Nesip Kaçi: Duke lexuar librin “Rrënjë dhe degë” të Profesor Lufter Xhuvelit

37
Sigal

Nesip Kaçi

Diplomat dhe Publicist      

Profesor Lufter Xhuveli, person publik për mbi një gjysëm shekulli, gjatë kësaj kohe ka mbajtur dhe ushtruar poste të larta që i ka përballuar me dinjitet për 52 vjet, duke filluar nga viti 1962.

Ai ka lindur më 10 janar 1941 në fshatin Tragjas të rrethit të Vlorës, kanë qënë kohë lufte dhe e quajtën Lufter se lindi përmes krismash, lufta italo-greke kishte mbritur pak kilometra në shpinë të Tragjasit, i cili ndodhet 25 kilometro në jugë të Vlorës, i vendosur si një kështjellë natyrore në prehërin e dy vargmaleve Akrokeraun dhe Longarës. Në sfond ka një pamje piktoreske ku dallohet në të majtë Orikumi, gjiri i Vlorës dhe deti Adriatik.

Bukuritë e ralla natyrore të Tragjasit kanë emocionuar edhe udhëtarin e piktorin e famshëm anglez Eduard Liir. Kur ai në buzëmbrëmjen e 28 tetorit 1848 pa Tragjasin, i emocionuar në shënimet e tij të udhëtimit shkruan: “Tagjasi mund të quhet edhe porta në Malet e Vetëtimës… Nuk më kujtohet të kem parë në botë një pamje më sublime se kjo… Nuk kam parë ndonjë herë pamje kaq mbresëlënëse natyrë të egër”. (Edward Lear në Shqipëri, 2008). Atë natë udhëtari anglez fjeti në Tragjas në familjen e Ahmet Sinan Xhuvelit, gjyshi i Lufter Xhuvelit.

Piktori anglez pasi përshkruan shtëpinë e shtruar me qilima e jastëqe dhe me çilte pranë oxhakut me zjarr, thotë në kujtimet e veta se pasi u ulëm dhe na rehatoi, i zoti i shtëpisë që quhej Ahmet Sinani, një plak muhamedan, i gjatë e i hollë, i veshur me të kuqe dhe me fustanellë të bardhë mbajti një fjalë mirëseardhjeje, na solli kafetë dhe pas kësaj erdhi darka.  Eduard Liir nuk lë papërmendur se përpara darkës plaku Ahmet u fal në mes të dhomës duke rënë në gjunjë e barkas.

Në librin autobiografik “Rrënjë e degë”, që ka shkruar me aq pasion dhe me aq kujdes profesori i nderuar Lufter Xhuveli, na jep Pemën Gjenealogjike të Xhuvelajve, që siç shkruan ai, në mungesë të rregjistrave dhe dokumentave je i detyruar t’i drejtohesh kujtesës së paraardhësve të tu, duke situr genet e së vërtetës me genet e legjendave dhe hamendësive e me to të ndërtosh pemën gjeneajogjike të prejardhjes tënde.

Xhuvelajt sipas pemës gjenealogjike janë një fis i lashtë dhe nga më të mëdhenjtë e Tragjasit, fis plot vitalitet, për të cilët autori i pemës gjenealogjike thotë se jam krenar.

Xhuvelajt rrjedhin nga trungu i Ahmet Gjonit, një nga katër djemtë e Gjon Varfit, të cilët rithemeluan Tragjasin. Këtë e dëshmon ekspozimi i brezave në muzeun e fshatit Tragjas, që ka ekzistuar deri në vitin 1991. Pema gjenealogjike e fisit Xhuveli është konsultuar me shumë njerëz të fisit Xhuvelaj dhe paraqitet sipas të dhënave gojore të përcjella nga gjysh-stërgjyshërit brez pas brezi deri te babai im Nexhip Xhuveli, nënvizon autori i këtij libri. Informacion me vlerë është përftuar edhe nga  këngët përmes së cilave populli në breza ka fiksuar ngjarjet dhe emërat e protagonistëve, disa prej të cilëve i përkasin fisit Xhuveli, sic mund të përmendim Kamber Delo Xhuvelin, i cili ekspozohet  në  pemën gjenealogjike  të  fisit Xhuveli, ku përfshihen 18 breza, duke llogaritur një brez për 15-30 vjet, një kriter ky i pranuar ndërkombëtarisht, që i bie dhe rezulton se  prejardhja e fisit Xhuveli të jetë rreth 500 vjeçare, duke filluar nga gjysma e parë e shekullit  të  XVI- të. Gjenealogjia ndjek linjën mashkullore deri te brezi i katërmbëdhjetë, ndërsa më pas janë përfshirë edhe pasardhëset femra.

Copëra kujtimesh nga fëmijëria e hershme, disa copra jete në formë vegimesh të largëta, fëmijëri e trazuar nga lufta.

Në verën e vitit 1944 luftimet gjatë operacionit gjerman të Qershorit zhvilloheshin në afërsi të konakëve tanë. Për t’iu shmangur luftës gratë me fëmijtë ishin mbledhur në një dhomë të madhe te konakët e Selamajve, matanë lumit të Dukatit, babai kishte dalë partizan. Isha diçka më shumë se tre vjeç. Diku jashtë, jo larg nesh luftohej. Krismat e pushkëve dhe mitralozëve i kam dhe sot të freskëta në mendje. Në një moment, një burrë hyri në dhomë duke gulçuar dhe thotë: Gjermanët po afrohen. Dolëm nga konaku tërë alarm. Hipur mbi samarin e një mushke në prehërin e Beas (nëna e Lufterit) bashkë me një grup grash të tjera, dhe ato kaluar, po largoheshim me nxitim nën fishkëllimën e plumbave. Bea më mbulonte kokën me duar duke më thënë vazhdimisht: “ule kokën, ule kokën…” ndërkohë që me thembra të këpucëve godiste pa pushim brinjët e mushkës.

Pas çlirimit të vendit babai u gradua oficer dhe u emërua në komandën e qarkut në Vlorë.   Banonim diku aty rrezë kodrës së Kuzum Babait dhe pas pesë- gjashtë muajsh babai u transferua në Tiranë në degën ekonomike të Komandës së Përgjithëshme të ushtrisë. Ato tre vjet që qëndruam në Tiranë, 1945-1948 më kanë mbetur në mendje, si më të bukurat të fëmijërisë time. Në Tiranë në fillim banonim në lagjen “Varri i Bamit dhe më pas banonim në lagjen “Partizani”, aty ku sot janë vendosur ambasadat e huaja.

Nga Tirana në Patos. Pas tre vjetësh shërbimi si oficer në Tiranë, njëkohësisht edhe anëtar i Partisë Komuniste, babai u bë objekt shpifjeje për qëndrimin e tij politik, nga ndonjë prej bashkëkrahinarëve të tij. Për pasojë në vitin 1948, komunisti Nexhip Xhuveli u përjashtua nga partia dhe si officer e nxorën në lirim duke e larguar nga Tirana dhe e dërguan të punonte në një nga ndërmarrjet e Kombinatit të Naftës në Patos. U vendosëm familjarisht në fshatin Banaj dhe pas një vit e gjysëm në Patos, në Qytetin e Ri, ku unë vazhdova dhe mbarova shkollën shtatëvjecare.

Në Teknikumin Bujqësor të Fierit vajta pa dëshirë dhe plot mërzi, ca më tepër, që kushtet e shkollës ishin si mos më keq.

Me mbarimin e Teknikumit Bujqësor më doli e drejta e studimit në Institutin e Lartë Bujqësor të Tiranës në Kamëz në fakultetin e agronomisë. Tashmë rruga ime e studimeve të larta ishte e paracaktuar dhe vajta me qejf për të studiuar për agronomi. Kur je student koha ikën pa e kuptuar, fluturon. Kam qënë student me rezultate shumë të mira.

Mbarova studimet universitare dhe u diplomova agronom i lartë, më emëruan agronom në kooperativën e Drenovicës në lokalitetin e Kutallisë të rrethit të Beratit. Kjo kooperativë, megjithëse përbëhej nga dy fshatra Drenovica kryesisht fushore dhe me pak kodra dhe Samatica tërësisht fushore, ishte kooperativa më e varfër në rrethin e Beratit. Pse ndodhte kjo prapambetje?  Kjo ndodhte sepse të dy këto fshatra ishin pa rrugë, pa drita elektrike, pa ura për të kaluar mbi kanalet e mëdhenj kullues të sapo përfunduar, me toka të pabonifikuara e të pasistemuara, ish-këneta e mocale, që vuanin nga lagështia e tepërt, për pasojë vinin shumë vonë në pranverë për t’u mbjellë, gjë që shkaktonte dështimin e prodhimit.  Pranvera e vitit 1962 ishte me shumë shira. Shumë shpejt e kuptova se kyçi i suksesit ishte kullimi dhe sistemimi i tokave. Dhe unë iu futa punës për të vënë në jetë idetë e mia. E fillova me kullimin duke organizuar  hapjen e kanaleve kullues  50 centimetra të thella, që ne i quanim vija brënda parcelave në çdo 20 metra. Këto vija largonin ujin e tepërt. Efekti qe i menjëhershëm dhe tokat filluan të tereshin dhe të punoheshin më shpejt. Hapi i dytë ishte sistemimi në Drenovicë i tokave argjilore me skolina të gjera  18-20 metra me sistemin  “Kurriz peshku”, ndërsa në tokat e lehta  të Samaticës zbatova  sistemin e “rafshtë” me skolina  të gjera  22-24 metra. Hapi i tretë ishte sistemimi i tokave kodrinore në formë  “ taracash “ Me bashkimin e kooperativave bujqësore më emëruan kryeagronom dhe nënkryetar  i parë i kooperativës së zmadhuar të Kutallisë.

Punova si agronom  në prodhim tetë vjet ku mësova të  aplikoj në prodhim shkencën  bujqësore. Falë punës së palodhur të kooperativistëve dhe kuadrit drejtues dhe falë drejtimit të lartë agronomik dhe shkencor,  u arrit që kjo kooperativë të ngrihet në një nivel të përparuar  në rrethin e Beratit dhe më gjerë, ku vinin për të mësuar nga puna e mirë  organizative dhe agronomike.

Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo vizitojnë kooperativën : Drenovica dhe Kutallia, ku unë punova tetë vjet u bënë qëndra pelegrinazhi dhe seminaresh për specialistët dhe kuadro drejtuese të rrethittë Beratit  për përhapjen e përvojës së përparuar. Në ato tetë vjet që punova atje, kooperativën tonë  e patën vizituar  udhëheqësit më të lartë të vendit tonë, që nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo dhe shumë të tjerë dhe më dekoruan tre herë.

Mejtua  :  Fati e  deshi që, kur punoja agronom në Drenovicë,  të njihesha, të dashurohesha, të lidhja jetën time dhe të krijoja familje me Mejton, që emrin e plotë e ka Mejtime. Me të së bashku do rrisnim fëmijët, së bashku do të gëzonim e së bashku do të përballonim dallgët e jetës.

Mejtua,  po bëhen 59 vjet që është shoku im i pandarë, bashkëputori  im më i vyer, njeriu që ma zbukuroi jetën. Një zot e di sa shumë jemi dashur dhe sa  shumë duhemi.   

Mejtua në Drenovicë :   Një pasdite shtatori të vitit 1963 isha shtrirë bashkë me një shokun tim në një livadh të vogël para zyrave të kooperativës. Kur papritur dikush  nga prapa më goditi  me këmbë te këpucët. Ktheva kokën  dhe vura re që para nesh qëndronin dy nga mësueset e reja të Drenovicës. Akoma nuk i njihja. Njera prej tyre pa shumë droje më thotë : “ më fal se nuk desha” , më bëri përshtypje lirshmëria e saj. Para meje qëndronte një vajzë e bukur brune, imazhi i bukurisë tipike femërore  mesdhetare, flokët gështenjë të bëra gërshetë të gjatë dhe dy kaçurela që i binin mbi  sytë e zes… E pyeta për emrin dhe nga ishte. Më quajnë Mejtime, por shkurt më thërrasin Mejto dhe jam nga Fieri, më tha dhe bashkë me shoqen tjetër u ulën përbri  nesh.

Heroi i Çanakalasë :  Një nga dajat e Mejtos, Jonuz Rustem Mejdia  (1893-1915), i diplomuar oficer në akademinë  ushtarake  në Turqi dhe i graduar nëntoger, pjesëmarrës në betejën e Galipolit për çlirimin e Çanakkalasë nga ushtritë e Antantës ( Anglia dhe Franca),ka rënë dëshmor heroikisht pasi ka finalizuar fitoren për çlirimin e qytetit. Ushtria turke po luftonte  prej disa muajsh por nuk po e merrte  dot Çanakalanë e pushtuar nga armiku. Më në fund, komandanti i ushtrisë turke, Mustafa Qemali, në kundështim me mosbesimin e gjeneralëve të tij, pranoi planin e mësymjes të propozuar nga nëntogeri i ri shqiptar Jonuz Rustem Mejdia dhe i besoi  atij komandën e betejës për çlirimin e Çanakalasë.  Nëntoger Mejdia në krye të forcave çlirimtare, pas tre javë luftimesh, edhe pse i plagosur rëndë nga një predhë sharapneli, hyri fitimtar  në Çanakala. Mustafa Qemali urdhëroi  që nëntoger  Mejdia të shpallej Hero i Luftës së Çanakalasë dhe të ngrihej një Mauzole,  në hyrje të tij të shkruhej :  “ Heroi  i    Çanakalasë,nëntogeri shqiptar Jonuz Rustem Mejdia”.Sot populli i Labërisë këndon : Një djalë nga Shqipëria, Shpëtoi Çanakalanë. Pikërisht ky djalë ishte daja i Mejtos.

Një zinxhir transferimesh. Nga kryeagronom  në kooperativën  bujqësore të  Kutallisë  në marsin e vitit 1969 më emëruan shef të seksionit të bujqësisë të rrethit të Beratit. U vendosa me familje në Berat. Punoja shumë  dhe në vjeshtën e vitit 1972 më emëruan zëvendëskryetar të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Beratit  duke patur në vartësi seksionin e bujqësisë, kadastrës, tregtisë,planin, kontrollrevizionin  dhe zyrën e punës, për  mua ishte krijuar një opinion pozitiv sepse punoja shumë dhe puna më ecte.

Në shtator 1974 më transferuan kryeagronom në ndërmarrjen bujqësore  “ 29 nëntori “ të Lushnjës, e cila ishte  një fermë  gjigande në zemër të Myzeqesë me 13 mijë hektarë tokë, sasia e prodhimeve bujqësore e blegtorale të saj  ishin më të larta se ato të pesë rretheve të jugut të marra së bashku  (Skrapar,Përmet, Kolonjë, Tepelenë dhe Gjirokastër). Problemi shtrohej që kjo fermë duhej nxjerrë nga prapambetja, puna dhe përpjekjet e të gjithëve dhanë rezultatin e tyre.

Rektor në Universitetin Bujqësor të Kamzës:  Në shtator 1975 më thirri në Komitetin Qëndror të Partisë sekretari për problemet ideologjike Ramiz Alia dhe më komunikoi vendimin e Byrosë Politike për emërimin tim si rektor i Institutit të Lartë Bujqësor të Tiranës në Kamëz. Në vazhdim më porositi që vëmendjen kryesore do ta përqëndroni në rritjen e cilësisë së përgatitjes së specialistëve të lartë, në rritjen e kontrbutit shkencor për bujqësinë shqiptare dhe vënien e njerëzve në pozita pune duke hequr dorë nga tarafet. Rezultatet e punës mësimore do të vareshin nga aktiviteti shkencor, veprimtaria botuese, zotërimi i gjuhëve të huaja, marrja e gradave dhe titujve shkencorë dhe figura morale. Instituti i Lartë Bujqësor kishte katër fakultete:  Agronomi, Veterinari, Ekonomi dhe Pyje, ku shërbenin 800 punonjës nga të cilët 300 ishin pedagogë që iu shërbenin 4000 studentëve të rregullt, 1500-2000 studentëve me korrespondencë dhe disa filialeve në Durrës, Lushnjë, Sarandë dhe Peshkopi, ku përgatiteshin specialist të lartë për bujqësinë.

Kisha përpara një sfidë të jashtëzakonshme. Vec kësaj më duhej të udhëhiqja me shembullin tim personal, më duhej të jepja mësim, të hartoja leksionet dhe tekstet mësimore për dy lëndë të reja: “Përmirësimi gjenetik i bimëve” dhe “Prodhimi i farërave “, të merresha me studime dhe eksperimentime shkencore, me aktivitet botues, të jepja provime pasuniversitare për gjuhë të huaja, të mbroja disertacione e të tjera. Brënda 10-11 vjetëve arrita të mbroja disertacionet për “Kandidat të Shkencave” më 1980 dhe “Doktor i Shkencave” më 1984. Në vitin 1982 mora titullin “Docent” dhe më 1986 mora titullim “Profesor”. Në pak vjet Instituti i Lartë Bujqësor u kthye në një universitet model për të gjithë treguesit, fitoi besueshmëri në rritje dhe u vizitua nga personalitete të shumtë nga Tirana, nga disa delegacione të universiteteve bujqësore nga Europa, Azia dhe Afrika dhe nga drejtuesit më të lartë të shtetit. Unë qëndrova mbi 13 vjet si rektor, nga 5 vjet që ishte afati i qëndrimit në këtë detyrë i rektorit, dhe firmosa diplomat e 12 mijë specialistëve të lartë të bujqësisë.    

Aktiviteti shkencor: Dëshira për të eksperimentuar e për t’u marrë me punë shkencore ka qënë që herët brenda Lufterit.

Faza e parë dominohet nga eksperimente fushore, të cilat synonin në zgjidhjen e problemeve të prodhimit që kishte kooperativa e Drenovicës dhe më von edhe e Kutallisë.
Faza e dytë karakterizohet nga puna përmirësuese gjenetike për krijimin e varieteteve të reja të grurit dhe studime mbi gjenetikën dhe biologjinë e tij, disa prej të cilave tërhoqën vëmendjen edhe të disa studiuesve nga vende të ndryshme si nga Italia, Suedia, Australia dhe Japonia, të cilët patën kërkuar tiu dërgohen këto punime. Me këto studime mbrojti disertacionet për Kandidat i Shkencave dhe Doktor i Shkencave.

Në fazën e tretë, puna është përqëndruar kryesisht në studimin e koleksionimin e resurseve gjenetike të bimëve autoktone të Shqipërisë. Me mbështetjen e FAO-s dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, gjatë viteve 1993-1996 u mundësua organizimi i ekspeditave ndërkombëtare me pjesëmarrjen e shkencëtarëve nga Gjermania, Italia, SHBA dhe Shqipëria.

Në fazën e katërt, aktiviteti i tij shkencor përqëndrohet kryesisht në studime me karakter përgjithësues dhe historik, mbi origjinën  dhe domestikimin e bimëve të kultivuara në Shqipëri, ndikimi i tyre në komponentët etnokulturorë etj.

Në fazën e tretë dhe të katërt një pjesë e mirë e aktivitetit të tij realizohet në bashkëpunimin me shkencëtarë të vendeve të tjera, dhe kryesisht me ata gjermanë, me në krye profesor Karl Hammer. Disa nga punimet arritën të tërheqin vëmendien e shkencëtarëve të kohës, duke u botuar në revista prestigjioze ndërkombëtare, apo duke u referuar në simpoziume e kongrese  ndërkombëtare. Mundësitë për ta konkretizuar pasionin e tij për shkencën u realizuan kur doli në punë si agronom. Në vitet 1961-1967 në revistën ruse “Referativnij Zhurnal “, në të cilën ishte abonuar, botoheshin vazhdimisht studime të cilat dëshmonin efektin e kriprave të acideve të naftës në rritjen e prodhimit të bimëve. Këtë efekt e morën nga rafineria e përpunimit të naftës në Kuçovë dhe e eksperimentoi  për tre vjet, 1963-1965  në grurë, misër dhe pambut në Drenovicë. Rezultatet shkencore qenë shpresëdhënëse dhe ato u vlerësuan publikisht edhe në nivel kombëtar nga ministri i bujqësisë i kohës Pirro Dodbiba në Buletinin e Shkencave Bujqësore 1967, nr. 3, faqe 18. Kur punoi në Institutin e Lartë Bujqësor, krijoi një grup pune bashkë me kolegët e tij  Halit Sulovari dhe Todi Sota, për krijimin e varieteteve të reja të grurit, përmes  kryqëzimeve dhe seleksionimit të linjave të reja më me perspektivë. Për një periudhë relativisht të gjatë 20-25 vjeçare, krijimtaria e tyre u konkretizua me krijimin e tetë varieteteve të reja gruri të butë dhe të fortë, të miratuar nga Komiteti Kombëtar i varieteteve të reja për t’u përhapur në prodhim. Midis tyre, varieteti i ri “Kamza 9”, arriti që në vitet 1985-1990 të mbillej deri në 30.000 hektarë në vit, ose 15 përqind e sipërfaqes që mbillej në Shqipëri me grurë në atë kohë.

Një vend të rëndësishëm në aktivitetin e tij ka zënë prezantimi i studimeve shkencore në kongrese, simpoziume dhe forume ndërkombëtare, si dhe botimi i 30 studimeve, si autor i vetëm apo bashkëautor në revistat shkencore ndërkombëtare dhe në libra të ndryshme të botuara jashtë Shqipërisë në anglisht për periudhën 1992 deri 2019.  Disa nga titujt e librave që ka botuar Profesor Lufter Xhuveli mund të përmendim: Bimët dhe shqiptarët nga neoliti deri në shekullin 21,  Prodhimi i farërave, Rrëzimi i grurit dhe lufta kundër tij, Mbi resurset gjenetike të bimëve në Shqipëri… etj.

Me botimet e shumtaj dhe aktivitetin e tij shkencor Profesor Lufter Xhuveli ka dhënë një ndihmesë të vecantë në edukimin dhe përgatitjen e specialistëve të lartë të bujqësisë shqiptare.

Përfshirja në politikë:  24 vjet në krye të Partsë Agrare Ambientaliste të Shqipërisë.

Mëno Gjoleka i kërkonte me insistim Profesor Lufterit që të pranonte të vihej në krye të Partisë Agrare, Më në fund, në janar 1992 ai pranoi të zgjidhej kryetar i Partisë Agrare, gjë që u ligjërua në Konferencën e Parë Zgjedhore të mbajtur më 24 janar 1992. Mëno Gjolekën e zgjodhën Kryetar Nderi. Përbërja e Partisë Agrare në atë kohë ishte një përzjerje e të majtëve dhe e të djathtëve, të cilët i bashkonte një nga degët kryesore të ekonomisë popullore, që është bujqësia. Në fjalën e tij të parë kryetari i porsa zgjedhur Lufter Xhuveli midis së tjerash theksoi se në statut duhet të përcaktohet qartë si një parti e qëndrës, as e majtë dhe as e djathtë. Kjo qëndroi e pandryshuar në të gjithë kohën 24 vjeçare që ai e drejtoi atë parti.

Në kongresin e vitit 2003 kryetari i saj, Lufter Xhuveli, propozoi që Partia Agrare të shtojë në programin e saj komponentin ambientalist dhe të quhej Partia Agrare Ambientaliste e Shqipërisë (PAA). Nga 0.2 përqind të votave që Partia Agrare mori në zgjedhjet e vitit 1991, në vitin 2005 arriti të marrë mbi 6 përqind të votave të përgjithëshme me 4 deputetë. Në vitin 2007, në zgjedhjet për pushtetin vendor PAA mori mbi 400 këshilltarë në bashki e komuna. Ajo qëndroi në pushtet 16 vjet, tetë vjet me Partinë Socialiste dhe tetë vjet me Partinë Demokratike, gjë që ia lejonte pozicionimi politik i saj si parti e qendrës. Sot Partinë Agrare Ambientaliste e drejton zoti Agron Duka, ish studenti i Profesor Lufter Xhuvelit, ish ministër i Bujqësisë dhe biznesmen i suksesshëm.

Shtatë herë ministër: Në mesin e viteve ’90 Profesor Lufter Xhuveli u përfshi në administratën e lartë të shtetit. Por kush mendon se për një përfaqësues, aleat me partin kryesore të qeverisë, poste të tilla të larta si ajo e ministrit, dhurohen, gabon. Postin e ministrit, kryeministri ta jep kur si aleat partia tënde të ketë aq deputetë, sa përfaqësimi me ministër të jetë i detyrueshëm. Por dhe kjo vetëm nuk mjafton. Gjatë procesit të formimit të qeverive, duhet të jesh syçelët, me qëndrime të forta këmbëngulëse dhe aktiv në negocimet me partinë kryesore që drejton një mazhorancë qeverisëse.

Në zgjedhjet e 29 qershorit të vitit 1997 Profesor Lufter Xhuveli kandidoi si një opozitar dhe doli deputet në zonën e Kutallisë të Beratit në emër të Partisë Agrare.  Nga viti 1991 deri në vitin 2009 është betuar 11 herë, nga këto 4 herë si deputet dhe 7 herë si ministër, duke punuar e bashkëpunuar me katër kryeministra: Fatos Nanon, Pandeli Majkon, Ilir Metën dhe Sali Berishën. Qëndrimi i tij për një kohë të gjatë si ministër, një gjë e pazakontë kjo për periudhën pas vitit 1990, pat intriguar jo pak qeveribërës dhe mediat të cilat e pyetën:  Si është e mundur të qëndroni kaq gjatë në një post të tillë?  Përgjigja e tij ka qënë e thjeshtë: “Jam ministër, kam qënë ministër, apo kam qënë dikush tërë jetën, nuk ia di për nder kërkujt në këtë dynja, por ia di për nder vetëm punës sime, investimit që kam bërë për të patur këto kualitete që kam dhe familjes time, kryesisht Mejtos, që më ka mbështetur gjithnjë”.

Nga viti 1997 deri në vitin 2009 Profesori ka qënë shtatë herë ministër, nga këto: tre herë ministër i Bujqësisë dhe Ushqimit, një herë ministër shteti, dy derë ministër i Mjedisit, dhe një herë Ministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave në qeverinë Berisha 1. Në qeverinë Berisha 1 ka punuar tetë vjet, 4 vjet ministër dhe 4 vjet këshilltar i kryeministrit dhe prej këtej doli në pension më 10 shtator 2013, duke përmbushur me nder misionin e jetës së tij, pjesë e administratës së lartë të shtetit me arritje të lakmueshme shkencore në fushën e bujqësisë, që qëndroi në këmbë gjatë gjithë kohës vetëm me punë e tij të palodhur.