Hyqmet Zane: Shoqata Çamëria në inekzistencën e saj pas 32 vitesh

190
Sigal

Çamëria e “burgosur” në Greqi dhe në Shqipëri.

 

Realiteti i sotëm i Shoqatës Çamëria më bën të ndiej keqardhje të madhe se kur shikoj këtë gjendje, që më krijon perceptimin më të keq se ku ndodhet sot çështja çame dhe institucioni i shqiptarëve të Çamërisë. Nëse themi që jemi trashëgimtarë të atyre, që erdhën nga vendi i asaj toke të lashtë autoktone shqiptare ku banonin në shekuj, për shkak të masakrave greke mbi popullsinë e pafajshme me të ashtuquajturën “zgjidhja përfundimtare” pas 27 qershorit 1944 dhe që tanimë të harruar dhe të nëpërkëmbur, kurrë sesi nuk mund të pranoj që kauza ime dhe e gjithë çamëve të katandiset në inekzistente, siç është sot. Kanë kaluar 32 vjet kur më 10 janar 1991 u krijua Shoqata Patriotike Çamëria që shkurt i themi “Shoqata Çamëria”dhe unë jam një nga protagonistët e mbetur të asaj mbledhje të parë që u bë publik angazhimi për të realizuar një institucion me vlera kombëtare me një mision që është kauzë e amanet. Shumë përpjekje janë bërë që nga ai grup i bashkuar intelektualësh të mirëfilltë që zgjodhën një burrë të nderuar si Abaz Dojaka për të ndriçuar problemet e Çamërisë dhe për të çuar deri në kupë të qiellit zërin e çamëve, që në regjimin diktatorial stalinist të Enver Hoxhës u persekutuan, u diskriminuan, u përbuzën, u shanë dhe, më keq akoma, u pushkatuan u burgosën keqazi. Jo thjesht për folklor, por për të ngritur dhe ndërgjegjësuar kombëtarisht edhe institucionet ndërkombëtare për padrejtësinë, shkeljen flagrante të të drejtave të njeriut, masakrat deri në genocid të shtetit grek përmes bandave të andartëve të Napoleon Zervës me bekimin e shtetit grek. Mes dallgëve të pluralizmit politik dhe ngjarjeve të rëndësishme me ndikim në jetën e këtij vendi, Shoqata Çamëria bënte detyrat e veta programore dhe statuore dhe me protestat e saj u bë faktor në opinionin shqiptar dhe atë ndërkombëtar. Edhe pse shqetësoheshin zyrtarët e Athinës dhe presidentë, kryeministra e ministra të jashtëm të Greqisë vinin dhe iknin me mesazhet antiçame, shqiptarët e Çamërisë në Shqipëri nuk ndaleshin në rrugën e tyre. Edhe pse politika shqiptare tregonte dashakeqësinë apo manifestonte tendencën e mosreflektimit për problemin çam, Shoqata ‘Çamëria’ edhe pse një institucion i brishtë, vepronte dhe i përmbahej kauzës së saj të drejtë. Njeri pas tjetrit kryetarët, që erdhën më pas ndarjes nga jeta të Abaz Dojakës, Arshim Rexha apo Hilmi Saqe, Selman Sheme apo Bedri Myftari, Servet Mehmeti deri tek Ardian Tana dhe Abaz Hado dhe këshillat drejtues kryenin detyrat programore dhe i dhanë një performancë të mirëpritur në opinionin shqiptar dhe nxitën shpirtin atdhetar që jepte mbështetje për këtë kauz të drejtë dhe të rëndësishme. Protesta e kësaj popullate më 2004 për aprovimin e Rezolutës për Çamërinë në parlamentin shqiptar, që gjakosi disa nga protestuesit, nuk u aprovua, edhe pse vite më pas u tha se është miratuar. Gjithësesi politika shqiptare nën efektet e presionit të Athinës zyrtare bënte drakulake në kohë dhe në hapësirë njëra pas tjetrës qeverisjet shqiptare. Si kuçedra përdoreshin “të drejtat e minoritetit grek” ose akuza  ndaj çamëve si “bashkëpunëtorë me nazifashistët” që çështja çame të futej në kalendat greke deri në fshehjen e miratimit të rezolutës, deri në blerjen e gazetarëve dhe politikanëve që të heshtin për problemin çam dhe, më e keqja e madhe deri në heshtjen e vetë drejtuesve të Shoqatës Çamëria në këto 10 vitet e fundit. Edhe në opinionin publik serviret “miqësia me Greqinë dhe emigrantët shqiptarë në Greqi” si mundësi që të mos ngrihet problemi çam. Më shumë akoma, heshtja e institucioneve qeverisëse para akuzave flagrante në mes të Tiranës për të mos dëgjuar zërin e çamëve apo për të mos përfillur kërkesat e tyre, janë realitete, që bien erë dorëzim para kushteve greke. Çfarë nuk është bërë në këto 32 vjet kundër Shoqatës Çamëria dhe kërkesave të saj. Kanë lënë gjurmën e “tradhëtisë” njeri pas tjetrit politikanët që kanë drejtuar këtë vend. Por ajo që po ndodh brenda Shoqatës Çamëria sot me heshtjen totale dhe krijimin e një “burgosje” të zërit të saj, janë të pafalshme dhe mund të them se është krimi më i madh pas asaj që bëri Zerva me genocidin e tij. Sfumimi i Shoqatës Çamëria nga PDIU, që flet padrejtësisht në emër të çamëve dhe e quan veten “partia çame” është vepra e një njeriu që për interesat e tij dhe të mandatit të deputetit përdor gjithë manipulimet në krye të Shoqatës Çamëria duke larguar apo emëruar kryetarë shoqate atë që nuk do flasë për problemin çam. Jemi këtu ku jemi sot pa funksionet e institucionit të këshillit kombëtar të Shoqatës ‘Çamëria’, pa zgjedhjet demokratike në degët e qyteteve ku gjeneron Shoqata, sidomos në Tiranë dhe mosmbledhja e kuvendit të Shoqatës Çamëria, janë penalitetet e një burgosje të vërtetë të zërit çam. Kush e ka dhënë urdhërin për të ndodhur kështu? Që grekët kanë hedhur para të mëdhaja për këtë çështje e kanë deklaruar vetë mediat greke, që thonë se sa para kanë marrë njeri apo tjetri politikan apo gazetar. Por të bësh inekzistencën për problemet e shqiptarëve të Çamërisë që sot ndodhen në Shqipëri  dhe nuk kanë asnjë mundësi se si të kërkojnë të drejtat e tyre, kjo e ka emrin “Tradhëti” e pastër. Kësaj gjendjeje i ka kontribuar edhe politika shqiptare e qeverisjes Rama që me mosangazhimin e saj në politikën e jashtme me një zë femëror, që flet si në qyp, kuptohet që nuk ka të ardhme për problemin çam. Por i gjithë problemi qëndron tek ne, brenda vetes sonë, qëndron tek shuarja e zërit tonë në organizmin e Shoqatës Çamëria.

Thuhet se janë 6 deputetë çamë në Parlamentin shqiptar, 3 tek PS dhe 3 tek PDIU. Po, përse duhen ata? Për të thënë ndonjëherë fjalën “Çamëria”! Apo për t’u bërë fresk opinionit se “ja kjo apo ajo parti ka edhe çamë në rradhët e tyre”! Jo kjo është thjesht fasada mashtruese që ka rrëzuar atdhetarizmin dhe trajtesat e çështjeve kombëtare. Ajo që po ndodh sot me sjelljen e qeverisjes ndaj Kosovës, është model se si vepron një politikë bastarde me çështjet madhore siç është edhe kauza e Çamërisë. Nuk e kisha menduar 32 vjet më parë  se do vinte një ditë që unë çami i devotshëm dhe shumë vëllezër të mi çamë do të vinim në këtë derexhe të inekzistencës së Shoqatës ‘Çamëria’, të katapultimit të kryetarëve të saj sipas orekseve  të kryetarit të PDIU-së që po mban peng institucionin e rëndësishëm të përfaqësimit të problemit çam, këtë nuk e kisha menduar kurrë. Sidoqë të vejë kjo punë, çështja çame ekziston dhe nuk ka bir nëne kushdo qoftë ai që ta mbysë apo ta shuajë, nuk ka burrë me emrin shqiptar që të bëjë inekzsitente Shoqatën Çamëria. Në fund të fundit e vëreta do të triumfojë dhe Zoti do të marrë hak ndaj atyre që kanë vënë dorë ndaj këtij realiteti të pabesë, që e kanë katandisur të pabesët kauzën e Çamërisë.

Në të gjithë këtë realitet të nënës sonë Çamëri që sot fatkeqësisht ka një shoqatë që ka rënë në inekzistencë dhe e “burgosur” si në Greqi po e po, por fatkeqësisht e pabesisht edhe në Shqipëri, seç më vijnë në mendje vargjet e Vaso Pashës te poezia e fuqishme “O moj Shqypni”, por që unë do ta redaktoja pak me disa ndryshime që po e jap më poshtë si një parodi :

Por sot, Çamëri, pa m’thuej si je?

Po sikur lisi i rrxuem përdhe,

Shkon bota sipri, me kambë, të shklet

E nji fjalë t’vërtetë askush s’ta flet.

Si zonjë e randë, si nuse me lule

ke pas kenë mbajtur, sot je ma fatkeqe!

E s’të ka mbetun as em’n as shoqatë,

Vet’ e ke prishun për faqe t’zezë”!