Mishmashet e qeverisjes që po i plasin skandalet njëri pas tjetrit
Nuk janë të pakët ata njerëz që më 2013 menduan dhe besuan se qeverisja me emrin “Rilindje” dhe kryeministri Edi Rama do të bënte diçka të mirë me dorë të fortë në të mirë të vendit dhe shqiptarëve. Kuptohet që një qeverisje 8 vjet në pushtet si ajo e Berishës dhe Ilir Metës kishte konsumim dhe një ndryshim në qeverisje u mendua si e nevojshme. Por ishte një mirëbesim që u fik si flakë kashte edhe pse “flaka” e mashtrimit zgjati kaq gjatë dhe sot jemi këtu ku jemi në një qeverisje mishmash, që shkon nga skandali në skandal. Unë si qytetar shqiptar e shihja me dyshim çdo lëvizje të qeverisjes në fjalë, sepse kisha në kujtesë keqqeverisjen e bashkisë së Tiranës nga Edi Rama për 11 vjet që siç i thonë fjalës e bëri mysybet, fasadë të gjallë dhe arrogancë të theksuar sa fjalori i tij ishte për turp të Zotit. Xhestet e tij prej futuristi dhe 20 përqindshat që merrte dhe që një biznesmen si Abedin Fratari ia përplasi troç fare se sa i kishte kërkuar për ndërtimin e një pallati si bakshish 1 milion euro. E kemi dëgjuar me zë e figurë këtë fakt që kanë mbetur si relike në kujtesë se në këto 10 vjet ai i bëri vepra të rilindjes së zezë. Por siç ka ndodhur përherë me këtë popull që e ha sapunin për djath, e votonin edhe pse figurat e kandidatëve kundërshtarë ishin të mira dhe premtuese. Sipas shprehjes që “po më gënjen bukur, më pëlqen ndaj vazhdo” populli i majtë e votonte edhe pse problemet dhe taksat rëndojnë mbi shpatullat e tij, rëndonte betonizimi i hapsirave vend e pa vend dhe përfitimet i kishte kryebashkiaku që kishte një fjalor të rëndë brutal dhe arrogant dhe lakuriqësia e tij i pëlqente popullit. Me këtë panoramë erdhi 2013-ta dhe sot jemi në 2023-shin dhe ‘vendin e ka marrë lumi’,- thotë fjala e urtë. Nuk ka vërshime ujrash, por vërshime hajdutërie pa fre, ka vjedhje të fondeve publike ku të mund, me porojekte PPP nga “biznesmenë” anonimë pa lekë në xhep, por që pasuroheshin brenda natës se paratë i jepte qeveria. Por gjithçka nga këto shoqërohej me sjellje e lidhje mafioze që fshiheshin nën veladonin e poturreve të kryeministrit. Po ashtu edhe manifestimi në sjelljen e çdo ministri që para 10 vjetësh e deri më sot, ka skandale të dukshme dhe të padukshme, që shpërthejnë njëri pas tjetrit brenda e jashtë vendit si McGonigal dhe Amant Josifi së fundi, ka plane strategjike me ndërhyrje apo përfitime ministrore, ka inceneratorë dhe projekte sterilizuese, që nuk ekzistojnë, ka avionë që “rrëzohen” apo ndalojnë si rastësisht të mbushur me drogë të llojeve të ndryshme, ka shitje të detit dhe bregdetit për t’i bërë qejfin “sheikëve” hajdutë si kompesim për hajdutërinë me miliarda euro. Fijet e korrupsionit të lidhura me amerikanin e FBI McGonigal apo me ambasadorë të huaj, që e shesin menderën për para dhe kur dalin në shesh, heshtin shtetet që i kanë emëruar. Mishmashi është i madh dhe sfidues i çdo drejtësie sa reforma në drejtësi u bë si një përkëdhelje për t’u hedhur hi syve atyre fanatikëve të vjetër sidomos që mbetën trutharë dhe trushpëlarë. Çfarë të thuash e çfarë të mos thuash, por gjithçka që Berisha deklaron dhe ua thotë sheshit, po aq sa edhe Ilir Meta me të vetët janë të faktuara dhe Rama dhe ministrat e tij nuk dinë se nga t’ia mbajnë e si të justifikohen se bëjnë “muuuu”hajdutëritë. Gjithëçka lidhet me përfitimet me miliona euro, që ikin nga thesari i shtetit, edhe pse inceneratorët nuk ekzistojnë, edhe pse sterilizimi ishte një fiasko, edhe pse check up-i bëhet apo nuk bëhet, pak rëndësi ka. Më e rëndësishme është se kontratat me mafiozët e deklaruar dhe të denoncuar dhe të kërkuar ndërkombëtarisht i penalizojnë, por këto nuk i di qeverisja dhe kryeministri i saj. Nuk kam dijeni juridike për të thënë se çfarë punë bën SPAK apo Byroja Kombëtare e Hetimit, veç si qytetar di të them se kur bëhen aksione policore kapen vetëm shitësit dhe jo kokat e drogës siç ndodh në Itali apo në vende të tjera. Shou mediatik i policisë është meritë tanimë i Taulant Ballës që “sukseset” e tij në lidhjet me gjithçka mafioze japin frute se ky që sot është Ministër i Brendshëm duhet të ishte prapa hekurave dhe jo të bëhej titullar i rëndësishëm. Por aq i bën Edi Ramës, i do këta limona për t’i shtrydhur e mandej për t’i flakur siç bëri më Lefter Kokën dhe Arben Ahmetaj, siç do bëjë me të tjerë që janë njëri pas tjetrit në listën e hetimeve për vjedhje dhe abuzime me miliona euro. Dhe populli sheh dhe vrojton jo për të bërë protesta, por për të dëgjuar liderin botëror se si do flasë dhe se sa bukur do i ujdisë fjalët se fajin e ka Berisha me Meta se prandaj i duheshin institucionet t’i kapte një pas një që të justifikonte palodrejtësinë dhe palo institucione, që nuk shërbejnë për asgjë. Një mik me bindje të majta tradicionalisht dhe biznesmen më thotë se e kanë gjobitur keqas për një biznes të rregullt dhe me letra, vetëm e vetëm se me këtë biznesmen që ka vetëm eksport “nuk bisedohet” që ai t’u jepte ndonjë rryshfet. Mishmashet e kësaj qeverisje janë aq galopante sa asgjë nuk kontrollohet më, as ushqimet që hamë e që dalin nga skadenca, por populli i ha, sepse u ndërrohen datë skadencat, ilaçet janë nga më të pacilësishmet, por populli e ha gënjeshtrën dhe në vend të shërimeve, vdekjet bëhen të shpeshta. Pensionistët sorollaten në mizerjen e çmimeve të larta dhe ata me pensionet e tyre habiten se si është e mundur t’u ngrihet rroga me miliona lekë atyre që vjedhin dhe ata të katandisen në mjerim. Ndoshta është për të cituar atë shprehjen e filozofit anglez George Oruell që thotë- “Një popull që zgjedh në krye të vendit të vet njerëz të korruptuar, hajdutë, maskarenj dhe tradhëtarë (siç i ka këto cilësi kryeministri Edi Rama)… nuk është “viktimë”, është “bashkëpunëtor” i tyre …!!!”. dhe thuaj pastaj që mishmashet e një qeverisje si kjo e sotmja, nuk janë bërë si model i etiketuar edhe nga raportet ndërkombëtare dhe nga vetë Departamenti amerikan i Shtetit. Çudi e madhe kjo punë në vendin tonë. Populli që voton dhe populli që e vuan shitjen e votës.