Një komb e shpëton ndërtimi i institucioneve me themele të forta, arsimi, drejtësia, shëndetësia, lufta ndaj korrupsionit

 

Nga Alfred Hasimaj:

Sigal

Pse dështojnë kombet? Një reflektim për Shqipërinë që endet mes varfërisë dhe korrupsionit

Sfida më e madhe e Shqipërisë nuk është vetëm ekonomia, por ndërtimi i institucioneve ku çdo qytetar të ketë mundësi të barabarta për të kontribuar, pavarësisht bindjeve politike, prejardhjes apo lidhjeve familjare.

– Shumë qytetarë kanë ndjesinë se ndryshimi i sistemeve nuk ka sjellë gjithmonë ndryshimin e mënyrës së funksionimit të institucioneve.

Historia e njerëzimit tregon se asnjë komb nuk është i dënuar të dështojë, por asnjë nuk është i garantuar të ecë përpara. Dështimi i një kombi nuk vjen brenda natës dhe as vetëm nga faktorët e jashtëm. Ai është rezultat i grumbullimit të gabimeve politike, ekonomike, shoqërore dhe morale, të cilat me kalimin e kohës dobësojnë themelet e shtetit dhe të shoqërisë. Kur institucionet humbasin besimin e qytetarëve, kur ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë, kur korrupsioni zëvendëson meritën, kur arsimi dhe kultura lihen pas dore, atëherë fillon rrëshqitja drejt dështimit. Historia e kombeve të suksesshme dhe e atyre që kanë mbetur pas dëshmon se pasuria natyrore nuk mjafton; vendimtare janë qeverisja e mirë, drejtësia, puna dhe përgjegjësia qytetare. Prandaj, pyetja “Pse dështojnë kombet?” mbetet një nga debatet më të rëndësishme për të kuptuar të shkuarën dhe për të ndërtuar të ardhmen.  Atëherë lind pyetja: Pse dështojnë kombet? Kjo është një pyetje që prek vetë ekzistencën e një shteti dhe të një shoqërie. Përgjigjja nuk mund të mbështetet te emocionet apo paragjykimet, por te analiza serioze dhe përvoja historike.Një nga veprat më të rëndësishme të dekadave të fundit është libri “Pse Kombet Dështojnë” i ekonomistëve DaronAcemoglu dhe James A. Robinson. Teza e tyre është e qartë: kombet nuk mbeten të varfra për shkak të mungesës së burimeve natyrore, të klimës apo të gjeografisë. Ato varfërohen dhe dështojnë kur ndërtojnë institucione që përjashtojnë shumicën e qytetarëve nga vendimmarrja dhe nga mundësitë ekonomike.Autorët dallojnë dy lloje institucionesh:Institucionet gjithëpërfshirëse, të cilat shpërndajnë pushtetin, mbrojnë shtetin e së drejtës, garantojnë konkurrencën dhe krijojnë mundësi për të gjithë Instuticionet përjashtuese , të cilat përqendrojnë pushtetin dhe privilegjet në duart e një elite, kufizojnë konkurrencën dhe pengojnë zhvillimin.Kur lexon këtë libër, është e vështirë të mos reflektosh edhe për Shqipërinë.Në 113 vite shtet, vendi ynë ka kaluar sisteme të ndryshme politike. Për 45 vjet u sundua nga regjimi komunist, ndërsa prej 35 vitesh po ndërtojmë një sistem pluralist dhe ekonomik të tregut. Megjithatë, shumë qytetarë kanë ndjesinë se ndryshimi i sistemeve nuk ka sjellë gjithmonë ndryshimin e mënyrës së funksionimit të institucioneve.Historia shqiptare njeh periudha kur një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve u përjashtua nga administrata, universitetet, ushtria dhe institucionet shtetërore për shkak të biografisë, bindjeve politike apo prejardhjes familjare. Edhe sot, shumë shqiptarë besojnë se emërimet publike varen më tepër nga lidhjet politike dhe partiake sesa nga merita dhe aftësia profesionale.Nëse ky perceptim vazhdon të konsiderohet normal, atëherë rrezikojmë të mbetemi në atë që Acemoglu dhe Robinson e quajnë institucione përjashtuese .Prandaj, sfida më e madhe e Shqipërisë nuk është vetëm ekonomia, por ndërtimi i institucioneve ku çdo qytetar të ketë mundësi të barabarta për të kontribuar, pavarësisht bindjeve politike, prejardhjes apo lidhjeve familjare.Në këtë këndvështrim, klasa politike dhe forcat e reja kanë një përgjegjësi historike. Nëse ato arrijnë të ndërtojnë institucione të pavarura, të bashkëpunojnë me drejtësinë, të përfshijnë diasporën, të mbështeten te meritokracia dhe të hapin dyert për të gjithë qytetarët, atëherë mund të hedhin themelet e një modeli të ri qeverisjeje.Libri “Pse Kombet Dështojnë” na kujton një të vërtetë të madhe: as pasuritë natyrore, as pozita gjeografike dhe as historia nuk e shpëtojnë një komb. Ajo që e shpëton është ndërtimi i institucioneve të drejta, gjithëpërfshirëse dhe të përgjegjshme para qytetarëve.Në të kundërt, një model ekonomik dhe politik që prodhon përjashtim, padrejtësi dhe mungesë shprese nuk ndërton të ardhmen e kombit, por rrezikon ta dobësojë atë. Ky është mësimi më i madh që Shqipëria duhet të nxjerrë nga historia e saj dhe nga përvoja e kombeve që kanë dështuar ose kanë arritur të ringrihen.

“Pse Kombet Dështojnë”, shpjegon rrënjët e varfërisë dhe të zhvillimit

Në një kohë kur shumë vende përballen me sfida ekonomike, korrupsion, pabarazi sociale dhe kriza të besimit te shteti, libri “Pse Kombet Dështojnë” (“WhyNationsFail”) i ekonomistit DaronAcemoglu dhe politologut James A. Robinson vjen si një vepër që ngre pyetje të mëdha dhe jep përgjigje të guximshme. Autorët përpiqen t’i japin përgjigje një pyetjeje që ka shqetësuar studiuesit dhe politikanët prej shekujsh: Pse disa kombe janë të pasura dhe të zhvilluara, ndërsa të tjera mbeten të varfra dhe të pazhvilluara? Sipas tyre, shkaku kryesor nuk qëndron te gjeografia, klima, kultura apo pasuritë natyrore. Historia ka treguar se vende me të njëjtën kulturë dhe me të njëjtat burime kanë ndjekur rrugë krejt të ndryshme zhvillimi. Çelësi, sipas autorëve, gjendet te institucionet politike dhe ekonomike. Libri dallon dy lloje institucionesh: ato përfshirëse, që garantojnë liritë, të drejtat e pronës, konkurrencën dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në jetën ekonomike e politike; dhe ato nxjerrëse, ku pushteti dhe pasuria përqendrohen në duart e një pakice, ndërsa shumica e qytetarëve mbeten të përjashtuar nga përfitimet e zhvillimit. Përmes shembujve të shumtë nga historia botërore, si ndarja e Koresë në Veri dhe Jug, zhvillimi i Anglisë, përvojat e Amerikës Latine dhe të vendeve afrikane, autorët argumentojnë se prosperiteti i një kombi varet nga aftësia për të ndërtuar institucione të drejta dhe funksionale. Mesazhi i librit është i qartë: kombet dështojnë kur pushteti përqendrohet në pak duar, kur ligji nuk është i barabartë për të gjithë dhe kur qytetarëve u mohohet mundësia për të marrë pjesë në jetën ekonomike dhe politike të vendit. “Pse Kombet Dështojnë” nuk është thjesht një libër ekonomie apo historie. Ai është një thirrje për reflektim për çdo shoqëri që kërkon zhvillim, drejtësi dhe mirëqenie. Vepra na kujton se pasuria e një kombi nuk matet vetëm me burimet natyrore apo me pozitën gjeografike, por mbi të gjitha me cilësinë e institucioneve dhe me aftësinë për të ndërtuar një shtet që u shërben të gjithë qytetarëve. Në fund, libri përcjell një mesazh optimist: asnjë komb nuk është i dënuar të mbetet i varfër. Me institucione demokratike, me drejtësi dhe me pjesëmarrje të gjerë qytetare, çdo vend mund të ndërtojë rrugën e vet drejt zhvillimit dhe prosperitetit.

Historia ka treguar se vende me të njëjtën kulturë dhe me të njëjtat burime kanë ndjekur rrugë krejt të ndryshme zhvillimi. Çelësi, sipas autorëve, gjendet te institucionet politike dhe ekonomike. Libri dallon dy lloje institucionesh: ato përfshirëse, që garantojnë liritë, të drejtat e pronës, konkurrencën dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në jetën ekonomike e politike; dhe ato nxjerrëse, ku pushteti dhe pasuria përqendrohen në duart e një pakice, ndërsa shumica e qytetarëve mbeten të përjashtuar nga përfitimet e zhvillimit