Lavdosh Ferruni: Sazani është vatani im!

22

E pabesueshme që ishulli i Sazanit, me polivalenca historike, kombëtare, natyrore me një të rënë të lapsit (qoftë edhe me 17 vendime) të kthehet në një tokë me administrim privat, e një të huaji, sado i pasur, sado i famshëm, të lidhur me ca të huaj të tjerë, apo edhe të ndonjë shqiptari me lakmi të madhe dhe me kompromise të mëdha politike, vetëm për pasanikët.

Sigal

 

Telegraf.al / Ndër lulet e para që populli i këndoi Pavarësisë dhe themeluesit të shtetit Shqiptar Ismail Qemali janë vargjet: Është e jona Shqipëria, Sazan e Karaburun, Janë vatanet e mia. Sot këndohet e kërcehet ( https://www.youtube.com/watch?v=cXqlPgHVSL4&ab_channel=AgimCanaj) në shumë krahina të Shqipërisë së Jugut e më gjërë.

E pabesueshme që ishulli i Sazanit, me polivalenca historike, kombëtare, natyrore me një të rënë të lapsit (qoftë edhe me 17 vendime) të kthehet në një tokë me administrim privat, e një të huaji, sado i pasur, sado i famshëm, të lidhur me ca të huaj të tjerë, apo edhe të ndonjë shqiptari me lakmi të madhe dhe me kompromise të mëdha politike, vetëm për pasanikët.

Nëse kjo lejohet të ndodhë Sazani nuk është më vatani im. Vatan është Atdhe. Unë nuk mund të shkel më aty, se prish qetësinë e pasanikëve. Duke u vendosur një tra apo një postë private aty që më ndalon mua, që nuk jam milioner të shkel aty, unë nuk e ndjej më atë si Atdheun tim.

Sazani është vatani i çdo shqiptari. Edhe çdo turist jo – milioner i Botës është i mirëpritur të vizitojë Sazanin. Të ardhurat e siguruara nga turizmi në Sazan duhet t’i mbeten bijve të këtij vatani.

Ka plot vende Shqipëria, edhe jashtë zonave të mbrojtura, ku mund të pushojnë dhe pasanikët, por jo tek “Njëshi”, tek i vetmi ishull, por dhe me vlera unikale i Shqipërisë.

Nëse pasanikët duan patjetër të ishullohen, ja ku e kanë Kroacinë, që ka 1244 ishuj. Miliarderët, që duan Sazanin mund të bëjnë ujdi me Qeverinë Kroate për ndonjë ishull, aty. Edhe Kroacia ka plot ishuj xhevair tipik Mesdhetar, ndoshta edhe më xhevair se Sazani ynë.

A ka mundësi të tjera për të gjeneruar të ardhura nga ishulli i Sazanit, përveç resorteve private për pasanikë? Sigurisht që ka mundësi shumë më të mira.

Një qytetare e angazhuar, Elona Bejo, sapo postoi një status shumë interesant në Facebook; “Po të isha unë shteti shqiptar, Sazanin do e shndërroja në shkollën më të madhe të eko-turizmit në botë”

Nuk po përmendet, por Sazani ka një Plan Menaxhimi të hartuar me ndihmën e një grupi të gjërë ekspertësh të huaj dhe të vendit, botuar në janar të vitit 2015, në kuadër të Agjensisë Kombëtare të Bregdetit, kur drejtor ishte Auron Tare.

Vetë Auron Tare në një intervistë të tij në këtë kohë thotë:

“Nuk ka vend për investime përveç qendrave turistike, të cilat janë pjesë e përgjegjësisë së Agjencisë Kombëtare të Bregdetit për të ngritur dhe mirëmbajtur.”

“Një nga zhvillimet më të spikatura turistike në Shqipëri gjatë sezonit veror 2015 ishte hapja e ish-ishullit ushtarak të Sazanit për turistët. Auroni thotë: “Ne hapëm për herë të parë ishullin e Sazanit më 25 korrik 2015. Sazani është i vetmi ishull që zotëron Shqipëria dhe është përdorur më parë si bazë ushtarake. Menduam se do të ishte me interes të madh hapja e dyerve të tij për turistët, në mënyrë që të shfaqim një “muze të gjallë të së kaluarës” – një koleksion i paprekur i pajisjeve ushtarake dhe artilerisë nga periudha e komunizmit. Gjithçka atje është e paprekur.” Sipas tij, Sazani është vizituar nga rreth 7000 turistë në një periudhë më pak se 1 muaj e gjysmë (25 korrik-31 gusht).
“Gjithashtu natyra e Sazanit është e mrekullueshme dhe e paprekur. Ishulli i Sazanit është një muze” – shton Auron Tare.

( https://invest-in-albania.org/interview-with-auron-tare-head-of-national-agency-of-coastline/ )

Vërtet sipas planit të menaxhimit të Sazanit evidentohet pasuria e madhe ekologjike e ishullit të Sazanit në aspektin e florës me 8.2% të florës vaskulare të Shqipërisë (përllogaritur në 3500 taksa vendase) në një sipërfaqe (5.7 km2) që është vetëm 0.02% e të gjithë vendit (28.748 km2).

Është e vërtetë që Sazani si territor ishullor nuk është zonë e mbrojtur, por është i rrethuar nga Parku Kombëtar Detar. Koncepti i Parkut Kombëtar ka gjithmonë në manualët e zonave të mbrojtura një zonë buferike, që shërben si zbutës i efekteve negative mbi Parkun. Kështu jemi në situatën që ishulli vetë është i gjithë një zonë buferike i të vetmit Park Kombëtar detar Karaburin.. Ky Park është një mrekulli e gjallë e natyrës Shqiptare. Ky park konsiderohet si shtëpia e 36 specieve detare me rëndësi ndërkombëtare mes tyre kemi dhe specie, të cilat i përkasin listave të llojeve të rrezikuara.
Ndërhyrja në vatanin e Sazanit, si kjo e resortit luksoz privat, nuk mund të bëhet pa fjalën e të zotit të vatanit, që është sovrani. Procedurat e Qeverisë janë thjesht të pa mjaftueshme.