Anastas Angjeli/ Përvjetori i 239-të i Amerikës!

476
Përvjetori i pavarësisë së një vendi, nëse vërtetë është një kremtim i ndier në thellësi të ndërgjegjes së një kombi, shkon detyrimisht përtej të qenit thjesht një përkujtim. Aq më pak përkujtim i një date të caktuar në kalendar, e cila me kalimin e viteve, domosdoshmërish do të pësojë zbehjen e domethënies së saj. Për këtë arsye madhore, përvjetorët e pavarësisë kthehen në rastin më sublim për të kthyer kokën pas e për të reflektuar. Reflektim me përgjegjësi, pavarësisht se 239 vite, si në kremtimin e sotëm madhor të lindjes së shtetit amerikan, shkojnë bindshëm përtej asaj çfarë ka në dorë një individ, qoftë ky një qytetar i thjeshtë amerikan, apo një banues i Shtëpisë së Bardhë… 
Arritje e madhe epokale
Në këtë ditë, theksoi Presidenti Amerikam Obama në përshëndetjen e tij, ne përkujtojmë se si 239 vite më parë, themeluesit tanë shpallën pavarësinë tonë, duke deklaruar se si të gjithë ne jemi krijuar të barabartë, të pajisur nga krijuesi ynë me të drejta të patjetërsueshme, përfshirë të drejtën për të jetuar, për të qenë të lirë dhe për të kërkuar lumturinë. Por kjo shkon edhe përtej asaj çfarë ka në dorë edhe një brez i tërë, duke qenë se një arritje e madhe epokale, apo një ndalesë a stepje në rrjedhën e historisë, nuk mund të jetë kurrsesi përgjegjësi e atyre që sot i trashëgojnë të tilla veprime nga e shkuara. Por ja që përvjetorët, aq më shumë ato shekulloret, janë momente kulminante, në të cilët, brezat e tanishëm, ndjejnë mbi krye peshën e rëndë të historisë. Brezat e tanishëm ndihen të mbuluar me përgjegjësi, qofshin këto merita apo jo, edhe të paraardhësve të tyre. Pikërisht, për këtë arsye, të cilën nuk hezitoj ta quaj përsëri madhore, vështrimi ndaj së shkuarës, të cilin një përvjetor me gjasa mundet veç ta nxisë e madje ta përforcojë, është edhe moment ndarjeje përgjegjësish, moment në të cilin një komb bën “llogaritë shtëpiake të përvitshme”, bilancin e arritjeve të veta. Prandaj në këtë festë, amerikanët nuk mund të rrinë pa kujtuar dhe uruar të gjithë ata që shërbejnë në vendin e tyre, në Amerikë, dhe jashtë tij, sepse ata përfaqësojnë atë çka dita e sotme nënkupton. Gjithashtu edhe familjet e tyre. Në festime të tilla ka mirënjohje për shërbimin dhe për sakrificën e tyre.
Disa shekuj më vonë, theksoi Presidenti Obama, ne (SHBA) u shndërruam në një vend të madh, të fortë, dinamik dhe të larmishëm. Ne, theksoi ai, i përkasim të gjitha racave, vijmë nga vende të ndryshme, kemi besime të ndryshme dhe besojmë në ide të ndryshme. Por besnikëria jonë ndaj kësaj deklarate – kësaj ideje – është besimi që na lidh së bashku. Kjo është ajo që, nga shumë, na bën Një. Dhe ka qenë puna e brezave pasardhës për ta mbajtur këtë besim të sigurt, duke bërë që fjalët e saj të aplikohen nga çdo amerikan. Njerëzit kanë luftuar, protestuar, edhe kanë vdekur për këtë qëllim, duke vërtetuar se si: amerikanë – fati nuk është shkruajtur për ne, por nga ne – theksoi Presidenti Obama.
SHBA dhe rënia e murit të Berlinit
Pavarësisht se jemi pak më shumë se 25 vite nga rënia e murit të Berlinit, ngjarje e cila hapi një faqe të re në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, që veç fenomeneve shoqëruese të globalizimit në këtë cerekshekull, edhe pse u shfaqen fenomene të tjera të reja, veçanërisht si ai i terrorizmit ndërkombëtar, roli e Amerikës në botë, i lidershipit të saj jo vetëm që nuk u ndal, por, përkundrazi, u bë më dominues. Duke reflektuar e reaguar në kohë, edhe pra, thuajse, pas tre dekadash nga fundi i bipolarizmit dhe Luftës së Ftohtë, SHBA-të mbeten i vetmi faktor shtetëror, i cili, me ose pa vështirësi, mbulon me flamurin e pranisë së saj për liri dhe demokraci, çdo cep politik, ekonomik apo kulturor të botës aktuale. Është kjo arsyeja tjetër madhore se përse 239 vjetori i themelimit të demokracisë amerikane “rastis” të jetë arsye kremtimi, vëmendjeje, apo reflektimi, jo vetëm për amerikanët, po për krejt qytetarët e botës. Kësisoj, 239 vjetori i lindjes në Amerikë të shtetit dhe demokracisë – kurrë më parë, por edhe pas, këto dy terma kurrsesi sinonimë s’kanë qenë kaq të ngjashëm, në të njëjtin vend, në të njëjtën kohë, për të njëjtin komb – na jep një rast interesant vëzhgimi nëse do të hidhnim një sy drejt Gadishullit tonë Ballkanik dhe vendit tonë Shqipërisë. Sepse, e pazbehur asnjëherë, prania amerikane në këtë rajon, atëherë, kur duket se është rralluar, ka patur kërkesa të forta, nga vetë kombet ballkanase për t’u shpeshtuar. Këtu, nuk do të desha të prekja disa pika delikate, të cilat gjithmonë kanë nevojë për analiza të thella dhe të mirëpeshuara, por nëse do të më duhej të jepja një përshtypje të shpejtë dhe të sinqertë, përherë është dukur sikur ballkanasit e shohin Amerikën si një kufi i largët, por më dashamirës, sidomos nëse është i vënë në krahasim me një Europë, e cila jo rrallë shihet si cinike, madje, nëse i referohemi një të shkuare të largme tashmë, dashakeqëse. 
Amerika për ballkanasit ka marrë gjithmonë trajta më njerëzore
E thënë me pak fjalë, të cilat nuk do të dëshiroja të linin hapësirë për keqkuptime, Amerika për ballkanasit dhe veçanërisht për ne shqiptarët, ka marrë gjithmonë trajta më njerëzore, atëherë kur Europa është pikturuar si krijuese e ftohtë realpolitike. Me këto cilësi, me këto trajta të përfytyruara, duket se SHBA vazhdojnë të qëndrojnë në Ballkan edhe tani, kur bëhet fjalë për një afrim gjithmonë e më të ngushtë të vendeve të Ballkanit perëndimor me Bashkimin Europian. Krizat e brendshme, lëkundjet ekonomike, rreziqet apo derivacionet autoritariste, po ashtu si sukseset integruese, apo përparimet cilësore në ekonomi të këtyre vendeve duket se kanë një metër gjykimi, i cili niset nga interesi i vazhdueshëm i përtej Atlantikut. Përmirësimi i standardeve demokratike në Shqipëri, kontributi i vyer për arritjen e pavarësisë së Kosovës, tejkalimi i përplasjeve politike e shpesh herë gjithëetnike në Maqedoni, ose Bosnjë-Hercegovinë, paqësimi i mëtejshëm në kuadrin e bisedimeve Beograd-Prishtinë mbeten nën fokusin amerikan. Ashtu siç mbeten, e madje shumë më tepër se përpara fare pak vitesh, edhe futja e Ballkanit nën suazën e një bashkëpunimi më dinamik gjithëperëndimor në hartën e re të telekomunikacioneve dhe rrugëve energjetike, të cilat përfshijnë strategjitë e reja amerikane dhe europiane kundrejt zgjerimit të influencës ruse në Europën lindore dhe më gjerë. Interesante në këtë pikë është të vështrojmë edhe një rol të ri, më ngulmues, të SHBA, natyrisht nëpërmjet aktivizimit aq të lëvdueshëm jo vetëm të shërbimit të saj të jashtëm, por drejtpërsëdrejti të Presidentit Obama, në përballjen e krizës greke dhe të vështirësisë së dialogut mes qeverisë majtiste të Athinës dhe TROJKA së përbërë nga BE, BQE dhe FMN. Roli i rëndësishëm i qeverisë amerikane në këtë institucion të fundit, ashtu si edhe në selitë e tjera të rëndësishme të rendit aktual ekonomik botëror, kanë bërë që, jo vetëm në rastin grek, por mandej edhe në Spanjë, Irlandë, Portugali apo Itali, Amerika të jetë përherë e pranishme dhe mbështetëse për kapërcimin e krizave
Simbolika e dy përvjetorëve
Megjithatë, pa mundur krejt të pasqyrojmë një pamje sado të përgjithshme të pranisë së SHBA në rajon dhe, duke u larguar paksa nga politikëbërja aktuale ndërkombëtare, do të më pëlqente të theksoja edhe diçka, e cila e kurorëzon në mënyrë të përsosur kremtimin e këtij 239 vjetori të pavarësisë amerikane. Sepse, siç thonë anglo-saksonët, last but not least, ky përvjetor bie në të njëjtën kohë me një tjetër përvjetor, më të vogël në moshë, por aq madhor nga rëndësia. Bëhet fjalë për 25-vjetorin e firmosje së ligjit, që u garanton të drejta të barabarta personave me aftësi të kufizuara, i cili po festohet anembanë shtetit tonë mik. Janë, e përsëris, dy përvjetore që ndryshojnë në moshë, por që kthehen në një karakteristikë të pamohueshme politiko-shoqërore të një kombi të tërë. Pasi përvjetori i firmosjes së deklaratës së pavarësisë më 4 korrik 1776 veç mund të përmbushet edhe më, në gjithë kuptimin e tij historik dhe njerëzor, nga gjithë brezi i drejtave themelore, që nga epoka e emancipimit racial në vitet ’60 të shekullit të shkuar, e deri në vazhdimësitë e sotme. Në këto të fundit, Ligji mbi të drejtat e barabarta të personave me aftësi të kufizuar ka një eko të veçantë, sidomos nëse flasim për atë çka një shembull i tillë mund të ndikojë edhe në përditshmërinë e vendit tonë. Në këtë trajtë, në Shqipëri ka ende shumë për të bërë, por s’mundet mos të përshëndesim, e të ndihemi të ngazëllyer nga një shembull i jashtëzakonshëm shpirti fisnik, i cili vjen drejt e nga Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë. Është shembulli i arritjeve të një zonje të nderuar, e cila në këtë mënyrë bëhet frymëzuese, tok me 25 vjetorin amerikan, të një aftësie të re, krejt të re, të jetës sonë të përbashkët, në politikë, në mirëqeverisjen administrative e shumë më tej. S’do ta teproja nëse, në këtë rast, nëse do të rishprehja falënderimin, që zoti Lu, Ambasadori i SHBA në vendin tonë, bëri për zonjën e nderuar Bardhylka Kospiri, falenderim me të cilin duhet të bashkohemi të gjithë, ashtu edhe për shembullin e jashtëzakonshëm që vjen nga përtej Atlantiku. Gëzuar 239 – vjetorin e ditëlindjes së Amerikës!
Sigal