Opozita të bëjë autokritikë për emigrantët, por jo opozitë në kurriz të tyre

537
Sigal

Edhe pse nuk ka kontribuar për asnjë çast për emigrantët, edhe pse nuk ka marrë parasysh asnjëherë hallet dhe problemet e tyre, opozita me një hipokrizi të theksuar, po edhe aq të neveritshme po bën opozitë në kurriz të tyre. Një opozitë që asnjëherë nuk ka shpalosur para emigrantëve strategjinë e saj për emigrantët kudondodhur, një opozitë që është kujtuar për ta vetëm në raste votimesh dhe asnjëherë për problemet që ata hasin. Kohët e fundit, për çudi opozita me anën e sekretarit të saj për Rininë dhe Emigracionin zoti Erion Velia po tregon se, ka marrë flamurin në dorë për të drejtat e emigrantëve edhe pse këta të fundit nuk po gëzojnë atë që duhet. Por me gjithë këtë duket se opozita ka zgjedhur rrugën më të shkurtër për të kritikuar qeverinë, me imazhin se kjo u mohon të drejtën e votës së emigrantëve. Një e vërtetë kjo. Në fakt si opozita ashtu edhe maxhoranca kanë sot frikë nga  vota e emigrantëve, pasi e dine mire se sa rol luan vota e tyre. Opozita me kohë duhej të kishte bërë autokritikë për qëndrimet e saj ndaj emigrantëve. Ajo është kujtuar se ka emigrantë vetëm kur kreu i saj ka qenë i ftuar në Greqi nga PASOK-u, ose për promovimin e librit të tij “KURBAN”. Dimë shumë mire se sa i duan dhe sa merak kanë për emigrantët si qeveria ashtu edhe dhe opozita, ashtu siç dimë se si kanë luftuar për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin e tyre. Të kritikosh sot është gjëja më e lehtë, se sa të tregosh rrugën për zgjidhjen e problemit. Problemi kryesor i emigrantëve nuk është vetëm procesi i votimeve, as propozimi i bërë nga opozita më 2008 në Komisionin e Reformës Zgjedhore për të votuar me postë, por problem kryesor i tyre është që opozita të luaj rolin ashtu siç i takon dhe të mos ia lërë dopio gjashtën në dorë qeverisë. Të ngresh zërin një here në katër vjet për ta është njollojë sikur t’i vrasësh ata. Të bësh opozitë në kurriz të emigrantëve të ngresh zërin se si ata duhet të votojnë me postë, apo janë burim parash, tregon qarte se emigrantët i nevojiten opozitës vetëm për votën e tyre dhe për asgjë tjetër. Interesimi i opozitës për votën e emigrantëve tregon se vota e emigrantëve nuk është kaq e thjeshtë, por ka një vlerë. Dhe kjo vlerë përbën një shqetësim për mbarë politikën shqiptare. Lidhur me rëndësinë e votës, ish-kryeministri Papandreu ka falënderuar emigrantët shqiptarë (anëtarë të PASOK-ut) për rolin që ata luajtën në zgjedhjen e tij si kryetar të partisë së PASOK-ut, duke forcuar gjithnjë e më shumë marrëdhëniet me Degën e PS në Greqi. Por të kundërtën veprim bën kreu i PS, Edi Rama dhe Gramoz Ruci, të cilët në selinë e PASOK-ut në mars të 2010 ngritën paralel me degën ekzistuese të PS në Greqi, një degë tjetër me në krye Eda Gemi, duke sjellë një indinjatë jo vetëm në simpatizantët e PS, por mbi të gjitha edhe në PASOK. Fatkeqësisht ndodh që opozita bashkohet me maxhorancën kur vjen puna për të drejtat e emigrantëve në mohimin e pjesëmarrjes në jetën politike të tyre, ndërsa e kritikon atë përse emigrantët nuk votojnë me post. Opozita para se të flasë për mënyrën se si duhet të votojnë emigrantët, simpatizantët e saj, duhet që në radhë të parë të dëgjojë zërin dhe propozimet e tyre, pasi kjo gjë deri më sot mungon. Rilindja shqiptare nuk mund të vi vetëm nga PS, si dhe kjo parti nuk është Parti e emigrantëve dhe as që të mendohet dhe jo më të pretendohet ashtu siç thotë në mediat tona sekretari për Rininë dhe Emigracionin zoti Erion Velia. PS është një strukturë e tillë që në radhë të pare duhet të mbledhë të pambledhurat, të forcojë unitetin dhe të zbatojë parimet demokratike brenda gjirit të saj. Në Greqi strukturat janë të përçara që me ardhjen e Erion Velisë, duke bërë që shumë simpatizantë të largohen të indinjuar.  Kohët e fundit në një mbledhje të Degës së PS në Athinë në prani të Erion Velisë largohet në mënyrë demonstrative kreu i PS për Athinën, Besim Mero, me pretendimin që PS nuk shikon vlerat e njerëzve, por shikon vlerat e portofolave. PS me në krye kreun e saj Rama, në Greqi tregoi se është portofoli dhe parat brenda në zarfit që vendosin për kreun e saj, duke mënjanuar vlerat e njerëzve intelektualë të aftë. Të kritikosh qeverinë që i trajton emigrantët vetëm si aksionar politik është një gabim fatal, në një kohë kur nuk e kritikon që nuk di sa ka dhe ku i ka emigrantët e saj, nuk di se sa u mbrohet e drejta e tyre atje ku punojnë. Të kritikosh Berishën se nuk njeh emigracionin është një e vërtetë, ashtu siç është e vërtetë që edhe opozita nuk e njeh emigracionin. As qeveria dhe as opozita nuk duan që emigrantët të jenë aksionarë politik, nuk duan që këta të votojnë atje ku jetojnë, pasi vota e emigrantëve do të prishte ekuilibrin e sotëm politik. Në qeverinë e sotme në dikastere të ndryshme ka emigrantë të punësuar me arsimimin përkatës, që dikur në emigracion ishin njerëz më me zë. Opozita duhet ta kishte cilësuar këtë lëvizje të qeverisë dhe të merrte shembull në këtë drejtim, pasi ka edhe kjo gjynahet e veta. Opozita duhet të thotë të paktën një herë të vërtetën, që asnjëherë nuk ka marrë në konsiderate propozimet e Degës së PS në Greqi për të pasur kandidat nga emigracioni. Opozita është gati të ndezë motorët e fushatës të vitit elektoral 2013, po pa pjesëmarrjen e emigrantëve në këto votime opozita mund të mbesë përsëri në opozitë…

Shpëtim ZINXHIRIA