Majlinda Keta/ Alterteksti apo Alterbiznesi politik i rradhës

504
Komponenti i reformës arsimore në arsimin parauniversitar mbi Altertekstin, 2015-të, pritej të ishte ai më sfidanti, pasi kishte atakimet më të fuqishme në filozofinë me të cilën u aplikua, por edhe për dëmin publik jo rrallë të denoncuar nga profesionistë, prindër apo dashamirësit e arsimit në vend për ato që ndodhën në 2006 – 2013. Dua të ndalem në disa ide që tentojnë të na bindin në se kemi të bëjmë me një reformë të politikës së Altertekstit kundër analfabetizmit funksional present, apo thjesht do prodhohet Alterbiznesi politik i rradhës? Pasqyrën e parë ky komponent në nevojë reformuese e ka me “Pse-në” e ndryshimeve të diktuara.
Alterbiznesi politik i rradhës
Kryeshkaku i ndryshimeve imponohej nga fakti që projekti PISSA 2012-të i Bankës Botërore, pranoi se për rreth 57% të 15 vjeçarëve shqiptarë bashkëngjitej cilësimi “analfabetë funksionalë”. Një analfabet i këtij lloji është në gjendje të lexojë mekanikisht, por jo të kuptojë çfarë ka lexuar. Ishte ky pohim që domosdoshmërisht i impononte vendimarrjes politike të pas 2013-tës një studim të dytë, të thelluar, vendas se ku e kishte burimin ky analfabetizëm, ndërkohë që në vetvete ai është një cinizëm publik i pohuar midis Shqipërisë dixhitale që pretendohej se rritej dhe trendeve botërore për edukimin në shekullin e 21-të që fokusohej në edukimin për zhvillim të qëndrueshëm të humanes përballë pozitës reale të arsimit shqiptar. Kjo nuk u bë nga kjo qeverisje dhe nuk ka qasje të bëhet ende, megjithëse këtij shteti nuk i mungojnë agjensitë e kërkimit shkencor, që duhet t’i kenë prioritet analiza të tilla si detyrim për prodhimin e cilësive të humanes shqiptare në gjithë sistemin e edukimit. Po ato burime humane, që justifikuan dhe prodhuan ndryshimet kurrikulare 2012-të në kuadër të Reformës së Arsimit Parauniversitar, të miratuar pothuaj unanimisht në Parlament, po ato ofrojnë përpara politikbërjes dhe publikut “kurrikulat mide” të rradhës, pa shpjeguar asnjëherë se ku shkoi investimi i bërë mbi humanen profesioniste, kualifikuese dhe me një faturë financiare të kripur, ndërsa printohen e mbrohen “risitë reformatore” të radhës. Ky precedent, i Erës Institucionale nga “0”, sapo ndryshojnë njëshat politikë dhe skuadrat e zgjedhura prej tyre, është i njëjtë me shumë fusha të këtij shteti, por ndërsa rrugët edhe riparohen, godinave ju bën edhe fasada sikurse edhe betonet hidhen në erë e mund të kthehen në të gjelbër, dëmi në mendjen e humans, kur duhet investuar në sistem e nivele edukimi në vijimësi nuk zhbëhet, vetëm thellohet. Analfabetizmi funksional i 2012- tës, apo pohimi i mëposhtëm janë kërcënues potent të zhvillimit të qëndrueshëm në vend dhe kompetencave që i duhet të kenë gjeneratat e reja në raport me të. “World Economic Forum” 2015-të e risjell shqetësimin mbi arsimin përsëri në fokus. Ai e renditi Shqipërinë në vendin e fundit në Ballkan për treguesin e kapitalit njerëzor. Siç dihet, Indeksi mbështetet në katër themele studimore për përcaktimin e treguesit të kapitalit njerëzor : Arsimi, shëndeti dhe mirëqenia, forca e punës dhe punësimi si dhe mundësitë. Tek arsimi përfshihen treguesit arsimorë në sasi dhe cilësi në çdo nivel, parashkollor, parauniversitar dhe universitar me forcën e punës sot dhe për të ardhmen.
Shkaqet e sistemit anarkik arsimor
Bashkuar me këto 2 vlerësime nga jashtë për arsimin në Shqipëri, por edhe për çfarë përfundimi i Dekadës së Edukimit për Zhvillim të Qëndrueshëm (2004-2015-të nga UNESCO) pritej që Ministria e Arsimit dhe Sporteve të paraprinte me një GUIDË platformë për publikun dhe politikën shqiptare, nga ku duhet të tentonte të na bindte se po angazhohej për minimizimin e analfabetizmit funksional që shkaqet i ka në sistemin anarkik, orientuar drejt biznesit të krediteve kualifikuese për mësuesit e 8 viteve pas 2005-sës, pa prioritete dhe filozofi kuotuese në karrierën dhe cilësinë e mësidhënies në raport me nevojat e nxënësve në fenomenin kritik: 
-e ka në cilësinë traumatike të jo pak teksteve të denoncuara jashtë standardi shkencor e gjuhësor që ligjëroi se Alterteksti mund të jetë edhe Altertbiznes për militantët dhe mbështetësit politikë, që edhe befasisht u bënë “Shtëpi Botuese”, apo u kthyen edhe në “Shtëpi Botuese për Librin Shkollor”, pa pyetur se ato që prodhojnë librin shkollor janë të ndryshme në standard redaksionale nga të parat. Për më keq vazhdojnë aktivitetin akoma dhe ato me shkelje të patolerueshme shkencore, gjuhësore apo etike, pa u ndëshkuar nga askush për dëmin publik që shkaktuan mbi gjenerata nxënësish: 
– e ka në deinstitucionalizimin që ju bë strukturave kualifikuese e kërkimore në Drejtoritë Arsimore Rajonale menjëherë pas 2005-sës dhe u “mbulua” me populizmin institucional, ku mësuesit votojnë cilësitë e teksteve në qarkullim po aq sa me “urdhërat politikë” në përzgjedhje tekstesh që vinin nga drejtorët politikë në shkolla e DAR-e:
– e ka shkakun në mungesën totale të mbrojtjes së pasurisë intelektuale dhe të drejtës së autorit, që tekstet shkollore të një vendi përfaqësojnë në kuadër të së drejtës së autorit, ndërkohë që Alterbiznesi “trafikoi” autorë e grup autorësh në shtëpi botuese të midesë dhe ngjyrës politike të kohës dhe ku këto të fundit nuk kanë patur dhe nuk kanë detyrim për transparencë dhe bashkëpunim për përmirësim me autorët e teksteve shkollore:
– e ka në transparencën e pakryer në 10 vite, edhe këto 2 të fundit tashmë, për hartën e teksteve shkollore, se ku dhe sa tekste, të cilës shtëpi botuese përdorin kopshtet, shkollat në çdo cep të Shqipërisë, në vite;
– e ka në mungesën e analizave të përbashkëta të politikbërësve në MAS, autorë tekstesh dhe agjensi të analizës dhe perspektivave në arsim së bashku me mësues e të interesuar për çështjen. Është për të ardhur keq që kjo politikë e “indiferencës institucionale të MAS” vazhdon edhe pas 2 viteve qeverisje të së majtës. Ky lloj qëndrimi shpreh zgjedhjen që MAS ka bërë në binomin e interesit për Altertekst mbi një kurrikul të njëjtë, por në dimensione alternative të trajtesave dhe aparateve konceptuale;
– e ka në mungesën e vizionit përzgjedhës edhe për modelet që përzgjidhen të përkthehen në gruplëndë formimi, ku modeli shqiptar është i paqasur qysh nga analfabetizmi funksional që mbart deri tek minutat e orës së mësimit që ka modeli i vendit që zgjidhet për t’u përkthyer;
– e ka tek mosrespektimi i ligjit të konfliktit të interesit mes punonjësve dhe titullarëve në MASH sot MAS dhe autorëve, apo shtëpive botuese të përzgjedhura dhe tash së fundi “të votuara” prej mësuesve. Jemi shumë pak popullatë në këtë vend për të mos mësuar e diskutuar mbi “legjendat urbane” të preferencialëve botues dhe autorë ndonëse CV-të e tyre nuk kanë asgjë të përbashkët me atë që do na bindte që reforma e pos 2013-tës po shkon drejt Altertekstit funksional dhe jo Alterbiznesit nën “korruptim” përmbajtësor dhe institucional.
Nga duhej filluar reforma e Altertekstit
Reforma në këtë komponent duhet të fillonte me etikën, mbi përjashtimin e konfliktit të interesit dhe të mbaronte tek shkenca dhe didaktika në tekste po aq sa tek morali institucional i shtëpive botuese në vite në raport me librin shkollor. Kështu, do të mundësonim që do prodhoheshin kritere që edhe mësuesit, që janë pjesë e prodhimit të analfabetizmit funksional këtë rradhë nuk do duhet të jenë votues e klasifikues tekstesh, por kompetenca për përgjegjësi dhe siguri duhet të kalonte në grupe Ad Hoc nga akademizmi dhe ekselenca e mësuesve me bazë rajonet. Arritja e kriterit të parë do na sillte një hartë të përzgjedhjes një kurrikul të implementuar në mënyrë fleksibile, ku takohen me nevojat edhe lokale të nxënësve për edukim, duke bërë hapin edhe drejt një elemeni tjetër të decentralizimit në arsim. Reforma e pretenduar mund të njoftonte për një filozofi edukimi të vetën në politikën e teksteve shkollore. Përvoja botërore ka shumë, sidomos për vendet ku analfabetizmi funksional ka prekur sistemin dhe ilaçi gjëndet në boshtin që krijohet bazuar në edukimin filozofik dhe proçesin e të filozofuarit nga fëmijët e nxënësit. Kjo jo vetëm në edukimin e mirëfilltë filozofik si lëndë të përshtatur në çdo moshë, por edhe si një kroskurrikul që fillon me cilësinë e mësimit të gjuhës amtare. Realisht ajo qaset në tekste, përmes cilësisë së pyetjeve dhe situatave që stimulojnë mendimin krijues, mendimin kritik, rregullat logjike të formëzimit të mendimit, forcës së argumentit etj. Janë thënë e pohuar edhe këto modele në botime pedagogjike, por edhe në shtyp e debate publike, por nuk janë përfillur. Ky ndryshim, a një tjetër i këtij modeli ilaç kundër analfabetizmit funksional bënte sens. Reforma që t’i largohej Alterbiznesit të politikës së rradhës duhet të përfshinte edhe elementët e cilësisë printuese, sikurse edhe tekstet në version elektronik, të cilët do të kontribonin për fokusimin më të mirë në nxënie e aftësim me kompetenca, sikurse edhe në strategjitë rezultative në studimin e fëmijëve, ku edhe për to menaxhohen rubrika interaktive. Kjo do të na bënte të largoheshim një herë e përgjithmonë nga cilësitë e printimit që zbeheshin nga botuesit sa herë tenderoheshin tekstet në vitin pasardhës, por që i kthyen në albinë institucionalë punonjësit dhe titullarët e MAS përballë kësaj cilësie printimi në degradim. Edhe tekstet shkollore, përveç të tjerave, edukojnë dhe estetikisht gjeneratat e reja. Bazuar në këto ide kritike, por edhe alternative mendoj se do i shërbenim Altertekstit si një nga komponentët që fuqizon edukimin e qëndrueshëm e në progress kompetencash për gjeneratat e reja, në këtë vit të fundit të dekadës së edukimit për zhvillim të qëndrueshëm. Kështu do largoheshim nga tenderimi politik edhe në politikën arsimore të teksteve shkollore, si imunitet i parë etik dhe brendësor për të shëruar Shqipërinë me një gjeneratë nën analfabetizmin funksional të atyre që sot janë vetëm 18 vjeç dhe pritet të jetësojnë edhe cilësinë e Reformës së pretenduar në Arsimin e Lartë Shqiptar këtë vit.
Sigal