Vangjush Saro/ Kohë për kameleonë…

591
Një emër i nderuar, ai i Gjergj Bojaxhiut, po lakohet mjaft këto kohë. Zgjedhjet vendore e kanë risjellë edhe njëherë në publik problemin e karakterit dhe mendësisë së politikanëve shqiptarë. Duke parë interesimin e disa mediave dhe qarqeve qytetare për këtë emër, mund të them se ato kanë qëlluar në shenjë. Por jemi ende mjaft në baltë për të krijuar histori të bukura, sadoqë ashtu si njeriu që përmenda më sipër, ka edhe të tjerë. Dhe ata, vërtet duhen çmuar e thirrur në punë. Por si mundet, kur gjërat shkojnë për ters? Vështirësia më e madhe, është situata paradoksale në të cilën e ka zhytur vendin politika. Shanset janë ende në duar kameleonësh apo marifetçinjsh politikë. 
Le të hedhim një vështrim përqark. Në shumicën e mediave bëhet fjalë për grindje a mërira partiake, (siç u fol këto ditë për “ftohjen” e Jozefina Topallit me Partinë Demokratike, apo për gërricje pa fund të njërit e tjetrit, përfshi emra mjaft të njohur, si Ben Blushi). Lëvizjet politike, natyrisht ato më të ngjyrosurat, janë në krye të lajmeve e të çudirave shqiptare. Një gjë e tillë ishte për shembull telenovela me Tom Doshin, që ka ndërruar krahët disa herë dhe po e bën sërish me sa duket. Por harta e ndërrimit të ngjyrave dhe identiteteve, është shumë më e gjerë se kaq. Nard Ndoka, është një tjetër lojtar që gardhohet si të mundet. Më tej, ish-Ministri dhe ish-deputeti i socialistëve Agron Duka, vjen si kandidaturë e Partisë Republikane për në zgjedhjet lokale të 21 qershorit (!). Gjithsesi, historia dhe shembulli më i çuditshëm i kësaj farë politike, mbetet Kastriot Islami, ish-Kryetar i Kuvendit i socialistëve, ish-ministër disa herë i socialistëve, i cilësuar “Kaçi i zi” prej kundërshtarëve politikë, Partisë Demokratike, por që jashtë çdolloj parashikimi, gjendet një ditë në kampin e saj, deputet i saj. 
Këto lëvizje e këto telenovela, janë me të vërtetë farsë. Vodevil. (Lloje shfaqjesh komike.) Është gjithë çfarë mund të jetë, vetëm politikë jo. Nganjëherë, çuditesh që janë ende në politikë Sali Berisha e Skënder Gjinushi; por çuditesh edhe më tepër kur konstaton se janë ende edhe disa kameleonë të të gjitha kohëve, posaçërisht të tranzicionit, si Neritan Ceka apo Genc Pollo. Ata ikin nga Partia Demokratike, krijojnë formacione të tjera, ndahen apo rindahen nga ato, kthehen (së paku Ceka) te socialistët, ikin prapë, rikthehen deputetë, ministra, ambasadorë te Partia Demokratike apo të emëruar nga pushteti i kësaj partie… E të tjera. Lojëra jo vetëm të pandershme, por edhe shumë groteske. Ata, të gjithë, e pranojnë lojën (çdolloj loje) dhe madje përfitojnë prej këtyre lojërave; problemi është pse i pranon publiku i gjerë dhe ç’fitim, apo humbje më mirë, ka vendi nga ushtrimi gjer në lodhje i profesionit “kameleon”. Qëndrojmë një çast. Pas vitit ‘90, të gjithë ne ndryshuam. Të gjithë kishin të drejtë të ndryshonin. Situata politike në vend krijoi relieve të tilla që njerëzit mund të gjenin veten në një formacion të caktuar, në një frymë të re, me një mentalitet tjetër…. Por kjo s’do të thotë se mund të përdridhesh si të mundesh e pareshtur sa andej këtej, vetëm e vetëm për të përfituar një post, ca para, ndonjë vend pune për fëmijët, e kështu më tej. Fenomeni që u cek më lart, ka prekur prej kohësh edhe fusha të tjera të jetës, si kultura a letërsia. Bie fjala, disa shkrues të kohës sonë, le të themi të rrymës “prolektkult”- që mendojnë se çdo gjë e dekadave të shkuara ishte dhe është e papranueshme dhe vetëm “vepra” e tyre meriton vëmendje – rëndom paraqiten si viktimë e asaj periudhe; ata flasin plot dëshpërim se si do ta kishin bërë “namin” në kushte të tjera; kujtojnë gjithë bujë se si nuk i kanë lejuar të botonin ose ua kanë “kritikuar” ndonjë nga krijimet e tyre dhe kjo ka prodhuar persekutim për ta; shfryjnë vazhdimisht kundër shkrimtarëve më të mirë, që e arritën suksesin në të dyja rendet… 
Patjetër që pati mjaft autorë të cilët vuajtën për shkak të bindjeve apo “biografisë” së tyre. (Mustafa Greblleshi, Frederik Reshpja, Jorgo Bllaci, Pano Taçi, etj.). Por një pjesë e madhe e atyre (shkruesve) që tani shtiren këso, të “marrë në qafë”, kanë vuajtur vetëm mungesën e talentit dhe asgjë tjetër. Pikërisht, po të vështrosh me kujdes krijimtarinë e tyre, dje dhe sot, ajo ka shumë propagandë, hije të njërës apo tjetrës ideologji. Ky mentalitet, kjo lojë kameleonësh, mbizelli i persekutimit, të gjitha këto, kur janë të stisura, e heqin krijimin nga rrjedhshmëria dhe plastika që e kërkon çdo punë artistike, duke e përtharë atë; kjo do të thotë se performohet pa emocion dhe suspansë, për të mos thënë që teksti degjeneron deri në njëlloj publicistike. Veç, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për shumë kameleonë që dikur bërtisnin në mënyrë komuniste kurse tani… në mënyrë “demokratike”. Në të vërtetë, ka pasur gjithnjë shenja se ne jemi (pjesërisht) një popull që (një Zot e di pse) e adhurojmë gënjeshtrën dhe delirin; nuk na shqetëson anarkia… Mund të përmbysim e mohojmë çdo gjë, për të cilën dikur kemi çakorduar çiftelitë dhe gërnetat, mjaft të dukemi, të biem në sy; për të përfituar ç’të mundemi. Kjo sjellje prej kameleoni, përveçse i shëmton edhe individët në fjalë, hedh cërkat e saj të pështira edhe në relieve të tjera, në familje a rrethe shoqërore, brenda dhe jashtë vendit, kudo ku qytetarët shqiptarë përpiqen të ndërtojnë një jetë sa më të mirë dhe një emër sa më të nderuar. Drama e identitetit të një pjese njerëzish pa bosht dhe egoistë të pandreqshëm, politikanë, letrarë, njerëz të zakonshëm, çfarëdo që të jenë, i sjell dëm një historie të dhimbshme, që ka vuajtur gjithnjë për shkak të denigrimit nga të tjerët, pse jo edhe nga vetja. Një, së paku një nga shpjegimet pse ka kaq shumë mjegull, anarki, situata të favorshme dhe të përshtatshme për gjithfarë kameleonë, mund ta gjejmë shumë thjesht te një pasazh nga Balzaku, sadoqë e shkruar shumë kohë më parë: “Korrupsioni është arma e njerëzve mediokër… Do të shikoni gra që u marrin burrat gjithsej gjashtë mijë franga në vit, kurse ato prishin më shumë se dhjetë mijë franga për tualetin e tyre. Do të shikoni nëpunës që me një rrogë një mijë e dyqind franga në vit, blejnë toka….” Aktuale apo jo? Por nëse në botën individuale dhe në rrethet artistike është e vështirë të ndalësh kameleonët, në jetën politike dhe atë të institucioneve, kjo duhet rregulluar njëherë e mirë me ligj. Nuk mund të kërcejë njeriu, politikani ca më keq, nga njëri formacion te tjetri, nga njëri grup parlamentar te tjetri, nga vetvetja te tjetërvetja. Këto ndodhin vetëm në vende të prapambetura. Ne s’duam të jemi më ashtu…
Atëherë? Më e pakta, le të krijohen institucione dhe subjekte të certifikuara, (ashtu si, bie fjala, monitorojmë valët televizive dhe shumë kontrata të tjera pune,) për të prerë njëherë e mirë fijet e këtyre arlekinëve të mjerë, që për vete kapin ndonjë kockë, por qytetarit shqiptar, popullit shqiptar, vendit të tyre, i sjellin vetëm përvoja negative, duke degjeneruar sisteme e vlera që i kemi kërkuar e ëndërruar për shumë e shumë kohë dhe nuk ka pse t’i braktisim tani. Vetëm kështu mund të krijohen premisa që politika të jetë disi “e monitoruar” dhe hapësira e kushtet për kandidatë seriozë (si njeriu që përmendëm në krye të këtij shkrimi,) të mos jenë term përralle.
Sigal