Në këtë kod nuk është e shkruar, por merret me mend se ministreshave dhe ministrave dhe zv.ministreshave e zv.ministrave, u ndalohet edhe votë-blerja me para cash, me zarfa ose me thesë me ushqime; me premtime për vende pune e shpërblime të tjera, të njohura e të përdorshme prej kohësh në këtë vend kodesh të shumtë me fjalë, të cilëve pushtetarët dhe zyrtarët e lartë u rrëshqasin nëpër duar si ngjalë.
Pak më shumë se 1 vit më parë, saktësisht, më 29 prill 2022 hynë në fuqi rregullat e paralajmëruara nga Kryeministri Edi Rama në nisje të mandatit të tretë të qeverisjes, dhe të miratuara në shtator të vitit 2021 nga Këshilli i Ministrave, njohur edhe me emërtimin propagandistik “Kodi Etik Ministror”. Për të qenë objektivë dhe mos i paragjykuar dhe kundërshtuar, në këndvështrimin formal e parimor e si tekst i shkruar, ishin dhe janë të nevojshme, bile edhe shumë të vonuara. Kryeministri Edi Rama, ndoshta duke parë, dëgjuar e lexuar se disa ministra e ministresha po harxhonin më shumë kohë për udhëtime jashtë vendit, (edhe personalisht ai vetë me charter) apo për dreka e darka të rënda, në jo pak raste edhe përtej kodit ligjor e moral, së bashku me ekipe ministrore e me miq biznesnenë e zyrtarë ndërkombëtarë, si p.sh mister McGonigal…, se sa për detyrat qeveritare e në dobi të popullit, më në fund vendosi t’ua mbledhë apo t’ u verë nga një fre të penjtë për gjatë ditëve të punës. Konkretisht, sipas rregullave të shkruara në këtë kod, ministrave u ndalohet me ligj takimi me biznesmenë. Ata s’mund të pranojnë bileta të paguara nga persona dhe kompani private apo të frekuentojnë bare e restorante gjatë ditëve të punës, të kampionatit botëror të futbollit e sebepe të tjera, siç kanë bërë edhe ish ministri i inceneratorëve Arben Ahmeti e disa vartës të tij. Nënkuptohet se sipas kësaj pike të kodit atyre u ishin të ndaluara edhe drekat dhe darkat edhe në kompleksin turistik “Prestige Resort” të biznesmentit të njohur Irfan Hysenbelliu, me një album me fotografi rreth tavolinës së ngrënies dhe mysafirllëkut edhe me vetë kryeministrin Edi Rama, individualisht dhe familjarisht.!!! Po kështu, sipas radhëve mbushur me fjalë të bukura të këtij kodi, ministrave iu ndalohet bixhozi dhe të mos hyjnë në asnjë ambient lojërash fati. Po ashtu ata duhet të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Aq strikt është në tekst ky kod sa lejon takimin e ministrave dhe zv.ministrave me grupe biznesi vetëm në prani të 2 nëpunësve publikë, të cilët mbajnë shënime në një regjistër të posaçëm për minutat e takimeve, identitetin e personave dhe çështjet e diskutuara. Gjithnjë sipas këtij Kodi gjëmësjellës për nga fjalët, ministrat ndalohen ligjërisht (teorikisht) të udhëtojnë me “Bussines Class” brenda Europës, të përdorin sallën VIP të aeroportit apo makinën e punës për familjarët në momentin që nuk janë vetë të pranishëm. Po ashtu është e ndaluar dhe organizimi i festave për personelin me fondet e buxhetit apo pushimet jashtë vendit. Frekuentimi i bareve dhe restoranteve u lejohet gjatë pushimeve zyrtare vetëm në rast të eventeve familjare dhe shoqërore, apo aktivitete që lidhen me punën dhe për të cilat është marrë leje. Një tjetër pikë e Kodit të ri Etik thotë se të gjitha dhuratat, që marrin ministrat do të përdoren si dekor për zyrën ose të dorëzohen në Kryeministri. Nëse anëtari i kabinetit do të bëjë një nga këto shkelje, ose duhet të kërkojë ndjesë publike ose do shkarkohet menjëherë nga detyra. Për deri sa nuk janë dëgjuar e bërë publike ndëshkime në nivele kryeministrore, ministrore e zv.ministrore për shkelje të këtyre rregullave të këtij kodi, mund të mendohet se edhe ky kod ka pasur fatin e shumicës së kodeve dhe VKM-ve të mëparshme, mbylljen dhe harresën nëpër dosje e sirtarë. Siç kuptohet teksti i kodit etik ka disa rregulla e privime të forta apo sakrifica vështirë të kapërdijshme e detyrime jo lehtësisht të pranueshme e zbatueshme! Atyre nuk u lejohen më, të paktën, nga sa shkruhet në atë, të bëjnë disa qejfe marramendase nëpër vende të tjera, kur shkojnë për vizita zyrtare, gjysëm zyrtare apo krejt turistike, partiake, elektorale…Gjithashtu ministrave dhe ministreshave u ndalohen gjatë ditëve të punës të kalojnë orë e ditë të këndshme, të paharrueshme në komplekse hotelerie apo turistike në Shqipëri vetëm për vetëm me miq të vjetër apo të rinj, biznesmenë të mëdhenj e tejet të pakursyer në dreka e darka, dhurata “të rënda” si dhe nëpër kazino. Merret me mend se bujaria e oligarkëve ndaj tyre nuk ka qenë e nuk është thjeshtë për shoqëri e miqësi, por edhe për interesa e përfitime në formën e PPP- ve, tenderave, konçesioneve, të statusit të “investitorit strategjik” në vlera shumëmilionëshe në euro. Sidomos lënia e dhuratave në zyrë apo dorëzimi i tyre në kryeministri, kur mund t’ua dërgojnë me 1001 mënyra, forma, rrugë… nëpër shtëpira, vila, banka dhe vende të tjera, ka qenë, është dhe do të jetë një sakrificë e madhe, oreks dobësuese dhe gjumëprishëse për ditë e netë të tëra për qeveritarët…apo pushtetarët. Nënkuptueshëm, edhe për familjet, bashkëshortet, këshilltaret, sekretaret, drejtorët dhe drejtoreshat e tyre…! Në këtë kod nuk është e shkruar, por merret me mend se ministreshave dhe ministrave dhe zv.ministreshave e zv.ministrave, u ndalohet edhe votë-blerja me para cash, me zarfa ose me thesë me ushqime; me premtime për vende pune e shpërblime të tjera, të njohura e të përdorshme prej kohësh në këtë vend kodesh të shumtë me fjalë, të cilëve pushtetarët dhe zyrtarët e lartë u rrëshqasin nëpër duar si ngjalë. Duke e përmbyllur me një dozë humori edhe më të fortë: të ndalosh ministrat dhe zyrtarët e tjerë të lartë qeveritarë të mos takohen apo të mos kenë lidhje të tjera shoqërore, miqësore, ortakërore, biznesore…, me bosë apo oligarkë, sidomos nëpër kazino e vende të tjera me rrezikshmëri harbimi e kompromentimi, është njësoj sikur t’u ndalosh marrëdhëniet intime, seksuale, çifteve që flejnë për natë në të njejtët krevatë!!! Megjithatë, le të shpresojmë dhe besojmë se ky kod nuk do të hyjë në historinë e mandatit të tretë të qeverisjes Rama si një nga farsat apo maskaradat e saj të shumta, me doza të forta hipokrizie dhe demagogjie! T’i lutemi ZOTIT në qiell që të na ndihmojë të përjetojmë përmbushjen qoftë edhe 25% të rregullave dhe kërkesave të këtij kodi etik ministror dhe që mos e kujtojmë, siç jemi mësuar gjatë mbi 77 vjetëve, dukjen dhe zhdukjen si një meteor…!




















