Burgu i Spaçit rikonstruktohet me manualin AZHBR!

Ndërhyrjet restauruese në funksion të një filmi artistik në godinat gjysmë të rrënuara të ish-burgut të Spaçit kanë sjellë zemërim dhe kundërshti , ku apelohet që historia të mos fshihet, duke dëmtuar rëndë paraqitjen autentike të objektit

Në ish-Burgun e Spaçit po kryhen ndërtime për xhirimin e një filmi artistik. Pamjet tregojnë se ndërhyrjet janë të pakontrolluara dhe po dëmtojnë rëndë paraqitjen autentike të objektit, duke fshirë gjurmët e së kaluarës dhe duke zhdukur memorien historike që ai mbart Suvatimi i godinave të burgut të Spaçit, që nga rrënoja që dëshmonin jetën e vështirë të ish të burgosurve, tashmë kanë marrë pamjen e godinave të reja të lyera me gëlqere të bardhë- ka ngjallur reagime të ashpra e pakënaqësi të mëdha. Burgu ku vuajtën dënimet politike apo humbën jetën,  disa prej emrave më të njohur  të intelektualëve të vendit gjatë diktaturës komuniste në vend,  ka humbur gjurmët origjinale  në disa prej godinave  të kampit famëkeq.Spaçi nuk është skenë filmi për të sajuar imazhe estetike; ai është vend dëshmie, vend dhimbjeje dhe vend kujtese.

01

Burgu i Spaçit nuk është Agroturizëm

Burgu i Spaçit në Mirditë, simbol i qëndresës, dhimbjes e sakrificës si dhe dëshmi e faturës së paguar nga shqiptarët në emër të lirisë po restaurohet si të ishte Agroturizëm dhe jo si një godinë që do duhej të dëshmonte një prej faqeve më të trishta të historisë shqiptare.

Sigal

Revolta e Spaçit e datave 21 Maj deri në 23 Maj 1973 përbën një pikë kulmore në historinë e qëndresës antikomuniste, por edhe të lëvizjes për liri e demokraci, pasi për herë të parë u ngrit flamuri shqiptar pa yllin komunist.

Kjo revoltë u pasua me një hakmarrje të paprecedentë ku 80 të burgosur morën ridënime, ndërsa 4 prej tyre u ekzekutuan, Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Peka dhe Hajro Pashai

Fotot tregojnë se ndërhyrjet janë të pakontrolluara dhe po dëmtojnë rëndë paraqitjen autentike të objektit, duke fshirë gjurmët e së shkuarës dhe duke zhdukur memorien historike.

Qëndresa Qytetare apelon që këto punime që po kryhen për realizimin e një filmi duhet të ndalen menjëherë.Qëndresa Qytetare kërkon që ndërhyrja në këtë godinë duhet të bazohet në një studim serioz, pjesë e të cilit duhet të jenë historianë, ish të burgosur, ish punonjës dhe përfaqësues të familjeve të ish të përndjekurve.

02
Mos e zbukuroni Ferrin

Nga Visar Zhiti

Ka vende në botë që historia i ka vulosur si paralajmërime të përjetshme. Aushvici është një prej tyre. Spaçi, në Shqipëri, duhet të jetë një tjetër.

Spaçi nuk ishte thjesht një burg! Ishte një ferr i ndërtuar nga shteti, për të shkatërruar trupin dhe shpirtin e atyre që guxonin të mendonin, të flisnin apo të ëndërronin lirinë. Mijëra shqiptarë; intelektualë, studentë, punëtorë, besimtarë, poetë u burgosën, u torturuan dhe u lanë të kalben në errësirën e minierave të tij të nëndheshme, pas telave me gjemba dhe mureve të ftohta prej guri.

Unë isha njëri prej tyre.

E kam jetuar atë errësirë. Kam parë çmendurinë e rojeve, urinë, punën e detyruar në kushte vdekjeprurëse, dimrat e acartë në baraka me dritare të thyer dhe dyshekë kashte të grumbulluar tre radhë. Dushët rridhnin akull. Ushqimi mezi hahej. Ilaçet mungonin, infermieria ishte një farsë ku policët pinin alkoolin. Takimet me familjen ndodhnin në një kthinë të ngushtë të ndarë me hekura.

Megjithatë, Spaçi ishte edhe vendi i një prej kryengritjeve më heroike në botën komuniste: rebelimi i të burgosurve politikë që ngritën flamurin kombëtar pa yllin e kuq, duke sfiduar diktaturën staliniste të Enver Hoxhës. Disa u pushkatuan. Të tjerë u ridënuan dhe u kthyen në miniera në errësirë më të thellë.

Sot, dekada më vonë, flitet për kthimin e Spaçit në muze. Është e drejtë. Por ajo që nuk është e drejtë — ajo që është e rrezikshme — është ta “zbukurosh” atë, ta restaurosh në një mënyrë që zbut tmerrin, që i heq autenticitetin.

Lëreni Spaçin ashtu siç ishte. Lëreni të mbetet një plagë.

Lëreni të dëshmojë për botën se çfarë ndodh kur ideologjia zëvendëson njerëzoren, kur shteti bëhet xhelati i qytetarëve të vet. Lëreni të jetë Aushvici i Shqipërisë jo i lyer, jo i rizbuluar, jo i pastruar politikisht. Vetëm e vërteta.

Kohët e fundit, një projekt filmi me titullin “Kryengritje në Ferr” është vënë në lëvizje një skenar që e kam shkruar vetë, bazuar në ngjarjet reale dhe dhimbjen e jetuar të atyre viteve. Regjisori, Namik Ajazi, është gjithashtu një ish-i burgosur politik. Ne nuk flasim për trillime. Ne jemi dëshmitarë.

I kemi kërkuar shtetit shqiptar cilado qeveri që të jetë në pushtet të mbështesë këtë projekt. Nuk është thjesht art; është dëshmi historike. Një komb demokratik ka për detyrë të nderojë viktimat e së kaluarës, jo të riciklojë persekutorët e tyre, apo të lyejë burgjet e tyre.

Ne kërkojmë: Mos e shtrembëroni këtë kujtesë. Mos i tradhtoni të vdekurit. Mos zbukuroni ferrin.

Shteti shqiptar është ndërtuar, pjesërisht, nga puna e detyruar e të burgosurve politikë. Ata ndërtuan rrugë, thanë kënetat, hapën kanale, ngritën stadiume, dhe madje hodhën themelet për aeroportin kryesor të vendit; të gjitha pa pagesë, të gjitha nën pranga.

Kjo e vërtetë nuk duhet mbuluar me bojë dhe postera. Duhet treguar me gur, me ndryshk, me heshtjen e mureve të ftohta.

Kjo nuk është thjesht një histori shqiptare është një histori europiane, një histori njerëzore. Ua kemi borxh atyre që vuajtën dhe atyre që do të vijnë pas nesh. Të kujtosh është të rezistosh.

 

03

Urdhërat nga lart bllokojnë dosjen me fondet e IPARD, ja 33 mln euro te abuzime të Frida Krifcës të faktuara nga OLAF

Shqipëria duket se është kthyer në një skenë filimi , ku të paraqiten të gjitha,  që te milionat që”fluturojnë” , skamjet te qytetarët apo deri skenat e korrupsionit, ku nga njëra anë kemi “klubin ekskluziv” të rikonstruktohet agroturizmeve dhe nga tjetër kemi skenën e fermerëve që derdhin prodhimet në rrugë, pasi paratë e tyre ‘fluturuan’ falë ish-Ministres Frida Krifca të duart e oligarkëve. E megjithatë metaforikisht ashtu si dhe në realitet i vetmi personazh që mbetet pa u cenuar është Krifca, e cila u katapultua si këshilltare në kryeministri.  “Dosjen e Krifcës mban Altin Dumani me urdhër të Edi Ramës tha një deklaratë Berisha. Është dorëzuar në SPAK nga ish-ambasadorja e BE-së para largimit të saj, por një dorë e zezë e ka bllokuar dhe ajo nuk lëviz,” deklaroi ai, duke shtuar se kjo ka privuar fermerët shqiptarë nga përfitimi i 130 milionë

Kurse autorja kryesore, pas Ramës, e atyre vjedhje të fondeve të IPARD-it, është këshilltare në kryeministri. Po përgatit një libër, një tekst për akademinë e barinjve. Po, po, se tani ka aktivitet akademik ajo Krifca.

Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) zbuloi se mbi 33 milionë euro të fondeve të BE-së janë përdorur në mënyrë të paligjshme ose të korruptuar.1. Oferta të falsifikuara,2. Rritje të qëllimshme të kostove,3.  Kërkesa për pagesa të fshehta ndaj “zyrave konsulente”,4. Përfitues të lidhur politikisht. Nuk është faji i BE-së kur ndodhin abuzime – është detyrë e autoriteteve shqiptare të përdorin fondet me përgjegjësi dhe të japin llogari për çdo cent.