Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Rama:Frutat e Omerit

133

(Kushtuar Omer Kaleshit)

Sigal

 

Zotëri, keni etje… doni një frut?

Një mollë, një dardhë, një ftua…?

Kujdes, këto fruta nuk duhen kafshuar,

janë tablo, vepra arti,

fruta me forma njerëzore,

me aromë mishi e gjaku,

me linjat e një gruaje të parë diku,

shkarazi, kur këputet hëna,

duke lënë pas një peng okër.

Fruta me linja gruaje,

vithe, gjinj, pleksje simbolike.

Janë frutat e mikut tim Omer,

pinjoll i Omeriadës së vjetër.

Midis seancave të lodhshme

piktori kërkon të çlodhet, ka etje.

Me sytë gjysmë mbyllur kërkon frutat në atelier,

dhe endet si i dehur, në ëndërr,

me imazhet e një gruaje që veç e ka fshikur

dhe e ka lënë aty në komodinën e kujtesës

s’dihet kur…

Dhe atëherë ngjyen spatulën e tij në paletë,

pleks bojrat që shndrisin

pak llavë që djeg,

një të blertë bregoreje që ngjitet drejt diellit,

dhe pak të zezë trishti, mungese,

e bardha është e vetë telajos,

ajo pret dorën e tij,

të ngjesh spatulën mbi të,

si të prekë barkun e njomë të saj,

të pështetet paqësisht,

dashurisht.

Omer hedh ngjyra, hedh farë,

mbjell ashtu si një farëmbjellës i Selenicasit,

në freskun e pambarimtë të jetës,

në forma gruaje ai fal dashuri.

Krijon fruta femërorë

aty, ofruar në atë tabaka të bardhë,

në sofrën e telajos së madhe,

mund t’i shijoni

ashtu siç shijojmë shpirtrat e krijuar

në një sallon arti…