Intervistë me Frank Shkrelin/ Një jetë midis SHBA dhe Shqipërisë. Pasionet, rinia, familja, karriera pranë VOA

544
Sigal

                         

 

                                      

Entela Binjaku

Cila  ka qenë fëmijëria juaj? Si e mbani mend
qytetin tuaj të lindjes, shkollën, mësuesit?

 

Frank Shkreli: Fillimisht, dua t’ju falënderoj për intervistën dhe për
mundësinë që më dhatë për të ndarë disa hollësi nga jeta ime me lexuesit,
megjithse kanë kaluar aq shumë vjetë nga fëmijëria.  Fëmijëria ime ka qenë e vështirë nën
rrethanat ekonomike dhe politike në të cilat jetonim në ish-Jugosllavinë e
1950-ave. Por nuk mund të them se fëmijëria ime ishte, as më e vështirë as më e
mirë, në krahasim me bashkombasit e mijë moshatarë shqiptarë të lindur dhe të
rritur në fshatrat e rrethit të Ulqinit në periudhën e pas Luftës së Dytë
Botërore. Për të gjithë ne,ashtu si edhe për familjet tona, fëmijëria ishte
luftë për mbijetesë. Familja ime e ka origjinën nga Shkreli i Malësisë së Madhe
dhe deri sa u mbyll rruga midis Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë pas prishje
Tito/Enver, të parët e mi më thonin se në Shkrel dilnin çdo verë ndërsa dimërin
e kalonin në fshatin Amull në rrethin e Ulqinit. Por unë jam lindur dhe rritur
në fshatin Amull dhe në trollin e të parëve të mi, afër Kishës së Shkrelit, e
vizitova vetëm pas shëmbjes së komunizmit. Pra, atje ku u linda nuk ishte
qytet, por një fshat i izoluar malor, larg gjithkafes dhe pothuaj gjithkujt.
Shkollën fillore katër vjeçare e kam kryer në fshatin Shtodër ku detyroheshim
të shkonim në këmbë, nja një orë larg shtëpisë. Ndërsa klasat 4-8-vjeçaren i
kam kryer në fshatin Katërkollë, pothuaj dy orë larg, gjithnjë duhej të shkonim
në këmbë, shpesh nepër ujë e baltë dhe pa rrugë të kalueshme.  Ajo që mbaj mend është se mësuesit, emërat e
të cilëve i kujtoj edhe sot me mall — të gjithë shqiptarë — përpiqeshin të
bënin të pamundurën për të ndihmuar studentët nën kujdesin e tyre. Tetë-vjeçaren
e kam kryer në gjuhën shqipe, me serbishten si lëndë të dytë.  Në të vërtetë, ky ihste i vetmi “shkollim” në
gjuhën shqipe, pasi gjimnazin e kam kryer në një seminar katolik në Kroaci dhe
pastaj studimet në Amerikë në gjuhën anglisht.

 

Cila ishte përbërja juaj familjare? Si ka
qenë lidhja juaj me  prindërit?

 

Frank Shkreli: Ashtu siç kanë qenë dikurë kur familjet e mëdha
tradiconale shqiptare, ku dy tre vëllëzër ose më shumë jetonin dhe punonin së
bashku në të njëjtën shtëpi, për tu kujdesur për familjen, ashtu ishte edhe
familja ime:deri sa u arratisëm nga vendi ynë për në mërgim nga fundi i
1960-ave, babi me familjen e vet dhe dy vëllëzrit e tij me familjet e tyre
jetonim së bashku, duke u marrë me bujqësi dhe blegtori, tjetër të ardhurash
nuk kishte. Ndonëse, ndoshta e pa parë sot, kjo jetesë familjare, megjithse
mjaft e vështirë, prapseprap e kishte edhe anën pozitive të saj. Unë vazhdojë
të jemë shumë afër me kushërinjt e mijë të parë, me të cilët jemi rritur dikur
në të njëjtën shtëpi, ndërsa respekti dhe dashuria për njëri tjetrin vazhdojnë
megjithse jemi të përhapur gjithandej në Amerikë.  Si rrjedhim, edhe me prindërit kam qenë tepër
afër,megjithse e shihja se gjithmonë dëshironin të bënin më shumë për ne
fëmijtë, mundësitë nuk i kishin. Në të vërtetë, varfëria dhe kufizimet e mëdha
materiale, ndjejë se më bënin të ishem më afër dhe të kisha më shumë respekt
për prindërit dhe për mundimet e tyre për të na dhënë mundësi më të mira se
ç’kishin pasur ata vetë.

 

Cilat ishin pasionet tuaja të rinisë? A
mendoni se keni bërë në jetë atë që ka qenë pasioni juaj?

 

Frank Shkreli: Është vështirë të flitet për “pasione të
rinisë” kur duhej menduar pothuaj çdo ditë se nga do vinte kafshata e gojës,
ishte pra një luftë për mbijetesë në vendlindje dhe me arratisjen dhe qëndrimin
nepër kampe refugjatësh në Itali, 1969-1970 — para ardhjes në Amerikë – duhej
patur kujdes për miqërqenjen fizike dhe materiale, pra  gjitnjë ishte gjithnjë një fazë e jetës për
të mbijetuar dhe nuk bëhej fjalë për pasione të fëmijërisë ose të rinisë.
“Pasioni” kryesor ndërsa isha si refugjat politik në Itali, ishte sigurimi i
vizës për Amerikë. Në atë periudhë të jetës time emigrimi në Amerikë ishte bërë
objektivi kryesor. Fatbardhsisht, me të arritur më në fund në Amerikë, nga
rrethanat e jetës megjithse e vështirë fillimisht, por pak më mirë se në
vendlindje dhe jeta prej refugjati, fillova gjithashtu të zhvilloj pasione dhe
interesime në botën e re të ëndërrave. Mësova gjuhën anglishte dhe fillova
kolegjin, pjesa tjetër pas kësaj pastaj është histori. Interesimi, në mos
pasioni fillestar ishte politika dhe gazetaria. Fillova të shkruaj në anglisht
për gazetën e kolegjit por edhe për revistën e komunitetit katolik shqiptar në
Amerikë, Jeta Katolike Shqiptare. Në vitin 1974 pas konkursit, provimeve dhe
provave të tjera fillova punën tek Zëri i Amerikës, ku përveç shërbimit shqip,
punova në zyra të ndryshme të këtij enti ndërkombëtar të SHBA-ave duke mbuluar
rajone të ndryshme gjeografike të botës për një periudhë 30-vjeçare.  

 

Si ka qenë përvoja e shkëputjes nga
vendlindja? Sa e rëndësishme mendoni se është për një individ lidhja me
origjinën? 

 

Frank Shkreli: Unë në të vërtetë isha larguar nga vendlindja në moshë
tepër të re, menjëherë pas tetë-vjeçares për tu regjistruar në seminarin
katolik në Rijekë të Kroacisë, nga ku edhe jam arratisur për në Itali. Por
shkëputja nga vendlindja sipas një thënjes anglisht,ishte “bitersweet”.  E dhimëshme por edhe shpresëdhënse. E
dhimëshme sepse ishte një shkëputje nga çdo gjë që njihje deri atëherë,vendlindjen,
familjen e afërt dhe të largët,shokë, çdo gjë pra, pasi në të vërtetë nuk kisha
shkuar askund më larg se në Ulqin dhe nuk dinim fare se ku do përfundonim
eventulisht. Largimi ishte shpresëdhënës, sepse mendoja për diçka më mirë për
veten dhe për familjen, megjithse nuk kishim asnjë ide se çka na priste me të
arritur në mërgim. Për mua, që kam ardhur në Amerikë në moshën e fillim të
20-ave, lidhja me vendlindjen, me origjinën e të parëve – ndonëse i larguar në
moshë të re — më ka shërbyer të ruaj identitetin tim të prejardhjes, që për
mua është tepër me rëndësi që në këtë botën në të cilën jetoj sot, të mund i
përgjigjem pyetjes se kush jam dhe nga vi?

 

Vajtja 
në Amerikë. Cilat kujtoni si vështirësitë më të mëdha tuajat në atë
periudhë?

 

Frank Shkreli: Asgjë nuk është e kollajt në këtë jetë, madje as në
Amerikë.Fillimisht, mos njohja e gjuhës, e kulturës, e politikës dhe të gjitha
zakoneve the traditave amerikane ishin pengesa të mëdha, pasi dëshira ime ishte
për t’iu adaptuar vendit dhe zakoneve – megjithse askush nuk më kërkonte një
gjë të tillë – por isha i vetdijshëm se nëqoftse do të përparosh në Amerikë,
nuk mund të jetosh në një “geto”, i izoluar nga jeta e përditshme e larmishme e
këtij vendi. Kështuqë, besoj ashtu si edhe për shumicën e mërgimtarëve në këtë
vend, për mua katër pesë vitet e para kanë qenë të vështira. Dëshiroja të
vazhdoja studimet, por njëkohsisht kisha nevojë të punojsha sepse kisha ardhur
në këtë vend pa asnjë lekë as dollarë. As prindërit, të cilët ishin rishtas në
Amerikë, nuk kishin kushedi se çfarë të ardhurash, në të vërtetë, pa përvojë e
pa gjuhë, kishin punë që paguheshin shumë pak. Por rrethanat të detyrojnë të
bëjshë atë që nevojitet, nëqoftse do të hecësh përpara, në rastin tim: punën
ditën, shkollën natën, duke filluar me anglishten.   

 

Si ka qenë jeta juaj studentore? Cfarë e ka
karakterizuar atë përiudhë të jetës?

 

Frank Shkreli: Në të vërtetë, më pyete më lartë për “pasionet” e mia në
rini. Ishin vitet e para në Amerikë, që përafërsisht mund t’i karakterizoj si
vitet që ndoshta fillova të zhvilloj interesime dhe pasione intelektuale. Sepse
deri atëherë, unë në të vërtetë nuk kisha një jetë normale ku “pasionet” mund
të nxënin rrënjë, sepse jeta deri atëherë ishte një jetë për mbijetesë si në
vendlindje ashtu edhe rrugëve të mërgimit, siç theksova edhe më lartë. Në
kolegjin Lehman në New York fillova të interesohesha për jetën dhe sistemin
politik amerikan, për historië dhe për gazetarinë, duke u regjistruar
gjithashtu për të marrë kurse në këto degë. Megjithse vullnetin e kisha të madh
dhe punoja rëndë, unë prapseprap e ndjeja veten jo në nivelin me studentët
amerikanë, kryesisht për arsye të gjuhës, por me kalimin e kohës, edhe kësaj
mungesë ia dola. Fillova të bëhem pjesë e komunitetit dhe e jetës në kolegj
duke shkruar për gazetën dhe duke marrë pjesë në aktivitete të ndryshme
sstudentore. Aty në të vërtetë sigurova bazën elementare të përgatitjes për
punën që fillova më vonë pranë VOA-s, duke vazhduar edhe studimet universitare
me të arrijtur në Washington, mesin e viti 1974. Ishte kjo një periudhë gjatë
të cilës zgjërova horizontet e mia mbi jetën në këtë vend, përfshirë sistemin
politikë, gazetarinë dhe jetën shoqërore në përgjithësi, me qëllim për tu bërë
pjesë e pandarë e saj, por pa harruar rrënjët nga vija dhe identitetin tim prej
malësori. Karakteristika e kësaj periudhe për mua ishte se mësova se njëkohsisht
mund të ishe shqiptar i mirë dhe amerikan i mirë, pa humbur identitetin tëndë,
pasi askush nuk kërkonte një gjë të tillë. Pa asnjë konflikt moral as kombtar, mund
ta duash Amerikën dhe kombin e origjinës, në të njëjtën kohë, sidomos në rastin
tonë, kur historikisht Shtetet e Bashkuara kanë bërë aq shumë për kombin
shqiptar.

 

Cila është familja juaj sot?

Frank Shkreli: Familja e ngushtë: bashkëshortja prej 40-vjetësh, një
djal dhe dy vajza me familjet e tyre. Nga familja më e gjërë, kamë një vëlla e
dy motra dhe familjet e tyre. Dyzina kushërinjsh e kushërirash me familjet e
tyre.

 

Përpara se të punonit në Zërin e Amerikës, a
kishit dëgjuar më parë për këtë program?

 

Frank Shkreli: Në të vërtetë, e kisha dëgjuar, jo rregullisht se isha i
ri dhe natyrisht nuk e kisha disiplinën dhe as kuriorizitetin e mëvonshëm, për
politikën dhe gjëndjen në botë. Isha pra i vetdijshëm për ekzistencën e kësaj
radioje ndërkombëtare, të këtij “zëri” nga Washingtoni, por vetëm aq.  Por, më vonë këtu në Shtetet e Bashkuara,
kisha menduar shpesh gjatë karierës time se kur dëgjoja Zërin e Amerikës në
rrethin e familjes atje në vendlindje, në një fshat të izoluar në rrethin e
Ulqinit, ndonëse në moshë të re, as nuk mund të imagjinoja se një ditë do isha
unë që do të flisja në valët e asaj radio të famshme amerikane në gjuhën
shqipe, drejtuar bashkombasve të mi anë e mbanë trojeve tona në Ballkanin
Perëndimor dhe anë e mbanë botës, në atë kohë nepërmjet të valëve të shkurtëra.
Dhe jo vetëm aq, por nëqoftse më lejon të shprehem me pak modesti, që të kisha
detyra të ndryshme me rëndësi, jashtë shërbimit shqip, ishte e pamundur ta
merrja me mend atëherë. Madje edhe sot, në këtë moshë dhe pas një kariere të
gjatë 30-vjeçare, më duket gjithnjë si një ëndërrë.

 

Si do ta vlerësonit ndikimin  e “Zërit të Amerikës” tek shqiptarët në
Evropë? Si e masnit këtë ndikim?

Frank Shkreli: Kjo është një pyetje që më është bërë shpesh herë dhe
pak a shumë kam dhënë të njëjtën përgjigje. Është thënë me të drejtë, besoj
unë, se Zëri i Amerikës ka patur ndikim pozitiv në zhvillimet në Shqipëri, në
Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, jo vetëm gjatë Luftës së Ftohtë, pas
shëmbjes së Murit të Berlinit por besoj se edhe sot vazhdon të luaj rolin e një
medias serioze dhe të gëzojë gjithnjë respekt nga shqiptarët kudo. Zyrtarë të
lartë të Shteteve të Bashkuara gjatë dekadave e sidomos gjatë Luftës së Ftohtë
e kanë karakterizuar Zërin e Amerikës si ambasadorin më të mirë të Amerikës,
pasi depërtonte në skutat më të izoluara të botës, atje ku nuk mund të shkelte
këmba e ambasadorit ose ndonjë përfaqsuesi tjetër. Këtë rol kjo radio e ka
luajtur jo vetëm në Shqipëri por edhe anë e mbanë ish-botës komuniste.
Ish-disdenti polak, Lech Walesa ka thënë, se pa transmetimet ndërkombëtare të
Amerikës gjërat nuk ishin zhvilluar ashtu si u zhvilluan eventualisht. Zëri i
Amerikës përpiqej të ishte zëri i atyre, të cilët nuk kishin ndonjë zë dhe zëri
i të cilëve nuk merrej parasyshë nga autoritetet. Besoj se në përgjithësi, Zëri
i Amerikës, që tani është bërë pjesë e pandarë e medias shqiptare, ka ndikuar
jo vetëm në zhvillimet politike por edhe në evolucionin mediatik shqiptar.
Gjatë Luftës së Ftohtë ne nuk kishim asnjë ide se kush dëgjonte ose nëse VOA
dëgjohej fare. Shpesh ndodhte që duke u këthyer nga transmetimi, një ish-kolegu
im, Xhevat Kallajxhi nga Gjirokastra — një patriot i vërtetë dhe gazetar i
njohur dhe ish-botues i gazetës Demokracia në Gjirokastrën e para luftës, më
drejtohej:”Ore Shkreli, si thua, na dëgjoj njeri sot?”. “Ku ta dij unë i
shkreti, more Xhevat! Ne e bëmë tonën, ua dhamë informacionin që patëm”. Mirëpo
ne e dinim se dëgjimi i VOA-s në atë kohë dënohej rëndë. Nejse, në
post-komunizëm patëm mundësi të masim audiencën me anë të sondazheve që treguan
se në të vërtetë VOA kishte një audiencë jashtzakonisht të madhe në radhët e
shqiptarëve. Unë dhe kolegët e mi, të atëherëshëm dhe të sotëm, jemi krenarë
nëqoftse kemi patur një ndikim pozitiv në zhvillimet e Shqipërisë
post-komuniste, por megjithë këtë ndikim të VOA-s, jeni ju ata heronjtë e
vërtetë të luftës për liri e demokraci, të cilët nën rrethana dhe kushte
ç’njerzore jetese nën regjimin më të egër komunist në Europë, i ruajtët
ndjenjat tuaja për liri.

 

 

 

Cilat ishin lidhjet tuaja me Shqipërinë para
viteve ‘90?

 

Frank Shkreli: Nuk kam pasur kurrfarë lidhjesh me Shqipërinë e para
viteve ’90 dhe as me përfaqsuesit e regjimit komunist. Pasi nuk ekzistonin
lidhjet diplomatike midis dy vendeve, ishte e pamundur që unë si nëpunës i
qeverisë amerikane të takohesha ose të kisha lidhje me regjimin komunist të
Enver Hoxhës. Për më tepër, nuk besoj se ai regjim kishte ndonjë konsideratë të
madhe për mua dhe kolegët e mi.

 

Si e kujtoni vizitën tuaj të parë në
Shqipëri? Cfarë ju bëri më shumë përshtypje në atë vizitë?

 

Frank Shkreli: Vizita im e parë në Shqipëri ka ndodhur në Mars-Prill,
1991, pas nënshkrimit në Washington të protokollit për lidhjen e marrëdhënieve
diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, si pjesë e delegacionit
të parë të Amerikës në Shqipëri. Vizita e parë zyrtare nga një delegacion i
Departamentit të Shtetit kishte për objektiv fillimin e përpjekjeve për hapjen
e ambasadës amerikane në Tiranë, për herë të parë në pothuaj 50-vjetë dhe
pjesëmarrjen tonë si vërejtës në zgjedhjet e para të ashtuquajtura pluraliste.
Isha tepër i gëzuar për privilegjin që mu dha për të vizituar Shqipërinë e
atëhershme, por me të ulur në aeroportin e Tiranës, gëzimi u këthye shpejt në
hidhërim e zhgënjim. Ndonëse e prisja se Shqipëria do të ishte shumë keq,
politikisht dhe ekonomikisht, situata me të cilën u përballëm ishte tepër
shokuese. Kisha parë varfëri në shumë vende, por varfëria e Shqipërisë së vitit
1991, shokojë mua dhe kolegët e mi nga Departamenti Amerikan i Shtetit.  Gjithashtu edhe frika mbizotëronte, pasi
regjimi komunist me në krye Ramiz Alinë kontrollonte gjithnjë situatën.

 

A mendoni se Shqipëria e 2016 është ajo që
aspiruan shqiptarët e 90?

 

Frank Shkreli: Natyrisht se Shqipëria e sotëme nuk mund të krahasohet
me Shqipërinë e fillim ’91 kur unë e passë për herë të parë. Unë nuk besoj se
Shqipëria e sotëme është ajo për të cilën aspironin shqiptarët, që e donin
Shqipërin ë si gjithë Evropa. Shqipëria sot nuk është si e gjithë Europa!
Megjithëse në atë kohë mendohej se duke parë varfërinë, gjëndjen politike dhe
ekonomike, por edhe duke pasur parasyshë krimet e regjimit komunist të Enver
Hoxhës për pothuaj gjysëm shekulli,ishim të mendimit se ky popull do ta marrë
veten aq shpejt duke u distancuar nga ajo histori, si asnjë popull tjetër në
ish vendet komuniste. Pasi shqiptarët kishin vuajtur më shumë se të tjerët,
merrej me mend se nuk do t’i ndalonte gjë drejtë përparimit, për të kapur kohën
e humbur gjysëm shekullore nën komunizëm.

 

Ku mendoni se janë duke shkuar shtetet
tona-Kosova dhe Shqipëria?

 

Frank Shkreli: Jo në drejtimin e duhur dhe jo në drejtimin që pritej.
Është thënë se sot shqiptarët gëzojnë një liri më të madhe se kurrë më parë në
historinë e tyre. Janë të zotët e vetit si kurrë më parë.  E çfarë po ndodhë? Fatkeqsisht kjo liri po
keqpërdoret, po nepërkëmbet dhe po abuzohet nga një klasë politike e
korruptuar, në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe anë e mbanë trojeve
shqiptare. Shqipëria duhej të kishte qenë ndër vendet e para ish-komuniste vend
anëtar i BE-së dhe Kosova sot duhej të ishte vend-kandidat për BE-ën. Në vend të
kësaj, për vite me radhë, delegacione të huaja shkojnë e vinë në Tiranë dhe
Prishtinë, për të shërbyer si ndërmjetës për ruajtjen e paqës midis pozitës dhe
opozitës, sikur vendi është në gjëndje lufte. Një zhvillim ky i pa precedencë në
asnjë vend tjetër në Europë dhe më gjërë. E pafalshme!  Gjithmonë më të fundit, për gjithçka. Ndoshta
ju që jetoni atje i shihni punët me më shumë optimizëm, por shikuar nga këndej oqeanit,
detyrohem që 25-vjetë pas shëmbjes së komunizmit dhe 8 vjetë pas pavarësisë ssë
Kosovës të pyesim, “Quo Vadis” Shqipëri e Kosovë?

 

A mendoni se shqiptarët e të gjitha trojeve
kanë një projekt të përbashkët zhvillimi të kombit?

 

Frank Shkreli: Unë nuk shoh ndonjë program të përbashkët të shqiptarëve
anë e mbanë trojeve. Me përjashtim të takimit të përbashkët të qeverive që janë
mbajtur njëherë a dy dhe të takimit të kryebashkiakve të pesë qyteteve
shqiptare kohët e fundit në Tiranë. Edhe këto duken më shumë si përpjekje
progandistike, si një shou se sa takime me projekte vërtetë të përbashkëta që
do të sillnin rezultate për të mirën e të gjithë shqiptarëve. Nuk i ndalon kush
sot shqiptarët që të përpilojnë dhe të zbatojnë projekte të përbashkëta në
fusha të ndryshme,i.e kulturore, gjuhësore, ekonomike, shkencore, historike e
tjera, e të tjera. Fatkeqsisht, duket se nuk ekziston vullneti për nisma të
tilla mbarë kombëtare të zhvillimit, në radhët e kësaj klase politike.

 

Çfarë këshillash do të kishit ju për të
rinjtë shqiptarë si pjesa më vitale e kombit, kudo ku jetojnë?

Shkreli: “Rruga më e mirë drejtë progresit është rruga e lirisë”.
Xhon F. Kenedi “Asnjë armë as
arsenal armësh nuk është më i fortë se vullneti dhe guximi moral i burrave dhe
grave të lira”. Ronald Reagan

 

Si e pritët vlerësimin e akorduar nga
Presidenti i Shqipërisë?

Frank Shkreli: E ndjeva veten tepër të privilegjuar dhe të nderuar për
vlerësimin që më bëri Presidenti i Shqipërisë, Z. Bujar Nishani me dekoratën
“Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”. Ishte diçka që nuk e prisja dhe as nuk e
konsideroj veten të merituar të këtij titulli, pasi gjithmonë jam përpjekur të
punoj në heshtje dhe pa pretendime për vlerësime të tilla. Me këtë vlerësim,
Presidenti Nishani ka nderuar veten.

 

Faleminderit!