Kristo Mërtiri: Politikë me kazanë, mullixhinj e kallpazanë

610
Sigal

 

Gazeta Telegraf/ Kur hyn vjeshta
e dytë në Përmetin tonë me borzilokë e trëndafilambuluar, buzëmbrëmjet marrin
një nur të veçantë bukurie, të qetë e pa bujë. Dhëmbeli hijerëndë e Vjosa valështruar,
të duken sikur mbajnë vesh dhe përcjellin, jo pa kënaqësi, vozat e kadet me
rrush të shtypur, të pjekur e bërë musht, që rrokullisen e derdhen në kazanët e
bekuar të rakisë së famshme. Tregojnë se ajo fjala e urtë “Gushti me rrushin,
vjeshta me mushtin”, e ka vendlindjen te ky qytet i dashur për shqiptarët
brenda e jashtë Shqipërisë. (Ndërsa mua sikur më sjellin pranë ca çaste malli e
dhimbjeje nga parajsa e humbur e fëmijërisë te Kroi i Madh poshtë lofatave nën
vithima e në gjunjë të Golikut, atje ku ngryseshim e gdhiheshim pranë prindërve
që do nxirrnin pijen e vitit, pranë zjarrit ku me bashkëmoshatarët këndonim
labçe me gjongul e piqnim misra pa fund…). Mirëpo, duke folur mbrëmë me Peço
Sevon e Muharrem Kamanin (dy nga miqtë e mi të vjetër) më bëhej se dëgjoja edhe
një kaba me klarinetë të usta Laverit të pavdekshëm. Nga ai mjeshtër i papërsëritshëm,
unë dëgjova për herë të parë një emër të ri: “Nënë”. Kështu i thërriste rakisë së
zier dy herë!… Por Polit(h)ika me kazanë në kryeqytet, është shumë larg jetës
së njerëzve të thjeshtë e të ndershëm në qendër a në periferi. Gati tërë liderët
partiakë majtas e djathtas; analistë të ftuar e të paftuar në median e varur
dhe të “pavarur”; sipërmarrës privatë a shtetërorë; ekologjistë llogoresh etj.,
prezantohen si të pabërë esëll. Thonë e ç’nuk thonë për importin e mbetjeve nga
Evropa. Akuza e kundërakuza trishtuese, që bëhen tërkuzë kazanësh në fushën e
betejës politike. Dhe faji bëhet qyrk që nuk e vesh askush. I ziu popull
shushatet e tulatet nga gjëmimet televizive dhe shpreson te frytet e protestave
qytetare. Veçse të tillë kazanë politikë nuk kanë asgjë të përbashkët me kazanët
e kallajisur e të mbyllur ku zihet rrushi, kumbulla, thana, dëllinja etj. dhe
ku trokëllijnë gotat a filxhanët e urohet me zemër për mot më shumë shëndet e
bereqet. Shpesh na duket se ata kazanë politikë ziejnë më tepër në boshllëk e
maskarallëk, përtej interesit të vërtetë publik. Sepse në këtë Tranzicion të
hardallosur, Polit(h)ika ka shitur xhaba e me bollëk leksione demokracie e trimërie
“parlamentare” me disa “kobure” në brez, me sharje e betime bajate ndaj
njeri-tjetrit. Madje nganjëherë ngjajnë edhe me kazanë distilimi ku prodhohet
vetëm avull uji. Gjë që mund t’u dalë edhe huq nga temperatura e lartë në
foltoren e tempullit të Demokracisë, sidomos ditën e enjte. Disa hazërxhevapë
nga maxhoranca e opozita, përpunojnë e hedhin teza thjesht për të mashtruar e
trilluar dëgjuesit, lexuesit e shikuesit që i quajnë “dele shtrunge” në stanet
e tyre partiake. Pra, vazhdojnë të luajnë ende “kaladibrançe”!…

Fytyrëkallajisurve
të tillë u del shpejt kallaji

Në fund të
fundit, ata ziejnë në një kazan dhe rrallë e për mall mund të dallojnë nga njëri-jatri.
Në të vërtetë, loja kaladibrançe maxhorancë – opozitë nuk u mbyll me votimet përvëluese
në Peshkopi. Majtas e djathtas po luajnë “kaladibrançe” me plehrat në Tiranë,
pa përjashtuar këtu ndonjë “lojtar të lirë” nga shoqëria civile. Harrojnë që
fytyrëkallajisurve të tillë u del shpejt kallaji. Dhe pastaj mund të luajë
hidhur a egërsisht vetë qeni i kallajxhiut! Kurse fjala ‘tradhti’ po shpërdorohet
pa hesap e si me vrap rreth patriotizmit kallp, kësaj strehe të fundit të
horrave politikë e mediatikë. Për shembull, e patë të shtunën varavingon e kësaj
tollumbaceje të plasur nga Tirana në Lezhë dhe anasjelltas? Hidh e prit, si batuta
karagjozësh që nuk gudulisin njeri.

– Aman, të kemi rixha, o miku ynë në metropol!
Shumica flasin si në mulli. Njëri i bie gozhdës e tjetri i bie potkoit. Deputetët
policë e biznesmenë dhe qeveritarët mujsharë bëjnë be e rrufe për drejtësinë e
atij Ligji me yçkla shumë. Apo u bë leku gur mulliri, siç po ndodh me fukarenjtë
e këputur?! Ne mendojmë se hall më vete është kur mjaft “oratorë” mikrofonash e
ekranesh, fejsbuqesh e ulluqesh, bluajnë si mulliri pa kokrra e plot dokrra.
Shkurt, pa ujë! Dhe nuk qajmë dot. Prandaj ia morëm asaj këngës së vjetër me
shpoti: “Aman mullixhi, derman mullixhi/Pse s’e bluan grurin, si për revani…”.
Po kush të dëgjon në këtë Shqipërizën tonë! Deshëm të të largojmë sadopak
stresin e dëshpërimin e pamerituar. Ja, një rrëfenjë e vockël: “Njëri, kur pa
një mulli me erë, u çudit ngaqë s’kish parë ndonjëherë dhe pyeti se çfarë
ishte.

-Mulli me erë,-iu përgjigjën.

-More, që është mulli me erë e mora vesh, po nga i
vjen uji?”…

Dhe lihen në
ballë të oxhakut, kallpazanët në krye të partive e qeverive që vijnë e shkojnë
pa u hyrë gjemb në këmbë nëpër Shqipërizën tonë halleshumë e për lumë. Vijnë të
varfër e largohen pasanikë nga kolltuqet e pushtpushtetit! Dhe Drejtësia hesht,
rri e vështron si skuth në folenë fitimprurëse mbi kurrizin e shtetit ligjor që
ëndërrojmë plot çerek shekulli rrumpallë. Mbi kurrizin e hallexhinjve të mjerë
në fshatra e qytete. Se batakçinjtë politikë të kësaj klase politike të
korruptuar gjer në grykë dhe që duhet shporrur pa mëdyshje e dilema nga vota
popullore, tani po luajnë me helmatisjen mizore të tokës, ujit e ushqimit.
Majtas e djathtas. “Ku të qesh e ku të qaj?/ Majtas dreqër, djathtas djaj!…”,
shpërthen shpirti i poetit luftëtar e atdhetar i madh. Po kush dëgjon nga ai
vesh?! Bashkë me sytë, janë përmbytur nga eurot, dollarët e lekët shqiptare që
kundërmojnë erë hashashi e plehrash gjirizi nëpër majat e gërxhet nepotike të
Administratës Shtetërore. Unë vetë jam skeptik edhe përballë daulleve të Reformës
në Drejtësi. Kam shprehur mendimet dhe argumentet e mia açik në media, por
askush nuk më përgjigjet drejtpërdrejt e hapur. Përjashto ca minj anonimë që
qelbin faqet e internetit… Por mua më trishtojnë e irritojnë realisht “Partitë
Tregtare të Rilindjes dhe një treg i ri: Tregu i Ligjeve”. Këto i njohin mirë
me rrënjë e degë disa firma riciklimi që ustallëkun dhe pazarin e kalojnë me
kallaj mbi gunë, me kazanët mbi e nën udhë. Por le ta mbyllim me dy pyetje të
thjeshta:

Së pari, ku janë fshehur ekspertët e vërtetë me
spaleta e grada të rënda shkencore dhe vetë akademikët që vegjetojnë mbi paratë
e taksapaguesve të varfër shqiptarë? Taksapagues që kanë hequr diçka nga buka e
gojës për rrogat dhe pensionet e veçanta shtetërore të tyre. Le të dalin në
sheshmejdanin e televizioneve a të protestave qytetare dhe t’u thonë për pak çaste
liderëve kalanderë në maxhorancë e opozitë : Hapni krahun, kur flasin ekspertët
e depolitizuar, duhet të heshtë Polit(h)ika ! Boll e çakërdisët miletin në
Parlament, tani hapni veshët e dyllosur nga paratë e pista dhe mbani shënim e
reflektoni…

Së dyti, unë i besoj shumë Publikut të vendit tim.
Mirëpo, kush e futi atë Ligj brenda tempullit që nga sovrani po pagëzohet dëshpërimisht
“Shkërdhatokraci”? Kush i tha “rrugë të mbarë!”, interesi publik apo ai
privat?! Shkurt e shkoqur: Kush i trembet referendumit popullor, firmat e
riciklimit që kanë derdhur trastat e korruptimit apo maxhoranca arrogante e
opozita hipokrite?… Pa folur ekspertët e shkencëtarët patriotë të vërtetë dhe
pa Referendum, politika shqiptare e molepsur kokë e këmbë do vazhdojë të bëjë
hajgare me kazanë, mullixhinj e kallpazanë të pacipë!