Vendlindja është ajo pikë në të cilën zemra jonë është e lidhur përgjithmonë.
Volteri.
Ajo që i bie ne sy çdo vizitori të këtij qyteti është mungesa pothuajse e plotë e kujtesës historike. Në sheshet dhe në rrugët e gjelbrura e të rikonstruktuara, nuk ka pothuajse asnjë monument kulture. Për çdo mirditas apo vizitor rastësor që kthehet aty, mungesa e monumenteve të atyre që përfaqësojnë historinë, krenarinë dhe shpirtin e Mirditës është tronditëse.
1.Kur historia fshihet nga kujtesa, qyteti humbet shpirtin e vet.
Pas shumë vitesh larg, në Tetor të këtij viti vizitova qytetin e Rrëshenit. Aty përjetova takimin me të dashurit e mi dhe miqtë që nuk e kanë braktisur akoma qytetin ku lindëm, u rritëm, u shkolluam e punuam për shumë vite; ku krijuam familjen, lindëm e rritëm fëmijët tanë….
Kafet dhe bisedat me miqtë e mij; gazetarin Gjergj Marku, Inxh. Mark Zefin, (emigrant për shumë vite në Itali, por tani i kthyer në vendlindje), mikun tim Fran Nikollin (Brozi) ish ushtarak i lartë, mësuesin dhe studjuesin ekselent të biologjisë dhe ish drejtuesin e pushtetit vendor Nok Mrrukun, ish drejtuesin e pushtetit vendor në Kaçinar Gjergj Dedajn, me këngëtarët e mirënjohur të ansamblit artistik Mirdita “Mjeshtër i Madh” Nikoll dhe Fran Preçi, ish futbollistin e talentuar Gjon Gjeçi, etj. Etj. do të më mbeten gjatë në kujtesë.
Përjetimi ishte i dyfishtë; -mall i thellë për vendlindjen, por edhe një zhgënjim që më theri në shpirt për braktisjen e këtij qyteti të mrekullueshëm nga varfëria e tejskashme e banorëve aty, që enden nëpër qytet të pa punë.
Ekzistojnë disa statistika tronditëse: Në vitin 1990, Rrethi i Mirditës (sot Bashkia Mirditë), kishte 53.000 banorë. Duke ju referuar censusit të vitit 2023, aty kanë mbetur vetëm 13.625 banorë, apo e thënë ndryshe, numri i banorëve është paksuar me 74.3 %. Nga këta, 9300 banorë jetojnë në qytetin e Rrëshenit dhe vetëm 4300 (kryesisht të moshuar) jetojnë në 81 fshatra të Mirditës. Ka dhjetra fshatra ku nuk ka mbetur asnjë banorë.

Ve në dukje se vetëm qyteti i Rrëshenit, (pa Rubikun, Kurbneshin, Repsin, Fanin e Kaçinarin,) në vitin 1991 kishte mbi 5400 të punësur në ndërmarrjet e poshtëshenuara si; Ndërmarrja e Ndërtimit, Parku Automobilistik i Mallrave, Fabrika e Pasurtimit të Bakrit Ura e Fanit, Ndërmarrja e Përpunim- Drurit, Stacioni hekurudhor, Ndërmarrja e Grumbullim-Përpunimit, Frigoriferi, Ndërmarrja e Ujra-Bonifikimit, SMT, Ndërmarrja Komunale, Rezervat Shtetërore (të industrisë dhe të bujqësisë), Brigada me disa reparte ushtarake, Baza e Armatës, Mirëmbajta Rruga – Ura…
Qyteti kishte dy shkolla të mesme, dy shkolla 9 vjeçare, një Pallat Kulture me 22 punonjës, bibloteka, kinemaja, Pallati i Sportit të lojrave me dorë, kopshti e çerdhja e fëmijëve, muzeumi historik dhe etnokulturor etj. etj.
Këtu është edhe një spital i madh, i rikonstrtuktuar bukur; ( i vetmi në Mirditë, nga katër spitale dikur). Sot të sëmurët duhet të drejtohen për shërbime të specializuara në Lezhë a Tiranë, pasi ka mungesa në personelin e kualifikuar mjeksor.
Dikur në këtë qytet gumëzhinte jeta nga zërat e fëmijëve dhe të rinjëve. Ja edhe disa statistika tepër trishtuese: Në vitin 1991, vetëm në qytetin e Rrëshenit mësonin 2140 nxënës, ndërsa në këtë vit shkollorë vazhdojnë mësimin 837 nxënës, pra vetëm 40 % e nxënësve të vitit 1991. Nga 993 nxënës në vitin 2000, në gjimnazin e Rreshenit sot mësojnë 184 nxënës ose vetëm 18.5 % e numiri te 25 viteve më parë.
Këto ishin gëzimi dhe zhgënjimi që përjetova në vendlindjen time këto ditë Tetori. Atëherë kam të drejtën të them; -Kur historia fshihet, qyteti humbet shpirtin e vet.

2.Një qytet pa monumente është një qytet pa kujtesë.
Ajo që i bie ne sy çdo vizitori të këtij qyteti është mungesa pothuajse e plotë e kujtesës historike. Në sheshet dhe në rrugët e gjelbrura e të rikonstruktuara, nuk ka pothuajse asnjë monument kulture.
Për çdo mirditas apo vizitor rastësor që kthehet aty, mungesa e monumenteve të atyre që përfaqësojnë historinë, krenarinë dhe shpirtin e Mirditës është tronditëse.
Në vitin e mbrapshtë 1997, një valë shkatërrimi përfshiu gjithë vendin. As Rrësheni nuk i shpëtoi kësaj goditjeje. Qyteti në atë kohë kishte disa monumentet si; -i Katër Heroinave, -i Bardhok Bibës, -Ndrec Ndue Gjokës, -Pal Mëlyshit, -Obelisku i 12 bajrakëve etj. etj. Ato u hoqën, u thyen, u coptuan dhe u shitën deri në Nikshiq të Malit të Zi për skrap, bashkë me shinat e hekurudhës që dikur lidhnin Rrëshenin me Milotin dhe pjesët e tjera të vendit.
Bashkë me ato monumente e hekurishte, u zhduk jo vetëm bronxi e metali, por edhe një pjesë e shpirtit të qytetit, kujtesa e atyre brezave që ndërtuan e punuan me dashuri për këtë trevë.

E dhimbëshme për mua ishte edhe fakti se si trajtohet sot, i vetmi monument në qytet, busti i pajtimtarit të madh të gjaqeve, i Profesor Anton Çetës, me origjinë nga Fani i Mirditës, një figurë e nderuar nga mbarë shqiptaria për misionin e tij fisnik të pajtimit. Busti ishte vendosur prapa banjove të Gjykatës, në një vend të papërshtatshëm dhe aspak dinjitoz për një personalitet të këtij kalibri. (Monumenti, i vendosur aty në vitin 2017, është vepër e skulptorit të talentuar kthellas Benard Lekgega). Kjo tregon; jo vetëm mungesë kujdesi urbanistik, por edhe mungesë respekti për kujtesën historike e morale.
Në Mirditë, me një histori të lavdishme, monumentet duhet të jenë në qendër; aty ku rreh zemra e qytetit. Aty meritojnë të qëndrojnë monumentet e figurave që mishërojnë krenarinë dhe lavdinë e Mirditës dhe të Shqipërisë si; Gjergj Kastrioti (Skënderbeu), Lekë Dukagjini, Pjetër Perlati, Abat Prend Doçi, Preng Bib Doda, At Gjergj Fishta, Dom Nikoll Kaçorri; por edhe bijtë e artit dhe kulturës që nuk jetojnë më; si poeti kombëtar Gjok Beci dhe kantautori Fran Vorfi, që me vargjet, këngët dhe muzikën e tyre i dhanë shpirt e dritë Mirditës, Shqipërisë dhe Kosovës.
Monumentet nuk janë luks, por nevojë shpirtërore dhe qytetare. Ato janë mësim për brezat, janë shenjë se kemi kujt t’i kthejmë sytë dhe nga kush të marrim frymëzim.
Një qytet pa monumente është një qytet pa kujtesë dhe një popull që harron kujtesën, harron vetveten. Është koha që Rrësheni të ngrejë në piedestale figurat e veta, që historia të mos mbetet vetëm në fjalë e kujtime, por të rrojë e gdhendur në zemrën e qytetit, si dëshmi e përjetshme e krenarisë mirditore.

3.Propozim publik
Një qytet pa monumente është një qytet pa kujtesë dhe një popull që harron kujtesën, harron vetveten. Është koha që Rrësheni të ngrejë në piedestale figurat e veta, që historia të mos mbetet vetëm në fjalë e kujtime, por të rrojë e gdhendur në zemrën e qytetit, si dëshmi e përjetshme e krenarisë mirditore.
Prandaj; si një mirditas që e dua shumë vendlindjen, bëj një propozim publik…
-Pranë Bashkisë të ngrihet një komision (ad-hoc) i artit dhe kulturës, me pjesëmarrjen e studiuesve, artistëve (skulptorëve e piktorëve), ku të përfshihen edhe inxhinierë e biznesmenë që dashurojnë artin, që jetojnë e punojnë brenda e jashtë Mirditës. Ky komision të shikojë e vlerësojë se cilët monumente duhet të ngrihen në Mirditë. Të vleresohet edhe maketi i obeliskut “MIRDITA”. Këto projekte të paraqiten edhe në Ministrinë e Kulturës dhe në Akademinë e shkencave për fondet e nevojshme financiar
Të studiohen dhe miratohen edhe vendet se ku mund të ngrihen .Obelisku mund të ishte shumë funksional; Bazamenti (si kështjellë) do të ishte një hapësirë ideale për një objekt etnokulturor, e më sipër një sallë leximi e konferencash, një bibliotekë a diçka tjetër.
Në mbyllje; përsa shkrova më sipër, po sjellë një thënie, të gjeniut Albert Einstein:
“Imagjinata është më e rëndësishme se dituria.”




















