Engjëll Musai: Harresa e politikës, për poetin e vegjëlisë dhe “Hakërrimës”

Engjëll Musai
Drejtor i Gazetës “Telegraf”

Më 20 dhjetor 1966 u nda nga jeta, publicisti  dhe patrioti i madh vlonjat Ali Asllani. Poeti që i shkroi Vlorës himnin e pavdekësisë “Vlora, Vlora”. Mjeshtri që i këndoi me ëmbëlsi dashurisë dhe me finesë intrigave, zemërimit, hakerrimit, por pa harruar dëshmorët dhe shumë pak Partisë. Ziliqarët, pas vitit 1945 nuk donin ta pranonin as në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, duke e lënë për pak kohë jashtë saj. Kryesekretar i Ismail Bej Vlorës nê Qeverinë e Vlorës, Kryetar i Bashkise së Vlorës në çlirimin e parë të saj nga Italia më 1920 dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore më 1939.  Me pak fjalë i harruar si shumë atdhetarë dhe kontribues të Vlorës. Do ishte në nderin e të gjithëve të kishte një bust para bashkisë së parë ku shërbeu si kryetar i saj. Por akoma më trishtuese eshtë fakti që ministria e Kuulturës, Lidhja e Shkrimtarëve dhe vetë qeveria nuk u kujtua për të vendosur një tufë më lule në kujtim të poetit të hakërrimës dhe himnit të pavdeksisë Vlora-Vlora. Por tradhëtarët, nuk i duan patriotët dhe ata që shpërndajnë kushtrimin për liri, pavarsi dhe janë kundër varfërisë…!

NOA

Ali  ASLLANI

Vlora, Vlora!

 

Jam vlonjat e jam vlonjat,

e kam shkabën mëm’ e atë,

shkaba trime dykrenore

fron’ e saj e ka në Vlorë!

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,

rroki armët, bëja forra!

 

Vlora trime shqipëtare

si rob jetën s’e do fare,

a do mbetet Shqipëri,

a do bëhet tym e hi!

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,

rroki armët, bëja forra!

 

Jam vlonjat e jam burrë,

s’duron burri zgjedhë kurrë,

jam vlonjat e si vlonjat

di bëj luftë me të shtat’!

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,

Bjeri, moj, t’u lumtë dora!

 

Jam vlonjat dhe trim me besë,

rreth flamurit di të vdesë,

a me hir a me pahirë

doemos do rroj i lirë …!