karakterit i përgatitur në vite.

Por kjo me të vërtetë nuk i përket vetëm të shkuarës, pasi Berisha ynë u rrit me atë pikëpamje, me atë filozofi jete, me atë ideologji të ngurtë dhe po i tillë mbeti brenda vetes në një kornizë sterile ku forma është vetëm shënjuese.

Në fillimet e demokracisë më kanë pëlqyer shkrimet e Berishës dhe vet Partia Demokratike me atë frymë nismëtare për ndryshime rrënjësore, për revolucione shpirtërore.

E përfytyroja PD-në si një laborator të madh kërkimi, pune sociale, psikologjike, filozofike ku do të përgatiteshin ndryshimet e mëdha të cilat ishin mese të domosdoshme. Gjerat fatkeqësisht, kanë rrjedhur më keq se sa mund të parashikoheshin.

Laboratori i PD-së u kthye në një klinikë politike, ku mjeku përgjegjës, as vet nuk e dinte se si do ta vinte në punë këtë kapanon të madh. U thirrën kirurgë, patologë, dermatologë, gjinekologë gjer edhe ekspertë të fushave të ndryshme, por klinika nuk mundi të dilte dot nga kurthet e saj të sëmundjeve provinciale, të kancerit të krimit.

U përdor edhe anestezia totale, por mjekut i kishte rënë prej kohësh nga dora bisturia e profesionit dhe epshëm kishte zgjedhur bisturinë e fjalës. Fatkeqësisht, këtë lloj bisturie, nuk ka ditur ta mbajë kurrë…, por po ashtu, ai, as klinikës së tij politike nuk i është ndarë asnjëherë. Në përgjithësi klasa politike është paraqitur edhe si paciente e kësaj stalle-klinikë, por edhe si infermier të rëndomtë që kur gjendeshin brenda sistemit nuk arritën të ndanin procesin selektiv. Ishin pacientë?! Ishin mjek të thirrur për të shpëtuar vendin?! Më tepër si të kishin një deformim gjenetik rrënjësor ata na u shfaqën si pacientë të zgjedhur dhe ne na u shtirën si mjek. Berisha nuk mundi ta shihte realisht sëmundjen (Angina pectoris) që ishte në gjoks të Kombit.

As Nano me fodullet e tij të fjalimeve estetike, që dukeshin se do të hapnin në sipar ekonomik. Loja mes tyre filloi me Bençën dhe mbaroi (si e fitoi gjyqin me Bençën edhe kompensimin e viteve të dënimit) në një kazino politike. As fryma adoleshente e Majkos e një pushteti të mbetur në mes nuk arriti të dilte nga mjegulla e sistemit të korrupsionit. As Meta i guroreve me tam-tumet e tij pa një shtyllë filozofike, por i udhëhequr nga një enterite vetëm për pushtet…. nuk i mjaftoi korrespodenca e blloqeve para e pas lëvizjeve të “kompromiseve historike” (Në fakt kompromise qesharake pa asnjë një stil virtual e kompleks mbi perspektivën reale…)

Por të kthehemi tek mjeku me bisturi hakmarrje fjalësh. Kulmi i kësaj klinike politike të dështuar ndodhi më 1997. Berisha këtu është dështaku më shembullor dhe populli humbësi më i madh. Pacientët e klinikës edhe pas kësaj historie vazhduan të njëjtin sistem steril. Askush nuk u shërua sepse të gjithë besonin se nuk vuanin nga asnjë sëmundje. Jashtë klinikës plagët e 1997 ishin po aq të tmerrshme, të prekshme, të dukshme. Nga ky moment historik ky grup politik e ka humbur të drejtën morale për të qeverisur popullin e vet. Berisha duhej prej kohësh të kishte dhënë dorëheqjen sepse nuk mundi të shëronte. Dorëheqja nuk është turp. Nuk është humbje. Ajo është ngadhënjim mbi veten.

Pse nuk e bëri?! Të ishte i paafte?! Të ishte në shërbim të të tretëve?! Të jenë të vërteta akuzat se e mbajnë në pushtet edhe qarqe antikombëtare?!

Ka shumë pikëpyetje për njeriun që po zvarrit pambarimisht tranzicionin shqiptar. Ai vazhdon të besoj tek vetvetja se është mjek i mirë politikisht dhe viroza e servilizmit e ndihmon jashtëzakonisht. Por ka  dështuar turpërisht!

Klithmat e tij nuk e bëjnë dot Shtetin sepse ai mbahet peng nga antishtetarët, nga mafiozët ekonomik, nga servilët e pafundmë, nga këshilltarë të rëndomtë dhe nga një kategori analistësh që janë më antisocial, janë kanarina të servilizmit dhe lojtarë të këqij të situatave social-psikologjike. Më vjen keq për shumë të ndershëm intelektual e qytetarë të PD-së që mbështetin verbërisht këtë klinikë politike, që ende nuk ka dënuar krimet e 1997 apo shumë e shumë krime të tjera të karakterit social, ekonomik e kombëtar.

Nëse klinika e PD -së do të kishte shmangur urtësisht pacientin e saj më të keq, do të ndjehej më e fuqishme kundër molepsjes kanceroze të krimit moral dhe ekonomik. Shqipëria me pasurinë e vlerave të saj nuk e meriton këtë sëmundje klinike nga një mjek tashmë i dal mode pa një motivim filozofik.

Gërmadha e mendimit të tij është të qëndroj vetëm në krye të këtij kapanoni të sëmurë (dyfish me metastazat e tij të madhështisë së Hiçit duke larguar e ndrydhur mjaft djem e vajza të mira që ka vet PD-ja.). Nuk dua të rreshtoi histori krimi e dështimi berishiane se janë të shumta.

Nuk dua të mohoj ndryshimet e natyrshme të vet sistemit, por jo e kurrë se si meritë e mjekut politik dështak. Frika dhe terrori që ka mbjell mendoj se, me siguri një ditë nëpërmjet sistemit ligjor duhen të ndëshkohen si shkombëtarizim vlerash, si përdhosje të Kombit. Koha e termit bashkëfajtor përdorur shpesh nga klasa politike ka qene një truk i turpshëm. Nuk mund të jemi të gjithë bashkëfajtor.

Kurrsesi!

Kush ka bërë krim t’i përgjigjet juridikisht. Berisha nuk mendoj se ka mbetur brenda klinikës me metamorfozat e fajit. Papërgjegjshmëria e tij i ka kaluar kufijtë e krimit, qoftë edhe me të vetmen ngjarje të 21 Janarit. Ai mburret si mjek… Ndoshta ka shëruar një pacient (me siguri e ka shëruar), por këto vite ai ka sëmurur një popull dhe si pushtetar nuk është i aftë të ngre Shtet. E ka provuar disa herë e po aq herë ka dështuar duke qëndruar dhunshëm me karakterin e tij mbi vullnetin e popullit dhe njëkohësisht duke e dhunuar këtë të fundit.

Jo vetëm. Një klinikë politike ku bluzat e mjekëve politikë janë: ose përgjakur prej kohësh, ose janë zhytur thellësisht me aleatë apo ish aleatë në një llum lumi korrupsioni.

Institucioni i Drejtësisë si një sallë operacioni, ku gjithmonë i ka munguar oksigjeni dhe në terrin e tyre kanë kërkuar të shpëtojnë miqtë, të shërojnë vetveten nga mëkatet dhe të mbeten po ashtu me një bisturi të ndryshkur vendimi ku analogjia e rrjedhjeve ka shtuar pakënaqësi ose zemërim të fshehur popullor.

Bëjini një operacion me gjakftohtësi pacientëve të klinikës politike dhe do të shihni se ata nuk mbështeten në vlera. Sëmundjet që ka kjo klinikë është pjesa më e madhe gati e pashërueshme. Aty nuk ka tretje të mendimit, por rrëmbime krevatesh në të njëjtët çarçafë të pistë. Këndi i vogël i emergjencës nuk mund ta shpëtojë dot këtë moral të krimbur. Edhe oksigjeni i asaj shtrese të përndjekurish politik po shkon drejt sosjes, për shkak të pabarazisë sociale dhe vjedhja, përdhosja në mënyrë makabre e shanseve të barabarta të konkurrimit dhe meritave të vlerave. Klinika juaj po shndërrohet si një shtëpi e verdhë. Nuk duam që ajo të jetë ashtu, sepse PD, tek e fundit, duhet të jetë një vlerë Kombëtare progresiste. Dhe së fundi më duket se po e zbuloj retorikën e Ramës, që e ka ftuar Berishën të bëj rolin e gjyshit pas 23 qershorit….Berisha, nëse këto janë të vërteta, e ka humbur betejën për edukimin e fëmijëve. Rama, që nuk ka mëkate sa Berisha me të drejtë e fton të bëhet një gjysh i mirë për nipërit dhe mbesat e tij, si i vetmi opsion për purifikimin e shpirtit. Besoj se me pak mundime mund të bëhet një gjysh i mirë.