Majlinda Keta: NE MUNDEMI me “Vota femërore 2013 –të”

554
Sigal

NE, gratë, mundemi të gjitha bashkë ta kthejmë përfundimisht demokracinë shqiptare në udhëkryq në rrugën e idealit integrues drejt familjes së madhe BE me qëndrimin dhe kontributin tonë për VOTËN 2013-të. NE mundemi pasi e kemi të garantuar me ligj të drejtën e votës, NE mundemi edhe pse DUHET të kemi prej nesh gra e vajza që do ulen në Parlamentin 2013-të.
Ne mundemi, po si?
Është një pyetje që më mundon po aq sa ju kaq ditëve fushatore, kudo që konsumojmë jetët dhe kontributet tona mes një ndjesie lodhje dhe neveritje që na dha Fushata nuk di sa muajshme dhe shumë luksoze përballë jetëve dhe mundimeve ekonomike të grave dhe familjeve shqiptare këtë 2013-të të krizës. E dinim dhe donim të besonim që do të duhej të fillohej me bilance llogaridhënie për premtimet që ju bënë këtij populli, NE, grave 4 vite më parë e që për mendimin personal nuk më përkon me ndonjë model të vlerësueshëm e sfidant nga vetë GRATË e 4 viteve në Parlament 2009-2013’. Ato nuk na dhuruan modelin e fillim fushatës së sigurt si antipod të politikës burrërore që vetëm burrërisht nuk i udhëhoqi shqiptarët këto 4 vite, fare larg nga detyrimet e Idealit 90’-të. Përkundrazi ato u bënë pjesë e luftës elektorale, ku luftohet me kundërshtarin politik si me armikun e përbetuar nga historia e shekujve për vetë shqiptarët. E humbëm shansin moral të politikës “Gratë për gratë” nga gratë e politikës kur ato nuk i thanë dot “STOP” fushatës, ku përfolja dhe dhunimi binte mbi gratë, fëmijët e vajzat e liderëve politikë ndonëse duhet të ishte mejdani politik tek konkurrenca e ideve dhe llogarisë për ekonominë larg krize, korrupsioni dhe siguria e jetës në mirëqenie demokratike bazuar në institucione dhe ligj. Kjo pasi politika 23-vjeçare jashtë ideali na bëri më shumë militante agresive me kundërshtarin politik, edhe mes femrave, në vend që të ishte më produktive në model aktiv për t’u shprehur mirënjohëse edhe ndaj atyre pak grave në Parlament nga vota që 4 vjet që na besoi votuesi shqiptar. Nuk është vonë ta ndryshojmë këtë rrjedhë të keqe jashtë ideali demokratik e femëror pasi 23 Qershori MUND të jetë DITA e KTHESËS për gjithçka që nuk duam ta kemi mes nesh, jetëve dhe kontributeve tona nën mundim, që jo rrallë këto 4 vite u dhunuan më shumë se ç’besuam 4 vite më parë. Le ta fillojmë me produktivitetin e votës tonë për Parlamentin 2013-të, si viti më kritik për shqiptarët e stopuar 3 herë në stacionin e radhës drejt anëtarësimit Europian të vendit. NE, GRATË, mundemi ta kthejmë VOTËN NË BAZAMENT TË KTHESËS që kërkon DEMOKRACIA në udhëkryq, nga vota e pasigurt. Kemi hyrë në këto orë të fundit të kësaj vote me një dimension të humbur, llogaridhënien, por kemi detyrimin të gjitha bashkë që miket dhe vajzat tona, kudo që janë, të marrim pjesë në votime pasi në se nuk ushtrojmë këtë të drejtë KUR dhe KU na kërkohet nuk do të kemi moral të kërkojmë të na zgjidhen moria e problemeve që shqiptaret përballin në çdo moment të jetës tonë. DUHET të jemi të gjitha atje, tek kutia e votimit, pasi në se humbim këtë shans do të na duhet të mbyllim gojë për ato dhunime në vazhdë a të tjerë që mund të lindin në Shqipërinë e papunësisë dhe varfërisë. Të mos lejojmë që rrjedhën e luftës kundër papunësisë dhe varfërisë t’ia besojmë votës burrërore tash sa vite deficitare me punësimin dhe pavarësinë tonë ekonomike.
NE mundemi të ushtrojmë të drejtën e votës për ato që punësimin tonë e shohin si mundësi për pushtet real për personalitetin tonë, për rolin tonë në familje e për më tepër për pavarësinë tonë ekonomike që na sillnin vendimmarrje kuruese dhe luftuese për dhunën në familje dhe nga vajzave dhe grave.
Ne mundemi ta nikoqirllisim votën larg atyre që tentojnë të na e blejnë apo trafikojnë për pushtetin e tyre që i lindur prej korrupsionit të votës do të na asfiksonte çdo mundësi që financat e këtij shteti të prodhonin çerdhe, kopshte e shkolla më të mira, spitale më në shërbim tonin, qendra rehabilitimi dhe edukimi për gra dhe fëmijë të dhunuar apo për fëmijë në paaftësi sikurse të braktisur, për qendra komunitare zhvillimi për fëmijë, të rinj e të të reja të papuna po aq sa për trajtimin dhe argëtimin e moshës së tretë… Kush më shumë se zemra e një gruaje mund të ndjejë varfërinë përballë të shtrenjtëve të tu, kush më shumë se mendja e një gruaje mund të mos gabojë se kujt duhet t’i shkojë vota e prosperitetit familjar.
NE do mendojmë shenjtërinë e sigurisë së fëmijëve tanë dhe familjeve tona kur t’i besojmë VOTËN politikës më nikoqire për këtë vend me ekonomi të prekur nga kriza e keqmenaxhimit të vetes po aq sa ajo globale. Ne mundemi për ta realizuar këtë pasi nuk ka demokraci pa ekonomi e mirëqenie të familjeve tona. Ne mundemi që atje në qendrat e votimit të luftojmë të ndërtojmë funksionalisht Shqipërinë, ku ligji është i pari dhe pas tij ne jemi vetëm zbatueset e saj. NE MUNDEMI që padrejtësitë që ende mban ky Kod Elektoral për ne, dhunimet e të drejtës së jetës, të drejtave të njeriut, pronës e sigurisë së fëmijëve tanë të mund t’i bashkëngjisim me MORALIN që kërkon respektimi i ligjit elektoral dhe mbrojtja e votës së gjithë se cilit. Kush më shumë se ne e zotëron moralin e lindjes dhe mbrojtjes së jetës? Ne jemi porta e lindjes dhe rrufepritësja më e sigurt në pasiguritë e jetës. Nën këtë moral besoj se Qendrat e Votimit me gratë protagoniste do të jenë Porta e Sigurisë së zbatimit të ligjit dhe të rezultateve të pa korruptuara që do të mundësonin jetësimin e Parlamentit të dalë nga vota e lirë e shqiptarëve.
NE mundemi dhe duhet që Parlamentit nga vota e lirë e me pjesëmarrje masive femërore të kërkonim Qeverinë që meriton një vend që paraprihet nga PUSHTETI i Gruas përmes votës dhe nga vota e saj, Qeverinë me prioritete të qarta për statusin e gruas në familje e shoqëri, pjesëmarrje në politikë dhe vendimmarrje të mëdha. E duke siguruar këtë qeverisje ne duhet totalisht të besojmë ky do të jetë TRENI Qeverisës më i sigurt drejt Europës, në moral, shpejtësi e mundësi për ideal të realizuar.
NE mundemi pasi zërin mediatik femëror dhe mbështetësit tanë të gjinisë tjetër do ta kemi ALEATIN Strategjik Mediatik 24 në 24 për pjesëmarrjen tonë model në votime, për ligjin dhe rregullin që do përfaqësojmë në Qendrat e Votimit, për mbrojtjen e votës nën vëzhgim vendor femëror, për numërimin e pakorruptuar, për rezultatet e gjithë pranuara, për Zonjën që drejton KQZ-në e që politika ja gjymtoi trupin e administrimit qendror të votës që i duhet t’i tregojë të gjithëve që DO MUNDET ta çojë deri në fund misionin ligjor institucional së bashku më stafin e saj. Aleati ynë mediatik do të na i kthejë në rritje kuotat femërore për parimin që jo rrallë e dhunojmë “ Demokracia në çdo institucion të saj fillon e sigurt dhe jetëgjatë tek e drejta e votës, e pakorruptuar në proces e numërim, e pranuar në rezultat nga të gjithë palët në proces”. E ne këtë mund ta mundësojmë me shpirt, zemër dhe mendjen tonë, por mbi të gjitha ME ZË pasi kemi aleatin mediatik.
NE mundemi t’i bëjmë të gjitha këto së bashku, ne mundemi të jemi promotorët dhe prodhueset e VOTËS që do të sigurojë demokracinë funksionale për shqiptarët në Parlament, Qeverisje e Shtet në shërbim të të gjithëve.
NE, gratë, MUNDEMI!