Nga Iva Grillo – ‘Nuk ndodh kështu, nuk ndodh’… asgjëkund, Zonja Ambasadore!

497
Sigal

Nga Iva Grillo

Kushdo që ka pasur ndonjë dyshim për standardet e katër-pesëfishta të sjelljes së diplomates Kim dhe politikës që ajo përfaqëson, besoj se e ka marrë një përgjigje shteruese, pasi ka ndjekur intervistën dhënë gazetares Mëhilli, në Euronews Albania.

Në qoftë se nuk do ta dinim që zonja është ambasadore e një prej vendeve më të fuqishme të botës, duke ndjekur vetëm argumentet e përdorura në intervistë, mund të kishim arritur në përfundimin se personi që fliste nuk ishte tjetër veçse… Endri Fuga me paruke.

Kjo intervistë përligjte më së miri epitetin që disa qytetarë i kanë vënë kësaj diplomateje, duke e quajtur as më shumë e as më pak si Ministre të Propagandës së Qeverisë Rama 3.

Përveç alternimit të buzëqeshjes me skërmitjen (në varësi të pyetjes që bënte zonja Mëhilli) dhe pozicionit intimidues që e ftuara merrte ndaj gazetares sa herë që pyetjet nuk i shkonin për shtat, më bëri përshtypje një keqkuptim apo më mirë një keqpërdorim i fjalës ‘fakt’.

Dje kuptuam se zonja në fjale, ‘fakt’ quan çdo gjë që thotë vetë, duke ia ofruar interpretimet e saj publikut si petulla çasti të ngrohta… të cilat publiku duhet t’i gëlltisë pa bërë zë.

Përgjatë gjithë intervistës, ambasadoresha insistonte qe ‘faktet’ (te cilat ajo nuk denjoi t’i përmende ne asnjë rast) ‘shqiptarët i kanë para syve’, ndërkohë që para syve shqiptarët mbrëmë kishin veçse një ambasadorë që përfaqëson një politike shantazhi ndaj elektoratit shqiptar, shitjen e sapunit për djathë me investime që nuk ekzistojnë dhe një drejtësi të re që duket se punon vetëm në kokën e ambasadores…

Përpara syve, shqiptarët kanë edhe bëmat e dyshes Rama-Veliaj, por ndoshta këto bëma nuk përbëjnë akoma ‘fakt’, sipas ambasadoreshës.

Zonja krijoi jo pak konfuzion në mendjet e shqiptarëve kur pranoi se njeh institucionet partiake, por refuzoi te shprehet për votën si instrument demokratik… kur theksoi se i beson plotësisht Spakut të Tiranës, por nuk e njeh Gjykatën e Parisit… kur flet për marrëdhënie të mrekullueshme midis dy vendeve dhe këto i mat me numrin e gjeneralëve me spaleta që mbërrijnë ne Shqipëri për manovrat ushtarake…

Intervista ishte një intervistë që të trishton.

Dhe kjo jo vetëm për mungesën e theksuar të respektit të një diplomati ndaj qytetarëve të një vendi pritës të cilët i intimidon e i shantazhon qartazi nga televizioni, por për dërmën e fundit që i vuri iluzionit që shumë shqiptarë kanë pasur për parimet demokratike të përtej detit… të cilave mesa duket u paska mbetur vetëm guacka.