Enida Bozheku/ Reforma në Drejtësi ose Komisioni i Gojëdhënave

517
Pasditen e së hënës komisioni parlamentar për reformën në drejtësi do të publikojë raportin e parë që lidhet me elementët karakterizues, profilet shqetësuese dhe nivelin e korrupsionit të gjyqësorit në Shqipëri. Ajo çka vihet re në këtë analizë të parë janë konstatimet mbi baza “gojëdhënash” të komisionit, në vend që këto konstatime të bazohen në elementë empirikë, të provuar dhe dokumentuar. Komisioni konstaton se korrupsioni, i cili është i gjithanshem dhe i kudondodhur, aktiv dhe pasiv, fillon nga niveli bazë i sistemit – oficerët gjyqësorë, për t’u zhvilluar dhe ngritur më tej, në formë piramidale, deri tek prokurorët dhe gjyqtarët. Komisioni hamendëson se shumat e paguara nga ana e përfqaqësuesve të gjyqësorit, pra gjyqtarët, për të “kapur majat e larta karrieristo – hierarkike”, shkojnë nga 100.000 deri ne 300.000 Euro (Cit. Aleksandra Bogdani reporter.al). Komisioni nuk jep shpjegime të mëtejshme lidhur me mënyrën sesi dhe saktësisht nga kush merren këto para. 
Shifrat e korrupsionit ai i jep nga informacionet që ka mbledhur nga perceptimet e popullatës mbi gjyqësorin, pa shkuar në thelb të problemit, por duke e përshkruar atë në trajtë jopersonale dhe përgjithësuese. Dhe këtu le të ndalemi pak! Hierarkia gjyqësore e merr konfirmimin e saj nga salla e Kuvendit të Shqipërisë. Mjafton një deduksion i thjeshtë logjik për të arritur në konkluzionin se individët gjyqtarë që hedhin këto shuma marramendëse parash për të blerë postet e tyre, korruptojnë, mbi të gjitha, zotërinjtë deputetë. Këtu lind pyetja: Si ka mundësi që komisionerët t’u referohen kaq natyrshëm shifrave të tilla, kur dihet që rroga e gjyqtarit është pafundësisht e ulët në proporcion me to? Konstatimet e pafajshme të komisionit bëhen nën hijen e absurdit. Duket sikur ata nuk dinë asnjë fakt lidhur me atë çka konstatojnë. Por,“Ignorantia legis non excusat”. Kjo edhe për vetë faktin se anëtarët kryesorë të këtij komisioni ekspertësh vijnë nga fusha e politikës, si dhe nga vetë fusha e drejtësisë (zyrave të gjykatave). Ndër të tjera raporti shprehet: “situata e korrupsionit në sistemin e drejtësisë nuk është e dokumentuar”.
Atëherë pyetja shtrohet sërish: Si ka mundësi që një komision ekspertësh të japë vlera konkrete shifrash korruptive dhe të tregojë se ku “investohen” këto shifra, pa patur prova konkrete?! Si mundet një komision ekspertësh të japë pretenca të këtilla, me hije dyshimi – narracioni popullor, kur nuk ekzistojnë prova konkrete, emra konkretë?! Nën hijen absurde të dyshimit, është legjitime të mendohet se ekspertët e mbledhjes së “gojëdhënave” kanë ndoshta burime edhe më të sakta se ajo çka duan të na tregojnë. Kjo edhe për vetë faktin se shumica e tyre “pluskon” në ambjentet e politikës. Shkëpusim një një element tjetër nga ky raport: “Në çdo rast palët në transaksionin korruptiv shmangin telefonatat. Pagesat bëhen me para në dorë. Shpesh përfitimet e paligjshme dërgohen jashtë vendit ose u jepen të afermëve/familjarëve të gjyqtarit/prokurorit, ose personave të tretë të besuar”. Fjalia e mësipërme është e mbarsur me kundërshti. Si ka mundësi që Komisioni, pa patur prova konkrete, arrin të përcaktojë me saktësi mënyrën se si kryhen transaksionet?! Si është e mundur që komisioni të pohojë me kompetencë se transaksionet bëhen jashtë vendit?! 
Si ka mundësi, pra, që Komisioni i “Gojëdhënave” të dijë saktësisht se kujt familajri apo të treti kalohen këto benefite të përftuara në mënyrë të paligjshme nga “segmentet” e gjyqësorit ? Konstatimet legjendare të komisionit duket se janë një tjetër hi syve për shqiptarët. Korrupsioni i raportuar nëpërmjet gojëdhënave popullore është aq i mirëditur nga çdo qytar shqiptar sa tejkalimi i kompetencave teknike dhe “ngatërrimi” i tyre me të dhëna “gojore”, e bën raportin sa të pabesueshëm aq edhe qesharak . Shqiptarët kanë 25 vjet që konstatojnë se si vëndi i tyre po shkërrmoqet. Shqiptarët kanë 25 vjet që shohin se si shteti i tyre nuk funksionon. Është vërtet absurde të dëgjosh raportime me hamendje dhe dyshime nga vetë ekspertët ligjorë. Pas konstatimeve të ekspertëve, pyetjet e rradhës që shtrohen janë: Pasi ekspertët e reformës konstatuan problemin, a mund të na raportojnë se kë konkretisht paguajnë gjyqtarët për emërimin e tyre në poste karriere të denja per “respekt”?? Dhe, summa summare, si mund të kenë pasoja penale këta gjyqtarë “hamendësisht të inkriminuar” që japin rryshfete dhe blejnë poste? A nuk është ky investigim hamendësues thjesht absurdi i rradhës? Janë këto pyetje hapat e paevitueshëm në kalvarin e absurdit – këtij rrugëtimi të gjatë drejt një reforme të pamundur ose thuajse të pamundur në drejtësi. 
Sigal