Refleksione për situatën e sotme në Shqipëri
Mark RICA Ekonomist – Audit
1.Paraja si burim i lirisë.
Në aspektin ekonomik, paraja është një mjet që mundëson zgjedhje dhe pavarësi. Periudha e tranzicionit postkomunist, niveli arsimor i brezit të ri, avancimi i teknologjisë së informacionit, eksperienca që po fitohet nga zhvillimi i shumë bisneseve formale e produktive, lëvizja e lirë e popullsisë ku të paktën një e treta e shqiptarëve punojnë dhe jetojnë në vendet e zhvilluara kapitalise në të gjithë botën etj…, e kanë rritur nivelin intelektual e kulturor të qytetarëve për të kuptuar, përfituar, por edhe për të reaguar ndaj disa nocioneve bazë ekonomike, që lidhen me paranë dhe pushtetin, në dukje abstrakte.
Paraja, është thjeshtë një instrument ndërmjetës, që lehtëson shkëmbimin dhe qarkullimin e mallrave, që ekuivalenton mbi një bazë të njëjtë botën e pafund të produkteve dhe shërbimeve dhe që i lejon njeriut të ruajë një nivel jetese komode.
Paraja është shumë më tepër se monetarizëm. Fatkeqësisht, në shoqërinë e sotme njerëzore nocioni ekonomik i parasë ka ndryshuar. Fuqia dhe pushteti i saj ka ndikuar dhe po vazhdon të ndikoje kaq fort në marrëdhëniet shoqërore saqë pa frikë mund të pohohet se ajo ka ndikuar në një masë përcaktuese edhe në tiparet e rendit ekonomik dhe social.
Paraja sot po shikohet edhe si shkak i krizave dhe mizeries ekonomike. Në varësi të shumës monetare demonstrohet edhe pushteti.
Para 158 vjetësh në veprën e tij “KAPITALI” (Vol. i parë, kapitulli i III-te), Karl Marks shkruante:- “Paraja abuzon të gjithë Zotat e njerëzimit dhe i transformon ata në mallra. Prandaj dhe ajo e ka privuar të gjithë botën, si botën humane dhe natyrën, prej vlerës së saj të vërtetë. Paraja është thelbi i tjetërsuar i punës dhe ekzistencës njerëzore, kjo esencë e dominon dhe ai e adhuron atë.”
Sot, në shumë vende ku mungon demokracia, paranë dhe pushtetin e kanë në dorë mafia politike dhe e bizneseve korruptive të lidhura me pushtetin, që nuk njohin sistemin politik, dinjitetin njerëzor e moral. Me paranë blen votën, blen moralin, blen diturinë, blen kompetencën, pushtetin, autoritetin, politikën, ligjin, drejtësinë etj. Pra, paraja korrupton gjithçka dhe korrupsioni është apokalipsi global i sotëm, që çuditërisht vetëm sa rritet e zgjerohet. Ajo e ka kapur politikën e pushtetin, dhe kontrollon burimet kapitale, materiale, njerëzore si dhe trafikimet e paligjshme të drogës, kontrabandën dhe investimet (të ashtuquajtura strategjike), tregëtinë etj.
2. Paraja si mjet skllavërimi.
Sot në Shqipëri lëvizin shuma të mëdha parash. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2024, sasia e parasë që qarkullonte jashtë sistemit bankar, arriti në 423 miliardë lekë, që përbën një rritje prej mbi 30 miliardë lekësh krahasuar me dhjetorin e vitit 2023 . Kjo shumë përfaqëson rreth 24% të parasë totale prej 1.79 trilionë lekë që ishin në qarkullim në vitin 2024. Kjo situatë tregon një nivel të lartë të përdorimit të parasë cash dhe një informalitet të theksuar në ekonominë shqiptare. Në vendet e Eurozonës këto të dhëna regjistrojnë nivele shumë më të ulëta të qarkullimit jashtë bankave, me një mesatare nën 10% të parasë në qarkullim, krahasuar me vendin tonë …Qarkullimi i parave jashtë sistemit bankar në Shqipëri është 24 % e totalit në qarkullim, nga 8-10% që është aktualisht në vendet e Eurozonës, tregon për një gjendje alarmante.
(Mendoj se në kushtet që ka Shqipëria dhe të ecurisë së aktiviteteve kriminale, të mafjes së ndërtimit, çimentos, karburanteve, HEC-eve të lumenjëve, etj..etj, përllogaritjet e këtyre treguesve janë gati të pamundur. Pra, shifrat e raportuara janë ndjeshëm më të larta, sepse në ekonominë shqiptare qarkullojnë më shumë flukse të padukshme parash.)
Shkaqet e informalitetit monetar dhe faktorët që ushqejnë këtë situatë në Shqipëri?
janë:
-Mungesën e besimit te institucionet financiare dhe administrata publike.
-Kulturën e përdorimit të parasë në dorë, e lidhur shpesh me praktika të informalitetit në ekonomi.
-Evazionin fiskal dhe punësimin informal, që stimulojnë përdorimin e parasë jashtë sistemit. -Mungesën e një tregu funksional të kapitaleve, (Bursës), ku investitorët dhe kursimtarët do të orientonin fondet e tyre në mënyrë të sigurt dhe transparente. (Për bursën kemi shkruar më parë).
Pasojat për ekonominë janë të shumta por po rendisim më kryesoret:
-Ulja e të ardhurave timore për buxhetin, për shkak të transaksioneve të padeklaruara.
-Dobësimi i sistemit financiar, për shkak të mungesës së depozitave të mjaftueshme në bankë.
-Rritja e rrezikut për pastrim parash dhe korrupsion.
-Vështirësi për autoritetet monetare në zbatimin e politikës monetare, si rezultat i mungesës së të dhënave të plota dhe të sakta.
Për paranë si mjet skllavërimi janë shprehur personalitete të mëdha botërore, por përzgjodha dy prej tyre:
Ø Papa Francesku para disa kohësh nga sheshi Shën Pjetri në Vatikan, gjatë një takimi me të
rinjë nga e gjithë bota deklaroi: “Suksesi, pushteti dhe paraja janë tundimet e të gjitha kohëve. Janë dëshira që të japin iluzionin e lirisë, por në të vërtetë të skllavërojnë .Udha e lakmisë për pasuri, sidomos, etja për të pasur, për të pasur, për të pasur, pa u ngopur kurrë, është gjithnjë logjika tinzare e djallit”.
Ø Shkrimtari dhe dramaturgu Pëllumb Kulla në një ESE të botura me 11.06.2016, shkruante :
“Ekziston një mjet i magjishëm, fuqiplotë: paraja!.. Paranë e pamatë e përkthej në pushtet të pamatë! Me shumë para nuk e kam vështirë ta mbush vendin me burgje pa ua vënë emrin të tillë, mund të ndjell turma këpucëlëpirësish përpara çizmeve të mia. Edhe unë mund t’i qërroj kundërshtarët e mi. Bile pa gjykata edhe pa i burgosur fare. Heq dënimin me vdekje dhe e përdor vdekjen sa herë të dua. A vallë ka njeri sot që nuk e ka kuptuar se paraja përkthehet në sundim? Dhe ky është më i padukshmi nga sundimet, pa ngritur tela me gjëmba anembanë kufirit. Është më i pazhurmshmi nga sundimet: -nga xhepi në xhep,- nga çanta në çantë e -nga banka në bankë, paraja lëviz pa as më të voglën frushullimë.”
Paraja mund të kthehet edhe në një burim presioni dhe varësie.
Në Shqipëri, pavarësisht rritjes së pagave, inflacioni ka ndikuar negativisht në fuqinë blerëse të qytetarëve. Sipas të dhënave, inflacioni i lartë, veçanërisht ai i ushqimeve, ka zhvlerësuar të ardhurat reale të familjeve. Kjo situatë i detyron shumë individë të marrin kredi (apo borxhe), për të përballuar shpenzimet e përditshme, duke i futur në një cikël borxhesh dhe varësie financiare. Për më tepër, pabarazitë ekonomike janë të dukshme, të cilat trajtohen më poshtë…
Qëllimi i këtij refleksioni (si një kambanë alarmi ) është nevoja urgjente e formalizimit të qarkullimit monetar, si një nga sfidat më strategjike për Shqipërinë në rrugën e saj drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe integrimit në Bashkimin Europian. Kjo është e mundur nëpërmjet zhvillimit të instrumenteve financiare moderne, përfshirjes masive të qytetarëve në sistemin bankar dhe krijimin e tregjeve të strukturuara financiare, si hapa të domosdoshëm për të kaluar nga një ekonomi me bazë informale në një model të qëndrueshëm, dhe transparent.
Diktaturat janë pushtete të pakufizuara shtetërore që shprehen dhe mbrojnë interesat e klasave sunduese dhe që ushtrohen me dhunë nga një njeri ose nga një grup njerëzish, por, diktaura dhe sundimi i parasë është më i keq se këto, më i kamufluar, më afatgjatë, më me pasoja tragjike, më i veshtirë per t’iu kundërvendosur.
Shikoni në Tirane; por edhe ne qytetet e tjera të Shqipërisë: -Kontingjente të shumtë, të kollarisur dhe të veshur me pushtet, të pa njohur dikur as në mëhallën ku kanë lindur, disa nga ata që nuk dinë as tabelën e shumëzimit, dhe si i thonë fjalës as “notin qen”, kapërdisen në zyrat e shtetit, apo shëtisin me kabrioleta. Këto kontigjente ju i njihni prej 33 vitesh (disa edhe më përpara), por i njihni edhe fëmijët e tyre që se kanë prekur me dorë punën tërë jetën e tyre, por të shkelin me këmbë. Këta ne i zgjedhim dhe përzgjedhim në çdo fushatë zgjedhore. Po pse? Se ka urdhëruar Partia.., që na i kanë prezantuar edhe në këtë fushatë si “shpëtimtarët e së ardhmes”, vetëm se kanë shumë para, se janë bijtë e filanit dhe filanes, (le të jenë edhe UFO), se janë të dajës, tezes, hallës, baxhanakut, të këtij e të atij……“QUO VADIS !!!”
Shpëtimi nga kjo lloj diktature nuk kërkon luftëra e heronjë. Diktatura e parasë është sot kanceri i ekonomisë modern.
Shërimi i këtij kanceri kërkon mjekë të zot dhe mjekim të gjatë.
3. Formalizimi i qarkullimit monetar, një nga sfidat strategjike në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Qarkullimi i parasë jashtë sistemit formal bankar mbetet një ndër sfidat më të mëdha për stabilitetin makroekonomik dhe zhvillimin e tregjeve financiare në Shqipëri. Në kushtet e rritjes së parasë në qarkullim (për shumë arsye objektive), niveli i lartë i përdorimit të parasë cash, mungesa e bursës dhe informaliteti i përhapur ndikojnë negativisht në transparencën fiskale dhe në efektivitetin e politikave monetare.
Shqiptarët duhet të njihen me një tendencncë ekonomike gjithnjë në rritje, me pasoja të rënda në të ardhmen: POLARIZIMI I PAGAVE DHE PASURIVE.
Polarizimi i pagave në Shqipëri me diferenca të mëdha midis pagave më të ulëta dhe
atyre më të larta, mbetet një çështje e rëndësishme. Krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian (BE) dhe Eurozonën, Shqipëria ka një nivel më të lartë të pabarazisë.
Pagat në Shqipëri në vitin 2024.
• Paga mesatare neto mujore: 730 € (rreth 73,000 lekë).
• Paga mesatare neto në sektorin publik: 849 € (rreth 84,900 lekë).
• Paga mesatare neto në sektorin privat: 680 € (rreth 68,600 lekë)
• Paga minimale neto mujore: 430 € (rreth 43,200 lekë)
Duke i krahasuar me BE-në dhe Eurozonën rezulton se – Paga mesatare neto në BE është 2,351 € në muaj. – Paga minimale mujore në BE: varion nga 551 € në Bullgari deri në 2,638 € në Luksemburg . Paga minimale në Shqipëri është më e ulëta në Evropë si në aspektin absolut ashtu edhe në atë relativ.
Po ashtu, shqetësuese është edhe polarizimi i pasurisë në Shqipëri.
Sipas raportit të Credit Suisse dhe UBS: “Për vitin 2022, rreth 10% e popullsisë më të pasur në Shqipëri zotëron 68% të pasurisë totale të vendit.” Kjo tregon për një përqendrim të lartë të pasurisë në një segment të vogël të popullsisë. Bazuar në Koeficientin Gini (tregues statistikor që mat pabarazinë në shpërndarjen e të ardhurave ose pasurisë në një shoqëri) , kjo shifër vlerësohet një nga më të lartët në Evropë.
4. Rekomandime për përmirësim.
Në funksion të uljes së nivelit të parasë jashtë sistemit dhe formalizimit të ekonomisë, kërkohen të merren këto masa:
a.- Zhvillimi i infrastrukturës së pagesave elektronike, përmes uljes së komisioneve bankare dhe lehtësive fiskale për bizneset që përdorin pagesa digjitale.
b. Vendosja e një tavani për pagesat në cash, siç është propozuar nga Shoqata e Bankave (750 euro), për të dekurajuar transaksionet jashtë sistemit.
c. Promovimi i edukimit financiar dhe përfshirjes bankare të qytetarëve, sidomos në zonat rurale.
ç. Krijimi dhe funksionalizimi i bursës së Tiranës, për të diversifikuar kanalet e investimeve dhe për të reduktuar varësinë nga cash-i.
d. Përmirësimi i administratës tatimore dhe reformimi i sistemit të inspektimeve, në funksion të uljes së barrës së informalitetit mbi bizneset që dëshirojnë të jenë pjesë e sistemit.