Nga Vullnet Bilbilaj: Duhet të ndryshojmë!

111
Sigal

Papërgjegjshmëria e një qeverie siç ndodhi në vitet 1992 – 1997 me qeverinë Meksi, nuk erdhi rastësisht, por ajo erdhi si pasojë e një kursi të gabuar që ajo ndoqi pas “pluralizmit” që lejoi në dhjetor 1990 udhëheqësi i fundit i diktaturës Ramiz Alia, i cili me djallëzinë e tij urdhëroi shërbëtorët e regjimit të nxitonin për të themeluar partitë e para politike me qëllimin që regjimi i diktaturës të komandonte lëvizjen studentore duke e sabotuar atë siç edhe ndodhi në të vërtetë.

Unë jam një nga studentët e asaj kohe dhe kam parë me sytë e mi “pushtimin” e ambasadave nga shokët e mi student.

Si dëshmimtar i atyre ngjarjeve, të cilat kulmuan me grevën e studentëve në dhjetor 1990 dhe më vonë me krijimin e partive të para politike si PD-ja me të ndjerin Azem Hajdarin dhe më vonë me Berishën, PR-ja me Sabri Godon dhe PSD-ja me Gjinushin (partiçkat e tjera u formuan vit pas viti).

Në mitingun festiv të fitimit të zgjedhjeve të 29 marsit 1992, shkrimtari antikomunist Kasëm Trebeshina pasi kryetari i PD-së Sali Berisha nuk e lejoi të përshëndeste simpatizantët e PD-së, tha thënien lapidare “E gëzofsh demokracinë profesor, por foshnja lindi e vdekur”.

Çmenduria e njerëzve që u veshën me pushtetin e kohës vazhdoi më tej me dhunimin që i bënë shqiptarëve për t`i bindur ata të votonin pro referendumit të datës 6 nëntor 1994 për miratimin e projektit të kushtetutës, e cila do t`i jepte pushtet të pakufishëm presidentit të asaj kohe, Sali Berishës, por që për fatin e mirë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve dështoi duke i shpëtuar nga dëmet që do të sillte miratimi i atij drafti kushtetues.

Dëshirën për ta mbajtur pushtetin me forcë, PD-ja dhe Sali Berisha e treguan në zgjedhjet parlamentare të 26 majit 1996.
Në këto zgjedhje dajaku i pushtetit u zbraz mbi kurrizin dhe dhëmbët e popullit opozitar pa mëshirë dhe dhunshëm, pa u turpëruar aspak nga prezenca e trupit diplomatik dhe e vëzhguesve ndërkombëtar të këtyre zgjedhjeve.

Kronologjia e ngjarjeve të mësipërme ishin preludi i ngjarjeve që do të ndodhnin gjatë vitit 1997, ku qeveria e PD-së pushoi së funksionuari dhe shteti i kohës ra në anarshi totale.
I gjithë territori i vendit tonë kontrollohej nga bandat e kohës, të cilat ndesheshin me njëra tjetrën dhe grabisnin ç`të mundnin duke shkaktuar me mijra vrasje.

Ngjarjet e asaj periudhe janë një njollë e madhe turpi për të gjithë klasën politike në përgjithësi, por në mënyrë të veçantë një njollë turpi për PD-në, e cila kishte përgjegjësinë e drejtëpërdrejt të qeverisjes së vendit dhe të ruante shtetin ligjor.

Për të mos e zgjatur pambarim se çfarë ndodhi tjetër në atë kohë, për fat të mirë të shqiptarëve u vendos përsëri kontrolli mbi territorin e vendit, fillimisht me qeverinë e Pajtimit Kombëtar me kryeministër të ndjerin Bashkim Fino dhe më vonë nga PSSH-ja me kryeministër zotin Fatos Nano që fituan zgjedhjet parlamentare të vitit 1998.

Vlora ishte qyteti më i dëmtuar nga pasojat e 1997-ës. Çdo gjë ishte e shkatërruar, era e barotit ndihej ende në ajër dhe pothuaj të gjitha nënat vlonjate ishin të lënduara.

Në atë kohë unë punoja në Bashkinë e qytetit si auditues i saj dhe detyra ime ishte auditimi financiar i të gjitha institucioneve në varësi të bashkisë, midis tyre edhe Teatrin “Petro Marko” me drejtor aktorin e madh të kinematografisë shqiptare dhe njëherësh mikun tim Kristaq Skrami.

Bisedat tona në më të shumtën e kohës i zinte gjendja depresive në të cilën ndodhej Vlora dhe vlonjatët dhe se çfarë mund të bënim për ta rimëkëmbur qytetin që ai të rikthehej në gjendje normale në një kohë sa më të shkurtër.
Të dy binim dakort që i vetmi ilaç ishte kthimi urgjent i jetës kulturore dhe artistike në qytet duke rritur numrin e shfaqjeve nga trupa e estradës së qytetit dhe në mënyrë të veçantë nga katër parodistët e Vlorës, por edhe të shfaqjeve nga trupa e teatrit, e cila për hir të së vërtetës ishte një nga trupat më të mira teatrore në Shqipëri.

Kryetar i Bashkisë Vlorë në atë kohë ishte Dr. Neki Dredha i cili u bë një mbështetje e madhe për miratimin e investimeve nga Bashkia të projekteve të shumta të sjella nga Kristaqi dhe stafi i tij në Buxhetin e bashkisë respektivisht për vitet 1999 dhe më mbrapa.

Ajo që u përpoqa të thoshja është se një qytet, një shtet apo një komb ndryshon për mirë dhe respektohet nga qytetet e tjera, nga shtetet e tjerë rreth nesh apo më tutje, nga kombet e tjerë me histori të madhe vetëm nëqoftëse ne si qytetarë të tij, si popull i tij apo si bashkëkombas, fillojmë e ndryshojmë vetë të parët e të mos turpërohemi nga bërja pis e duarve tona, e ballit tonë nga pastrimi i të keqes që shikojmë rrugëve apo kemi në mendim, të mos rrudhim buzët nga shija e kripës që lëshojnë djersët e ballit të cilat na rrjedhin nëpër faqe ndërkohë që punojmë për ta bërë më të mirë qytetin, shtetin apo kombin tonë.
Shija e kësaj djerse është më e mirë se shija e gjakut dhe e barotit të cilat për fatin tonë të keq ne i kemi provuar, me apo pa dëshirën tonë.

Ndryshimi fillon nga dhënia e dorës për ata që fitojnë gara me meritë, ndryshimi fillon duke respektuar më të zotët, ndryshimi fillon kur falim njeri tjetrin nëse gabojmë pa dashje, ndryshimi fillon duke mos e kthyer kokën mbrapa dhe ta tundim atë sa herë kujtojmë gabimet e së shkuarës (nuk ka rëndësi se kush i ka bërë), ndryshimi fillon duke zgjedhur në krye njerëzit më të mirë që ka qyteti dhe t`i mbështetim ata, ndryshimi fillon duke përqafuar njëri tjetrin sa herë përfundojmë një punë të mirë dhe nga kjo e mirë fiton Vlora, fiton Shqipëria.

E pra miq, le të ndryshojmë!