Engjëll MUSAI/Media të shqiptarëve apo të qarqeve antishqiptare

542
Sigal

Shkrimet e kohëve të fundit në një pjesë të mediave shqiptare do t’i kishte zili edhe Sllobodan Millosheviçi. Nuk dihet nëse shtypi apo gazetarë të caktuar e bëjnë nga pakujdesia apo nga  qëllime të caktuara dhe antikombëtare. Në një nga shkrimet e para pak ditëve shkruhej në një media ky titull: “Lezhë, përplasen dy makina, 2 kosovarë të plagosur, shqiptari në gjendje të rëndë”. Kjo gjuhë nuk është gjë tjetër veçse  ajo që përdornin shovinistët serbë gjatë shekullit të kaluar, të cilët me qëllime të caktuara trumbetonin në çdo media elektronike dhe të shkruar se kemi të bëjmë me dy popuj të ndryshëm. Dhe me këtë tezë  bëhej de fakto teza se, shqiptarët nuk janë një komb, por janë dy popuj të ndryshëm, kështu që bashkimi i tyre është i paimagjinueshëm dhe i padrejtë. Por që këto teza t’i përdornin serbët, malazezët apo maqedonasit kjo ishte e pritshme, por që t’i përdorin gazetarët e trekëndëshit Tiranë-Prishtinë-Shkup  është e papranueshme. Sllavët  para shumë vitesh  kur dëshironin të bënin dallimin midis shqiptarëve në të dy anët e kufirit, shqiptarët e Shqipërisë i quanin me emrin e saktë në serbisht për shqiptarët “albanci”, ndërsa për ne shqiptarët në ish-Jugosllavi përfshirë Kosovën i quanin me termin tepër denigrues për atë gjuhë  ”shiftari”. Pra, mjafton që të shikosh këta elementë të vegjël në dukje, për të kuptuar se sa të kujdesshëm duhet të jenë gazetarët shqiptarë në termat dhe shkrimet që përdorin. Duhet që mediat e shkruara dhe elektronike jo vetëm të shkëputen nga këto metoda të kultivuara nga njerëz me prirje antishqiptare, por duhet të jenë në mbështetje të integritetit dhe bashkimit të kombit shqiptar si një i vetëm.