Çlirim HOXHA/A janë shqiptarët patriotë, apo patriotët janë shqiptarë?

705
Sigal

Kohët e fundit ka plasur një patriotizëm i paparë mes radhëve të shqiptarëve. Them i paparë pasi u desh 100- vjetori i Pavarësisë që shqiptarët të demonstronin një nga ndjenjat më njerëzore që ekziston sot mes popujve, dashurinë për atdheun dhe simbolet kombëtare. U desh 100 vjetori i pavarësisë që të shihnim kaq shumë flamuj kuq e zi të valëviteshin në ajër. U desh 100-vjetori i Pavarësisë që të shihnim në rrugët dhe Sheshin e Flamurit në Vlorë rreth 1 milion shqiptarë të bërë bashkë. Të gjithë ne shqiptarët e dimë se sa e vështirë është që ne të bëhemi bashkë. Jemi të prirur të përçahemi edhe për mustaqet e Çelos, por është e vështirë të na bashkosh. A nuk iu deshën përpjekje të mëdha Gjergj Kastriot Skënderbeut për të bashkuar princat shqiptar? Dhe pikërisht ai bashkim shqiptarësh me një ushtri që nuk i kalonte të 10 mijë luftëtarët, u bënë ballë dhe shpartalluan për gati 25 vjet ushtritë osmane të sulltanëve, dhjetëra herë më të shumta në numër dhe të armatosura me armët të moderne të kohës. E pra, pikërisht këtu qëndron sekreti i bashkimit të shqiptarëve, ndaj dhe sot janë të përçarë në pesë shtete në Ballkan, ose thënë lashtësisht, në Gadishullin e Iliriadës. Europa e konferencave mëkatare i përçau keq shqiptarët dhe i ka lënë të tillë edhe në këtë shekull të ri, duke u përpjekur, qoftë përmes rezolutave, qoftë përmes raporteve parlamentare, të sfumoi përmes kritikave çdo zë nacionalizmi që lind brenda Shqipërisë dhe që i fryn bashkimit kombëtar të shqiptarëve?! Është paradoksale të mendosh që një popull, siç jemi ne shqiptarët, që flasim një gjuhë, që kemi një gjak, që kemi një flamur kuq e zi dhe që i përkasim një kombi, të mos guxojmë të bashkohemi në një shtet të vetëm, sepse nxisim konflikte dhe urrejtje në Gadishullin Ilirik, sipas europianëve modern?! Domethënë, meqë Europa u tregua e pacipë në 13-tën, duke na copëtuar dhe na bërë fije-fije, ne s’paskemi të drejtë të kërkojmë ndreqjen e këtyre gabimeve, por të qëndrojmë të përçarë në pesë shtete, vetëm e vetëm se u prishet oreksi shteteve grabitqare, siç është Serbia dhe Greqia, apo Maqedonia?! Kjo nuk mund të pranohet dhe s’ka akademi demokratike në botë që ta marrë përsipër. Kushtet politiko-sociale janë pjekur plotësisht për bashkimin kombëtar të shqiptarëve në një shtet të vetëm, qoftë federativ. Këtë aspiratë të rilindësve tanë, këtë objeksion madhor të Ismail Qemal Vlorës nuk ka forcë sot që ta pengojë. Padrejtësitë e kohëve të mykura duhen korrigjuar dhe vënë në vend nga politikanët dhe udhëheqësit e rinj dhe modern të Europës. Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kam ç’të them. Ato e kanë treguar me vepra se nuk mund të pajtohen me padrejtësitë që u janë bërë shqiptarëve dhe mbeten kampion të lirisë dhe pavarësisë së popujve. Fatkeqësisht, padrejtësitë më të mëdha ndodhin në Europë, e cila edhe sot e kësaj dite tregohet skeptike në lidhje me të drejtat për vetëvendosje të popujve të përçarë për shkak të padrejtësive. Teoria që shumë politikan hedhin sot në lidhje me bashkimin kombëtar të shqiptarëve brenda suazës së Bashkimit Europian, është një masturbim përpara pasqyrës. Pra të kënaqesh me vetveten pa të parë njeri, por të thërrasësh me sa ke në kokë që je dakord me atë që do Europa, pra me bashkimin e shqiptarëve brenda vathës së saj dhe vetëm kaq?! Kjo është një tradhti e interesave kombëtare të shqiptarëve, pasi nuk mund të ketë ulje brekësh për shkak të qejfit të Europës së Bashkuar dhe fqinjëve grabitqar?! Prisni o shqiptar vitet ‘30 të këtij shekulli, a kush e di se kur, që Shqipëria jonë e dashur të bëhet anëtare me të drejta të plota në BE dhe pastaj zëre se ne shqiptarët jemi bashkuar?! Kuptohet, bashkimi i shqiptarëve nuk u vinë për shtat vendeve fqinje, sepse ato e dinë që shqiptarëve u kanë rrëmbyer copa të majme territoresh, malesh, fushash, liqenesh dhe lumenjsh, ku një pjesë të popullsisë e kanë përzënë me forcë, e kanë shkombëtarizuar me zjarr dhe hekur. Këto vende janë pajtuar me padrejtësitë e shekujve, pasi të tilla kanë qenë politikat e tyre shoviniste. Por, shqiptarët nuk mund të rinë duarkryq në shekullin e XXI, absolutisht jo. Guri i rëndë në vendin e vet dhe ky shekull duhet ta dëshmojë në praktikë bashkimin kombëtar të shqiptarëve territorialisht në gadishullin me emrin shqip Ball-Kan.

Le të kthehemi tek politika e ditës në Shqipëri, ku ka nisur një garë e ethshme patriotike mes politikanëve të këtij vendi. Dikush e ka përdorur patriotizmin për të ngritur dhe zgjuar ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve, siç është me të drejtë Aleanca Kuq e Zi. Dikush tjetër ka mbrojtur me pasion dhe maturi tërësinë territoriale të vendit nga shitja e detit, siç është Partia Socialiste dhe lideri i saj Edi Rama. Dikush tjetër u kujtua, si kofini pas të vjelit, për të bërë patriotin e madh, siç është Kryeministri i vendit dhe Kryetari i Partisë demokratike Sali Berisha. Po ndalem tek Berisha dhe nacionalizmi i tij, për të cilin jo pak është shkruar dhe folur këto ditë. Mendoj se Berisha mori në dorë stafetën e nacionalizmit për disa qëllime. E para, Berisha shfrytëzoi 4 dhjetorin, 100-vjetorin e Qeverisë së Ismail Qemalit për t’u rikthyer përsëri në Vlorë dhe për të pështjelluar skenën politike shqiptare, këtej dhe andej kufirit, por edhe Europën dhe fqinjët, pa dyshim. Duke parë qëndrimin e Edi Ramës për të mos lëshuar pe në lidhje me kushtin që kishte vendosur për miratimin e tre ligjeve në Parlament, Berisha tentoi t’i bënte presion Europës. Nga Vlora dhe pikërisht nga poltroni i Ismail Qemalit, Berisha u deklarua një nacionalist i tërbuar, ashtu si në shumë raste të tjera. Deklarimi për pajisjen e të gjithë shqiptarëve, jashtë trojeve të shtetit amë, me pasaporta shqiptare, ishte një presion që i bëhej Europës në rastin e dhënies apo jo të statusit të vendit kandidat. Kujdes ti Europa plakë, ma jep statusin e vendit kandidat se ndryshe jam gati të të lëshoj rrufe në qiell të hapur kundra teje. Do të dërgoj drejtë teje 3 milionë shqiptarë që të të prishin terezinë. Mendoj se, kjo ishte sentenca e deklaratës së Berishës për t’u dhënë shqiptarëve matanë kufirit pasaporta shqiptare, një sfidë e vërtetë për Europën që ende nuk po heq vizat për shqiptarët e Kosovës?! Padyshim, kjo deklaratë do të pritej mirë dhe me entuziazëm nga shqiptarët në Kosovë, deri atje sa në rrjetet sociale do të deklaronin se, Berisha është Kryeministri i gjithë shqiptarëve?! Kjo është njëra anë e medaljes. Ana tjetër e nacionalizmit të Berishës qëndron tek zgjedhjet e pritshme të 23 qershorit 2013. Pavarësisht  se Berisha deklaroi nga Vlora se do t’u jepte pasaporta shqiptare të gjithë shqiptarëve matanë kufirit të Shqipërisë zyrtare dhe pavarësisht se Berisha siguroi menjëherë klasën politike shqiptare se ligji, për të cilin bënte fjalë, do të hynte në fuqi pas zgjedhjeve të qershorit 2013, askush nuk mund të japë garanci për këtë. Ato maskarada elektorale që kanë përjetuar shqiptarët gjatë këtyre viteve, ku protagonist ka qenë në jo pak raste edhe Berisha, madje edhe në zgjedhjet e fundit lokale ku u ndryshua rezultati i zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës faqe botës, tregojnë se “diku fle lepuri”. Berisha ka në dorë zyrat e gjendjes civile. Kush do t’i verifikojë regjistrat e këtyre zyrave nëse janë shtuar apo jo votues të rinj përpara zgjedhjeve të 2013-s. Edhe nëse opozita do të ketë akses të futet dhe të kontrollojë regjistrat e gjendjes civile, ka plot marifete për të pajisur shtetas nga Kosova me pasaporta të shtetësisë shqiptare. A nuk u frynë listat zgjedhore në Tiranë, në Kukës e në vende e rajone të tjera gjatë zgjedhjeve vendore të 2011-s?! A nuk qarkulluan ato ditë fjalë për ardhjen e kontingjenteve të votuesve dhe lëvizjen e tyre nga një zonë në një zonë tjetër?! E si mund të besosh, kur zgjedhjet në Shqipëri vuajnë nga sëmundja patologjike e kontestimit?! Padyshim që kjo situatë është komiko-tragjike dhe duhet mbajtur në kontroll të rreptë nga ana e opozitës, por në vëmendjen e çdo shqiptari të ndershëm dhe patriot, pasi këtu fillon dhe mbaron patriotizmi, zgjedhje të lira e të ndershme.

E treta çështje për të cilën Berisha është në siklet gjatë kësaj kohë para zgjedhore, është fakti që, Berisha po shikon një lëvizje patriotike të një force politike të re, siç është Aleanca Kuq e Zi, e cila, për hir të së vërtetës, ka mbledhur rreth vetes shqiptar që e duan atdheun e tyre. Shqiptarë që nuk e durojnë padrejtësinë dhe cenimin e sovranitetit. Kjo armë, siç është patriotizmi i Kreshnik Spahiut, u ka ardhur shqiptarëve në dorë në një moment kritik krizash ekonomike dhe identiteti. Pikërisht, duke u prirë nga Flamuri Kuq e Zi Kreshnik Spahiu ka ditur deri tani të jetë i suksesshëm dhe të ndez në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni frymën nacionaliste pozitive tek shqiptarët, një frymë që kishte munguar, apo rinte fshehur në ndërgjegjen e shqiptarëve, të cilët të dëshpëruar nga jeta ishin treguar indiferentë ndaj saj. 28 nëntori në Vlorë tregoi se, shqiptarët janë patriotë dhe jo patriotët janë shqiptarë. Një tjetër forcë politike e madhe që është zhgënjyer disa herë nga manipulimi i zgjedhjeve në Shqipëri është PS dhe lideri i saj Edi Rama. Rama është një politikan i ri që e do vendin e tij, ashtu siç deshi dhe do Tiranën, të cilës i shërbeu për tre mandate. Rama është patriot dhe i moderuar, me baba nga Durrësi dhe nënë nga Vunoi i Vlorës, Rama nuk ka se si të jetë ndryshe. Kapja e luftës kundër korrupsionit të kësaj qeverie, kapja e situatës së biznesit të vogël dhe atij në përgjithësi, kapja e temave patriotike mbi rruajtjen e tërësisë tokësore dhe detare të Shqipërisë dhe qasja e të gjithë shqiptarëve në Bashkimin Europian, janë qëndrime të moderuara dhe një punë që shpie pashmangshmërisht tek ndryshimi i imazhit të shqiptarëve në Europë dhe Botë përmes standardeve dhe bërjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por edhe bashkimit kombëtar të shqiptarëve përmes kësaj fryme. Shqiptarët do të bashkohen një ditë dhe ky shekull është i shqiptarëve patriotë.