Nikoleta PIRANJANI: Puna audituese e KLSH

621
Gjatë vitit 2015, një nga objektivat e auditimit të programuar në aktivitetin auditues të KLSH, ka qenë dhe auditimi i subjekteve, të cilat referuar funksioneve ligjore të tyre, merren me problematikat dhe mbikëqyrjen e mbrojtjes së mjedisit. Në këto institucione, objekt i auditimit kanë qenë jo vetëm zbatimi i legjislacionit dhe përputhshmëria me kërkesat e ligjit në përdorimin e fondeve buxhetore që menaxhojnë këto institucione, por dhe një vlerësim i përgjithshëm i realizimit të detyrave funksionale, për të cilat janë krijuar këto institucione si dhe efektiviteti institucional i tyre. Në drejtim të inspektimit këto institucione paraqesin mangësi, ku theksojmë se një nga mangësitë kryesore është moskryerja e detyrimeve ligjore të inspektimit, për të përfunduar ciklin e plotë të inspektimit, kontroll-zbatim detyrash të lëna nga inspektimi, arkëtim i sanksioneve të vendosura për shkelësit e ligjit në drejtim të ndotjes së mjedisit, shkeljeve në drejtim të përdorimit të ujërave si dhe mbrojtjes së pyjeve, konformë procedurave ligjore dhe afateve të parashikuara nga ligji. Mangësi janë vërejtur dhe në bashkëpunimin dhe informimin ndër institucional midis institucioneve, të cilat japin lejet mjedisore, ku në këto leje jepen dhe kushtet që duhet të plotësojnë dhe monitorojnë operatoret për funksionimin e lejeve mjedisore, si dhe institucioneve inspektuese të zbatimit të kërkesave të ligjit për mbrojtjen e mjedisit, ujërave dhe pyjeve. Ky bashkëpunim, për efekt të krijimit të të dhënave mbi operatorët që kryejnë aktivitetin në njësitë administrative territoriale përkatëse është jo në nivelin e duhur edhe midis organeve tatimore dhe organeve inspektuese, gjë që është shoqëruar me një mungesë të monitorimit dhe inspektimit të shumë subjekteve me aktivitet në njësitë administrative përkatëse dhe që kanë ndikim në mjedis. 

Mangësitë sa më sipër kanë çuar në planifikime të inspektimeve jo mbi baza risku, por sipas një zgjedhje apriori, pa analiza të rrezikshmërisë se ndikimit maksimal në mjedis. Gjithashtu kanë çuar, në shumicën e rasteve, në mos identifikimin me dashje apo pa dashje të subjekteve që ndikojnë negativisht në ndotjen e mjedisit dhe mos ndëshkimin e tyre. Mbështetur në paketën ligjore për mbrojtjen e mjedisit si dhe në rregulloret e brendshme institucionale janë përcaktuar parimet, kërkesat, përgjegjësitë, rregullat dhe procedurat e përgjithshme për garantimin e mbrojtjes së mjedisit, në mënyrë që dëmi i kryer ndaj mjedisit apo humbja e funksionit natyror të pjesëve përbërëse të mjedisit, të shkaktuara si pasojë e ndërhyrjeve nga njeriu apo zhvillimit natyror të tyre, të jenë sa më të vogla. Referuar këtyre akteve, institucionet përkatëse buxhetore (Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe institucionet vartëse të saj) sipas kompetencave, japin leje të integruara mjedisore, leje mjedisore, deklarata mjedisore për subjektet publike, të cilat paraqesin kërkesa për t’u referuar procedurave dhe dokumentacionit të paraqitur ligjor. Gjithashtu një nga detyrat kryesore të Agjencisë është monitorimi i cilësisë së ajrit, ujërave nëntokësore, ujërave sipërfaqësore, gjendja e treguesve të tokës, gjendja e pyjeve, mbetjeve të ngurta dhe ndikimi i këtyre treguesve të monitoruar në treguesit e përgjithshëm mjedisorë. Referuar këtyre detyrimeve, Agjencia harton sipas kompetencave të ligjit Programin Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit dhe në zbatim të tij referuar: 

a- treguesve të monitoruar nga institucionet publike me detyrim monitorimi sipas ligjit 
b- treguesve të rezultuar nga monitorimi nëpërmjet kontraktimeve
c- treguesve të rezultuar nga raportimet për ndikimet në mjedis të subjekteve, të cilat referuar pajisjes me leje mjedisore, kanë detyrimin për vetëvlerësimin e ndikimit në mjedis dhe raportimin në AKM, harton Raportin Vjetor të Gjendjes në Mjedis. 
Nga KLSH janë konstatuar mangësi në mënyrën dhe cilësinë e informacionit, ku shpeshherë mosdhënia e informacioneve të rezultuara nga monitorimi i treguesve mjedisorë prej institucioneve ( Ministritë dhe Pushteti Vendor ) për ato tregues mjedisorë, që këto institucione kanë detyrim ligjor të raportojnë, për efekt të zbatimit të Programit Kombëtar të Monitorimit, me synimin e paraqitjes të Raportit Vjetor të Mjedisit me tregues sa më gjithëpërfshirës, por dhe real. Janë vërejtur mangësi në raportimin e subjekteve me ndikim në mjedis “Të raporteve vetvlerësuese me ndikim në mjedis” detyrim i përcaktuar në lejet e miratuara për to, ku mangësi paraqiten si:
a- në periodicitetin e raportimit
b- mangësi në lidhje me përputhshmërinë e raportimit konform kërkesave të specifikuara në lejet e miratuara. 

Janë vërejtur mangësi në kohën e paraqitjes së Raportit të Gjendjes në Mjedis, i cili në vite të ndryshme është paraqitur në kohë të ndryshme, si rezultat i mungesës se rregullave dhe përcaktimeve ligjore në këtë drejtim, në një kohë që ky raport paraqet një rëndësi të madhe për sa i përket numrit të lartë të të interesuarve për përmbajtjen e treguesve të monitoruar, që ai prezanton ku ndër kryesorët janë Institucionet Ndërkombëtare monitoruese dhe raportuese të mbrojtjes së mjedisit, institucione shtetërore që në bazë të treguesve ndërmarrin politika shtetërore apo vendore në drejtim të masave për përmirësimin e mjedisit dhe mbrojtjen e tij, etj. Për të gjitha këto konstatime të rezultuara nga auditimet, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka pasqyruar dhe insistuar në zbatimin e legjislacionit gjithëpërfshirës në fuqi, në drejtim të mbrojtjes së mjedisit, ka rekomanduar hartimin e rregullave të brendshme institucionale dhe marrjen e masave organizative, të cilat do të ndikojnë pozitivisht në kryerjen konform ligjit, por dhe cilësisht të funksioneve të institucioneve me detyra kundrejt dhënies së lejeve, monitorimit, kontrollit, inspektimit të mjedisit. Në përputhje me ligjin nr. 154/2014 datë 27.11.2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, mbështetur në standardet ndërkombëtare të auditimit ( ISSAI 5110-5140) dhe Udhëzuesit për auditimin e Mjedisit, referuar detyrimeve dhe funksioneve institucionale, KLSH do auditojë në vazhdimësi institucione të mjedisit, ku qëllimi është jo vetëm menaxhimi efektiv i fondeve buxhetore, por vend të rëndësishëm do të ketë mbrojtja e mjedisit, ujërave dhe pyjeve, në mënyrë që të ndihmojmë dhe synojmë zbatimin e legjislacionit me të gjitha kërkesat dhe parashikimet e tij, për një jetë dhe ambient sa më të shëndetshëm dhe të pastër publik. 

Planifikimet në auditimet e vazhdueshme të Kontrollit të Lartë të Shtetit, mbështetur dhe në objektivat e përcaktuara në marrëveshjen e arritur në Konferencën Globale të Klimës të Parisit, në 12 dhjetor 2015 dhe të miratuar nga vendet pjesëmarrëse, do të kenë në vëmendje dhe zbatimin e objektivave të qeverisë në drejtim të objektivave strategjik të vendosur konform kërkesave të marrëveshjes, që parashikon strategjinë afatgjatë për mënyrat si shtetet do përballojnë ndryshimet klimatike dhe që synon të pakësojë ndjeshëm rreziqet dhe ndikimet nga ndryshimi i klimës, kufizimin e emetimeve të gazeve me efekt serë në atmosferë, si dhe qëllimin final për mbajtjen e ngrohjes globale nën 2 gradë Celsius dhe ku sfidë për vendin tonë mbetet shtimi i sipërfaqeve të gjelbëruara si dhe ndryshimet e kërkuara në fushën e ndërtimeve, transportit, përmirësimin e cilësisë së ajrit nga ndotjet e shumta të rezultuara nga veprimtaritë dhe teknologjitë e vjetruara, dhe ndotjet nga veprimtaritë jo konform ligjit, me qëllim krijimin e një klime më të sigurt për planetin, jo vetëm për qytetarët e sotëm, por edhe për brezat që do të vijnë. Në këtë sfidë globale të vendit, Kontrolli i Lartë i Shtetit, referuar funksioneve të tij ligjore me auditimet që do të kryejë në vazhdimësi, do të mund të japë një rol pozitiv, duke sinergjizuar veprimtarinë tij, me aktorët e tjerë të fushës, Ministrinë e Mjedisit, Pushtetin Vendor, OJF aktive në fushën e mjedisit, me qëllim krijimin e një mjedisi sa më të shëndetshëm.


Shkrimi u botua në gazetën “Telegraf” të datës 07.01.2016
Sigal