575 zyrtarë dhe politikanë nën hetim, mbi 1400 telefona drejtorësh e funksionarësh në përgjim

22
Sigal

SPAK alarmon pushtetarët, nëpërmjet përgjimeve me metoda vëzhgimi, kontrolli, simuliie, sekuestro, letërporosi, agjentë të infiltruar etj. për ato zyrtarë, të cilët janë në pushtet dhe bëjnë kërdinë në vjedhje, korrupsion, llogari bankare, pasuri të patundshme, e jetë luksi. Ja bilanci për 2023: Mbi 3335 persona të përgjuar në 1 vit, 1899 persona për grupet e strukturuara kriminale, 1436 janë përgjuar për korrupsion. 708 procedime, me 575 persona nën hetim për 2023 për korrupsionin, krimin e organizuar dhe për terrorizmin

Në lupën e SPAK në rastin e përgjimeve është rritur aplikimi i metodave si: vëzhgime, kontrolle, simulime, sekuestro i provave materiale, letërporosi, agjentë të infiltruar etj. për ato  zyrtarë, të cilët sa janë në fuqinë e pushtetit, bëjnë kërdinë në vjedhje me korrupsion, duke vënë e shtuar llogari bankare, pasuri të patundshme e biznese e bëjnë jetë luksi.

 INFO

3335 persona të përgjuar në një vit

1899 janë përgjuar për grupit të strukturuar criminal.

1436 persona janë përgjuar për korrupsion.

 

Më shumë procedime penale
Konkretisht në 2023 janë regjistruar 16 % më shumë se 2022: 

708 procedime, me 575 persona nën hetim për 2023

201 procedime penale për korrupsionin
85 procedime për krimin e organizuar
13 procedime për terrorizmin.

Dosjet në Prokurorinë e Posaçme duket se janë bërë “mal”. Altin Dumani në takimin që pati me zyrtarin e DASH ditë më parë i tregoi se si janë vendosur dosjet në tavolina e në korridore, teksa janë mësuar të dhënat e sakta mbi numrin e atyre dosjeve.

Dumani prezantoi në KLP punë e viti që lamë pas, teksa u sigurua raporti vjetor me të dhënat përkatëse.

Sipas raportit, për vitin 2023, Prokuroria e Posaçme ka hetuar në total 750 procedime penale (mbartur + regjistruar), nga të cilat 451 procedime penale janë mbartur nga viti 2022, ndërsa 299 procedime të reja janë regjistruar në vitin 2023.

Nga numri total i procedimeve penale prej 750, për 42 procedime është vendosur bashkimi i tyre me procedime të tjera. Pas bashkimit të procedimeve penale, numri total i çështjeve të hetuara nga Prokuroria e Posaçme për këtë vit është 708 procedime, me 575 persona nën hetim, për veprat penale në fushën e korrupsionit, në fushën e krimit të organizuar dhe vepra të tjera penale në kompetencë të saj, siç janë veprat me qëllime terroriste, veprat penale të korrupsionit zgjedhor, etj”, -thekson SPAK.

Duhet theksuar se gjatë vitit 2023, Prokuroria e Posaçme ka hetuar gjithsej 447 çështje me 212 persona nën hetim për veprat penale në fushën e korrupsionit.

Por ky raport duket se vë në alarm politikën. SPAK ka rritur hetimet kryesisht dhe po ashtu numrin e përgjimeve.

Prokuroria e Posaçme, në kuadër të përmbushjes së misionit të saj themelor, siç është lufta kundër korrupsionit dhe krimit te organizuar, përveç vijimit të hetimeve të referuara nga burime të ndryshme si publiku, shoqëria civile, e organe të tjera ligjzbatuese, i ka kushtuar një rëndësi të veçantë regjistrimit të procedimeve kryesisht. Më konkretisht, gjatë vitit 2023, Prokuroria e Posaçme ka regjistruar si çështje kryesisht 67 procedime penale me 23 persona në hetim, çfarë përbën një tregues pozitiv në rritje të numrit të kësaj kategorie hetimesh, më shumë se dyfishi krahasuar me vitin 2022, ku ishin regjistruar 28 procedime penale me 34 persona në hetim”, thekson SPAK.

Më tej bëhet me dije se ka pasur një rritje të aplikimit të metodave të hetimit proaktiv, në rastin e përgjimeve telefonike, por është rritur gjithashtu edhe aplikimi i metodave të posaçme të hetimit si: vëzhgime, kontrolle, simulime, sekuestro i provave materiale, letërporosi, agjentë të infiltruar etj.

Gjatë vitit 2023, Prokuroria e Posaçme ka përdorur metodën e përgjimit për 186 procedime penale ku janë interceptuar 3335 pajisje fundore (pajisja/numri telefonik i subjektit në përgjim), ku vërehet rritje krahasuar me vitin 2022. Në vitin 2023, pjesën më të madhe të procedimeve penale ku është kërkuar përgjimi, e kryesojnë çështjet e hetuara për veprën penale të korrupsionit me 109 procedime penale ku janë interceptuar 1436 pajisje fundore, nga 69 procedime penale dhe interceptuar 1023 pajisje fundore, të aplikuara ne vitin 2022”, thuhet në raport.

Kreu i SPAK: Nuk bashkëpunojmë dot me policinë për krimin e organizuar, ka efektivë të përfshirë në nivele të larta

Altin Dumani tha të enjten gjatë raportimit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit nuk bashkëpunon dot me Policinë e Shtetit për krimin e organizuar. Ai dha një deklaratë të fortë kur tha se mungesa e bashkëpunimit vjen për shkak se rezultojnë policë të përfshirë në nivele të larta. “Në raste të caktuara, sidomos ato të krimit të organizuar, nuk bashkëpunojmë dot me policinë, sepse na rezulton se ka policë të përfshirë dhe është në nivele te larta”, tha Dumani. Ndër të tjera kreu i SPAK kërkoi ndryshim të kompetencës lëndore lidhur me korrupsionin. Kur flasim për kufirin monetar prej 50 mijë lekësh. Ky kufi duhet të jetë shumë më i lartë. Duhet riparë kufiri monetar. Nuk është e thënë që këtë kategori ta hetojë vetëm SPAK për një kufi të ulët monetar. Mund të jetë dhe 500 mijë, 100 mijë lekë të reja, le ta vendosë ligjvënësi, por ky kufi monetar kalimi i të cilit na bën ne kompetentë nuk më duket i arsyeshëm”.