Prof. Artan Fuga: Koha historike nuk ka drejtim

872
Sigal

Kjo është një kabinë elektrike e viteve 30, e shoqërisë shqiptare të elektrikut. Ma dërgoi foton miku i këtij rrjeti z. Alfred Collaku. Krahasojeni, ju kam rixha, me kabinat e sotme, në mos me zyrat e sotme ku shkojmë të paguajmë faturat…! Ngjan sikur është monument kulture.  Dhe pastaj mos besoni etërit dhe themeluesit e sociologjisë që në fillimet e 1900-s u ngritën dhe kritikuan idenë e progresit si një tendencë e shoqërisë që filozofë të njohur e kishin mbrojtur në shekuj.  Për etërit e sociologjisë ideja e progresit është pa kuptim, një lloj dogme propagandistike për masat dhe për të trullosur intelektualë naivë ose që duan të shpjegojnë gjithçka në mënyrë totalitare.  Progresi i matur me çfarë parametrash? Progres në çfarë drejtimi?  I shoqëruar me regres në cilat drejtime?  Parametra progresi për cilat shtresa shoqërore, etj? Këto të gjitha mund të jenë divergjente me njëra tjetrën.  Progres në vetvete kështu të natyrshëm dhe global nuk ka. Koha historike sikurse koha astronomike është pa drejtim. Në mos nuk lexoni dot tjetër, lëçisni pak Mjerimin e Historicizmit të Karl Popperit. I kritikuar është edhe ai, por më mirë se hiç fare. Ky është një nga problemet logjike të historianëve, antropologëve dhe politologëve tanë. Janë robër të idesë të progresit, si dogmë ideologjike. A thua se njeriu një ose pesë shekuj më parë ka qenë më keq se tani në të gjitha pikëpamjet! A thua se historia ka një drejtim dhe shkon nga më e ulëta në më të lartën! Cila është e ulëta e kush e larta? Nuk ishte demokracia në lashtësi dhe totalitarizmi në shekullin XX? Na thoni ku shkon historia? Kush e di? Dhe atëherë do ta themi se po progresojmë ose jo! Historian nuk është ai që gjen ca letra të vjetra në valixhen e gjyshit dhe i këndon duke i marrë të mirëqena! As ai që u beson thjesht konvergjencës së dokumenteve të gjetura në sënduk dhe ato që ka gjetur te xhepat e palltos të vjetër të gjyshit që ka luftuar te ushtria e Haxhiut.  Në fillim duhen konceptet logjike për historinë. Duhet filozofia e historisë. A mësohet ajo? A ka tekste shqiptare për të? A e dinë mësuesit atë? Kujeeeeeee!