Hysni MULLALLI / Gjeneralët dhe shoqatat të mbrojnë në bllok të drejtat e ushtarakëve

609
Sigal

Listat e pensioneve të ushtarakëve që botohen në gazeta, kanë krijuar një ide të gabuar që ushtarakët po marrin lekë të shumta. Në fakt me ato lista po ulen në mënyrë drastike pensionet dhe shumica e tyre, po kthehen në debitorë. Paralel me këtë veprim antiligjor, qeveria ka ndezur motorët për të krijuar një tymnajë mbi trajtimin e ushtarakëve, thekson se ata duhet të trajtohen njëlloj si civilët dhe po tentojnë të prekin dhe Statusin e Ushtarakut. Këtë sinjal dha para disa ditësh dhe Bodja. Për publikun dhe “ekspertët” pa uniformë të tipit Bode, po sjellim disa fakte ligjore dhe jetësore që detyrojnë shtetin të bëjë një trajtim të veçantë financiar dhe ligjor për ushtarakët.  Reforma ligjore e FA ishte kusht për pranimin në NATO dhe Statusi i Ushtarakut si një nga standardet e saj, ishte elementi bazë i kësaj reforme. Ai u përgatit me asistencën e ekspertëve të NATO-s dhe u miratua në vitin 2004, me 100% të votave (përfshi dhe votën e Bodes). Ky status, teorikisht, për herë të parë ju garantoi  ushtarakëve aktive dhe në rezervë, një trajtim të veçantë, si në çdo vend të NATO-s. Sot që jemi anëtarë të saj dhe një hap larg marrjes të statusit kandidat për në BE, në vend që të punohet që Statusi i Ushtarakut të zbatohet dhe të riformatohet plotësisht, sipas standardeve të NATO-s, në mënyrë absurde, po tentohet që ai të përkeqësohet. Këta politikanë dritëshkurtër, harrojnë se ky është një opsion i pa mundur. Statusin e Ushtarakut e bën të pa diskutueshëm dhe të pa cenueshëm anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, sepse standardet e saj, janë detyrime që vetëm duhen zbatuar.  Qeveritarët, mburren me hyrjen në NATO, me arritjet e ushtarakëve, duke i cilësuar ata si ambasadorë të paqes dhe ju kërkojnë të zbatojnë detyrat sipas standardeve të NATO-s. Kur vjen puna tek dinjiteti, vlerësimi dhe trajtimi financiar i ushtarakëve aktivë dhe në rezervë, politikanët e tipit “Bode” përsëri mbajnë një qëndrim diskriminues dhe në kundërvënie me standardet e NATO-s, sepse këto të drejta i japin përsëri allashqiptarçe, duke dhënë një pagë dhe pension diskriminues për ushtarakët aktivë dhe në rezervë, që nuk e ka as një vend në lindje apo perëndim. Kjo qeveri denigron dhe ushtarakët e misioneve luftarake që nuk dihet nëse kthehen gjallë apo jo në familjet e tyre. Të mos i vlerësosh këta ushtarakë si te barabartë me kolegët e NATO-s, t’i lesh inferiorë, të fyer dhe në kushte ekstreme pabarazie me ta, është një veprim kriminal, sepse jeta e djemve tanë ( jo të tyre ) është po aq e shtrenjtë, sa jeta e një amerikani, anglezi, gjermani apo italiani etj. Qeveritarët  nuk ndërgjegjësohen as nga aktet heroike të dhjetëra ushtarakëve që kanë dhënë jetën në krye të detyrës, brenda dhe jashtë atdheut. Këto akte heroike i vlerësojnë vetëm me fjalë dhe i përdorin për kapital politik. Ushtarakët kjo qeveri i nderon dhe vlerëson, vetëm kur vriten në krye të detyrës(në vdekje të respekton dhe hasmi).   Ne ushtarakët jemi të detyruar me ligj, të betohemi para flamurit, popullit e atdheut dhe të mbajmë përgjegjësi ligjore për këtë betim. Në mjaft raste ushtarakët kanë dhënë dhe jetën e tyre për ta mbajtur këtë betim. Punonjësit civile nuk i lidh asgjë me betimin. Ata punën dhe shërbimin që kryejnë, i fillojnë dhe përfundojnë vetëm me një kontratë të thjeshtë pune.   Kodi i Punës, në nenin 8, thekson: ” Asnjë nuk detyrohet të bëjë një punë jashtë vullnetit të tij.” Ne ushtarakët, kemi bërë tërë jetën dhe ato punë që nuk kemi dashur. Jo vetëm kaq, por kemi qenë dhe jemi të detyruar të zbatojmë  urdhrat dhe detyrat edhe në rastet kur për realizimin e tyre ka rrezik për jetën. Duke zbatuar këto urdhra janë vrarë shumë nga kolegët tanë.   Ushtaraku nuk mund të barazohet me punonjësin e shërbimit civil. Këtë diferencim e bën qartazi ligji  Nr.8095,datë 21.3.1996 “Për Shërbimin Civil në Republikën e Shqipërisë”. Në të thuhet se, marrëdhëniet juridike të punonjësve dhe nëpunësve civile rregullohen nga Kodi i Punës dhe marrëdhëniet juridike për Forcat e Armatosura rregullohen me dispozita juridike të veçanta. Kur politikanet dhe publiku civil ndjekin fatkeqësitë e ndryshme natyrore nga televizori, ushtarakët janë midis atyre fatkeqve, përjetojnë dhe japin kontributin për të minimizuar vështirësitë e tyre. Në këto operacione dhe kudo ku luftohet për jetën dhe me jetën, lehtësisht bien në sy, se atje sakrifikojnë dhe punojnë vetëm ushtarakët, për të shpëtuar jetën e civilëve. Ministrat dhe deputetët, vlerësojnë sakrificat e ushtarakëve në këto raste, por kur kthehen në Tiranë, me paturpësi flasin, votojnë dhe firmosin kundër tyre.  Kur politikanët dhe civilët në tërësi, kanë parë dhe shikojnë kronikat e krimeve të shumta ” si spektakle”, kolegët e rendit kanë qenë dhe janë përballë kriminelëve, rrezikojnë jetën sa herë përballën me krimin dhe jo pak herë janë vrarë në krye të detyrës.  Kur politikanët, punonjësit dhe nëpunësit civilë, kanë patur apo kanë një hall në familje,  në pronën apo punën tyre, një zjarr, një fatkeqësi, një krim, një tentative për krim etj. Në shërbim dhe në mbrojtje të tyre shkojmë përsëri, në kuadrot që merremi me sigurinë e jetës dhe pronës tyre.  Vetë politikanët tanë janë konfliktualë dhe prodhojnë kudo konflikte. Dhe në parlament kur deputetët grinden si gjelat, midis tyre hynë kolegët tanë të gardës, që ata të mos gjakosen dhe të mos bëhen gazi i botës, duke na turpëruar dhe ne.  Faktet e mësipërme ( që janë vetëm disa) janë tepër bindëse, se vërtetojnë që ushtarakëve ju takon të paguhen më shumë gjatë punës dhe kur dalin në pension, sepse profesioni i tyre është tepër i vështirë, ka privacione të panumërta, kërkon sakrifica të mëdha dhe ka për risk humbjen e jetës dhe vrasjen për shkak të detyrës. Qeveritarët dhe deputetët, duhet të dinë se çdo ditë, mund të jetë dita e fundit e jetës për ushtarakët. Ata mund të vriten në çdo moment në krye të detyrës, në mbrojtje të atdheut apo institucioneve, në misione brenda apo jashtë vendit, në përplasje me kriminelët, në operacione humanitare, në mision për të siguruar, rendin, të drejtat dhe pronën e qytetarëve etj. Politikanët dhe publiku civil, duhet të dinë  se ne ushtarakëve, na është ndërprere karriera, na është hequr e drejta e profesionit (jo për shkelje të betimit apo ligjit) dhe shteti na ka imponuar një papunësi të parakohshme të detyruar, ndaj ai duhet jo vetëm të na shpërblejë mirë, por dhe të na dëmshpërblejë. Punonjësit civilë, punojnë, derisa sa dalin në pension pleqërie dhe mund të vijojnë punën dhe pas pensionit, si privatë. Ne nuk kemi mundësi të hapim ndonjë repart ushtarak  privat.  Politikanët e tipit Bode dhe “ekspertët ushtarakë”pa uniformë, nuk e perceptojnë dot misionin e ushtarakut, nuk e njohin betimin, sakrificat dhe privacionet e punës dhe jetës së tyre në shërbim dhe mbrojtje të popullit e atdheut. Politikanët që flasin e vendosin për ne ushtarakët, për të njohur vështirësitë e shërbimit tonë, minimalisht duhet të jenë prezent në një mision luftarak apo operacion për kapjen e kriminelëve. Jam i sigurt që këta  “ekspertë trima” do bëhen shkak, për dështimin e operacionit, duke dekonspiruar misionin që në fillim, sepse nga frika, do të mbanin erë …  Në ushtaraket, kemi vërtetuar që kjo qeveri na sulmon me agresivitet dhe urrejtje të pandalshme dhe çuditërisht nuk reagojmë as tani, kur po preket Statusi, kushtetuta e te drejtave tona. Në Shqipëri protestojnë minatorët, të përndjekurit, tetrapelgjikët, madje dhe të verbrit. Por ne ushtarakët ku jemi, çfarë presim, ku janë shoqatat, ku janë drejtuesit, ku janë të zgjedhurit. Ne nuk na ka vdekur shpirti luftarak, por  duam organizim dhe drejtim për të protestuar me forcë, për mbrojtjen e Statusit të Ushtarakut. Në këtë situatë kritike, Shoqatat e Ushtarakëve krahas protestave, duhet të bashkëpunojë ngushtë me Shtabin e Përgjithshëm dhe të njoftojnë dhe kërkojnë zyrtarisht ndërhyrjen e  NATO-s, EUROMIL-it, CIOR-it dhe organizmave të tjera ndërkombëtare, për të ndaluar këtë qeveri të deformojë dhe përkeqësojë Statusin e Ushtarakut.  Statusi është kushtetuta dhe guri i themelit të të drejtave të ushtarakëve aktivë dhe në rezervë. Në këto momente edhe trupa e gjeneralëve, që është më afër politikës, duhet të garantojë  trajtimin e veçante ekonomiko-financiar dhe ligjor të ushtarakëve, sepse ato nuk janë dhurata që mund të jepen apo të mos jepen, sipas humorit të kryeministrave dhe ministrave të radhës por janë të drejta dhe detyrime ligjore që duhen dhënë me çdo kusht, si në çdo vend tjetër të NATO-s. Ata duhet të veprojnë me energji dhe kurajo, tani sa kanë forcë dhe kompetenca për të mos lejuar prekjen e Statusit, sepse nesër kur të vijnë këtu tek ne, është tepër vonë. Këtu tek ne, nuk ka më grada, ka vetëm radhë për të marrë një pension qesharak dhe diskriminues. Argumentet e mësipërme, vërtetojnë se ushtarakët për sakrificat e shërbimit dhe kufizimet në jetën e tyre, meritojnë një shpërblim më të mirë nga civilët, meritojnë vetëm vlerësim dhe respekt nga komuniteti dhe zgjidhje urgjente të kërkesave të tyre të ligjshme nga shteti.