Hyqmet Zane: Normalja si model arsimimi dhe programet degjenerative të arsimit të sotëm

43
Sigal

Mësuesia ka qenë profesioni im i dashur për të cilin kam investuar jo pak që nga shkollimi i lartë e deri në eksperiencat e fituara vit pas viti kudo punova. Për të gjithë brezin tim të armatës së arsimtarëve mësimdhënia ishte në baza shkencore dhe me frutdhënie të mira sa nxënësit shqiptarë shkëlqenin edhe në shkollat europiane e deri në Amerikë. Ajo që e dallonte këtë program arsimi nuk ishte vetëm modeli i shkollës ruse që aplikohej, por modeli i arsimit të Normales elitare që zotërohej nga ekpserienca e shkollave të tilla homologe në Europë, që nga fillimshekulli XX. Dhe suksesi ishte i dukshëm se Normalja e Elbasanit, që është cilësuar si “Universiteti i Parë Shqiptar”, u bë modeli i arsimit mbarëkombëtar si në kohën e Mbretërisë, ku shkëlqenin mësuesit elbasanas, ashtu edhe gjatë Luftës II Botërore me atë përhapje të gjerë të shkollave dhe gjuhës shqipe në të gjitha trojet etnike shqiptare me atë vendim madhor të ish ministrit të arsimit të kohës Ernest Koliqit.

Edhe pse diktatura e futi arsimin në hullitë e ideologjisë komuniste, përsëri duhet thënë se pjesa e arsimimit ishte profesional dhe shkencor nuk u ndryshua baza dhe është e ditur tanimë se në të gjitha nivelet e arsimit kishte korrektesë profesoriatesh dhe kabinetesh pedagogjike, dhe frutet e tyre jepeshin në jetën e përditshme. Ai lloj arsimi nxori profesorë dhe studiues, inxhinierë dhe doktorë, akademikë dhe njerëz të vlerave në profesione të ndryshme, që janë të papërfolur për keq nga askush në çdo kohë, duke shmangur atë “fillin e kuq” të ideologjisë së sitemit. Për hir të së vërtetës në këto 32 vite të ndryshimit të sistemit ose siç më pëlqen ta them të “tranzicionit demokratik”, sepse demokracia ka mbetur në klasë dhe as për vjeshtë nuk po e merr provimin “arsim i vërtetë”, që ka degraduar vit pas viti derisa sot mund të thuhet se për fat të keq ështëi shkatërruar. Politikat programore të aplikuara si interesa private e kanë kthyer arsimin në një sistem arsimor me letra ku mësimdhënia është asfiksuar dhe autoriteti i mësuesit ka rënë në një nivel të papranueshëm.

Shpesh themi se mësuesia është një profesion fisnik dhe që merr vlera nga profesionalizmi i çdo mësuesi, aplikimi i mësuesitpatronazhistit e ka katandisur shkollën tonë dhe vetë profesionin e mësuesisë në një profesion të pavlerë. Dhe kjo po reflektohet tek mosndjekja dhe mbyllja e shumë degëve të mësuesisë të universiteteve shqiptare. Kjo situatë alarmante që nuk e shqetëson fare as Ministrinë e Arsimit dhe as qeverisjen apo Akademinë e Skënder Gjinushit, dikur ministër arsimi, është një dëm i madh që i bëhet universiteteve, por një dëm shumë më i madh që i bëhet të ardhmes së shkollës shqiptare, që ka degraduar në të gjitha drejtimet dhe duket se është mbjellë injoranca në shkolla. Pak vite më parë një drejtues arsimi më shprehej në koefidencë se programin e sotëm të arsimit e ka sjellë Toni Bler dhe për këtë ai shpërblehet çdo vit me disa milion euro. Unë nuk do isha kundër arsimimit të modelit anglosakson, por të sjellësh programe, që zbatohen në vende afrikane për Shqipërinë europiane, kjo është një kujë e madhe. “Na kërkohen vetëm plotësim letrash” – thonë drejtues të arsimit në çdo qytet të madh shqiptar. Edhe ekipet kontrolluese, që venë nëpër shkollat më shumë kërkojnë plotësimin e letrave sesa të kërkojnë nivelin e mësimdhënies dhe të të nxënurit nga nxënësit. Kjo është aq e vërtetë sa një model i tillë u pa edhe në reformën në drejtësi kur Vettingu nuk gjykoi profesionalizmin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por u morën me paratë dhe pasuritë, sa që sot ndodhin çudira në sistemin gjyqësor ku kapja e drejtësisë është kthyer në një stan që ka për çoban kryeministrin dhe “haremin” e tij.

Nuk dua të jem i njëanshëm për të thënë se jo vetëm në këto 11 vjet,  por pas 1997-ës degradimi dhe rënia e arsimit në duart e xhabazëve të ministrisë me drejtues pa asnjë njohje dhe pa asnjë nivel përfaqësimi arsimor ka bërë që shkolla të shihet si gjë pa vlerë dhe jo që e vërteta është se “si është arsimi sot, do të jetë kombi nesër”, për të cilën luftuan, punuan  dhe ndriçuan shekullin e 19-të rilindasit tanë të nderuar. Por atyre rilindasve të vërtetë dhe atyre, që formëzuan Normalen e Elbasanit, që u kthye në model ekselent, nuk do ua kish marrë mendja se do vinte një kohë që arsimi do të degradohej dhe shkolla do të kthehej në një ambjent ku djemtë dhe vajzat nuk duan të dinë për mësuesit, që i fyejnë dhe i dhunojnë siç ndodhi në Lezhë apo ndodh në çdo shkollë ngaqë autoriteti i mësuesit diktohet nga rrugaçëria dhe mungesa e nivelit profesional. E zeza e rilindjes alla Edi Rama ka dhënë frute në çdo aspekt jetik të shqiptarëve, por që kjo do të bëhej degjenerative për arsimin. Këtë shoqëria shqiptare duhet të mos e pranonte, të protestonte. Handikapet e aplikimeve si për degën e mjekësisë dhe ikja pa ndalim e rinisë në emigrim janë pasoja edhe të keqqeverisjes edhe në sektorin arsimor. Në Ministrinë e Arsimit mund të ketë specialistë të mirë, por ata struken kur përballë tyre dalin patronazhistët dhe ministra që nuk e njohin abc-në e politikave të arsimit shqiptar ose janë viktima të liderit botëror me poturre, që sillet vërdallë si “re në pantallona” në mesin e shqiptarëve.

Aplikimi i shërbimit psiko-social në shkolla me psikologë dhe punonjës socialë ndoshta ka zbutur me jo pak problematika agresivitetin e fëmijëve që me arrogancë nuk pyesin ose tallen me mësuesit, që nuk mësojnë, nuk marrin libra në shkollë, pijnë cigare dhe hashash, mbajnë armë të ftohta dhe grindjet kanë qenë prezente dhe askush nuk ka mundësinë t’i ndalojë në marrëzitë e tyre, veç prezenca e policit të zonës. Sado të duan dhe të tregojnë aftësi këto psikologë dhe punonjës socialë, e keqja që ka depërtuar në shkolla është bërë barrierë e pakalueshme dhe mësuesit herë bëhen e herë nuk bëhen bashkëpunues me ta.

Humbja e integritetit të shkollave dhe arsimit shqiptar janë zbatimi potencial i arrogancës qeveritare dhe të vetë kryeministrit, që e manifeston atë hapur dhe çdo familje shqiptare ka bashkëshoqëruese varfërinë dhe hajdutërinë qeveritare me çdo kusht e me çdo mjet ndaj, dhe që ikin nga sytë këmbët dhe shkolla merr vulën e degjenerimit potent nga filozofia e patronazhizmit injorat, pa diplomë, por të blerë.

Kurrë nuk e kam menduar, edhe pse e ndjej realitetin e hidhur sa ish nxënësit e mi që një pjesë janë mësues e pohojnë me keqardhje faktin se “nuk ka ma shkollë o mësues, u prish arsimi”! Ish mësuesi im, sot 92 vjeçar, kryetar i shoqatës Normalisti Rudolf Deliana, njeri nga pinjollët e familjeve të nderuara të lagjes Kala të Elbasanit me keqardhje e pohon realitetin e hidhur, edhe pse ka krenarinë e normalistit dhe brezave të normalistëve, që me të vërtetë bënë shkollën e vërtetë shqiptare. Për këtë duhet të shqetësohet shoqëria shqiptare dhe të ngrihet në këmbë se po i prishet e ardhmja kombit tonë. Një personalitet i mirënjohur dhe me vuajtje të mëdha në jetën e tij si Nelson Mandela ka pohuar se “Edukimi arsimor është armata më e fuqishme, të cilën ne mund ta përdorim për të ndryshuar botën”. Përkundër kësaj kjo rilindja e zezë e socialistëve me qeverisjen rrumpallë përdori shkatërrimin e arsimit për të zbatuar projektet mafioze në Shqipëri.