Partizan MYFTARI/ Jorgani i rëndë i krimit

571
Sigal

Jorgani i rëndë i krimit, duket se është gjithmonë pjesë e pajës së pushteteve, politikës, grupeve dhe organizmave sociale që e qëndisin barbarisht me modelin e tyre, shpesh të heshtjes e shpesh të bashkëfajsisë. Kjo antropologji amorfe me struktura të çuditshme vazhdon të lulëzojë e mbijetojë në strofullën e saj të errët. Rilindja u nis herët me paterica e me kompromise të errëta dhe nuk mund të identifikohej si e tillë veç një zgjidhje e përkohshme, si të ndahej përgjysmë jorgani i djeshëm i krimit politik, ekonomik e juridik.  Blloku i kujtimeve dhe shënimeve të pazareve u zgjodh si peshorja e ndarjes së gjërave, por ishte vetëm një iluzion i pjesshëm, aq sa duron vlagu i tokës në stinën e mbjelljes. Zakonisht “kokë palarët” e kuptojnë dhe e ndjejnë stinën, se kur duhet të përmbyset toka për mbjellje të reja të jetës, sepse ngjalat e drekave kanë vetëm parfumin e erës së vajit (të vajit të djegur!) dhe konstrucionin metalik të fjalëve pa prapashtesa, Rilindjeje. Rama i hipur mbi paterica kompromisesh, i ndjekur nga një opozitë që nuk ka dhënë llogari për krimet e Gërdecit, 21 Janarit; i përkëdhelur vetëm nga ngjyrat e ideve, sportivuar sforcërisht nga një shtyp meskin, vazhdon të jetë viktimë e vetvetes po mbi paterica dhe pa ngjyra Rilindjeje, si të ketë marrë gjysmën e bllokut të Metës dhe të mbajë shënime për llogari të tij. Sa më i rëndë të jetë jorgani i krimit, sa më shumë krime të të gjitha llojeve të mbeten të pazbuluara aq herë bie pesha dhe mosbesimi tek pushteti. Të mos e heqësh e dënosh këtë jorgan, do të thotë të flesh mbuluar prej tij dhe ta qëndisësh me stilin tënd. Patericuar në hollet e pushtetit duke menduar se prapa u ndjekin “kokë palarë”, jo që nuk do ta bëni dot Shqipërinë, por rrezikoni të bëheni pjesë e këtij jorgani. Edhe disa nisma qesharake parlamentare, janë vetëm si për t’u gjetur në punë përballë përgjigjeve që presin shqiptarët. Ndëshkimin e krimit! Ngjarjet e krimeve të bujshme ende presin përgjigje, ngjarjet e “vogla” nuk duhet të vdesin përballë një sistemi të korruptuar të drejtësisë. Sot më duket se fytyra e maxhorancës dhe opozitës duket një: si ajo tokë moçale ose djerrë e harruar nga kokëpalarët që nuk dinë të kultivojnë as shpirtin e vet.