(Dy fjalë për Prof. Dr. Arta Musaraj, si njeri, si grua, si akademike)
Kam ditë që nuk po arrij të shkruaj dy fjalë, sepse sapo nis më fillojnë lotët. Ti e di që unë besoj në pavdekësinë e shpirtit, ndaj dhe po të drejtohem sikur të kam përpara meje. Jam e mërzitur me ty, që nuk tregove kurrë që ishe e sëmurë dhe po luftoje me vdekjen në emër të jetës. Kur të takova rastësisht ti po ecje me vështirësi dhe the se kishe thyer këmbën dhe po e merrje veten. Por ti tani nuk më kthen dot përgjigje, sepse erdhe në atdhe si një ushtar i rënë në krye të detyrës, sepse me guximin dhe sakrificën që të karakterizonte, ti ishe një luftëtare e denjë e Mëmës Shqipëri. Dhe le ta nisim këtu me luftën qe bëre kur ishe Dekane e Fakultetit më të madh, atij të Ekonomisë e Drejtësisë, në Universitetin “Ismail Qemali”, kur këtij të fundit donin t’ia hiqnin emrin e themeluesit të shtetit. Por ti luftove, me kurajë, me ndërgjegje qytetare, si një intelektuale patriote e vërtetë, që vure interesin dhe krenarinë kombëtare para interesit personal, ashtu siç kishte bërë vetë Ismail Qemali që ti e theksoje se në historinë moderne shqiptare ai është shembulli i parë dhe i papërsëritur i sakrificës për kombin dhe shtetin. Pasojat ishin të rënda, sepse u pushove menjëherë nga institucioni ku kishe shërbyer për 13 vite me radhë, por mbajte mbi supe respektin e një qyteti dhe madje një kombi të tërë. Por patriotizmi yt nuk ndali me kaq. Ideja jote mbi patriotizmin është e një intelektualeje të mirëfilltë që lufton për përmirësimin ekonomik dhe shoqëror të vendit të tij. Dhe përmirësimi fillon nga shkollimi, nga edukimi, nga kultivimi i një mendimi të pavarur intelektual, qytetar e shkencor dhe me frymën sipërmarrëse. Universiteti Pavarësia, ku ju Prof. Dr. Arta Musaraj ishit një nga themelueset e tij dhe rektorja e parë e tij, madje rektorja e parë grua në Shqipëri, nga ju përjetoi ditë të arta, një hapje ndaj përvojave të reja dhe ndaj aftësive për të menduar jashtë kornizave. Konferencat shkencore të zhvilluara aty, profesorët e sjellë nga universitetet më prestigjoze europiane si ai i Bocconi-t, i Bologna-s, Erasmus, “La Sapienza”, i Sorbonës, etj, ishin ngjarje jo vetëm për atë universitet, por dhe për botën akademike të qytetit tonë, ku ne mediat të ndiqnim në çdo hap. Kam pasur mundësinë që të intervistoja Parlamentaren italiane të Këshillit të Europës, Valeria Ajovalasit, Presidente Kombëtare e Arcidonna-s, që ju e kishit sjellë me rastin e 8 marsit 2010 dhe ato diskutime që ju bënit atëherë, ato kundërshtime që i bënit ju asaj mbi feminizmin, abortin, gjinitë jashtë natyrales, të sjellin ndërmend diskutimet dhe tezat e Trump mbi familjen sot. Po ashtu dhe ardhja në Vlorë, leksionet që dha gazetari i mirënjohur Italian dhe drejtor i ANSA-s Diego Minuti. Unë kam qenë njëkohësisht si gazetare , por shpesh dhe si përkthyese në këto takime, për të cilat si për ju, por dhe për mua ky gazetar bëri disa shkrime. Por isha e nderuar që unë të isha moderatorja e aktivitetit të organizuar për nderin tuaj për marrjen e “Çmimit ndërkombëtar Sokrates”, ku thuhej se “Me vendim të Komitetit Sokrates, në përputhje me Paragrafin 1 e 2 të Rregullores së Akademisë, emri i Arta Musaraj është regjistruar në Regjistrin Botëror të shkencëtarëve të shquar të shekullit 21, duke e vlerësuar me Medaljen e Mirënjohjes – Për Kontribute në Botën e Shkencës, si kavaliere e Urdhrit Sokrates.” Me këtë rast ju u nderuat edhe nga bashkia e Vlorës me titullin “Mirënjohje e qytetit të Vlorës”.
Ti Arta e artë, gëzimet i ke ndarë me të tjerët, por dhimbjet jo. I mbaje për vete. Më kujtohet dita kur erdha në shtëpinë tënde, për të bërë intervistën “Prof. Arta Musaraj, e vetmja pjesëmarrëse nga Ballkani në Samitin e Romës për Shoqërinë Likuide”, e cila u botua nga gazeta Illyria në New York, madje dhe këtu në Shqipëri, por këtu, gabimisht redaksia i vuri emrin e dërguesit, jo timin. Më mbeti mendja tek ajo që pashë. Ju mbanit krahas vajzës suaj prej vitesh dhe vajzën e dajës, që kishte mbetur jetime dhe kujdeseshit për mbarërritjen dhe shkollimin cilësor të saj. Të gjithë të njihnin për kurajën, forcën e mendimit akademik, ndershmërinë intelektuale, por jo për humanizmin. Kam diskutuar gjatë me ty për këtë gjë dhe më ka ngeluar në mendje ideja jote për të shtuar vlerat njerëzore në arsim, me qëllim kultivimin e empatisë, respektit dhe të virtyteve të tjera njerëzore që ndihmojnë në mirëqenien personale dhe shoqërore. Atë ditë shihja mbi tryezën tënde librat e Zygmunt Bauman-it mbi globalizimin, modernitetin dhe postmodernizmin, konsumizmin dhe moralin. Po përgatiteshe për Samitin Ndërkombëtar te Komunikimit që do të mbahej në Romë, si e vetmja pjesëmarrëse nga Ballkani, ku do të merrte pjesë dhe Zygmunt Bauman një nga mendimtarët më me ndikim të kohës sonë. Isha e nderuar edhe pse po të intervistoja, herë pas herë të kërkoja që të më sqaroje se çfarë ishte shoqëria liquide (fluide e lëngshme) dhe ti më jepje leksione se fjala liquide është metaforë e përdorur nga Bauman për konceptin sociologjik mbi natyrën ndryshuese, të paqëndrueshme, të marrëdhënieve sociale, ekonomike dhe kulturore në një botë të globalizuar, ku ndryshe nga shoqëritë “e ngurta” të së kaluarës, që ishin me institucione të qëndrueshme dhe vlera të qëndrueshme, shoqëria likuide karakterizohet nga paqëndrueshmëria. Ti shkëlqeve në pjesëmarrjen tënde, jam dëshmitare e komunikimit tënd me profesor Bauman, ku të përktheja herë pas here pjesë nga sugjerimet, madje dhe dashurinë që ai kishte për Antonio Gramshin, ku e sqaroje për prejardhjen e tij arbëreshe, mandej u zotove se për librin e tij “Moderniteti dhe Holokausti” do të bëje konferencë shkencore, ku do të ftoje dhe senatoren e përjetëshme italiane Liliana Segre, për të folur mbi holokaustin, për Vlorën si qytet ku kanë jetuar prej shekujsh hebrenjtë. Edhe pse po punoje me mish e me shpirt, nuk qe e thënë që të vazhdoje më gjatë në Universitetin “Pavarësia”, sepse nuk përputheshin pritshmëritë e tua me pronarët e tij, mendësia juaj nuk pranonte ndikime të çfarëdolloj natyre. Risia jote ishte krijimi dhe drejtimi i Revistës Shkencore Ndërkombëtare Academicus si e vetmja revistë shkencore në fushat social-ekonomike dhe ligjore në gjuhën angleze në Shqipëri, pjesë e librarisë elektronike më të madhe në botë “Academic Search Complete” e Ebsco Publishing. Botimi i kësaj reviste, bëri që Instituti i Politikave Botërore në Washington DC., të të ftonte në një referim Lectio Magistralis, mbi komunikimin ndërkulturor dhe ndërfetar në Ballkan, gjë që ndodhte me të vetmen grua të botës shqiptare. Por këtë gjë u ftove nga Presidenti Bujar Nishani, ku në fokus të takimit ishin arritjet akademike dhe shkencore e Academicus ISJ dhe rëndësinë që kjo revistë ka në promovimin e vlerave shkencore, kërkimore shkencore në fushën e shkencave sociale dhe politike, juridike, ekonomike dhe të komunikimit.
Për 10 vjet ti drejtove një modul, atë të komunikimit dhe drejtimit organizativ në Universitetin La Sapienza të Romës në doktoraturë dhe po ashtu drejtove një modul masteri në Universitetin e Salamandës në Spanjë, për të mos harruar dhe Lectio Magistralis në 12 universitete europiane.
Ne që të kemi njohur Prof. Dr. Arta Musaraj, jemi krenarë për ty. Jemi krenarë që Vlora ka në krye të shkencës botërore bijat e saj si Laura Mersini, Mira Murati, Eneda Toska, si dhe ju, që po përgatiteshit për një botim të ri shkencor mbi Tranzicionin, Modernitetin dhe Shqipërinë. Por sot Vlora ka një shkencëtare më pak, një dhimbje më shumë. Ty tu dhimbs Bauman kur ndërroi jetë në janar 2017 dhe ishte 91 vjeç, derdhe lotë. Ndërsa ti je vetëm 50, në fund të gushtit është ditëlindja jote e 51. Kush të ka njohur nuk do ta harrojë kurrë buzëqeshjen, që nuk e kishe mbi buzë, por te sytë, që ndrisnin me një dritë të brendëshme, të vazhdueshme saqë të bëje të mendoje nëse drita buronte prej teje, apo ti buroje prej dritës. Nuk kam fjalë ngushëllimi për bashkëshortin tuaj fisnik Ing. Rinald Bezhani, shokun tim të universitetit, për vajzën tuaj të vetme Antea Bezhani. Ju për të gjithë ishit një vajzë, grua, nënë model edhe pse nën një petk serioz akademikeje dhe ish zv/Ministre Mbrojtjeje, por për familjen tuaj ishit gjithçka, ndaj dhe ata shkrinë gjithçka për shërimin tënd. Por disa gjëra ne, njerëzit nuk i kemi në dorë. Ajo që kemi në dorë është dashuria dhe kujtesa. Lamtumirë Arta e artë! Pastë dritë shpirti yt!









