Shtator 2004
Pas një maratone të vërtetë, për të marrë viza amerikane, ballë për ballë me Filipin qëndronte konsulli amerikan. Zezak.
Konsulli: – Ka rrezik që gruaja juaj të qëndrojë në Amerikë?
Filipi: – Ku ta kem atë fat! E kam nisur në 10 vende të Europës. Do ti, që është kthyer?!
Konsulli: – Nuk të kuptoj?
Filipi: – Nuk është faji im…
Konsulli: – E kapa me vonesë gjuhën e Ezopit. Vizat bëhen gati nesër në orën 12:00.
Filipi: – Nesër jam i zënë! Po nuk e mora sot vizën, do ta anuloj vizitën për në Amerikë!
Pas një ore vizat ishin gati.
Këtu nisi edhe miqësia mes diplomatit zezak amerikan dhe humoristit të njohur. Diplomati u bë një ndër “tifozët” e emisionit “Fiks Fare”.
Dhjetor 2004
E premte. Në zyrë u dëgjua zilja e celularit
– Alo, zoti Filip? Flas nga Ambasada Amerikane. Konsulli ju fton për drekë. Ditën e hënë. Ora 13:30. Restorant “Rozafa”!
Filipi: – Një minutë, të shoh më parë. Ndoshta, këtë orë të ditës së hënë e kam të zënë, Ë… Ë… Jo… Kohë e lirë! Thojini konsullit: OK!
Në krahun tjetër të telefonit u dëgjua e qeshura e konsullit. Erdhi dita. Në një nga tavolinat e restorantit zunë vend diplomati, Filipi dhe përkthyesja. Filipi: – Pyete konsullin: ka ndonjë hall?
Diplomati: – Nuk kam asnjë hall. Të ftova për drekë për kënaqësinë time. Filipi: – Të më ftosh për drekë pa e pasur një hall, nuk e ha njeri. Prandaj mos u druaj. Ti hallin, unë zgjidhjen!
Në vend të përgjigjes, e qeshura e diplomatit u gërshetua me gazin e përkthyeses.
Filipi: – Kohë më parë, Presidenti Moisiu, dekoroi me medaljen: “Dëshmorë të Kombit”, pilotët amerikanë që u rrëzuan në malet e Shqipërisë. Medalje edhe pse sipas hetimit, rrëzimi i aeroplanit erdhi pas një defekti teknik! Diplomati: – Ishte tragjedi. Filipi: – Tragjedia nuk është trimëri. Do të dish edhe opinionin tim për luftën në Irak? Ka vetëm një shkak: nafta. Për naftën, Sadamit iu vu litari në qafë! Diplomati: – Më falni! Sadami ishte diktator.
Filipi: – Ju mbani opinionin tuaj. Unë kam timin! Kam edhe një vërejtje. Disa muaj më parë dërguam Berishën në Irak. Pse na e kthyet? Diplomati: – Nuk kuptoj, a mund të shoh një xhirim të “Fiks Fare”?
Zunë vend në studio, mbaroi xhirimi. Diplomati nuk lëvizi nga karrigia, ndërhyn me takt Filipi:
– Miku im! Ti erdhe për të parë emisionin, apo po pret të shoqërosh balerinat!
– Jo, jo – u hutua, por nuk u skuq!
Shënim– Diplomati amerikan është transferuar në Spanjë. Një ditë ish-konsulli nisi për në Tiranë dy gisht letër: “A mund të më dërgosh një bluzë me stemën “Fiks Fare”! “Ia nisa,- më tha Filipi. Më mungon, i dua shumë konsujt, sidomos kur janë zezakë. Amerikani ka edhe emër shumë popullor në Lushnje: “Todi”. Kur e kisha në Tiranë, më nxirrte mallin e vjehrrit, që jeton në Divjakë”.