Edmond HAXHINASTO/ Shqipëria e jugut së shpejti do të ketë aeroportin e saj

687
Sigal

*Ministër i Transportit dhe Infrastrukturës

Rasti që na mbledh këtu sot ka të bëjë me emrin e kësaj Agjencie të rëndësishme, e cila është një ndër institucionet shqiptare që integrohet e para në Bashkimin Evropian, për vetë aderimin që ajo ka në euro kontroll dhe për vetë marrëdhënien e shkëlqyer që ajo ka me të. Por jo vetëm në aspektin ligjor, por mbi të gjitha në aspektin e cilësisë së shërbimit që ofron dhe potencialeve që ka për të qëndruar dhe respektuar si agjensi kombëtare në shërbimet për transportin ndërkombëtar, por edhe për atë kombëtar. Dëshiroj të them se kemi një substancë dhe në këtë emër të ri që merr kjo agjensi dhe substanca ka të bëjë me vizionin e ri që kjo Qeveri ka për zhvillimin e këtij sektori, i cili ka potenciale të jashtëzakonshme për zhvillimin e vendit. Dëgjova këtu që u fol për çështje volumi, çështje kostosh që mund të ndahen me vëllezërit tanë të Kosovës, por po ta vendosim funksionin e këtyre dy agjensive në perspektivë unë jam i bindur që volumi do të vijë në rritje dhe kjo agjensi me shërbimet e saj cilësore, të sigurta dhe me volum më të madh do të sjellë pa diskutim kontribute të rëndësishme edhe për zhvillimin ekonomik. Kjo cilësi e lartë do t’i shërbejë në radhë të parë tregut shqiptar të aviacionit, i cili tashmë po hedh hapat e para të rëndësishme drejt hapjes së tij, drejt ofrimit të shërbimeve cilësore për qytetarët shqiptarë. Në shumë pak kohë janë regjistruar duke hequr gjithë pengesat burokratike, administrative apo influenca të caktuara, janë regjistruar kompani të reja, të cilat shumë shpejtë do të hyjnë në tregun shqiptar të aviacionit me qëllim që tu ofrojnë qytetarëve shqiptarë shërbime cilësore por me kosto të ulët. Do t’i ofrojnë gjithashtu shërbime një tregu që ne synojmë të sigurojmë, i cili është tregu turistik, i cili pa diskutim do të shohi këtë mundësi transporti si një mjet më eficient për të përfituar nga shërbimet cilësore turistike që Shqipëria ofron. Por jo vetëm kaq, zhvillimi i industrisë së aviacionit civil në Shqipëri do të mbështetet fuqishëm dhe me projekte infrastrukturore. Jam shumë i kënaqur tek shoh teknologjitë që kanë ardhur që janë adaptuar nga Albacontrol, por të jeni të bindur se teknologji dhe infrastrukturë moderne do të investohet shumë shpejtë dhe në infrastrukturën fizike aeroportuale në Shqipëri. Dëshiroj këtu të shpreh vlerësimin tim për gatishmërinë e përfaqësuesve të aeroportit ndërkombëtar të Tiranës më të cilët kemi filluar një proces bisedimesh dhe negocimesh për të shtuar infrastrukturën aeroportuale të Shqipërisë me qëllim që sektori i transportit ajror, ashtu si edhe sektori i transportit në përgjithësi mos të jetë vetëm një gjenerues të ardhurash në vetvete por të mbështesin fuqishëm edhe rritjen e të gjithë potencialeve që ka vendi, midis tyre edhe potencialin turistik, dhe këtu po flas konkretisht për ndërtimin e një aeroporti në jug të Shqipërisë që mendoj se është një nga elementet e rëndësishëm në planet tona strategjike, zhvillimore dhe ato të investimeve. Impakti i infrastrukturës nuk mbetet vetëm te shërbimi i transportit, por edhe te çështje të tjera që kanë të bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të qytetarëve tonë, ka të bëjë me mundësi të mëdha për punësim edhe nga prezenca e kompanive të reja ajrore, por edhe nga zbatimi i këtyre planeve strategjike për të cilat po flas. Ndërtimi i një aeroporti të ri në jug të Shqipërisë dhe shërbime të ndryshme aeroportuale, të cilat sigurisht do vinë me ndërtimin e tij. Në përfundim me mbetet t’i uroj kësaj agjensie të rëndësishme ashtu siç e paraqet edhe në mënyrë të bukur edhe logoja e saj e re, gjithmonë në rritje gjithmonë drejt sukseseve.