Ilmi S. Qazimi: A do ta lejojmë që Butrinti të vidhet e të shitet?

231
Sigal

 

Që Butrinti, objekt 27 shekullor i arkeologjisë, trashëgimi kulturore shqiptare, është pasuri mbarë botërore që i përket vetëm Shqipërisë prej kur u krijua e gjer më sot. Kjo nuk ka nevojë për vërtetim, sepse ka plot e plot dokumente, prova, fakte. Ka prova që e vërtetojnë këtë në mënyrën më të plotë që nga fjalorët, deklaratat, fermanët, vulat, fotografitë deri te gurët, pemët, zogjtë, gjarpërinjtë…Kjo qendër ka të gdhendura në muret, truallin dhe tërë anekset e veta, gjurmët e rënda të sunduesve romakë, bizantë, osmanë dhe shfrytëzuesve italianë, grekë, etj. Butrinti është dhe do të mbetet një vend turistik i posaçëm dhe me vlera të rralla. Vetëm syplasurit, servilët, të shiturit për dy dollarë të qelbura, mund të mos e shohin këtë të vërtetë. Jo vetëm se thonë specialistët, shkencëtarët e fushës, por edhe z.Auron Tare, z. Klodian Tomorri, edhe shumë të tjerë, është humbje kohe të flasësh se kjo qytezë e kulturës paleokristiane i përkiste bashkësisë së fisit të kaonëve. Pra është një objekt që nga tërë anët e veta ndodhet brenda territorit të shtetit shqiptar.

Mirëpo dalka këto ditë edhe një lloj gjallese dykëmbëshe me kashtë në vend të truve, që deklaron se nuk ka pasur e nuk ka shtet shqiptar!? A ka njeri vallë që të mos habitet me këtë monstruozitet?! Dhe i tilli është një lloj profesori ( sa keq që ndotet ky titull nga kësisoj emrash) jo shqiptar, që qeveria jonë e ka miratuar me ligj që të bëjë menaxhimin e plotë të Butrintit për dhjetë vjet!? Vari ujkut mëlçitë në qafë!  Shteti shqiptar është vetëm shqiptar, sepse kufizohet nga popullsi shqiptare nga të katër anët e tij tokësore e detare. Rast ndoshta unik historik dhe domethënës. Që ky shtet ka vendqëndrim në këto troje dhe që përfaqëson një komb, një vatan, një gjuhë, një kulturë e traditë- këtë e dinë të gjithë kontinentet. Këtë e dinë edhe të gjithë ata që nuk duan ta dinë, edhe kur nuk u intereson, pavarësisht nga personi që çohet nga oligarkia financiare dhe mafja e më të mëdhenjve, në krye të tij për një apo dy rotacione. Si nuk e ditka kush është Shqipëria, një lloj profesori, kryetar i një lloj fondacioni, demek, siç thotë kryeministri “shqiptaro-amerikan”, që qeveria jonë, me kryetar E. Rama, e ka caktuar “të menaxhojë Butrintin”?! Por ama, që sot, në vitin 2022, pikërisht ky lloj profesori me emër të botuar Richard Hodges, i cili jep leksione diku, të dalë e të thotë se Shqipëria “Është një vend i krijuar artificialisht, pa pasur asnjë shqiptar, nga anglezët dhe fuqitë e tjera të mëdha në Londër. Morën një vendim politik pas Luftës së Dytë Ballkanike”, -kjo është e befta më tronditëse për ne. Në përemrin vetor ‘NE’ përfshijë tërë shqiptarët ku janë e ku s’janë, tërë organizmat shtetërore e shoqërore shqiptare, nga shoqatat për mbrojtjen e rrëqebullit deri tek ministritë dhe Akademia e Shkencave, nga roja i portës deri tek Presidenti, nga karrocieri deri tek informatori, por sidomos te kryeministri, sepse ky individ realisht me ligj nga ajo karrige, bën ligjin në këtë vend. Por qënka edhe më skandaloze se edhe deputetët kukulla të teatrit qeveritar, e paskan miratuar këtë lloj menaxhimi prej këtij lloj profesori!? Si nuk doli një deputet trim socialist që ta kundërshtonte? Apo të kërkonte domosdoshmërinë e kësaj shitjeje me pasoja katastrofike? Në qoftë se qeverisë sonë mendjefemër, po i digjej uji i lumit dhe duhej bërë me paderman ky veprim ligjor dhe ekonomik,-ndonëse nuk ka asfare argumente për këtë-, si nuk u gjend një fondacion apo institucion safi shqiptar për ta marrë përsipër, por po i falet, vetëm me një ngritje të dorës, një fondacioni fantazmë??

Ka goxha muaj që zjen nëpër shkallinat e qeverisjes alla-Rama përse Butrinti të jepet me koncension për dhjetë vjet një fondacioni enigmë.”Argumentet” e kryeministrit kur mbrojti në parlament këtë premtim që ia ka dhënë dikujt gjetiu, ishin fjalët “Butrinti do të jetë karbon fri” , do të këtë zhvillime të mëdha, por “nuk kam faj unë që ju deputetë opozitarë jeni budallenj!”, për ta mbyllur pastaj me fjalët shpërfillëse dhe moskokëçarëse: “Butrintit, Fondacionit, Fondit dhe gjithë këtij plani ju thjesht i merrni të keqen!” Më pas e më para tij, kanë dalë e folur- lexo: broçkullisur-, për t’iu bërë iso deputetëve gojëkyçur të së majtës së verbuar, shumë individë, profesorë, drejtorë. Ka folur madje edhe personalisht një zonjë, e cila në tabelën organike të qeverisë mban emërtimin “Ministre e Kulturës”. Të tillët kanë lustruar, mashtruar, shtruar e nënshtruar plot fjali që të justifikojnë këtë veprim tradhtar, antishqiptar. Dhe vetëm pak kanë thënë të vërtetën: Butrinti, kjo perlë e historisë tonë, një nga emblemat e identitetit tonë kombëtar, po shitet për turp të botës! Atëherë kush fshihet pas këtij akti?

Përse Parlamenti Shqiptar miratoi “marrëveshjen për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”, pa bërë asnjë transparencë? Përse nuk prononcohet kryetarja e Parlamentit? Nga këtu delet qartazi se pas “sherrit” për Butrintin fshihet një tufë hajdutësh të ligjëruar nga partia në pushtet. Përse nuk del kryetari i qeverisë me shpjegimet përkatëse të plota, të sinqerta, para shqiptarëve, për këtë problem?