Janusz Bugajski/ Dominotë radikale të Evropës

562
Sigal

Triumfi zgjedhor i të majtës radikale në Greqi ka përhapur drithma në mbarë Evropën, në pararendje të fitoreve të mëtejshme populiste. Evropa Jugore është veçanërisht e prekshme nga joshja radikale duke pasur parasysh dështimet e qëndrueshmërisë politike dhe gjendjen e varfër të ekonomive kombëtare. Ultra e majta shmang referencat ndaj eksperimenteve komuniste të mëparshme të dështuara në Evropë. Megjithatë, ka pak të reja në dogmat e tyre ideologjike, kapitalizmi dhe neo-liberalizmi janë armiqtë kryesorë, Amerika mbetet një fuqi imperialiste dhe Rusia duhet përkrahur për shkak se ajo kundërshton dominimin global të SHBA-së.  Po ashtu ka risi të pakta në recetat politike të së majtës radikale. Në thelb të saj, është bindja se shteti duhet të zotërojë industritë strategjike. Pavarësisht evidencave historike për të kundërtën, ata besojnë se qeveritë janë më frytdhënëse se sa tregjet dhe se pronësia kolektive e kontrolluar nga menaxherët shtetërorë është më efikase se sa prona private. Arsyeja e vetme përse ultra e majta ka fituar një përkrahje publike domethënëse është recesioni i tej zgjatur ekonomik që ka goditur më rëndë Greqinë, Spanjën, Portugalinë dhe Italinë. Votuesit besojnë se të gjitha partitë kryesore kanë kontribuar për dështimin ekonomik dhe janë të tej mbushura me korrupsion. Radikalët ofrojnë zgjidhje të thjeshta, por programet e tyre bazohen në një falsitet fundamental, se qeveria ka burime të pakufizuara parash. Masat e shtrëngimit u jetësuan nga disa qeveri në mënyrë që të siguroheshin huat aq dëshpërimisht të nevojitur. Si pjesë e marrëveshjeve të borxhit, qeverive iu kërkua të shkurtonin kostot publike në miliarda euro. Fitorja e Syrizës në Greqi ka për të inkurajuar tanimë të majtën populiste në shtete të tjera që të besojnë se ata mund t’i japin fund masave shtrënguese dhe të rrisin shpenzimet. Spanja dhe Italia do të mbajnë zgjedhje gjatë dy viteve të ardhshme. Në Spanjë, lëvizja Podemos po fiton fuqi teksa zgjedhjet e përgjithshme të dhjetorit po afrohen. Me papunësinë që qëndron në 24% dhe varfërinë në rritje, Podemos udhëheq sondazhet me rreth një të katërtën e votave. Ajo ka theksuar se do të anulojë pjesë të borxhit të Spanjës nëse fiton zgjedhjet. Italia është një tjetër shënjestër e të majtës ekstreme, ku problemet financiare ndërthuren me një ekonomi në rënie, papunësi masive dhe varfëri gjerësisht të përhapur. Partitë majtiste italiane, si Rifondazione Comunista dhe e Majta Ekologji Liri, do të orvaten të përfitojnë nga efekti i Syrizës në vendin e tyre, si dhe të jetësojnë mitet e tyre greke.