Nonda Buxhuku: Mbi indeksimin e pensioneve

113
Sigal

Kështu për shembull një mënyrë llogaritje do të ishte që indeksimi të llogaritej deri në një shumë të caktuar, psh deri në 300 mijë lek, duke përjashtuar në indeksimin jo vetëm pensionin suplementar, por edhe pjesën mbi 300 mijë lek. Nga një mënyrë e tillë llogaritje do të rritej masa në përqindje e indeksimit dhe do t’i vinte në ndihmë atyre që kanë pensione të ulëta.

 

Telegraf.al / Indeksimi i pensioneve ka për qëllim të kompensojë rritjen e çmimeve të mallrave të konsumit dhe shërbimeve (shportës) nga një periudhë në tjetrën duke ruajtur nivelin e jetesës dhe pensionin real të periudhave të pensionistëve. Indeksimi i pensioneve te ne, bëhet në përqindje, mbi pensionin që merr çdo pensionist. Sipas kësaj mënyre ai që ka pensionin e ulët merr më pak, ndërsa ai që ka pensionin e madh merr më shumë. Por, pensionet te ne, sidomos pas heqjes së tavanit, ndryshojnë në 3-4 herë, prandaj dhe përfitimet nga indeksimi janë po në këtë masë. Lind pyetja a është e drejtë një metodë e tillë indeksimi?

NOA

Në një bisedë, kohët e fundit, me një mikun tim, profesor, që ka dalë në pension këto 5 vitet e fundit, e pyeta se sa të doli pensioni? Bashkë pensionin suplementar më tha, më doli 760 mijë lekë (të vjetra). Por, pas indeksimeve, sidomos të këtyre dy viteve të fundit më shkoi 960 mijë lek. Pra, mikut tim, nga indeksimi i këtyre 5 viteve, pensioni iu rrit 200 mijë lek. Kaq nuk është pensioni mesatar në shkallë vendi ose këtë shumë nuk e marrin rreth 70% e pensionistëve. Me 200 mijë lek, kuptohet që jo vetëm miku im ka kompensuar rritjen e çmimeve, por pensioni i tij ka pësuar dhe rritje reale. Ndërsa ata me pension të ulët që janë shumica, jo vetëm nuk kanë mundur të mbulojnë rritjen e çmimeve (inflacionin), por jetesa e tyre është përkeqësuar dhe pensioni real është ulur. Pra, duhet gjetur një tjetër metodë për llogaritjen e indeksimit të pensioneve. Mënyra për llogaritjen e indeksimit të pensioneve mund të gjenden disa, por çështja është që të gjendet një metodë që të jetë sa më e përshtatshme. Kështu për shembull një mënyrë llogaritje do të ishte që indeksimi të llogaritej deri në një shumë të caktuar, psh deri në 300 mijë lek, duke përjashtuar në indeksimin jo vetëm pensionin suplementar, por edhe pjesën mbi 300 mijë lek. Nga një mënyrë e tillë llogaritje do të rritej masa në përqindje e indeksimit dhe do t’i vinte në ndihmë atyre që kanë pensione të ulta. Një tjetër mënyrë llogaritje që rekomandoj, do të ishte që, nga indeksimi të përfitonin të gjithë pensionistët në mënyrë të barabartë. Kështu, fondi i përgjithshëm i caktuar në buxhetin e shtetit i caktuar të pjestohej me numrin e të gjithë pensionistëve dhe herësi( shuma) që del, t’i jepet në mënyrë të barabartë të gjithë pensionistëve. Një mënyrë e tillë llogaritje, për më tepër që rritje pensionesh nuk parashikohet, por vetëm indeksim, pensionistëve me pensione të ulëta, do t’i vinte më shumë në ndihmë. Kjo formë indeksimi do të ngjasonte si bonuset që janë dhënë gjatë krizës gjatë vitit 2022 apo bonusit që jepet në çdo fundviti për të gjithë pensionistët.