Nga Agim JAZAJ/ Çifligarët e administratës…

558
Sigal

Deputetja e Vlorës Valentina Leskaj në daljen e radhës ditë më parë, në mediat lokale, “hodhi dorashkën”, shigjetoi një temë të prekshme, sa të mprehtë, plagë e hapur, e cila ka rrjedhur përgjatë 23 vjetëve dhe fatkeqësisht ende vazhdon të rrjedhw… Administratën shtetërore, e thënë me gjuhën e ëmbël, publike! Ndaj shqiptarët, dhe Vlonjatët shpresuan, votuan dhe merituan të ndërpritej, pa dyshim gradualisht rrjedhja e plagës së hapur thellë: Synuan, Votuan, dhe Ëndërruan: Shtetin e Qytetarëve. Shtetin e shërbimit dhe jo shtetin e Rrënim-Rrëmbimit, marrjen e shërbimeve të munguara të qytetarëve nga administrata shtetwrore e Rilindjes!

Paksa në çakërrqejf një socialist i thekur Zaçe Zyka, miku ynë i vjetër, i përbashkët dhe i Avdullait, Agim Dardhës, fjalën e deputetes e priti me duartrokitje, u ngrit më këmbë, duke brohoritur, befasoi dhe njerëzit rrotull:

“Bravo deputetja e Popullit! Nesër do të llafosemi. Do shikoni dajakun e merituar dhe të vonuar mbi këta zuzar-zyrtar, të cilët i quajnë zyrat, postet, pozicionet sekondare si ofiqe dhe çifligje të tyre, për trafiqe dhe përfitime, sikur ua kanë lënë me tapi etërit e tyre. Po edhe ata do t’i kishin bërë hasha, po t’i shihnin kështu të kapardisur! Rreken dhe theken, sikur institucionet i kanë pronë të trashëguar, futur në ‘to llumi dhe vazhdon prej tyre zullumi, thotë socialisti “24 karat”! Dhe Zacja, një njeri që nuk e njeh të ligën, dhe se qas kurrë atë, numëron zullumqarët, atyre që ju duket vetja se flasin nga “maja e Olimpit”, kupto maja e plehut, shesin tangërrllik, nuk njohin as alfën e sjelljes së zyrtarit, as tabelën e shumëzimit, të pajisur me “Diploma Informale, edhe nga Oxhaku, u mungon etika e sjelljes, e bashkëbisedimit dhe mënyra e komunikimit me qytetarët!

***

Ka kaluar 1 vit nga zgjedhjet e 23 Qershorit dhe gati 7-8 muaj nga vendosja e administratës së Rilindjes, në poltrone, po dhe në peshoren e publikut. Koha për bilanc. Për të vënë gishtin mbi plagët.  Dhe duke vënë në këtë peshorë të publikut, shumë prej këtyre drejtuesve-abuzuesve rezultojnë të kenë bërë shumë firo, kanë bërë trok edhe kutitë e votimit, të 1 milion shuplakave të 23 qershorit! Pas këtij bilanci të pa publikuar, por të realizuar nga qytetaria vlonjate me seriozitetin dhe pjekurinë maksimale: Qytetaria gjendet e dhunuar, e shpërfillur, madje dhe e poshtëruar nga  mosmarrja e shërbimeve të merituara nga kjo administratë shtetërore e Rilindjes. Madje dhe vet Zacja i ka dërguar një kartë dore deputetes, me bekçiun e fshatit, sepse zyrën nuk ta di, në Tiranë, se takon dot, e takatin nuk e ka. I kam shkruar për vazhdimin e zullumeve për Zyrë-zgjyrën e Hipotekës së Vlorës, atë të INUK etj., ku janë bërë shumë ndërtime e zaptime përgjatë muajve të “Mjaltit” Qershor Korrik të vitit 2013 edhe në qytetin e Vlorës, ditën për diell. Dhe zyrtarët e INUK Vlorë kanë rrëmbyer rrogat dhe pa bërë asnjë punë, pa ndaluar e ndëshkuar asnjë shkelësligji. Drejtues të tyre madje kanë kaluar “Ylberin Politik” dhe kanë kthyer mandat politike dhe tunden sërish me gradat e pa merituara! Kjo është administrata e paçavurosur. Madje ai shtron arsyetimin: “Pse duhet të ankohet qytetari, kur duhet të bëjë punën zyrtari, të shikojë ndërtimet pa leja, zaptimin dhe pushtimin me mure e gardhe të apartamenteve, dhunimin e qytetarëve nga Marrëzi- Harbutëria. Qentë e tërbuar dhe dhitë e zgjebosura të Qebirit nëpër qytet! Zyrtari e ka mision, por nuk ka pasion, i mbytur në korrupsion, kur ata paguhen  për roje të territorit, dhe bekçinj të qytetit, qytetarëve, pra zyrtarët janë të ngarkuar me ligj dhe paguhen nga taksapaguesit: për të parandaluar, ndaluar, denoncuar dhe ndëshkuar të marrët. “Ndaj ka pasur të mençur për të marrët”- thotë filozofia e lashtë, e cila nga administrata e sotme dhe e këtyre institucioneve është zëvendësuar sot: “Ka të marrë për të mençurit”! Ka shkelje syri dhe ryshfete, nxitje për zaptues- pushtuesit e pronave publike, personale dhe dhunim të të drejtave të qytetarëve, të institucioneve publike nga lukunia frerë këputur, e ndërsyer dhe e keqpërdorur nga politika 23 vjeçare e shthurjes.

Drejtuesit e institucioneve lokale që nuk kanë sjellë asgjë të re, shërbime ndaj qytetarëve. përkundrazi u marrin paratë për shërbime dhe nuk u kryejnë shërbime, si në Hipotekën e Vlorës, bërë publike edhe nga shtypi i shkruar, duhet të vegjetojnë dhe të spekulojnë dhe abuzojnë me aspiratën shqiptare dhe vlonjateve?! Përsëri do vegjetojnë edhe pas kaq muajsh njerëz e titullar pa titull, zyrtar pa asnjë meritë e aset zyrtari?

Në një pamje të shpejtë mbi këtë administrate ka në përbërje, dhe jo me pakicë emra njerëzish që nuk njihen as nga qytetaria vlonjate, nuk kanë asnjë lidhje gjeneze me Vlorën dhe vlonjatët, madje nuk u përkasin as hartës së qytetit dhe rrethinave të Vlorës. Komenti i qytetarëve vijon se: Shumica e kësaj sëre vijnë si “dhuratë nga jashtë Vlorës, të katapultuar nga politika e me garancinë e atij dhe të këtij pushtet-shpërdoruesi! Koment-analiza shokon dhe shkon më tej në arsyetimin e vet! Thua të ketë defiçensë, administratorësh, teknicienësh, kapacitetesh, mungesë përvoje dhe të mos dinë të “peshkojmë në buzëdetin, portë por të marrim turravrapin me kallëm në krah të peshkojmë në liqenet dhe, në rezervuarit e larg Vlorës?

Natyrisht në këtë arsyetim lexuesi im i vëmendshëm nuk do të mund të më anatemojë, sepse jam nga partizanët për t’i gjetur punës Zotin, e jo njeriut punë. Por opinioni qytetar e jep verdiktin e vet, dhe gjendet i poshtëruar edhe për këtë mospërfaqësim në shtetin, administratën e votuar prej tij!

Nëpunësit, dhe ata të vegjël, janë “dhëmbëzat” që vënë në lëvizje gjithë “pajisjen shtet” dhe harmonizojnë veprimet ciklike. Nëpunësit e administratës janë “kutitë e votimit”, që bëjnë “hyrje” ose “dalje” flete-votimi. Në vend të depolitizimit të administratës, politika e ka politizuar atë, duke vendosur militantë fanatik, nga sofra e toksikuar, me virusin e tërbimit, vetëm prej radhëve saj.

Thua se 1 milion shuplakat të ishin vetëm brenda vathës politike, apo ishte verdikt i qytetarisë, shoqërisë civile?!

Politika “siguron” votën e një personi, duke rrjedhur qindra vota qytetarësh, që shohin dhe çmojnë në personin e nëpunësit; shpërdorimin e votës së tyre. Kështu është vënë kazma mbi administratën, shtetin që kërkojnë qytetarët  me pishë dhe pushtetin e pa merituar që duan  të mbajnë zyrtarë-zullumqarët!