Referuar revistës “Dituria”, 1927, dhe materialeve të tjera
Më e vjetra teqe Bektashiane në Shqipëri është e Kasëm Babajt Kostur dhe Devoll, pastaj Konica dhe Gjinokastra. Nga sa mund të formojmë sot një mendim, i pari që ka përhapur bektashizmën tek ne është Sarë Salltëk, dhe manastiri i Shën Naumit mbi liqenin e Ohrisë venerohet si një teqe e Sarë Salltëkut. Më pastaj vijnë teqet e Kosturit dhe e Konicës, e Turballiut në Farsallë (Thesali), e Kallkandelenit (Tetovë), e Gjirokastrës (teqe e Zallit) dhe e Krujës…Të mosqenit zakon e të mbajturit arkiva, e të shënuarët mbi kartë ngjarjet e Teqesë, regjistrimet e myhibëve, të mos u-interesuarët në rrjedhjet e punëve dhe të ndodhinave në qarkun e faltores, kanë qenë shkaqe, që sot kemi në dorë fort pak, në mos dhe krejt fare, dokumenta. Mbi këto shtoni dhe persekutimet që ngjanë në kohë të sulltan Mahmudit, dhe tani afër shkretimet e motit 1914. Nga letrat që më kanë ardhur prej teqeve vë re, fatkeqësisht, mungesën e informatave të caktuara, dhe më tepër akoma të kujtimevet të vjetra.
Nga teqe e Përmetit lajmërohem se, themeltari i saj Haxhi Babaj, mbas traditave, do të ketë qenë 300 vjet më parë. Teqe e Melçanit, pas një guri që gjendet në të, thuhet se më 1226 të hixhretit (afro 1800, me datën e Krishtit), u themelua prej At Qazimit. Që atëherë kanë ardhur tetë etën: At Hyseni (themelonjësi); At Mustafa, At Salih, At Abdullah, At Hamid, At Adem, At Hysen dhe At Qazim i sotëm. Teqe e Frashërit themeluar prej Tahir Dede, me emër tjetër Nasibi Sulltani, drejt motit 1230 (afro 1830). Që atëherë kanë ardhur: At Jusuf, At Alush, At Hysen, At Abidin, At Sheme, At Mustafa i sotëm. Teqe e Prishtës është themeluar më 1873 prej At Belulit, i cili ndenji në kryesi 38 vjet, dhe vendin e tij e zuri At Halimi i tanishëm. Teqe e sotme e Qatromit (afër Korçës) është e goditur më 12 qershor 1307 të hixhretit (1890), te vendi ku gjendej një zavije e vogël. Faltore e Tomorit, e sotme, ka për themeltar At Iliaz Vërzhezhën, më 1916, kur ishte akoma dervish; sot gjendet në krye të kësaj teqeje At Ali Tomori.
Mbas informatave që marr nga At Ali Tomori, Kuzibabaj që ka varrin në Vlorë, dhe At Demirhan Ibrahim i Tepelenës, qenkan kontemporanë në shekullin e gjashtëmbëdhjetë. Po këto i lë të na i tregojë vetë At Aliu në librin që na premtoi mbi historinë e bektashizmës në Shqipëri. Nuk mund të mos kujtoj dot këtu humbjen e teqeve të moçme të Eubesë (Egribos, në qytet Halqis), që nuk ekziston prej shumë vjetësh. Tani, nga lufta Balkanike e tëhu, janë prishur dhe teqet e Xhumasë, të Allasonës, të Katerinës, të Selanikut dhe të Konicës: sado që kryetarët dhe varfët e këtyre tempujve ishin dhe janë shqiptarë, dhe pasunija gjendet e regjistruar në emër të tyre, qeveria greke profitoi nga kushtet e këmbimit për të dëbuar atrit dhe varfët, për të konfiskuar pasurinë dhe për të mbyllur teqetë.
Në orët që po shkruajmë, teqe e madhe dhe e venerueshme e Turballiut akoma po qëndron kundër valëve. Si edhe për çdo send, që është jona, e Shqipërisë. Do të ishte mirë që të ngjallim edhe kujtimet e vjetra relativ me faltoret e bektashizmës. Mund të fillojmë duke mbledhur dhe shënuar sendet që mbahen mend, dhe pa vonuar se, duke shkuar ditët pakësohen, edhe ata që mund të na informojnë, ata që kanë parë me syt’ e tyre dhe që mbajnë mend. Duke qenë kjo vepër për secilën teqe me radhë, me ndërgjegje dhe kujdes, padyshim që hidhet themeli i një historie. Pastaj është detyra e të gjallëve që të mbajnë në rregull arkivat e tyre. Kësaj pune i duhet vënë pa vonesë. Nga ana tjetër do të dëshironim që At Ali Tomori të shogrojë – veten dhe kohën e tij në mbledhjen e këtyre dokumenteve, në shkrimin e librave fetare pa vdjerur mundimin për këndime, vjersha dhe këngë: të tjerë mund t’i bëjnë këto, kurse gjer më sot e kemi parë që fort të pakët kanë qenë punuesit me durim e me ndërgjegje. Besojmë se fuqi e njeriut vjen duke qëndresuar, duke mbledhure vullnetin e tij mbi pak sende, në të ndjekur një ide, në të kufizuar dëshirat, që të mos ndehet dhe të dobëtohet zotësia jonë për punim (Dituria 1927, nr. 1 f. 71-72)
Shqipja, gjuhë zyrtare: Më 26 shtator 1929 u mbajt Kongresi i Bektashinjëve në teqen e Turanit, në Korçë. Kongresi erdhi si një nevojë për riorganizimin e komunitetit bektashi në territorin shqiptar. Komuniteti organizoi disa kongrese, i pari në teqen e Prishtës (Skrapar) mbajtur më 17 janar 1921, i dyti në teqen Hajdarie, (Gjirokastër) më 9 korrik 1924. Më pas ai në teqen e Turanit në Korçë, ku morën pjesë 47 delegatë (34 prej tyre ishin të ftuar – laik), mes tyre prefekti i Korçës Hil Mosi dhe kryebashkiaku Vasil Avrami, ndërsa nga komuniteti bektashi kryetari, Gjysh Kamber Prishta.
Kongresi më datë 28 shtator miratoi rregulloren e brendshme të komunitetit ku një pjesë e rëndësishme në këtë rregullore ishte edhe përdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare. Personeli fetar duhet të ishte mbi 25 vjeç dhe organizimi i brendshëm do të ishte nën strukturën: Kryegjysh, Këshill Miks, këshilla vendore të gjyshërve, këshilla të prindërve si edhe ofiqarë shërbimi fetar. Komuniteti bektashi është person juridik dhe gëzon të drejtat të personit moral. Komunitetet ndahen në Gjyshëri: e Krujës, Elbasanit, Korçës, Frashërit, Prishtës, Gjirokastrës. Vendi ku u krye ky kongres, Teqeja e Turanit, do të bëhej qendra e parë Botërore e përkohshme e Bektashizmit në Shqipëri. Pas këtyre zhvillimeve, në mars të vitit 1930, Mbreti Zog emëroi Kryegjysh Botëror të Bektashinjve Sali Niazi Dedenë e më pas me vendimin nr. 659, dt. 02.08.1930 vendosi Selinë e Shenjtë Botërore në Tiranë.
Kujtojmë me këtë rast djegien e Qesarakës dhe të Teqesë: “Ushtria barbare e Greqisë pasi plaçkiti gjithë gjënë e fshatit Qesarakë, si dhe të Teqesë, dogji dhe 5 shtëpi prej fshatit, i vuri dhe zjarr Teqe-së. Njerëzit e fshatrave të Përmetit e të Kolonjës iknë dhe fshatrat i lanë shkretë, rodhë gjithë në Skrapar zbathur e zhveshur e pa derman, si mos më keq o Zot. Kumandari i ushtrisë greke po përdor masa të këqia kundër atyre fshatarëve të mjerë që mbetnë, dhe me pa-hir e me të-rrahur u-merr vulat dhe i përdor për të vulosur shkresa, në të cilat shkruan, se ushtria greke u-suall mirë, dhe populli vendës është mirënjojtës se e shpëtoi nga grabitësit shqiptarë. U lutemi ngrini zënë dhe juve me të nderçmen gazetë “Përlindja e Shqipërisë” për këto të këqija që po punohen
N.R: Gazeta jonë, kurrë s’ka pushuar së ngrituri zënë për të mbrojtur të drejtat e atdheut dhe kurrë s’ka për të pushuar gjersa të shohë tërë shqiptarët të bashkuar nën një flamur të gjithë tok. Atë hidhërim që sot po heqin atdhetarët tanë në robërinë e djeshme dhe ne sa më tepër, por duhet pak durim se për së shpejti kanë me ardhë dhe ditë gëzimi”. (“Përlindja e Shqipërisë” Vjet’ i 11, N. 10, e mërkurë 1/14 kallënduer 1914, f.4)
E pabesueshme qe edhe vrasja e Atë Stath Melanit: Atë Stath Melani lindi në fshatin Melan të Përmetit më 1858. Në moshë të vogël u vendos me të atin në Stamboll, ku u njoh me patriotët e kohës dhe zhvilloi ndjenjat kombëtare. Më 1899 u dorëzua prift dhe më 1900 u kthye nga Amerika, ku pat emigruar, për në Përmet. Me qëllim që të mbështeste luftën për pavarësi kombëtare, krijoi më 1911 një çetë komitësh me djem nga fshatrat e Përmetit. Më 1912 u caktua komandant i zonës së Përmetit nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës. Më 1914, pas krijimit të Republikës Autonome të Epirit të Veriut, u përball disa herë me forcat andarte greke. Për shkak të veprimtarisë patriotike, u burgos si më 1909 nga autoritetet osmane, ashtu edhe më 1914 nga qeveria e Haxhi Qamilit. Më 24 dhjetor 1917 ra në një pusi të çetës së Sorropullit ku jeta e tij përfundoi me kokë të prerë, sepse mbajti meshën e parë në shqip në Përmet në vitin 1899. Atdhetari At Stath Melani, u lind në Melan të Përmetit më 11 shtator 1858 dhe u vra më 24.12.1917, komandanti i çetës atdhetare (1909-1912).
Referuar Revistës “Dituria”, 1927, dhe materialeve të tjera