Kadareja dhe ne studentët e vitit ’84

665
Gëzim Llojdia

Shkrimtari
Njeriu me syze dhe flokë përpjetë. Jemi mësuar ta perceptojmë atë figurë qysh në fëmijërinë tonë të hershme. Them jemi mësuar, sepse ai quhet Kadare. Dhe për të lëçitur ndopak profesionin e tij, në të gjitha sajtet e internetit do të gjesh vetëm një: Shkrimtar. Një përvojë gazetarie të shkurtër. Shkrimtari ynë. Ëndërrimi ynë fëmijëror. Lindëm dhe e gjetëm krijimtarinë e tij, u rritëm. Njeriu i mësuar me gjuhën e poezive, me fjalët e bukurisë hyjnore e parandjeu se orët e këqija, do të binin në dyert e shtëpisë së vetme botuese, nga shenjat paralajmëruese, që solli koha. Ndalim botimi, heqja nga qarkullimi, gjykime dhe mendimi i turmës revolucionare.

Nga kjo kohë mbaj mend vajtjen tek Kadare. Elena erdhi në rrethin tonë letrar për një bisedë me vashat te godina e re dhe kur i them se, me se merrej tashmë Kadare, pra çfarë kishte në duar na tha, se por rishkruante edhe një herë romanin për ndarjen me kinezët. Ishim aty përpara bibliotekës së Institutit kur një miku i tyre nga Gjirokastra u prezantua dhe Elena e njohu, ndërkaq biseda u shtjellua për letrat shqipe dhe Elena m’u duk shumë e ashpër për pengimin, që po i bënin librave të Kadaresë. Kishte një periudhë të paktën 3 vjet, që shtëpia botuese nuk nxirrte asgjë nga dora e tij. Nuk shkruante Kadare apo nuk po i botonin botuesit. Elena e shqiptoi me plot gojën: Nuk e lënë të botojë. Ishte viti ’84. Ne i kërkuam një tregim për gazetën “Studenti” …mirëpo ajo u gjegj se: Tregimet e Kadaresë ishin mjaft të gjata dhe duhej krejt gazeta , për t’i nxënë.” Zbërthimi i një realiteti nga bashkëshortja e Ismailit na mbeti fiksim në tru. “Edhe këta shkrimtarë që kanë emër në botë, gjykuam, qenkan të pakënaqur me redaktorët shqiptarë.” Ne, sigurisht ishim, sepse nuk na botonin, por deri këtu arrinte sëpata.” Sidoqoftë asaj periudhe unë bëra një ese për një vizitë të rastësishme në “kullën e fildishtë të Kadaresë“, në udhën e barrikadave në kohën e socializmit, diku nga viti ’84.
Studio e Kadaresë
Larg çdo përfytyrimi. E heshtur. Gjysmë ndriçimi. Përngjasimi: ftohtësi manastiresh. Ravijëzimi brenda këtij mjedisi. Atmosferë e magjishme, për një autoritet shpirtëror. Mirëpo cilado qoftë e vërteta, kam besuar se njerëzit e mëdhenj kanë çastet e tyre të përhumbjes.

Kur Elena, tha: “Uluni, sa të përgatis kafet, Kadare, që ishte vetëm tre metra larg, as kokën nuk ngriti. Çuditërisht as një fije floku nuk i lëvizi. Shkruante i mbytur në punë, pa e ndalur frekuencën. Tashmë, unë e dija kur kam parë murgë të heshtur në një manastir. I shin krejt të bardhë,në çastin e përhumbjes .Kur i pashë sytë Kadaresë, të magjishëm ishin, por të trishtë. Ndërkaq ishte i zhytur në botën e fjalëve të pathëna, ishte në të vërtetë një lloj murgu. Po,r pa ftohtësi manastiresh. As zhgun murgu nuk mbante veshur. Ishte ai soj murgu, që u sillte letrave magjepsje kadariane. Dhe s’kishte si të ishte. Një Kadare i shqiptarëve. Mirëpo Kadare është Kadare. Brenda vetvetes.

…Një suprinë xhami, ishte vijëzim konturi në sallon. Por brenda tij, shkrimtari ishte i futur në hulli të tij. Mos vallë ishte në perceptimin e ndonjë ëndrre? Mos vallë ishte në pritje të frymëzimit nga shtjella qiellore? Mirëpo kam treguar se kam parë murgj që vinin pas përmendjes. Tepër të dërmuar, zbrisnin nga një pjesë tjetër eterne më bukuri e forcë marramendëse . Kadare ishte i atillë murgu. Ai përjetonte ëndrrat ku copëtime prej saj i zbriste nëpër fletët e tij me shkrimin e madh. Është e pamundur, që krejt atë botë, ta nxjerrësh në ndriçimin e letrave tona dhe në gjuhën e fjalëve të lexueshme. Ndërkaq, Elena solli kafet. Mirëpo ora shënonte rreth 18.00. Kadare, atje tre metra larg ishte në punë. Nuk dihej në ç’orbitë i vërtitej shpirti? Nuk ishin këto citate mistike fjalësh?

Mundej të ishte shtegtari natën me hënë pa yje ose gjuhëtari në detin me perla guaskash. Që të limitojmë qartazi gjërat,bota jonë është shurdhmemece, e verbër është. Përpara asaj, që shkrimtarit i shfaqet në vizion. Kështu, Kadare, i përkulur, përmbi letrat ishte në një garë me kohën, ende kërkonte, shkruante fletë. I linte mënjanë. Shkruante sërish. Deri në fund kishte ndërmend ta shpinte marrëveshjen më kohën. Mirëpo, Elena e shprishi këtë raport me një shqiptim fraze në anglisht. Diçka mes fjalës: Hello! shqiptoi ajo.

Kadare e dëgjoi zërin. U ngrit. Por në ardhje, u përvijua një shtresë e hollë përlodhjeje . Mbërrinte nga tre metra larg nesh, por nga “mbretëria e heshtjes”, atje ku shpirti është lider dhe britma shpirti lëshon pavetëdijshëm. Në pirje të kafes, unë pashë diçka misterioze, që i buronte, por nuk dihej nga ç’pjesë. Kur e rrufiti gllënjkën e fundit, filloi të bëjë ecejake në sallon. Një dritare, që kishte salloni, por që shikonte nga veriu, një zhaurimë sharrash priste. Më pyeti diçka rreth rrafshimeve të drurëve, që atë mëngjes kishin filluar të binin në rrugën e barrikadave, nga motosharrat, që bulurinin gjithë kohës. Nuk arrita ta kuptoj, por ato e kishin shqetësuar. I shpjegova se ndoshta plakja e tyre kishte hyrë në mes të jetës, kështu ato po shkonin me duart e të tjerëve drejt vdekjes. Rrathët ishin rrudhat e tyre të pleqërisë. Në të vërtet, ishin copëra vitesh të mbetura pas .

Kisha dëgjuar se, pasqyrë të shpirti shkrimtarët, në përgjithësi, kanë sytë. Tek Kadare, ata fshihnin një shtresim misteri. Është kjo hija e asaj pjese të pandriçuar, që megjithatë mbetet e pa lexueshme. Edhe flokët tek ky murg i letrave, ruanin një shtrirje tjetër. Madje flitet edhe për një nur bukurie, që i mbulon. Ata vetë janë të pavetëdijshëm për këtë, por të pavullnetshëm për ta rrëzuar. Në të vërtetë, Kadare, ky Marquez i Ballkanit është një ndriçim i rrallë shqiptar i përmasave botërore. Ka kohë, që shqiptarët e kanë një shkrimtar të mirë. Një mjeshtër të fjalës, një gjeni të letrave shqipe, që ashtu si Naimi , Poradeci, Fishta, Agolli lexohet. Mirëpo avazi ballkanas i mërive të vjetra, të cytur nga ata, që pinë deri në fund gotën e sherrit, të dehur nga fudullëku, të futur në vetmin e territ. Të pazemër ose zemërqen. Cinik të ligj, janë përpjekur si në diktaturë, ndoshta më tepër në post- kohën e saj, ta përplasin, ta rrëzojnë diku. Plagë të thella, në brazda i kanë hapur. Goditje mizore prej sharlatanësh, për të rrëzuar një pemë monument kulture, por që duan në përgjithësi të rrëzojnë edhe penën. Në të vërtetë, Kadare, ka hyrë herët në panteonin e letrave shqipe, kur të tjerët zvarriteshin kafeneve të provincave. Ndoshta me gjeneralin… e vet. Mirëpo ishte panteoni, ai që e priste. Ka kohë, që e pret. Ashtu siç presim përmallshëm në kohë çeljen e pranverës. Por nuk ndjejmë, ndërkaq mungesën cinike të reve të shiut. As mungesën e çmendur të vrapit të erës.
“Pirgu i ligësisë”
Një zog a shpes, që niset në kohë të migrimit përtej vendit të tij, kur ajo përfundon kthehet dhe takon vendin e tij. Atje mirë është, po ky është atdheu i tij, vendi ku u ngiz. Atje në jug është banesa e tij që vizitova verën e shkuar. U habita përse ishte bosh vetëm me ca foto dhe piktura nëpër mure, asgjë nga ajo që kam parë në banesën e tij në Tiranë në vitin ’84. Shkrimtari vet pas zhaurimave përse ndërtohet nuk ka pranuar të mobilohet. Kalldrëmet, udhët e sokakët: “Sokaku i të marrëve”. Dhe gurët. Kështjella.

Atdheu ynë në këtë kohë tranzicioni të pambarimtë. Tokë e ashpër. Njerëz, që gjithsesi s’u zenë këmbët dhe. Nuk janë profetë, gjithsesi përmbi lartësi mjegullash, kërkojnë ngritje yllësore. Ç’u tretën kaq shumë për të rënë në gjumë të qefinit! Ç’u ngursoën në fundin e fundëm. Në kafet luksoze të kryeqëndrës. Qajnë hall. Djegin cigarë. Ç’ditë e zymtë ballkanike? Përgjojnë “kolosët e letrave”. Mes atyre edhe Kadarenë. Ai, që ka rrëzuar me veprën e tij në gjunjë, presidentët e këtij vendi. Aty në këtë truall, ka kohë që të gjithë lëvdohen. Rapsodë, që zbritën vjet nga katundi. Maten me “hise të diellit . Në të zezën errësirën pus.

-Sikur të mos ishim ne, çfarë do të ishte Kadare? Ura ku ai kaloi e shtroi diktatura, thonë. Urat e shpirtit të tyre nuk mbahen më në asnjë breg. Copë e shkrumb limanet e tyre. Po se ku mbahen ende? Kurthon në terrin e zi. Ka vjeshtëruar vjeshta në shpirtin e tyre. Dimri është në prag. Atë e nxori diktatura, shprehen. Atë e bëri shkrimtar, diktatori! Vinin të dy nga qyteti i jugut. Diktaturat rriten në toka skërka. Por me çlirim energjish shpirtërore nga trusnia dhe arsenali ushtarak, gjithë herës në veprim. Mirëpo Kadare është një grimcë me frymëzim qiellor . Është grimcë e shënuar. Kadare e ka shenjën në shpirt. Ismaili e ka rrezen e shikimit të largët. Kështu i është dhënë. Për fjalët, për gjuhën, dhe poezinë si melodi e gjithçka në të shkruarit në letra shqipe i është dhënë dhe e patregueshme është. Është një vulë. Është damkosur do të jetë shkrimtar i majave. Zhbërja bëhet vetëm nga vulëbërësit. Një shkallë për të hipur gjer në qiell. Të çkodojnë atë, që është koduar . Të prishin lidhje gjenetike. U duhet të gjejnë më parë ADN-ën. Që është shkruar në librin e tij të jetës. Nuk e ndriçojnë dot këtë mister. Kështu, që u mbetet vetëm të bëjnë luftë kafenesh. Prandaj luftohet. Prandaj mjegullinat, regjimtarët, zifti, gurët nuk e mbulojnë rrëzojnë dot veprën e tij. Pemë me kokrra. Do të luftohet, do të përflitet, do tulatet, dhe kërruset. Por nuk do të rrëzohet. “Thërrmijë e shënuar”. Është e pa shembshme. E pa zhbëshme. Fati, që kjo thërrmijë ka atdhe, atdheun tonë është mirësi , për shqiptarët. Sa për zërat. Të mëdhenj dot, nuk bëhen. Të shquar as, që besohet sepse goditën me të gjithë arsenalin e tyre, “thërrmijën e shënuar”, Kadare .

Atdheu i Kadaresë sot i ngarkuar me “thërrmijën negative” të kohës së tranzicionit. Prandaj ka vrasje, grindje, gjithashtu. Lëvdata e gjithfarë mburrjesh ballkanike. Kusarët hiqen të mençur, të paaftët bëjnë ligje në parlament. Mediokrit promovojnë antivlerat si letërsi e mirëfilltë shqipe. Dita e e tyre kur të udhëheqin të aftët do të quhet dita e kiametit të madh. E megjithatë intelektualët e këtij vendi, blejnë librat e Kadaresë. Atdheu i Kadaresë është këtu dhe ka halle shumë. Por miqtë e letrave, Kadarenë e kërkojnë dhe e promovojnë veprën letrare të tij. Zëri i tij është duke shëtitur nëpër shtete të afërt e të largët .Në bagazhet e boingëve udhëtojnë edhe botimet e Kadaresë. Çfarë mund të bëjmë ne? Barrikadë për ushtrinë e mallkuar, që ka në shpirt “maçin e zi” dhe që përpiqet t’i bëjnë një vërë për t’i bërë gropën shkrimtarit tonë. Kanë shkruar km me letra anonime duke i hedhur nëpër zyrat e KQ për t’i bërë varrin shkrimtarit. Sot hektarë të tërë nëpër gazeta mbulojnë fushën e tyre me shpifjeve, si vazhdim i profesionit të vjetër të informatorit. Edhe ca kokrra tip intelektualësh nuk mbesin pas kësaj rrokopujë. Gurët, që kërkojnë të rrëzojnë nuk janë gjë tjetër, por për të gjetur nuk i kanë, i kanë marrë tek “koshta e informatorëve” .

Sa më shumë “gurë” sipas mendësisë së tyre, aq më i madh “pirgu i ligësisë”. Mirëpo pema sa më shumë tronditet, më shumë buis, lidh kokrra e lastarë , shton bistakë të rinj, sepse e di, që atje poshtë “zogoria e qenve të ligësisë është gati t’i kafshojë edhe të pabëra , në mos t’i rrëzojë, t’i hedhë në humnerë”. Mirëpo në kohë të lëngëzimit pema, rinis sërish avazin e stërlashtë për të prodhuar, sepse e njeh aftësinë e saj, e presin sërish gurë dhe gurishte nga të vendit të tij. Ky duel a ka përmasë kohore? Për aq kohë sa pema do të ketë kokrra. Gurët aty i keni nën pemë. Ndërsa për gurëhedhës kjo tokë, fatkeqësisht, ka rritur goxha shumë.
Sigal