Kim Mehmeti: Ç’të duhet buka që të helmon, buka e atij që jo vetëm se të ka vrarë, por të ka lënë pa varr

339
Në këtë Ballkan shumëçka ka ndryshuar, por ka mbetur i përhershëm projekti shekullor për ta bashkuar ‘Botën Serbe’ e për ta përçarë atë shqiptare.
Dhe ne shqiptarët thuajse gjithmonë nuk ia kemi dalë t’i dallojmë projektet që kanë pasur për qëllim bashkëpunimin mes popujve fqinjë, nga lojnat e Beogradit për ta dominuar shqiptarinë.
Pra edhe sot, pas shumë orvatjeve të dështuara, ne mbetëm peng i idesë serbe që shqiptaria ta ketë kryeqendër Beogradin dhe bota shqiptare të bashkohet brenda asaj serbe.
Në të vërtet, projekti të gjithë serbet në një shtet, së fundmi u realizuar në ish federatën Jugosllave. Njësoj siç u realizua edhe projekti të gjithë rusët në një shtet, nëpërmjet ish Bashkimit Sovjetik. Andaj sot e kësaj dite, përderisa Putini e ‘vajton’ dhe bënë luftë për ta ringjallur federatën ruse, Vuçiqi bënë çmos për ta ndërtuar ‘Serbosllavinë’ e vet.
Dhe shikuar realisht, më vështirë e ka Putini ta ringjallë një Bashkim Sovjetik të ‘vogël’, se sa Vuçiqi ta ndërtojë një ‘Serbi të madhe’. Edhe atë shkaku se Putinin e kundërshton e tërë bota, e Serbinë e përkrahë Piktopri. Me çka doli puna se humbjen e Kosovës, ai do e ‘kompenzojë’ me Shqipërinë e Piktorit si dhe u pa se shqiptaria u çlirua nga Serbia, por jo edhe nga shqiptarët e vet që mendojnë serbisht.
Dhe duke qenë ende nën robërinë e mendësisë se nuk vlejmë gjë pa Beogradin, na ndodh që Piktori të lëvdohet se Beogradi do e ushqejë Shqipërinë, por duke u shtirë se nuk e vëren se Serbia e bllokon Kosovën nga të gjitha anët, duke dashur që ajo të vdesë urie.
Po pra, në këtë Ballkan janë ndërruar sisteme shoqërore, e janë ngritur e rrënuar shtete, por Beogradi kurrë nuk hoqi dorë nga ambiciet që të ketë pakë det të Shqipërisë dhe shumë toka shqiptare. Dhe kurrë nuk ka mundur atë ta pretendojë kaq hapur sa sot, sa tani kur Kryeministri i Shqipërisë i ka shpallur mendjelehtë të gjithë ata që e pyesin: pse bëhesh i varur nga gruri serb, nga buka që të helmon, nga buka e atij, i cili jo vetëm se të ka vrarë, por edhe të ka lënë pa varr?
Sigal