Klodi Stralla: Universiteti “vdiq”!

28
Sigal

Po kaloja tani para godinës të Universitetit të Tiranës dhe më bëri shumë përshtypje një Kryq i madh i vendosur në ballë të fasadës të tij dhe kjo më ngacmoi ta ndaj edhe me ju, këtu në fb-uk, si një shqetësim për një veprim të paligjshëm dhe me mentalitet fshataresk, jo vetëm i atyre që e kanë vënë, por sidomos i atyre që nuk kanë kurajon ta heqin: – profesor-doktorët tanë. Së pari ligjërisht askush, përveç autoriteteve që drejtojnë Universitetin, nuk ka të drejtën të përdorë fasadën e tij për qëllime politike apo fetare, aq më shumë Bashkia e Tiranës për të bërë politikë. Para disa muajsh kjo ndodhi me vendosjen në fasadën e saj të portretit gjigand të sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken. Sot është përsëritur e njëjta gjë, duke vendosur përpara godinës një kryq masiv, i motivuar si për Ditën e Pashkëve katolike. Së dyti Universiteti laik i Tiranës është një institucion dijesh, me autonomi të gjërë administrative dhe moralisht nuk i lejohet të bëjë as politikë dhe as propagandë fetare, sado i mirë të jetë qëllimi i atyre që e ndërmorën një veprim të tillë. Edhe një element i tretë: – Duke e soditur m’u krijua përshtypja (asociacioni) se autorët e saj, në nënvetëdijen e tyre, sikur kanë dashur simbolikisht të sinjalizojnë faktin – Universiteti vdiq! Kështu do të thoshte edhe Niçe nëse do ta shihte një pamje të tillë.