Karol Bachura: Lëvizja Solidarnost- ose fillimi i fundit të komunizmit

564
Sigal

Solidarnost” (polonisht: Solidarność) Sindikatat e Pavarura Vetëqeverisëse,  u themeluan në gusht 1980, në Kantierin detar „Lenin” në Gdańsk, Poloni. Ato ishin  Sindikatat e para të pavarura në një vend të Traktatit të Varshavës të njohura  nga shteti. Anëtarësia e sindikatave arriti në 10 milionw në shtator 1981, duke përfaqësuar kësisoj mbi 1/3 e popullsisë në moshë pune të vendit. Udhëheqësit  të Solidarnost, Lech Wałęsa, (Leh Vallensa) iu dha çmimi Nobel për Paqen në 1983 dhe sindikatat, u pranua gjerësisht, që luajtën një rol esencial në përmbysjen e sistemit komunist në Poloni.  Kur në tetor 1978, kardinali Karol Wojtyła u zgjodh si Papa Gjon Pali II,  im atë më tha që kjo ditë shënon  fillimin e fundit të komunizmit – dhe, si gjithmonë, Ai ishte i saktë – siç janë baballarët zakonisht. Në qershor 1979, gjatë vizitës së parë  të  Papës Gjon Pali II në vendin e tij të lindjes, dhjetëra milionë polakë dolën për  të  përshëndetur Papën e parë polak.

Gjatë predikimit të Tij në Varshavë,  Papa Gjon Pali II deklaroi: «Le të çlirojmë shpirtin. Të çlirojmë shpirtin dhe të ndryshojmë faqen e tokës. Kësaj toke!”. Vetëm një vit më vonë, në kohën  e Lojërave të 22-ta Olimpike Verore në Moskë, të bojkotuara nga 66 kombe për shkak të luftës sovjeto-afgane, lëvizja Solidarnost erdhi në jetë, fillimisht si një përgjigje ndaj shkarkimit nga puna  në kantierin e anijeve të zonjës Walentynowicz disa muaj para se ajo të dilte në pension. Ky vendim administrativ revoltoi punëtorët e kantierit, të cilët organizuan një grevë në mes të gushtit në mbrojtje të zonjës Walentynowicz, duke kërkuar kthimin e saj të menjëhershëm në punë. Lech Wałęsa, një saldator në kantierin e anijeve, edhe ai i pushuar nga puna,  u bashkua me grevën në kantierin e anijeve. Lëvizja Solidarnost u shfaq më 31 gusht 1980 në kantierin detar në Gdańsk, kur qeveria komuniste e Polonisë, nënshkroi marrëveshjen që përmbante 21 pika, përfshirë edhe ekzistencën e vetë Solidarnost-it. Në mes të shtatorit, mbi njëzet Komitetet Themeluese Ndër-fabrike të sindikatave të lira u bashkuan me kongres në një organizatë mbarëkombëtare –Solidarnost, e cila zyrtarisht u regjistrua si Sindikatë e Pavarur Vetëqeverisëse në nëntor të të njëjtit vit. Lech Wałęsa me të tjerë krijuan një lëvizje të gjerë anti-sovjetike duke nisur nga njerëzit e lidhur me Kishën katolike, e deri tek anëtarët e të majtës anti-sovjetike. Nacionalizmi polak, së bashku me liberalizmin pro-amerikan, luajtën një rol të rëndësishëm në zhvillimin e Solidarnost-it në vitet ’80. Në shtator 1981, Kongresi i parë Kombëtar i Solidarnost-it zgjodhi Vallensën si president të saj dhe miratoi një program republikan.

Përpjekjet e qeverisë në fillim të viteve ‘80 për të shkatërruar sindikatat përmes imponimit të ligjit ushtarak në Poloni dhe përdorimi i shtypjes politike, dështoi. Me punën e fortë ilegale në terren, me një mbështetje të konsiderueshme financiare nga Vatikani dhe Shtetet e Bashkuara, sindikatat mbijetuan dhe  pas fundit të vitit 1980, kishin hyrë në negociata me qeverinë. Bisedimet në Tryezën e Rrumbullakët të vitit 1989 midis qeverisë dhe opozitës së udhëhequr nga Solidarnost, prodhuan marrëveshje për zgjedhjet legjislative të vitit 1989, zgjedhjet e para pluraliste të vendit që nga viti 1947, të cilat u mbajtën më 4 qershor 1989. Deri në fund të gushtit,  u formua një qeveri e koalicionit të udhëhequr nga Solidarnost dhe në dhjetor Tadeusz Mazowiecki  u zgjodh Kryeministër. Ndërsa në dhjetor 1990, Wałęsa u zgjodh President i Polonisë. Qëndrueshmëria e Solidarnost-it përbënte një fenomen të paprecedentë jo vetëm në Poloni, një shtet satelit  i BRSS-së sunduar (në praktikë) nga një regjim komunist njëpartiak, por në tërë bllokun Lindor. Kjo do të thoshte një thyerje në qëndrimin e ashpër të Partisë Komuniste të Punëtorëve të Bashkuar Polakë, e cila kishte shtypur me armë zjarri një protestë të vitit 1970, dhe  më gjerë të qeverive komuniste prosovjetike në Bllokun Lindor, që bashkë me invadimet sovjetike shtypën edhe kryengritjen e hungarezëve në vitin 1956 dhe Pranverën e Pragës të vitit 1968.  Ndikimi i Solidarnost-it çoi në intensifikimin dhe përhapjen e idealeve dhe lëvizjeve antikomuniste në të gjitha vendet e bllokut Lindor, duke dobësuar qeveritë e tyre  komuniste.  Si rezultat i Tryezës së Rrumbullaktë, në qershor 1989, në zgjedhjet e para pjesërisht të lira në një vend të bllokut sovjetik, në parlamentin polak u krijua dhoma e lartë, Senati. Solidarnost fitoi 99 nga 100 vendet në Senat dhe 161 ulëse në Parlament (Sejm). Solidarnost  prodhoi kësisoj një reaksion zinxhir në vendet satelite të Bashkimit Sovjetik, duke u bërë frymëzim për revolucione  totalisht paqësore anti-komuniste në Europën Qendrore dhe Lindore, të njohura si revolucionet e  vitit 1989, të cilat u kurorëzuan edhe me shpërbërjen e vetë Bashkimit Sovjetik në fillim të vitit 1990. Në epokën  COVID, shpresoj që fjala Solidaritet  rifiton një domethënie të re në skenën ndërkombëtare dhe qasja e re, duhet ta zhvendosë peshën nga “mua”, në “neve”, nga “Unë” në “Ne”, ashtu si në fjalët e Leh Vallensës, me të cilat nisi fjalimin e tij të parë para Kongresit Amerikan më 15 nëntor 1989, duke cituar Kushtetutën Amerikane: “Ne, Populli (…)”.